Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Levitiku 25

25 Zoti i foli akoma Moisiut në malin Sinai, duke i thënë:

"Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap, toka do të respektojë një të shtunë pushimi për Zotin.

Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh arën tënde, gjashtë vjet me radhë do të krasitësh vreshtin tënd dhe do të mbledhësh prodhimet;

por viti i shtatë do të jetë një e shtunë pushimi për tokën, një e shtunë për nder të Zotit; nuk do të mbjellësh as arën tënde, as do të krasitësh vreshtin tënd.

Nuk do të korrësh atë që rritet vetvetiu në prodhimin tënd dhe nuk do të vjelësh rrushin e vreshtit të pakrasitur; do të jetë një vit pushimi për tokën.

Atë që toka do të prodhojë gjatë pushimit të saj do të shërbejë si ushqim për ty, për shërbëtorin ose shërbëtoren, për punëtorin tënd dhe për të huajin, me një fjalë për ata që banojnë me ty,

për bagëtinë dhe kafshët që ndodhen në vendin tënd; tërë prodhimi i saj do të shërbejë si ushqim i tyre.

Gjithashtu do të llogaritësh për vete shtatë të shtuna vitesh: shtatë herë shtatë vjet; këto shtatë javë vitesh do të bëjnë për ty një periudhë prej dyzet e nëntë vjetësh.

Ditën e dhjetë të muajit të shtatë do t’i biesh burisë; ditën e shlyerjes do të bëni që të bjerë buria në të gjithë vendin.

10 Dhe do të shenjtëroni vitin e pesëdhjetë dhe do shpallni në vend lirinë për të gjithë banorët e tij. Do të jetë për ju një jubile; secili prej jush do të kthehet në pronën e vet dhe secili prej jush do të kthehet në familjen e vet.

11 Viti i pesëdhjetë do të jetë për ju një jubile; nuk do të mbillni dhe nuk do të korrni atë që rritet vetiu dhe nuk do të vilni vreshtat e pakrasitur.

12 Sepse është jubileu; ai do të jetë i shenjtë për ju; do të hani prodhimet që ju japin arat.

13 Në këtë vit të jubileut secili do të kthehet në pronën e vet.

14 Në rast se i shisni diçka fqinjit tuaj, ose blini diçka nga fqinji juaj, nuk do t’i bëni asnjë të padrejtë njëri tjetrit.

15 Do të blesh nga fqinji yt në bazë të numrit të viteve që kanë kaluar mbas jubileut, dhe ai do të të shesë në bazë të numrit të viteve të korrjes.

16 Sa më tepër vite mbeten, aq më tepër do ta ngresh çmimin; sa më pak vite mbeten, aq më shumë do ta ulësh çmimin; sepse ai të shet në bazë të numrit të korrjeve.

17 Asnjë nga ju të mos dëmtojë fqinjin e tij, por të keni frikë nga Perëndia juaj; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj.

18 Ju do të vini në zbatim statutet e mia, do të respektoni dekretet e mia dhe do t’i zbatoni; kështu do të banoni të sigurt në vendin tuaj.

19 Toka do të prodhojë frytet e saj dhe ju do t’i hani sa të ngopeni, dhe do të banoni të sigurt në të.

20 Por në rast se thoni: "Çfarë do të hamë vitin e shtatë, po nuk mbollëm dhe nuk korrëm prodhimet tona?".

21 Unë kam urdhëruar që bekimi im të vijë mbi ju vitin e gjashtë, dhe ai do t’ju japë një korrje që do të mjaftojë për tre vjet.

22 Kështu vitin e tetë do të mbillni dhe do të hani nga korrja e vjetër deri në vitin e nëntë; do të hani nga korrja e vjetër deri sa të vijë e reja.

23 Tokat nuk do të shiten për gjithnjë, sepse toka është imja; sepse ju jeni të huaj dhe qiramarrës tek unë.

24 Prandaj në të gjithë vendin që keni pronë do të jepni të drejtën e shpengimit të tokës.

25 Në qoftë se yt vëlla bëhet i varfër dhe shet një pjesë të pronës së tij, ai që ka të drejtën e shpengimit, i afërti i tij më i ngushtë, do të vijë dhe do të shpengojë atë që vëllai i tij ka shitur.

26 Dhe në qoftë se dikush nuk ka njeri që të mund ta shpengojë pronën e tij, por arrin të gjejë vetë shumën e nevojshme për shpengimin,

27 do të numërojë vitet që kaluan dhe do t’i japë blerësit shumën e viteve që mbeten akoma, dhe do të rifitojë kështu pronën e tij.

