Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Levitiku 24

24 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:

"Urdhëro bijtë e Izraelit të të sjellin vaj të pastër ullinjsh të shtypur për dritën e shandanit, për t’i mbajtur llambat vazhdimisht të ndezura.

Në çadrën e mbledhjes, jashtë velit që është përpara dëshmisë, Aaroni do të kujdeset për vazhdimësinë nga mbrëmja deri në mëngjes para Zotit. Éshtë një ligj i përjetshëm për të gjithë brezat tuaj.

Ai do të kujdeset për llambat e shandanit prej floriri të pastër që janë para Zotit, për vazhdimësinë.

Do të marrësh majë mielli dhe me të do të pjekësh dymbëdhjetë kulaç; çdo kulaç do të jetë dy të dhjetat e efës.

Do t’i vendosësh në dy radhë, gjashtë në çdo radhë, mbi tryezën prej ari të pastër, përpara Zotit.

Dhe në çdo radhë do të vësh temjan të pastër, i cili ka për të qenë një kujtim mbi bukën, si një flijim i bërë me zjarr për Zotin.

Çdo të shtunë ai do t’i vendosë bukët përpara Zotit, në vazhdimësi; ato do të merren nga bijtë e Izraelit; kjo është një besëlidhje e përjetshme.

Bukët i përkasin Aaronit dhe bijve të tij, dhe këta do t’i hanë në një vend të shenjtë, sepse do të jenë një gjë shumë e shenjtë për atë midis flijimeve të bëra me zjarr para Zotit. Éshtë një ligj i përjetshëm".

10 Ndërkaq biri i një gruaje izraelite dhe i një egjiptasi doli në mes të bijve të Izraelit; dhe ndërmjet djalit të gruas izraelite dhe një izraeliti plasi një grindje.

11 Biri i izraelites blasfemoi emrin e Zotit dhe e mallkoi atë; kështu e çuan te Moisiu. (Nëna e tij quhej Shelomith, ishte e bija e Dibrit, nga fisi i Danve).

12 E futën në burg, deri sa t’u tregohej vullneti i Zotit.

13 Dhe Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:

14 "Çoje atë blasfemues jashtë kampit; të gjithë ata që e kanë dëgjuar të vënë duart e tyre mbi kokën e tij dhe gjithë asambleja ta vrasë me gurë.

15 Pastaj folu bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: "Kushdo që mallkon Perëndinë e tij, do të mbajë fajin e mëkatit të tij.

16 Dhe kushdo që e shan emrin e Zotit do të dënohet me vdekje; tërë asambleja do ta vrasë me gurë. I huaj apo i lindur në vend, ai që blasfemon emrin e Zotit do të dënohet me vdekje.

17 Kush ia heq jetën një njeriu, do të vritet.

18 Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë: jetë për jetë.

19 Kur dikush i shkakton një dëmtim fqinjit të tij, ai do të pësojë po atë që i ka bërë tjetrit;

20 thyerje për thyerje, sy për sy, dhëmb për dhëmb; ai do të pësojë po atë gjymtim që u ka shkaktuar të tjerëve.

21 Kush rreh për vdekje një kafshë, do ta paguajë; por ai që ia heq jetën një njeriu do të vritet.

22 Do të keni të njëjtin ligj për të huajin dhe për atë që ka lindur në vend; sepse unë jam Zoti, Perëndia juaj".

23 Pastaj Moisiu u foli bijve të Izraelit, të cilët e çuan jashtë kampit atë blasfemues dhe e vranë me gurë. Kështu bijtë e Izraelit vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.

Psalmet 31

31 Gjeta strehë te ti, o Zot; bëj që unë të mos ngatërrohem kurrë; çliromë për drejtësinë tënde.

Ma vër veshin, nxito të më çlirosh; bëhu për mua një kështjellë e fortë dhe një vend i fortifikuar që të më shpëtosh.

Sepse ti je kështjella ime dhe kalaja ime; për hir të emrit tënd më udhëhiq dhe tregomë udhën.

Nxirrmë jashtë rrjetës që më kanë ngritur fshehurazi, sepse ti je kështjella ime.

Në duart e tua unë e besoj frymën time; ti më shpengove, o Zot, Perëndi e së vërtetës.

