M’Cheyne Bible Reading Plan
23 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Ja festat e Zotit, që ju do t’i shpallni si mbledhje të shenjta. Festat e mia janë këto:
3 Do të punohet gjashtë ditë, por dita e shtatë është një e shtunë pushimi dhe mbledhjeje të shenjtë. Atë ditë nuk do të bëni asnjë punë; është e shtuna e shenjtëruar Zotit në të tëra vendet ku do të banoni.
4 Këto janë festat e Zotit, mbledhjet e shenjta që ju do t’i shpallni në kohën e tyre.
5 Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit, midis dy mbrëmjeve, bien Pashkët e Zotit;
6 dhe ditën e pesëmbëdhjetë të po atij muaji bie festa e bukës së ndorme për nder të Zotit; për shtatë ditë do të hani bukë të ndorme.
7 Ditën e parë do të bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë;
8 dhe për shtatë ditë do t’i ofroni Zotit flijime të bëra me zjarr. Ditën e shtatë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; gjatë asaj dite nuk do të bëni asnjë punë të rëndë".
9 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
10 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Kur do të hyni në vendin që unë po ju jap dhe do të kryeni të korrat, do t’i çoni priftit një demet si prodhim i parë i korrjes suaj;
11 Ai do ta tundë demetin përpara Zotit për ju, me qëllim që të pëlqehet; prifti do ta tundë një ditë pas së shtunës.
12 Ditën gjatë së cilës do të tundni demetin, do t’i ofroni një qengj motak, pa të meta, si olokaust për Zotin.
13 Blatimi i ushqimit që do ta shoqërojë do të jetë dy të dhjeta të efës majë mielli të përzier me vaj, si flijim i bërë me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin; libacioni do të jetë një çerek hin verë.
14 Nuk do të hani as bukë, as grurë të pjekur, as kallëza të freskëta, deri në atë ditë, deri sa të mos keni çuar ofertën e Perëndisë tuaj. Ky është një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaja, në të gjitha vendet ku do të banoni.
15 Nga dita pas së shtunës, domethënë nga dita që keni çuar demetin e ofertës së tundur, do të numëroni shtatë të shtuna të plota.
16 Do të numëroni pesëdhjetë ditë deri në ditën pas së shtunës së shtatë, pastaj do t’i ofroni Zotit një blatim të ri ushqimi.
17 Do të çoni në banesat tuaja dy bukë për një ofertë të tundur prej dy të dhjeta të efës majë mielli; ato do të jenë pjekur me maja, si prodhime të para të ofruara për Zotin.
18 Së bashku me këto bukë do të ofroni shtatë qengja motakë pa të meta, një dem të vogël dhe dy desh; ata do të jenë një olokaust për Zotin së bashku me blatimet e tyre ushqimore dhe me libacionet e tyre; do të jetë një flijim me erë të këndshme i bërë me zjarr për Zotin.
19 Pastaj do të ofroni një cjap si fli për mëkatin dhe dy qengja motakë si flijim falënderimi.
20 Prifti do t’i tundë bashkë me bukën e prodhimit të parë dhe me dy qengjat, si ofertë e tundur përpara Zotit; ata do t’i shenjtërohen Zotit dhe do t’i takojnë priftit.
21 Po atë ditë do të shpallni një mbledhje të shenjtë. nuk do të bëni atë ditë asnjë punë të rëndë. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni.
22 Kur do të korrni të mbjellat e tokës suaj, nuk do të korrni deri në cepat e arës sate dhe nuk do të mblidhni kallinjtë që kanë mbetur pas; do t’i lini për të varfrin dhe për të huajin. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
23 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
24 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj: Në muajin e shtatë, ditën e parë të muajit do të bëni një pushim solemn, një kremtim festiv të njoftuar me buri, një mbledhje të shenjtë.
25 Nuk do të bëni në atë ditë asnjë punë të rëndë dhe do t’i ofroni Zotit disa flijime të bëra me zjarr".
26 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
27 "Dita e dhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë dita e shlyerjes së mëkateve. Do të ketë për ju një mbledhje të shenjtë; do të përulni shpirtin tuaj dhe do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr.
28 Gjatë kësaj dite nuk do kryeni asnjë punë, sepse është dita e shlyerjes për ju përpara Zotit, Perëndisë tuaj.
29 Sepse çdo njeri që në këtë ditë nuk përulet, do të shfaroset në mes të popullit të tij.
30 Dhe çdo person që gjatë kësaj dite do të bëjë çfarëdo pune, unë, këtë person do ta shfaros në mes të popullit të tij.
31 Nuk do të kryeni asnjë punë. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj, në të gjitha vendet ku do të banoni.
