M’Cheyne Bible Reading Plan
22 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu Aaronit dhe bijve të tij që të heqin dorë nga gjërat e shenjta që më janë shenjtëruar nga bijtë e Izraelit dhe të mos përdhosin emrim tim të shenjtë. Unë jam Zoti.
3 U thuaj atyre: "Cilido burrë i fisit tuaj që në brezat e ardhshme do t’u afrohet në gjendje papastërtie gjërave të shenjta, që bijtë e Izraelit ia kanë shenjtëruar Zotit, do të shfaroset nga prania ime. Unë jam Zoti.
4 Asnjë burrë nga fisi i Aaronit, i sëmurë nga lebra ose me fluks qoftë, nuk do të hajë gjëra të shenjta deri sa të bëhet i pastër. Gjithashtu ai që prek çfarëdo gjë që është bërë e papastër nga kontakti me një kufomë, apo ai që ka pasur një lëshim fare,
5 ose ai që ka prekur një zvarranik që e ka bërë të papastër, ose një njeri që i ka komunikuar një papastërti të çfarëdo lloji,
6 personi që ka prekur këto gjëra do të jetë i papastër deri në mbrëmje dhe nuk ka për të ngrënë gjëra të shenjta para se të ketë larë trupin e tij me ujë;
7 mbas perëndimit të diellit do të jetë i pastër dhe do të mund të hajë gjëra të shenjta, sepse janë ushqimi i tij.
8 Prifti nuk do të hajë mish kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme apo të shqyer, për të mos u bërë i papastër. Unë jam Zoti.
9 Priftërinjtë do të respektojnë, pra, atë që kam urdhëruar, përndryshe do të mbajnë dënimin e mëkatit të tyre dhe do të vdesin sepse kanë përdhosur gjërat e shenjta. Unë jam Zoti që i shenjtëroj.
10 Asnjë i huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta; as një mik i priftit, as një rrogtar nuk do të mund të hajë gjërat e shenjta.
11 Por në rast se prifti ble një person me paratë e tij, ky do të mund të hajë nga ky ushqim ashtu si edhe ata që kanë lindur në shtëpinë e tij; këta mund të hanë nga ushqimi i tij.
12 Bija e priftit që është martuar me një të huaj nuk do të hajë gjëra të shenjta të ofruara për ngritje.
13 Por në qoftë se bija e priftit ka mbetur e ve, apo është ndarë nga burri dhe nuk ka fëmijë, dhe është kthyer të rrijë me të atin ashtu si kur ishte e re, do të mund të hajë nga buka e atit të saj; po asnjë i huaj nuk do ta hajë atë.
14 Në qoftë se dikush ha gabimisht një gjë të shenjtë, do t’i japë priftit gjënë e shenjtë, duke i shtuar një të pestën.
15 Priftërinjtë nuk do të përdhosin, pra, gjërat e shenjta të bijve të Izraelit, që ata i ofrojnë Zotit për ngritje,
16 dhe nuk do të bëjnë që ata të mbajnë dënimin e mëkatit për të cilin do të bëheshin fajtorë, duke ngrënë gjërat e tyre të shenjta; sepse unë, Zoti, i shenjtëroj"".
17 Zoti i foli akoma Moisiut duke i thënë:
18 "Folu Aaronit, bijve të tij dhe gjithë bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kushdo nga shtëpia e Izraelit ose nga të huajt në Izrael, që paraqet si olokaust për Zotin një ofertë për çfarëdo kushti ose çfarëdo dhurate sipas dëshirës;
19 për të qënë i mirëpritur, do të ofrojë një mashkull, pa të meta, të marrë nga qetë, nga dhentë apo nga dhitë.
20 Nuk do të ofroni asgjë që ka një të metë, sepse nuk do të ishte e pëlqyer.
21 Kur dikush i ofron Zotit një flijim falënderimi, që është marrë nga kopeja apo nga tufa, qoftë për të përmbushur një kusht, qoftë si ofertë vullnetare, viktima për t’u pëlqyer duhet të jetë e përsosur; nuk duhet të ketë asnjë të metë.
22 Nuk do t’i ofroni Zotit një viktimë të verbër, të çalë apo të gjymtuar, apo që ka ulcera, ekzemë ose zgjebe; dhe nuk do të bëni mbi altar flijime me zjarr për Zotin.
23 Do të mund të paraqesësh si ofertë vullnetare një ka ose një dele që ka një këmbë shumë të gjatë apo shumë të shkurtër; por si kusht nuk do të ishte i mirëpritur.
