Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 2

Zoti i foli akoma Moisiut dhe Aaronit, duke u thënë:

"Bijtë e Izraelit do të vendosen secili pranë flamurit të vet nën shenjat e shtëpisë së etërve të tyre; do të vendosen rreth e rrotull çadrës së mbledhjes, por në një farë largësie prej saj.

Në krahun lindor, ndaj diellit që po ngrihet, do të vendoset flamuri i kampit të Judës simbas renditjes së tij; prijësi i bijve të Efraimit është Nashoni, bir i Aminadabit;

ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.

Pranë tij do të vendoset fisi i Isakarit; prijësi i bijve të Isakarit është Nethaneeli, bir i Tsuarit;

ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëqind e katër mijë e katërqind.

Pastaj do të vijë fisi i Zabulonit; prijësi i bijve të Zabulonit është Eliabi, bir i Helonit;

ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.

Të gjithë ata që u regjistruan në kampin e Judës, simbas ndarjeve të tij, ishin njëqind e tetëdhjetë e gjashtë mijë e katërqind. Ata do ta fillojnë marshimin të parët.

10 Në krahun jugor do të vihet flamuri i kampit të Rubenit simbas renditjes së ushtarëve të tij; dhe prijësi i bijve të Rubenit është Elitsuri, bir i Shedeurit;

11 dhe ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.

12 Pranë tij do të vendoset fisi i Simeonit; dhe prijësi i bijve të Simeonit është Shelumjeli, bir i Tsurishadait;

13 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.

14 Pastaj do të vijë fisi i Gadit; prijësi i bijve të Gadit është Eliasafi, bir i Reuelit,

15 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.

16 Tërë ata që janë regjistruar në kampin e Rubenit, simbas divizioneve të tyre, ishin njëqind e pesëdhjetë e një mijë e katërqind e pesëdhjetë. Këta do ta fillojnë marshimin të dytët.

17 Pastaj do të niset për marshim çadra e mbledhjes bashkë me kampin e Levitëve në mes të kampeve të tjera. Do ta fillojnë marshimin në po atë rend të sistemimit të tyre, duke qëndruar secili në vendin e tij, pranë flamurit të vet.

18 Në krahun perëndimor do të jetë flamuri i kampit të Efraimit simbas renditjes së tij, prijësi i bijve të Efraimit është Elishama, bir i Amihudit;

19 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet mijë e pesëqind.

20 Pranë tij do të zërë vend fisi i Manasit; prijësi i bijve të Manasit është Gamalieli, bir i Pedahtsurit;

21 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin tridhjetë e dy mijë e dyqind.

22 Pastaj do të vijë fisi i Beniaminit; prijësi i bijve të Beniaminit është Abidan, bir i Gideonit;

23 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin tridhjetë e pesë mijë e katërqind.

24 Të gjithë ata që janë regjistruar në kampin e Efraimit, simbas divizioneve të tyre, ishin njëqind e tetë mijë e njëqind. Këta do ta fillojnë marshimin të tretët.

25 Në krahun perëndimor do të jetë flamuri i kampit të Danit simbas renditjes së tij; prijësi i bijve të Danit është Ahiezeri, bir i Amishadait;

26 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.

27 Pranë tij do të zërë vend fisi i Asherit; prijësi i bijve të Asherit është Pagieli, bir i Okranit;

28 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin dyzet e një mijë e pesëqind.

29 Pastaj do të vijë fisi i Neftalit; prijësi i bijve të Neftalit është Ahira, bir i Enanit;

30 ata që u regjistruan në divizionin e tij ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.

31 Të gjithë ata që u regjistruan në divizionin e Danit, ishin njëqind e pesëdhjetë e shtatë mijë e gjashtëqind. Ata do të nisen për marshim të fundit, pranë flamujve të tyre".

32 Këta janë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre. Të gjithë ata që u regjistruan në kampet e ndryshme simbas divizioneve të tyre ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.

33 Por Levitët nuk u regjistruan me bijtë e Izraelit, sepse kështu e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

34 Bijtë e Izraelit iu bindën të gjitha urdhrave që Zoti i kishte dhënë Moisiut: kështu ata fushuan pranë flamurëve të tyre dhe kështu e nisnin marshimin, secili simbas familjes së tij dhe simbas shtëpisë së etërve të tij.

Psalmet 36

36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.

Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.

Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.

Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".

O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.

Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.

O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;

ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.

Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.

10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.

11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.

12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.

Predikuesi 12

12 Por kujto Krijuesin tënd në ditët e rinisë sate, para se të vijnë ditët e këqija dhe të arrijnë vitet për të cilat ke për të thënë: "Nuk gjej asnjë kënaqësi në to,"

para se të errësohet dielli, drita, hëna dhe yjet, dhe të kthehen retë pas shiut;

në moshën gjatë së cilës rojtarët e shtëpisë dridhen, njerëzit e fortë përkulen, ato që bluajnë nuk punojnë më se kanë mbetur pak, ata që shikojnë nga dritaret errësohen

dhe portat mbi rrugë mbyllen; kur pakësohet zhurma e mokrës, dikush çohet me këngën e një zogu, dhe gjithë bijat e këngës dobësohen;

kur dikush ka frikë nga lartësitë dhe nga tmerret e rrugës; kur bajamja lulëzon, karkaleci është një peshë, dhe dëshira pakësohet, sepse njeriu shkon në banesën e tij të përjetshme dhe qaramanët enden rrugëve.