32 Do të jetë për ju një e shtunë pushimi, gjatë së cilës do të përulni shpirtin tuaj; ditën e nëntë të muajit, nga mbrëmja deri në mbrëmjen vijuese, do të kremtoni të shtunën tuaj".
33 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
34 "Folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Dita e pesëmbëdhjetë e këtij muaji të shtatë do të jetë festa e kasolleve për shtatë ditë, për nder të Zotit.
35 Ditën e parë do të bëhet një mbledhje e shenjtë; nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë.
36 Shtatë ditë me radhë do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Ditën e tetë do të keni një mbledhje të shenjtë dhe do t’i ofroni Zotit një flijim të bërë me zjarr. Éshtë dita e kuvendit madhështor, nuk do të bëni gjatë kësaj dite asnjë punë të rëndë.
37 Këto janë festat e Zotit që ju do t’i shpallni si mbledhje të shenjta, për t’i ofruar Zotit një flijim të bërë me zjarr, një olokaust dhe një blatim ushqimi, një viktimë dhe libacione, çdo gjë në ditën e caktuar,
38 përveç të shtunave të Zotit, përveç dhuratave dhe kushteve tuaja sipas dëshirës që do t’i paraqisni Zotit.
39 Përveç kësaj ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të shtatë, kur të keni vjelur prodhimet e tokës, do të kremtoni një festë për Zotin shtatë ditë me radhë; dita e parë do të jetë një ditë pushimi dhe dita e tetë do të jetë gjithashtu një ditë pushimi.
40 Ditën e parë do të mblidhni frutat e drurëve madhështorë: degë palme, degë me gjethe të dendura dhe shelgje përrenjsh, dhe do të gëzoheni përpara Zotit, Perëndisë tuaj, shtatë ditë me radhë.
41 Do ta kremtoni këtë festë për nder të Zotit shtatë ditë për çdo vit. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj. Do ta kremtoni muajin e shtatë.
42 Do të banoni në kasolle shtatë ditë me radhë; të gjithë ata që kanë lindur në Izrael do të banojnë në kasolle,
43 me qëllim që pasardhësit tuaj të dinë që unë i kam detyruar bijtë e Izraelit të banojnë në kasolle, kur i nxora nga vendi i Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj".
44 Kështu Moisiu u njoftoi bijve të Izraelit festat e Zotit.
30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.
2 O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.
3 O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.
4 I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,
5 sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.
6 Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".
7 O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.
8 Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,
9 duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?
10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".
11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,
12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.
6 Éshtë një e keqe tjetër që kam parë nën diell dhe që është e përhapur midis njerëzve:
2 dikujt Perëndia i ka dhënë pasuri, të mira dhe lavdi, dhe nuk i mungon asgjë nga gjithë ato që mund të dëshirojë, por Perëndia nuk i jep mundësinë t’i gëzojë, por i gëzon një i huaj. Kjo është kotësi dhe një e keqe e madhe.
3 Në qoftë se dikujt i lindin njëqind bij dhe jeton shumë vite dhe të shumta janë ditët e viteve të tij, por shpirti i tij nuk ngopet me të mira dhe nuk ka as varr unë them se një dështim është më i lumtur se ai;
4 sepse ka ardhuar më kot dhe po ikën në terr, dhe emri i tij është mbuluar nga terri.
5 Edhe sikur të mos e ketë parë as njohur diellin, megjithatë ka më shumë pushim se tjetri.
6 Po, edhe sikur të duhej të jetonte dy herë një mijë vjet, por pa mundur të gëzojë të mirat e tij. A nuk mbarojnë të gjitha në po atë vend?
7 Tërë mundi i njeriut është për gojën e tij, megjithatë oreksi i tij nuk ngopet kurrë.
8 Ç’përfitim ka i urti mbi budallanë? Ç’përfitim ka i varfëri në rast se di të ecë përpara njerëzve të gjallë?
9 Éshtë më mirë të shikosh me sy se sa të endesh me dëshirën. Edhe kjo është kotësi dhe një përpjekje për të kapur erën.
10 Ajo që është, prej kohe është quajtur me emrin e vet dhe dihet se ç’është njeriu, dhe që nuk mund të hahet me atë që është më i fortë se ai.
11 Duke qenë se ka shumë gjëra që e shtojnë kotësinë, çfarë përfitimi ka prej tyre njeriu?
12 Kush e di në fakt ç’është e mirë për njeriun në këtë jetë, gjatë tërë ditëve të jetës së tij të kotë që ai i kalon si një hije? Kush mund t’i thotë njeriut çfarë ka për të ndodhur pas tij nën diell?
2 Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus;
2 dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.
3 Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
4 Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
5 Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.
6 Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.
7 Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.
8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.
14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.
15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.
16 Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,
17 dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,
18 të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët," dhe: "Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".
20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.
21 Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.
23 Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.
24 Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,
25 duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,
26 dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.