Unë i urrej ata që kanë dëshirë për t’u dukur, por kam besim te Zoti.

Unë do të ngazëlloj dhe do të kënaqem me mirësinë tënde, sepse ti ke parë pikëllimin tim dhe i ke kuptuar ankthet e shpirtit tim,

dhe nuk më dorëzove në duart e armikut, por m’i vure këmbët në një vend të gjerë.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse jam me ankth; syri im, shpirti im dhe të përbrendshmet e mia po treten nga dhembja,

10 sepse jeta ime po mpaket nga pikëllimi dhe vitet e mia nga të qarat; forca ime po mpaket për shkak të mëkatit tim dhe kockat e mia po treten.

11 Jam bërë një turp për tërë armiqtë e mi, veçanërisht për të afërmit e mi dhe një tmer për të njohurit e mi; ata që më shohin rrugës, ikin larg meje.

12 Zemra e tyre më ka harruar si të isha një njeri i vdekur; i përngjaj një vazoje të thyer.

13 Sepse dëgjoi shpifjet e shumë njerëzve; rreth e qark sundon tmerri, ndërsa ata këshillohen midis tyre kundër meje dhe kurdisin komplote për të më zhdukur.

14 Por unë kam besim te ti, o Zot; kam thënë: "Ti je Perëndia im".

15 Ditët e mia janë në dorën tëndë; çliromë nga duart e armiqve të mi dhe të atyre që më përndjekin.

16 Bëj që të shkelqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd; shpëtomë për hir të mirësisë sate.

17 O Zot, bëj që unë të mos jem i pështjelluar, pse të kam kërkuar; u pështjellofshin të pabesët dhe rënçin në heshtje në Sheol.

18 Mbeçin pa fjalë buzët gënjeshtare, që flasin pa turp kundër të drejtit, me mëndjemadhësi dhe përçmim.

19 Sa e madhe është mirësia jote që ti u rezervon atyre që kanë frikë nga ti, dhe që ti përdor në prani të bijve të njerëzve ndaj atyre që gjejnë strehë te ti!

20 Ti i fsheh në strehën e fshehtë të pranisë sate nga grackat e njerëzve, ti i ruan në një çadër të mbrojtur nga grindjet me fjalë.

21 Qoftë i bekuar Zoti, sepse më është treguar shumë dashamirës, duke më vendosur si në një vend të fortifikuar.

22 Kurse unë, në hutimin tim, thoja: "Më kanë larguar nga prania jote"; por ti dëgjove zërin e lutjeve të mia kur të klitha ty.

23 Duajeni Zotin, ju, gjithë shenjtorë të tij! Zoti i mbron besnikët dhe i shpaguan gjerësisht ata që veprojnë me kryelartësi.

24 Qofshi të fortë, mbarë ju që shpresoni tek Zoti, dhe ai do ta bëjë të patundur zemrën tuaj.

Predikuesi 7

Një emër i mirë pëlqehet më tepër se një vaj i parfumuar, dhe dita e vdekjes është më e mirë se dita e lindjes.

Éshtë më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi se sa të shkosh në një shtëpi ku ka festë, sepse ky është fundi i çdo njeriu, dhe kush rron ka për të vënë mend.

Trishtimi është më i mirë nga gazi, sepse përpara një fytyre të trishtuar zemra bëhet më e mirë.

Zemra e të urtit është në shtëpinë ku mbahet zi, por zemra e budallenjve është në një shtëpi të gëzuar.

Éshtë më mirë për dikë të dëgjojë qortimin e të urtit se sa të dëgjojë këngën e budallenjve,

sepse ashtu siç është kërcitja e shkurreve nën një tenxhere, kështu është e qeshura e budallait. Edhe kjo është kotësi.

Me siguri shtypja e bën të pamend njeriun e urtë, dhe dhurata bën që të humbasë arsyen.

Më mirë fundi i një gjëje se fillimi i saj, dhe më mirë ai që ka frymë të durueshëm se ai që ka frymë krenar.

Mos u nxito në frymën tënd të zemërohesh, sepse zemërimi gjen strehë në gji të budallenjve.