24 Nuk do t’i ofrosh Zotit asnjë kafshë me herdhe të vrara, a të shtypura, të këputura apo të prera; flijime të tilla nuk do të bëni në vendin tuaj.
25 Nuk do pranoni nga i huaji asnjë nga këto viktima për ta ofruar si bukë të Perëndisë tuaj, sepse në to ka gjymtime dhe të meta; nuk do të pëlqeheshin për ju.
26 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
27 "Kur do të lindë një viç, a një qengj a një kec, do ta lini shtatë ditë me të ëmën; nga dita e tetë e tutje do të pëlqehet si flijim i bërë me zjarr për Zotin.
28 Nuk do të therni një lopë apo një dele me gjithë të voglin e saj në të njëjtën ditë.
29 Kur do t’i ofroni Zotit një flijim falënderimi, paraqiteni në mënyrë që të pëlqehet.
30 Viktima do të hahet po atë ditë; nuk do të lini asgjë deri në mëngjes. Unë jam Zoti.
31 Do të respektoni, pra, urdhërimet e mia dhe do t’i vini në zbatim. Unë jam Zoti.
32 Nuk do të përdhosni emrin tim të shenjtë, por do të shenjtërohem në mes të bijve të Izraelit. Unë jam Zoti që ju shenjtëron,
33 që ju nxori nga vendi i Egjiptit për të qënë Perëndia juaj. Unë jam Zoti".
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
29 I jepni Zotit, o bij të të fuqishmëve, i jepni Zotit lavdi dhe forcë.
2 I jepni Zotit lavdinë që i përket emrit të tij; adhuroni Zotin në shkëlqimin e shenjtërisë së tij.
3 Zëri i Zotit është mbi ujërat; Perëndia i lavdisë gjëmon; Zoti është mbi ujërat e mëdha.
4 Zëri i Zotit është i fuqishëm, zëri i Zotit është i madhërishëm.
5 Zëri i Zotit thyen kedrat; po, Zoti thyen kedrat e Libanit;
6 i bën të hidhen si një viç, Libanin dhe Sirionin, si një buall i ri.
7 Zëri i Zotit çan flakët e zjarrit.
8 Zëri i Zotit e bën shkretëtirën të dridhet; Zoti bën që të dridhet shkretëtira e Kadeshit.
9 Zëri i Zotit bën që të lindin sutat dhe i lë pyjet pa gjethe; dhe në tempullin e tij çdo gjë thotë: "Lavdi!".
10 Zoti rrinte ulur në fron përmbi përmbytjen; po, Zoti rri ulur si mbret në përjetësi.
11 Zoti do t’i japë forcë popullit të tij; Zoti do të bekojë popullin e tij me paqe.
5 Ki kujdes hapat e tua kur shkon te shtëpia e Perëndisë; afrohu për të dëgjuar në vend që të ofrosh flijimin e budallenjve, të cilët as nuk dinë që veprojnë keq.
2 Mos u nxito me gojën tënde, dhe zemra jote të mos shpejtohet të thotë asnjë fjalë përpara Perëndisë, sepse Perëndia është në qiell dhe ti mbi tokë; prandaj fjalët e tua të jenë të pakta.
3 Sepse nga punët e shumta vijnë ëndrrat, dhe nga fjalët e shumta zëri i budallait.
4 Kur i ke bërë një zotim Perëndisë mos humb kohë ta plotësosh, sepse ai nuk kënaqet me budallenjtë; plotëso zotimin që ke marrë.
5 Më mirë të mos marrësh zotime se sa t’i bësh dhe të mos i plotësosh.
6 Mos lejo që goja jote ta çojë trupin tënd të mëkatojë dhe mos thuaj para lajmëtarit të Perëndisë: "Ka qenë gabim". Pse Perëndia duhet të zemërohej me fjalët e tua dhe të shkatërronte veprën e duarve të tua?
7 Sepse në ëndrrat e shumta dhe në fjalët e shumta ka kotësi; por ti ke frikë nga Perëndia.
8 Në rast se në provincë sheh shtypjen e të varfërit dhe shkeljen me dhunë të së drejtës dhe të drejtësisë, mos u habit nga kjo gjë; sepse mbi një pushtet të lartë ndodhet një më i lartë dhe mbi ta disa pushtete akoma më të larta.
9 Toka ofron përfitime më të mëdha se çdo gjë tjetër, dhe vetë mbreti shërbehet nga fusha.
10 Kush është i dhënë pas parasë, nuk ngopet kurrë me para, dhe kush dëshiron pasuritë nxjerr përfitim prej tyre. Edhe kjo është kotësi.