28 Por në qoftë se nuk është në gjëndje ta shpengojë pronën e tij, ajo që ka shitur do të mbetet në dorë të blerësit deri në vitin e jubileut; atë vit do të shpengohet dhe do të kthehet në zotërim të tij.

29 Në rast se dikush shet një shtëpi në një qytet të rrethuar me mure, ai ka të drejtë ta shpengojë gjatë një viti të tërë mbas shitjes se saj; e drejta e riblerjes zgjat një vit të tërë.

30 Por në qoftë se shtëpia që ndodhet në qytetin e rrethuar me mure nuk është riblerë para se të ketë kaluar një vit i tërë, ajo do të mbetet për gjithnjë pronë e blerësit dhe e trashëgimtarëve të tij; nuk do të shpengohet me rastin e jubileut.

31 Shtëpitë e fshatrave të parrethuara me mure do të konsiderohen përkundrazi si tokë bujqësore; mund të shpengohen dhe me rastin e jubileut do të jenë të shpenguara.

32 Përsa u përket qyteteve të Levitëve, Levitët do të mund të riblejnë gjithnjë shtëpitë e qyteteve që ishin pronë e tyre.

33 Në rast se pastaj dikush ble një shtëpi nga Levitët, shtëpia e shitur në qytet që është pronë e tyre do të shpengohet vitin e jubileut, sepse shtëpitë e qyteteve të Levitëve janë pronë e tyre, në mes të bijve të Izraelit.

34 Por tokat e kullotës të qyteteve të tyre nuk mund të shiten, sepse janë pronë e përjetshme e tyre.

35 Në rast se vëllai yt varfërohet dhe ndodhet ngushtë në mes tuaj, ti do ta përkrahësh si të huaj dhe si mik që të mund të jetojë pranë teje.

36 Mos nxirr nga ai asnjë përfitim ose dobi; por ki frikë nga Perëndia yt, dhe vëllai yt do të jetojë pranë teje.

37 Nuk do t’i japësh hua paratë e tua me kamatë, as do t’i japësh ushqimet e tua për të nxjerrë ndonjë përfitim.

38 Unë jam Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit që t’ju jap vendin e Kanaanit dhe që të jem Perëndia juaj.

39 Në rast se vëllai yt që jeton pranë teje bëhet i varfër dhe shitet te ti, nuk do ta detyrosh të të shërbejë si skllav,

40 por do të rrijë pranë teje si argat dhe si mik; do të të shërbejë deri në vitin e jubileut.

41 Atëherë do të largohet prej teje, ai dhe bijtë e tij, dhe do të kthehet në familjen e tij; kështu do të rifitojë pronën e etërve të tij.

42 Sepse ata janë shërbëtorët e mi, që unë i kam nxjerrë nga vendi i Egjiptit; nuk duhet, pra, të shiten si shiten skllevërit.

43 Nuk do ta sundosh me ashpërsi, por të kesh frikë Perëndinë tënd.

44 Sa për skllavin dhe skllaven që mund të kesh, do t’i marrësh nga kombet që ju rrethojnë; prej tyre do të blini skllavin dhe skllaven.

45 Mund të blini gjithashtu skllevër ndër bijtë e të huajve që jetojnë midis jush dhe midis familjeve të tyre që gjenden midis jush dhe që kanë lindur në vendin tuaj; ata do të jenë pronë e juaj.

46 Dhe mund t’ua lini si trashëgim bijve tuaj pas jush, si pronë e tyre; mund t’i shfrytëzoni si skllevër për gjithnjë; por, sa për vëllezërit tuaj, bijtë e Izraelit, askush nuk do të sundojë mbi tjetrin me ashpërsi.

47 Në rast se një i huaj që jeton pranë teje pasurohet dhe vëllai yt që jeton pranë tij varfërohet, dhe i shitet të huajit ose mikut që ndodhet pranë teje, ose dikujt nga familja e të huajit,

48 pas shitjes së tij, mund të blihet përsëri; mund ta riblejë një nga vëllezërit e tij.

49 Mund ta riblejë ungji i tij ose biri i ungjit të tij; mund të riblihet nga një i afërt i po atij gjaku; ose po të ketë mjetet, mund të shpengohet vet.

50 Do të bëjë llogarinë me blerësin e tij, qysh prej vitit që iu shit atij deri në vitin e jubileut; dhe çmimi që do të paguhet do të llogaritet në bazë të numrit të viteve, duke i vlerësuar ditët e tij si ato të një argati.

51 Në qoftë se mbeten akoma shumë vjet, do ta paguajë shpengimin e tij në bazë të numrit të tyre dhe çmimit me të cilin qe blerë;

52 po të jetë se mbeten vetëm pak vite për të arritur në jubile, do ta bëjë llogarinë me blerësin e tij dhe do ta paguajë çmimin e shpengimit të tij në bazë të pak viteve që kanë mbetur.