10 Mos thuaj: "Si është e mundur që ditët e kaluara ishin më të mira nga këto?," sepse nuk është urtësi të bësh një pyetje të tillë.

11 Dituria është e mirë bashkë me një pasuri dhe u sjell përfitime atyre që shohin diellin.

12 Sepse dituria është një mbrojtje ashtu si është paraja; por epërsia e diturisë qëndron në këtë; dituria i bën të jetojnë ata që e zotërojnë.

13 Konsideroje veprën e Perëndisë: kush mund të drejtojë atë që ai ka bërë të shtrëmbër?

14 Në ditën e bollëkut ji i gëzuar, por në ditën e fatkqësisë mendohu thellë. Perëndia ka bërë si njerën ashtu dhe tjetrën, me qëllim që njeriu të mos zbulojë asgjë nga ato që do të ndodhin pas tij.

15 Pashë gjithçka në ditët e kotësisë sime. Ndodh që i drejti të vdesë në drejtësinë e vet dhe që i pabesi të jetojë gjatë në ligësinë e tij.

16 Mos ji tepër i drejtë as i urtë jashtë mase. Pse kërkon të shkatërohesh?

17 Mos ji tepër i keq dhe mos u trego budalla. Pse kërkon të vdesësh para kohës sate?

18 Éshtë mirë që ti të kapesh pas kësaj gjëje dhe të mos heqësh dorë prej saj, sepse ai që ka frikë Perëndinë do t’u shmanget tërë këtyre gjërave.

19 Dituria e bën të urtin më të fortë se dhjetë të fuqishëm në një qytet.

20 Nuk ka në fakt asnjë njeri të drejtë mbi tokë që bën të mirën dhe të mos mëkatojë.

21 Përveç kësaj mos u vër veshin tërë fjalëve që thuhen, që të mos mallkohesh nga shërbëtori yt,

22 sepse zemra jote gjithashtu e di që ti vet i ke mallkuar shumë herë të tjerët.

23 Unë i hetova të gjitha këto gjëra me dituri. Thashë: "Do të bëhem i urtë," por dituria është mjaft larg nga unë.

24 Një gjë që është kaq larg dhe kaq e thellë, kush mund ta gjejë?

25 Atëherë e vura zemrën time të njohë, të hetojë dhe të kërkojë diturinë dhe shkakun e gjërave dhe të njohë ligësinë e marrëzisë dhe budallallëkun e marrëzisë;

26 dhe gjeta një gjë më të hidhur se vdekja; gruan zemra e së cilës është kurth dhe grackë dhe duart e së cilës janë pranga. Kush i pëlqen Perëndisë i shpëton asaj; por mëkatari do të kapet nga ajo.

27 Ja ajo që gjeta," thotë Predikuesi, "duke i shqyrtuar një për një gjërat, për të gjetur shkakun e tyre.

28 Atë që unë po kërkoj ende, por nuk e kam gjetur; një burrë ndër një mijë e gjeta, por një grua në mes gjithë atyre nuk e gjeta.

29 Ja, vetëm këtë gjeta: Perëndia e ka bërë njeriun të drejtë, por njerëzit kanë kërkuar shumë marifete.

2 Timoteut 3

Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,

sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,

të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,

tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,

të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.

Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme,

të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.

Dhe sikurse Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; janë njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në çështjen e besimit.

Por këta nuk do të shkojnë shumë përpara, sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh për të gjithë, ashtu sikurse u ngjau edhe atyre.

10 Dhe ti ndoqe nga afër mësimin tim, sjelljen, këshillat, besimin, durimin, dashurinë, ngulmin,

11 përndjekjet, vuajtjet që më ndodhën në Antioki, në Ikonio, dhe në Listra; ti e di çfarë përndjekjesh hoqa, por Perëndia më shpëtoi nga të gjitha.

12 Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen,

13 por njerëzit e këqij dhe mashtrues do të shkojnë keq e më keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë.

14 Por ti qëndro në ato që mësove dhe u binde plotësisht, duke e ditur prej kujt i mësove,

15 dhe se që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e shenjta, të cilat mund të të bëjnë të ditur për shpëtimin me anë të besimit që është në Krishtin Jezus.

16 I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi,

17 që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë.