Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Kronikave 29

29 Pastaj mbreti David i tha tërë asamblesë: "Salomoni, biri im, i vetmi që Perëndia ka zgjedhur, është akoma i ri dhe i pa përvojë, ndërsa vepra është e madhe, sepse ky pallat nuk i është caktuar një njeriu, por Zotit Perëndi.

Me të gjitha mundësitë e mia kam përgatitur për shtëpinë e Perëndisë tim ar për sendet prej ari, argjend për sendet prej argjendi, bronz për sendet prej bronzi, hekur për sendet prej hekuri, dru për sendet prej druri, gurë oniski dhe gurë për t’u ngallmuar, gurë brilanti dhe me ngjyra të ndryshme, lloj lloj gurësh të çmuar dhe mermer në një sasi të madhe.

Përveç kësaj, duke qenë se e kam vendosur dashurinë time mbi shtëpinë e Perëndisë tim, përveç asaj që kam përgatitur për shtëpinë e shenjtërores, i dhuroj shtëpisë së Perëndisë tim thesarin tim personal prej ari dhe argjendi:

tre mijë talenta ari, nga ari i Ofirit, dhe shtatë mijë talenta argjendi të kulluar për të veshur muret e shenjtërores,

ari për sendet prej ari, argjendi për sendet prej argjendi dhe për të gjitha punimet që duhet të kryhen nga zejtarë të shkathët. Kush është sot i gatshëm ta mbushë dorën e tij për t’ia kushtuar Zotit?".

Atëherë të parët e shtëpive atërore, krerët e fiseve të Izraelit, komandantët e mijëshëve dhe të qindëshëve, administratorët e punëve të mbretit bënë oferta vullnetare,

dhe dhanë për punimin e shtëpisë së Perëndisë pesë mijë talenta ari, dhjetë mijë darika ari, dhjetë mijë talenta argjendi, tetëmbëdhjetë talenta prej bronzi dhe njëzqind mijë talenta prej hekuri.

Kushdo që zotëronte gurë të çmuar, i dorëzoi në duart e Jehielit, Gershonitit, me qëllim që të hynin në thesarin e shtëpisë të Zotit.

Populli u gëzua nga ofertat e tyre vullnetare, sepse i kishin bërë këto oferta Zotit me gjithë zemër; edhe mbreti David u gëzua shumë.

10 Kështu Davidi bekoi Zotin përpara tërë asamblesë dhe tha: "I bekuar je ti, o Zot, Perëndi i Izraelit, ati ynë, për gjithë amshimin.

11 Jotja, o Zot, është madhështia, fuqia, lavdia, shkëlqimi, madhëria, sepse gjithshka që është në qiell dhe mbi tokë është jotja. E jotja o Zot është mbretëria, dhe ti ngrihesh sovran mbi gjithshka.

12 Nga ti vijnë pasuria dhe lavdia; ti sundon mbi gjithçka; në dorën tënde janë forca dhe fuqia, dhe ti ke fuqinë për të bërë të madh dhe për t’u dhënë forcë të gjithëve.

13 Prandaj ne, o Perëndia ynë, të falenderojmë dhe kremtojmë emrin tënd të lavdishëm.

14 Po kush jam unë dhe kush është populli im që jemi në gjendje të të ofrojmë gjithçka në mënyrë spontane? Në të vërtetë të gjitha gjërat vijnë nga ti, dhe ne të kemi kthyer thjesht atë që kemi marrë nga dora jote.

15 Sepse ne jemi të huaj dhe shtegtarë përpara teje ashtu si qenë etërit tanë. Ditët tona mbi tokë janë si një hije dhe nuk ka shpresë.

16 O Zot, Perëndia ynë, tërë ky bollëk gjërash që kemi përgatitur për të të ndërtuar një tempull ty, në emrin tënd të shenjtë, vjen nga dora jote, është e tëra jotja.