11 Kur rritet pasuria, shtohen edhe ata që e përpijnë; dhe çfarë përfitimi kanë prej saj pronarët, veç asaj që e shohin me sytë e tyre?
12 I ëmbël është gjumi i punonjësit, qoftë edhe kur ha pak ose shumë; por velitja e të pasurit nuk e lë atë të flerë.
13 Éshtë një e keqe tjetër e vajtueshme që kam parë nën diell: pasuritë e ruajtura për pronarin e tyre në dëm të tij.
14 Këto pasuri humbasin për shkak të një pune të keqe, dhe kështu në duart e birit që ka lindur nuk mbetet më asgjë.
15 Ashtu si ka dalë nga barku i nënës, kështu lakuriq do të kthehet për të shkuar si pati ardhur, pa marrë gjë nga mundi i tij që mund ta marrë me vete.
16 Edhe kjo është një e keqe e vajtueshme që duhet të shkojë pikërisht ashtu si ka ardhur; dhe çfarë përfitimi ka se është munduar për erën?
17 Përveç kësaj ai ha çdo ditë të jetës së tij në errësirrë, dhe ka shumë hidhërime, sëmundje dhe telashe.
18 Ja çfarë kuptova: është mirë dhe e përshtatshme për njeriun të hajë, të pijë dhe të gëzojë të mirën e gjithë mundit të tij nën diell, tërë ditët e jetës që Perëndia i jep, sepse kjo është pjesa e tij.
19 Çdo njeriu të cilit Perëndia i jep pasuri dhe të mira dhe të cilit i jep gjithashtu mundësinë t’i gëzojë ato, të marrë pjesën e vet dhe të gëzojë mundin e tij, kjo është një dhuratë e Perëndisë.
20 Në fakt ai nuk do të kujtojë shumë ditët e jetës së tij, sepse Perëndia i përgjigjet me gëzimin e zemrës së tij.
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit nëpërmjet vullnetit të Perëndisë, sipas premtimit të jetës që është në Krishtin Jezus,
2 Timoteut, birit të dashur: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit, dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
3 E falënderoj Perëndinë, të cilit i shërbej sikurse edhe të parët e mi me ndërgjegje të pastër, se pa pushim të kujtoj në lutjet e mia, ditë e natë;
4 dhe, kur kujtoj lotët e tu, kam shumë mall të të shoh që të mbushem me gëzim,
5 sepse kujtoj besimin e sinqertë që është në ty, i cili më parë ishte te gjyshja jote Loide dhe te nëna jote Eunike, dhe jam i bindur se është edhe te ti.
6 Për këtë arsye po të kujtoj ta zgjosh dhuntinë e Perëndisë që është në ty me anë të vënies së duarve të mia.
7 Sepse Perëndia nuk na ka dhënë frymë frike, por force, dashurie dhe urtësie.
8 Mos ki turp, pra, të dëshmosh Zotin tonë, as mua, të burgosurin e tij, por hiq keq bashkë me mua për ungjillin, sipas fuqisë së Perëndisë,
9 që na shpëtoi dhe na thirri me një thirrje të shenjtë, jo sipas veprave tona, por sipas qëllimit të tij dhe sipas hirit, që na u dha në Krishtin Jezus përpara fillimit të kohëve
10 dhe tani u shfaq me anë të dukjes së Shpëtimtarit tonë Jezu Krishtit, që e prishi vdekjen dhe nxori në dritë jetën dhe pavdekësinë me anë të ungjillit,
11 për të cilin unë u caktova predikues, apostull dhe mësues i johebrenjve.
12 Për këtë arsye unë po vuaj edhe nga këto gjëra, po nuk kam turp, sepse e di kujt i kam besuar dhe jam i bindur se ai është i zoti ta ruajë visarin tim deri në atë ditë.
13 Ruaje modelin e fjalëve të shëndosha që dëgjove prej meje me besim dhe dashuri, që janë në Krishtin Jezus.
14 Ruaje visarin e mirë me anë të Frymës së Shenjtë që rri te ne.
15 Ti e di se të gjithë ata që janë në Azi më kthyen krahët, dhe midis tyre Figeli dhe Hermogeni.
16 Zoti i dhëntë mëshirë familjes së Onesiforit, sepse shpeshherë më dha zemër dhe nuk pati turp nga prangat e mia;
17 madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti.
18 Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Ti e di më mirë se askush sa shërbime më bëri në Efes.