M’Cheyne Bible Reading Plan
10 Pastaj Nadabi dhe Abihu, bij të Aaronit, morrën secili temjanicën e vet, i vunë brenda zjarr, vendosën mbi të temjanin dhe ofruan para Zotit një zjarr të palejueshëm, që ai nuk ua kishte urdhëruar.
2 Atëherë një zjarr doli nga prania e Zotit dhe i përpiu ata; dhe ata vdiqën përpara Zotit.
3 Prandaj Moisiu i tha Aaronit: "Kjo është ajo për të cilën foli Zoti, duke thënë: "Unë do të jem shenjtëruar nga ata që më afrohen mua dhe do të jem përlavdëruar përpara tërë popullit"". Dhe Aaroni heshti.
4 Pastaj Moisiu thirri Mishaelin dhe Eltsafanin, bij të Uzielit, ungj i Aaronit, dhe u tha atyre: "Afrohuni dhe largoni vëllezërit tuaj nga pjesa e përparme e shenjtërores, jashtë kampit".
5 Kështu ata u afruan dhe i larguan ata të veshur me tunikat e tyre, jashtë kampit, siç kishte thënë Moisiu.
6 Pastaj Moisiu u tha Aaronit, Eleazarit dhe Ithamarit, bij të tij: "Mos e zbuloni kokën tuaj dhe mos i grisni rrobat tuaja që të mos vdisni, dhe që Zoti të mos zëmërohet kundër tërë asamblesë; por vëllezërit tuaj, e tërë shtëpia e Izraelit, të mbajnë zi për zjarrin që ka ndezur Zoti.
7 Mos u largoni nga hyrja e çadrës së mbledhjes që të mos vdisni, sepse vaji i vajosjes së Zotit është mbi ju". Dhe ata bënë ashtu si kishte thënë Moisiu.
8 Zoti i foli akoma Aaronit, duke thënë:
9 "Mos pini verë as pije dehëse as ti as bijtë e tu, kur do të hyni në çadrën e mbledhjes, që të mos vdisni; do të jetë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj,
10 me qëllim që të mundni të dalloni midis të shenjtit dhe profanit, midis të papastrit dhe të pastrit,
11 dhe të mundni t’u mësoni bijve të Izraelit të gjitha ligjet, që Zoti u ka dhënë atyre me anë të Moisiut".
12 Pastaj Moisiu i tha Aaronit, dhe Eleazarit dhe Ithamarit, bijve që i kishin mbetur Aaronit: "Merrni blatimin e ushqimit që tepron nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin dhe hajeni pa maja pranë altarit, sepse është gjë shumë e shenjtë.
13 Do ta hani në vend të shenjtë, sepse është pjesa që të përket ty dhe bijve të tu nga flijimet e bëra me zjarr për Zotin, sepse kështu më ishte urdhëruar.
14 Gjoksin dhe kofshën e ofertës së tundur do t’i hani ti dhe bijtë e tu dhe bijat e tua bashkë me ty, në një vend të pastër, sepse janë pjesa që të përket ty dhe bijve të tu, dhe që ju është dhënë juve nga flijimet e falenderimit të bijve të Izraelit.
15 Bashkë me ofertat e dhjamit të bëra me zjarr, do të çohen kofsha e ofertës së lartë dhe gjoksi i ofertës së tundur para Zotit; edhe kjo të përket ty dhe bijve të tu, si një statut i përhershëm, si ka urdhëruar Zoti".
16 Pastaj Moisiu hetoi me kujdes për cjapin e flijimit për mëkatin; dhe ja, ishte djegur; prandaj u zemërua kundër Eleazarit dhe kundër Ithamarit, bijtë e Aaronit që kishin mbetur, duke thënë:
17 "Pse nuk e hëngrët flijimin për mëkatin në vend të shenjtë, sepse është gjë shumë e shenjtë, dhe Zoti ua ka dhënë me qëllim që të sillni padrejtësinë e asamblesë, që të bëni shlyerjen për ta përpara Zotit?
18 Dhe ja, gjaku i flisë nuk u çua brenda vendit të shenjtë; ju duhet ta kishit ngrënë në vend të shenjtë, si kisha urdhëruar".
19 Aaroni i tha pastaj Moisiut: "Ja, sot ata më kanë ofruar flijimin e tyre për mëkatin dhe olokaustin e tyre përpara Zotit, dhe më kanë ndodhur gjëra të tilla; po të kisha ngrënë sot viktimën e flijimit për mëkatin, a do t’i pëlqente kjo syve të Zotit?".
20 Kur Moisiu i dëgjoi këto, mbeti i kënaqur.
11 Unë gjej strehë te Zoti; si mund t’i thoni shpirtit tim: "Ik në malin tënd, si një zog i vogël"?
2 Sepse ja, të pabesët nderin harkun e tyre, rregullojnë shigjetat mbi kordhëz, për t’i gjuajtur në errësirë kundër atyre që kanë të drejtë nga zemra.
3 Kur themelet janë shkatërruar, çfarë mund të bëjë i drejti?
4 Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; Zoti ka fronin e tij në qiejtë; sytë e tij shohin, qepallat e tij vëzhgojnë bijtë e njerëzve,
5 Zoti vë në provë të drejtin, por shpirti i tij urren të pabesin dhe atë që do dhunën.
6 Ai do të bëjë që të bien mbi të pabesët leqe, zjarr, squfur dhe erëra zhuritëse; kjo do të jetë pjesa nga kupa e tyre.
7 Sepse Zoti është i drejtë; ai e do drejtësinë; njerëzit e drejtë do të sodisin fytyrën e tij.
12 Na shpëto, o Zot, sepse njerëz të devotshëm ka më pak, dhe ata që thonë të vërtetën janë zhdukur në mes të bijve të njerëzve.