Kujto Krijuesin tënd përpara se të këputet kordoni prej argjendi, të thyhet vazoja prej ari, të thyhet shtamba te burimi dhe të bëhet copë-copë çikriku në pus,

dhe pluhuri t’i kthehet tokës siç ishte më parë dhe fryma t’i kthehet Perëndisë që e ka dhënë.

"Kotësi e kotësive," thotë Predikuesi, "gjithçka është kotësi".

Predikuesi, përveç se ka qenë një i urtë, i ka mësuar gjithashtu popullit dijen dhe ka peshuar, ka kërkuar dhe ka renditur një numër të madh fjalësh të urta.

10 Predikuesi është përpjekur të gjejë fjalë të këndshme; dhe gjërat e shkruara janë të drejta dhe të vërteta.

11 Fjalët e të urtëve janë si hostenë dhe ato që mbledhin njerëzit e ditur janë si gozhda të ngulura mirë; ato jepen nga një Bari i vetëm.

12 Biri im, ruhu nga çdo gjë që del jashtë kësaj. Shkruhen shumë libra, por nuk mbarohet kurrë kjo punë, dhe studimi i tepërt e lodh trupin.

13 Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: "Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut".

14 Sepse Perëndia do të vërë të gjykohet çdo vepër, edhe çdo gjë që është fshehur, qoftë e mirë apo e keqe.

Filemonit

Pali, i burgosuri i Jezu Krishtit, dhe vëlla Timoteu, Filemonit të dashur dhe bashkëpunëtorit tonë,

motrës Apfi, bashkëluftëtarit tonë Arkipit, dhe kishës që mblidhet në shtëpinë tënde:

hir dhe paqe mbi ju prej Perëndisë sonë, Atit, dhe Zotit Jezu Krisht.

E falënderoj Perëndinë tim, duke të kujtuar gjithnjë në lutjet e mia,

sepse po dëgjoj për dashurinë tënde dhe për besimin që ke ndaj Zotit Jezu Krisht dhe ndaj gjithë shenjtorëve,

që bashkësia e besimit tënd të bëhet e frytshme nëpërmjet njohjes së çdo të mire që është në ju për shkak të Jezu Krishtit.

Sepse ne patëm gëzim të madh dhe përdëllim nga dashuria jote, sepse me anën tënde, o vëlla, zemrat e shenjtorëve u përtërinë.

Prandaj, edhe pse kam liri të plotë në Krishtin të të urdhëroj atë që duhet të bësh,

më shumë më pëlqen të të lutem për dashurinë, kështu siç jam unë, Pali, plak dhe tashti edhe i burgosur i Jezu Krishtit;

10 të lutem për birin tim Onesim, që më lindi në prangat e mia,

11 i cili dikur s’kishte fare vlerë për ty, por që tani është shumë i vlefshëm për ty e për mua,

12 të cilin ta dërgova përsëri; dhe ti prite atë, zemrën time.

13 Do të desha ta mbaja pranë vetes që të më shërbente në vendin tënd në prangat për shkak të ungjillit;

14 por nuk desha të bëja asgjë pa mendjen tënde që e mira të cilën do të bësh të mos jetë nga detyrimi, por me dashje.

15 Sepse ndoshta për këtë arsye qe ndarë prej teje për pak kohë, që ta kesh atë përgjithmonë,

16 por jo më si skllav, por shumë më tepër se skllav, vëlla të dashur, sidomos për mua, por aq më tepër për ty si sipas mishit, ashtu dhe në Zotin.

17 në qoftë se ti, pra, më konsideron shok, prite si të isha vetë!

18 Dhe në qoftë se të ka bërë ndonjë padrejtësi ose të ka ndonjë detyrim, m’i ngarko mua.

19 Unë, Pali, i shkrova me dorën time. Unë vetë do të paguaj; që të mos them se ti më detyrohesh edhe veten tënde!

20 Po, vëlla, ma bëj këtë nder në Perëndinë! Ma përtëri zemrën në Perëndinë!

21 Të shkrova me plotbesim se do të më dëgjosh, sepse e di se ti do të bësh edhe më shumë nga sa po të them.

22 Më përgatit njëkohësht një vend për të ndenjur, sepse shpresoj se, për hir të lutjeve tuaja, do t’ju dhurohem përsëri.

23 Epafra, i burgosur bashkë me mua në Jezu Krishtin,

24 Marku, Aristarku, Dema dhe Lluka, bashkëpunëtorët e mi, të bëjnë të fala.

25 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me frymën tuaj. Amen.