53 Si argat le të mbetet bashkë me të zotin një vit pas tjetrit, por ky nuk do ta trajtojë me ashpërsi përpara syve të tua.

54 Dhe po nuk u shpengua me asnjë nga këto mënyra, do të lihet i lirë në vitin e jubileut, ai dhe bijtë e tij.

55 Sepse bijtë e Izraelit janë shërbëtorët e mi; janë shërbëtorët e mi, që i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

Psalmet 32

32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!

Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.

Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.

Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)

Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)

Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.

Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)

Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.

Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.

10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.

11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.

Predikuesi 8

Kush është si i urti? Kush e njeh interpretimin e sendeve? Dituria e njeriut bën që të shkëlqejë fytyra e tij dhe e ndryshon ashpërsinë e fytyrës së tij.

Unë të jap një këshillë: respekto urdhërin e mbretit për shkak të betimit të bërë Perëndisë.

Mos u nxito të largohesh nga prania e tij dhe mos ngul këmbë në një gjë të keqe, sepse ai bën të gjitha gjërat që i pëlqen.

Në fakt fjala e mbretit është e fuqishme; dhe kush mund t’i thotë: "Çfarë po bën?".

Kush respekton urdhërin e tij nuk do të pësojë asnjë të keqe; zemra e njeriut të urtë di në fakt të dallojë kohën dhe gjykimin,

sepse për çdo gjë ka një kohë dhe një gjykim, dhe ligësia e njeriut rëndon shumë mbi të.

Sepse ai nuk e di çfarë ka për të ndodhur; kush në fakt do t’i tregojë si do të venë gjërat?

Nuk ka njeri që të ketë pushtet mbi frymën për ta përmbajtur, apo të ketë pushtet mbi ditën e vdekjes. Nuk ka leje në betejë, dhe padrejtësia nuk mund të shpëtojë atë që e kryen.

E pashë tërë këtë gjë dhe vura mend për të gjitha gjërat që bëhen nën diell; ka një kohë kur një njeri sundon mbi një tjetër për ta dëmtuar.

10 Pastaj pashë të pabesët që u varrosën, të cilët kishin hyrë dhe kishin dalë nga vendi i shenjtë; edhe ata ishin harruar në qytetin ku kishin bërë këto gjëra. Edhe kjo është kotësi.

11 Sepse vendimi kundër një veprimi të keq nuk zbatohet menjëherë, zemra e bijve të njerëzve është e mbushur nga dëshira për të bërë të keqen.

12 Edhe në qoftë se mëkatari bën njëqind herë të keqen dhe i zgjat ditët e tij, megjithatë, unë e di që do të kenë të mirën ata që kanë frikë nga Perëndia, që kanë frikë para tij.

13 Por nuk ka të mirë për të pabesin, dhe nuk ka për t’i zgjatur ditët e tij si hija sepse nuk ka frikë përpara Perëndisë.

14 Éshtë një kotësi që ndodh mbi tokë; ka njerëz të drejtë që trajtohen ashtu sikur i përket veprës të të pabesëve, dhe ka të pabesë që trajtohen sikur i përket veprës të të drejtëve. Kam thënë që edhe kjo është kotësi.

15 Kështu lëvdova harenë, sepse nuk ka gjë më të mirë për njeriun nën diell se të hajë, të pijë dhe të jetë i gëzuar, sepse kjo i mbetet në mundin e tij gjatë ditëve të jetës që Perëndia i ka dhënë nën diell.

16 Kur unë e vura zemrën time të njohë diturinë dhe të mendojë përpjekjet që bëhen mbi tokë (edhe kur dikush nuk i lë të pushojnë sytë e tij as ditën as natën),

17 atëherë pashë gjithë veprën e Perëndisë, që njeriu nuk mund të arrijë të zbulojë të gjitha ato që bëhen nën diell sepse, edhe sikur njeriu të mundohet duke kërkuar, nuk arrin t’i zbulojë; edhe sikur i urti të thotë që e di, nuk është në gjendje t’i zbulojë.

2 Timoteut 4

Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:

prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.

Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët

dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave.

Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.

Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.

Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.

Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.

Përpiqu të vish shpejt tek unë,

10 sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci.

11 Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë.

12 Tikikun e dërgova në Efes.

13 Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe librat, sidomos pergamenat.

14 Aleksandri, remtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij.

15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve tona.

16 Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj.

17 Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit.

18 Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen.

19 Të fala Prishilës dhe Akuilës dhe shtëpisë së Onesiforit.

20 Erasti mbeti në Korint, por Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.

21 Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndetin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.

22 Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju! Amen.