2 Secili gënjen të afërmin e tij dhe flet me buzë lajkatare dhe me zemër të zhdyzuar.
3 Zoti i preftë të gjitha buzët lajkatare dhe gjuhën që flet me krenari,
4 të atyre që thonë: "Me gjuhën tonë do të sundojmë; buzët tona na përkasin neve; kush është zot mbi ne?".
5 "Për shkak të shtypjes së të mjerëve dhe të britmës së nevojtarëve, tani do të çohem," thotë Zoti, "dhe do t’i shpëtoj nga ata që u zënë pusi".
6 Fjalët e Zotit janë fjalë të pastra, si argjend i rafinuar në një furrë prej dheu, i pastruar shtatë herë.
7 Ti, o Zot, do t’i mbrosh dhe do t’i ruash, duke filluar nga ky brez përjetë.
8 Të pabesët sillen pa u ndëshkuar kudo, kur midis bijve të njerëzve lavdërohet e keqja.
25 Edhe këto janë fjalë të urta të Salomonit, të transkriptuara nga njerëzit e Ezekias, mbretit të Judës.
2 Éshtë lavdi e Perëndisë të fshehësh një gjë, por është lavdi e mbretërve ta hetosh atë.
3 Qiejtë për lartësinë e tyre, toka për thellësinë e saj dhe zemra e mbretërve janë të panjohshëm.
4 Hiq zgjyrën nga argjendi dhe ka për të dalë një enë për argjendarin.
5 Largo të pabesin nga prania e mbretit dhe froni i tij do të bëhet i qëndrueshëm në drejtësi.
6 Mos u përlëvdo në prani të mbretit dhe mos zër vendin e njerëzve të mëdhenj,
7 sepse është më mirë të thuhet: "Ngjitu këtu lart," se sa të të ulin përpara princit, që sytë e tu kanë parë.
8 Mos bëj padi me tepër nxitim, sepse në fund nuk do të dish çfarë të bësh, kur i afërmi yt do të të ketë bërë me turp.
9 Diskutoje padinë tënde kundër të afërmit tënd, por mos e zbulo sekretin e një tjetri,
10 me qëllim që ai që të dëgjon të mos të të diskreditojë dhe nami yt të njolloset për gjithnjë.
11 Një fjalë e thënë në kohën e duhur është si molla të arta mbi një enë argjendi.
12 Për një vesh të bindur, një i urtë që qorton është si një vath i artë, një zbukurim prej ari të kulluar.
13 Një lajmëtar besnik është, për ata që e dërgojnë, si freskia e borës në kohën e korrjes, sepse ai e freskon shpirtin e zotit të tij.
14 Ai që mburret duke gënjyer se ka bërë një dhuratë është si retë dhe era pa shi.
15 Me durimin i mbushet mendja një princi dhe gjuha e ëmbël thyen kockat.
16 Në rast se gjen mjaltë, ha aq sa të mjafton, me qëllim që të mos dendesh dhe pastaj të vjellësh.
17 Shko rrallë në shtëpinë e të afërmit tënd, që ai të mos mërzitet me ty sa të të urrejë.
18 Njeriu që deponon gënjeshtra kundër të afërmit të tij është si një topuz, një shpatë dhe një shigjetë e mprehtë.
19 Besimi te një njeri i pabesë ditën e fatkeqësisë është si një dhëmb i thyer dhe një këmbë e ndrydhur.
20 Kush i këndon këngë një zemre të pikëlluar është si ai që heq rrobat e tij në një ditë të ftohtë dhe si uthulla mbi sodën.
21 Në qoftë se armiku yt ka uri, jepi bukë për të ngrënë, dhe në se ka etje, jepi ujë për të pirë,
22 sepse kështu do të grumbullosh thëngjij mbi kokën e tij, dhe Zoti do të të shpërblejë.
23 Era e veriut sjell shiun, dhe gjuha që shpif tinëz e bën fytyrën të indinjuar.
24 Éshtë më mirë të banosh në cep të një çatie se sa në një shtëpi bashkë me një grua grindavece.
25 Një lajm i mirë nga një vend i largët është si ujë i freskët për një njeri të lodhur dhe të etur.
26 I drejti që dridhet përpara të pabesit është si një burim i turbullt dhe një pus i ndotur.
27 Të hash shumë mjaltë nuk është mirë, dhe të kërkosh lavdinë tënde nuk është lavdi.
28 Njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure.
4 Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë.
2 Sepse ju e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus.
3 Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria;
4 që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder,
5 jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,
6 dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam.
7 Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.
8 Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.
9 Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri tjetrin.
10 Sepse ju e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve që janë në gjithë Maqedoninë; por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë.
11 dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar,
12 që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë.
13 Tashmë, vëllezër, nuk duam që të jeni në mosdije përsa u përket atyre që flenë, që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë.
14 Sepse, po të besojmë se Jezusi vdiq dhe u ringjall, besojmë gjithashtu që Perëndia do të sjellë me të, me anë të Jezusit, ata që kanë fjetur.
15 Dhe këtë po jua themi me fjalën e Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që kanë fjetur,
16 sepse Zoti vetë, me një urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe ata që vdiqën në Krishtin do të ringjallen të parët;
17 pastaj ne të gjallët, që do të kemi mbetur, do të rrëmbehemi bashkë me ata mbi retë, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin.
18 Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.