17 Unë e di, o Perëndia im, që ti provon zemrën dhe gëzohesh kur sheh sjelljen e drejtë. Prandaj në drejtësinë e zemrës sime të kam ofruar në mënyrë spontane tërë këto gjëra; dhe tani shoh me gëzim që populli yt, që është këtu i pranishëm, bën ofertat e tij në mënyrë spontane.

18 O Zot, Perëndi i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, i etërve tanë, ruaj gjithnjë këto prirje dhe mendime në zemrën e popullit tënd dhe drejto zemrat e tyre nga ti;

19 dhe jepi Salomonit, birit tim, një zemër të ndershme, që ai të respektojë urdhërimet, porositë dhe statutet e tua, që të bëjë tërë këto gjëra dhe të ndërtojë tempullin për të cilin kam bërë përgatitjet".

20 Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë: "Tani bekoni Zotin, Perëndinë tuaj". Atëherë tërë asambleja bekoi Zotin, Perëndinë e etërve të tyre; u përkulën dhe ranë përmbys përpara Zotit dhe mbretit.

21 Të nesërmen bënë flijime për Zotin dhe i ofruan olokauste: një mijë dema të vegjël, një mijë desh, një mijë qengja me libacionet përkatëse dhe flijime të shumta për tërë Izraelin.

22 Atë ditë hëngrën dhe pinë me gëzim të madh para Zotit; dhe për herë të dytë e shpallën mbret Salomonin, birin e Davidit dhe e vajosën përpara Zotit që të ishte princ, dhe Tsadokun që të ishte prift.

23 Pastaj Salomoni u ul në fronin e Zotit si mbret në vend të Davidit, atit të tij; ai pati mbarësi dhe tërë Izraeli iu bind.

24 Gjithë krerët, trimat dhe tërë bijtë e mbretit David iu nënshtruan mbretit Salomon.

25 Kështu Zoti e bëri shumë të madh Salomonin përpara tërë Izraelit dhe i dha një madhështi mbretërore që asnjë mbret para tij në Izrael nuk e kishte pasur kurrë.

26 Davidi, bir i Isait, mbretëronte mbi tërë Izraelin.

27 Ai mbretëroi dyzet vjet mbi Izraelin: shtatë vjet në Hebron dhe tridhjet e tre vjet në Jeuzalem.

28 Vdiq shumë plak, i ngopur me ditë, me pasuri dhe lavdi. Në vend të tij mbretëroi i biri, Salomoni.

29 Trimëritë e mbretit David, si të parat ashtu dhe të fundit, janë shkruar në librin e shikuesit Samuel, në librin e profetit Nathan dhe në librin e shikuesit Gad,

30 me të gjitha ato gjëra që kanë të bëjnë me mbretërinë e tij, me fuqinë e tij dhe me të gjitha ngjarjet që i ndodhën atij, Izraelit dhe tërë mbretërive të vendeve të tjera.

2 Pjetrit 3

Shumë të dashurit, kjo është e dyta letër që po ju shkruaj; në të cilat po e mbaj zgjuar mendjen tuaj të kthjellët duke iu drejtuar kujtesës suaj,

që të mbani mend fjalët që u thanë më parë nga profetët e shenjtë dhe nga urdhërimi i vetë Zotit dhe Shpëtimtarit të transmetuar nga ne apostujt.

Së pari duhet të dini këtë, se në ditët e fundit do të vijnë disa përqeshës, të cilët do të ecin sipas dëshirave të veta,

dhe do të thonë: “Ku është premtimi i ardhjes së tij? Sepse, që kur etërit fjetën, të gjitha gjërat mbetën në po atë gjendje si në fillim të krijimit.”

Sepse ata me dashje harruan se nëpërmjet fjalës së Perëndisë qiejt vinin në eksistencë shumë kohë më parë, dhe se toka doli nga uji dhe u sajua nëpërmjet ujit,

për shkak të të cilit bota e atëhershme u mbulua nga uji dhe humbi,

ndërsa qiejt dhe dheu i sotshëm janë ruajtur nga e njëjta fjalë për zjarrin, të rezervuar për ditën e gjyqit dhe të humbjes së njerëzve të pabesë.

Por, shumë të dashur, mos harroni këtë gjë: se për Zotin një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë.

Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç disa besojnë që ai bën; por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por që të gjithë të vijnë në pendim.

10 Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, elementët do të shkrihen nga të nxehtit dhe veprat dhe toka që janë në të do të digjen krejt.

11 Përderisa të gjitha këto gjëra duhet të shkatërrohen, si të mos duhet të keni një sjellje të shenjtë dhe të perëndishme,

12 duke pritur dhe shpejtuar ardhjen e ditës së Perëndisë, për shkak të së cilës qiejt marrin flakë do të treten, dhe elementët të konsumuar nga nxehtësia do të shkrihen?

13 Por ne, sipas premtimit të tij, presim qiej të rinj dhe toka të re, në të cilët banon drejtësia.

14 Prandaj, shumë të dashur, duke i pritur këto gjëra, përpiquni të jeni përpara tij të papërlyer dhe të paqortueshëm, në paqe.

15 Dhe kini parasysh se durimi i Zotit tonë është në shërbim të shpëtimit, sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas diturisë që iu dha;

16 Ashtu bën ai në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra. Në to ka disa gjëra të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrëmbërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për përhumbjen e tyre.

17 Ju pra, shumë të dashur, duke i ditur këto gjëra, ruajuni se mos ligështoheni në qëndresën tuaj, të tërhequr nga gabimi i të pabesëve.

18 Por rrituni, në hirin dhe në njohjen e Zotit dhe të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht. Atij i qoftë lavdia, tani dhe përjetë. Amen.

Mikea 6

Ah, dëgjoni atë që thotë Zoti: "Çohu, mbro kauzën tënde përpara maleve dhe kodrat le të dëgjojnë zërin tënd".

Dëgjoni, o male, kundërshtimin e Zotit, dhe ju themele të forta të tokës, sepse Zoti ka një kundërshtim me popullin e tij dhe dëshiron të diskutojë me Izraelin.

"Populli im, çfarë të kam bërë dhe me çfarë të kam lodhur? Dëshmo kundër meje.

Sepse unë të nxora nga vendi i Egjiptit, të çlirova nga shtëpia e skllavërisë dhe kam dërguar para teje Moisiun, Aaronin dhe Miriamin.

O populli im, mbaj mend atë që Balaku, mbreti i Moabit, kurdiste dhe si iu përgjigj Balaami, biri i Beorit, nga Shitimi deri në Gilgal me qëllim që ti të pranosh drejtësinë e Zotit".

Me se do të vij përpara Zotit dhe do të përkulem përpara Perëndisë së lartë? Do të vij para tij me olokauste, me viça motakë?

Do të pëlqej Zoti mijëra desh ose mori rrëkesh vaji? Do të jap të parëlindurin tim për shkeljen time, frytin e barkut tim për mëkatin e shpirtit tim?

O njeri, ai të ka bërë të njohur atë që është e mirë; dhe çfarë tjetër kërkon Zoti nga ti, përveç se të zbatosh drejtësinë, të duash mëshirën dhe të ecësh përulësisht me Perëndinë tënd?

Zëri i Zotit i thërret qytetit, dhe kush ka dituri do të njohë emrin tënd: "Kini kujdes për thuprën dhe për atë që e ka caktuar.

10 A ka akoma në shtëpinë e të pabesit thesare nga paudhësia, dhe efa të mangëta, që janë një gjë e neveritshme?

11 Mund ta shpall të pastër njeriun me peshore të pasakta dhe me qeskën me pesha të rreme?

12 Pasanikët e tij në fakt janë plot me dhunë, banorët e tij thonë gënjeshtra dhe gjuha e tyre nuk është veçse mashtrim në gojën e tyre.

13 Prandaj edhe unë do të të bëj të vuash, duke të goditur dhe duke bërë që të jesh i shkretë për shkak të mëkateve të tua.

14 Ti do të hash, por nuk do të ngopesh dhe uria do të mbetet brenda teje; do të vësh mënjanë por nuk do të shpëtosh asgjë, dhe atë që do të shpëtosh do t’ia dorëzoj shpatës.

15 Ti do të mbjellësh, por nuk do të korrësh; do t’i shtypësh ullinjtë, por nuk do të lyhesh me vaj; do të bësh musht, por nuk do të pish verë.

16 Ju ndiqni statutet e Omrit dhe tërë praktikat e shtëpisë së Ashabit, dhe ju ecni sipas këshillave të tyre, që unë t’ju katandis në një shkreti, dhe banorët e tu në një objekt talljeje. Kështu ju do të mbani turpin e popullit tim!".

Luka 15

15 Pastaj të gjithë tagrambledhësit dhe mëkatarët i afroheshin për ta dëgjuar.

Dhe farisenjtë dhe skribët murmuritnin duke thënë: “Ky i pranon mëkatarët dhe ha bashkë me ta.”

Atëherë ai u tha këtë shëmbëlltyrë:

“Cili njeri prej jush, që ka njëqind dele dhe një prej tyre t’i humbasë, nuk i lë të nëntëdhjetë e nëntat në shkretirë dhe nuk shkon pas asaj që humbi deri sa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, e merr mbi supe gjithë gaz;

dhe, kur arrin në shtëpi, i thërret miqtë dhe fqinjët dhe u thotë: Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta delen time që më kishte humbur..

Dhe unë po ju them se po kështu në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar të vetëm që pendohet, sesa për nëntëdhjetë e nëntë të drejtët, që nuk kanë nevojë të pendohen.

Ose, cila grua që ka dhjetë dhrahmi dhe humbet një nga ato, nuk ndez llambën, nuk e fshin shtëpinë dhe nuk kërkon me kujdes derisa ta gjejë?

Dhe, kur e gjen, fton tok shoqet dhe fqinjët, duke thënë: "Gëzohuni bashkë me mua, sepse e gjeta dhrahminë që kisha humbur".

10 Po kështu po ju them: do të ketë gëzim në mes të engjëjve të Perëndisë për një mëkatar të vetëm që pendohet.”

11 Tha akoma: “Një njeri kishte dy bij.

12 Më i riu i tyre i tha babait: "Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon". Dhe i ati ua ndau mes tyre pasurinë.

13 Mbas pak ditësh biri më i ri mblodhi çdo gjë, shkoi në një vend të largët dhe atje e prishi gjithë pasurinë, duke bërë një jetë të shthurur.

14 Por, si i shpenzoi të gjitha, në atë vend ra një zi e madhe buke, dhe ai filloi të jetë në hall.

15 Atëherë shkoi e iu ngjit pas një banori të atij vendi, i cili e çoi në arat e tij që të ruajë derrat.

16 Dhe ai dëshironte të mbushte barkun me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte.

17 Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!

18 Do të çohem dhe do të shkoj tek im atë dhe do t’i them: Atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje;

19 nuk jam më i denjë të quhem yt bir; trajtomë si një nga mëditësit e tu".

20 U çua, pra, dhe shkoi tek i ati. Por kur ishte ende larg, i ati e pa dhe dhembshuri; u lëshua vrap, ra mbi qafën e tij dhe e puthi.

21 Dhe i biri i tha: "O atë, mëkatova kundër qiellit dhe para teje dhe nuk jam më i denjë të quhem biri yt".

22 Por i ati u tha shërbëtorëve të vet: "Sillni këtu rrobën më të bukur dhe visheni, i vini një unazë në gisht dhe sandale në këmbë.

23 Nxirrni jashtë viçin e majmur dhe thereni; të hamë dhe të gëzohemi,

24 sepse ky biri im kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri". Dhe filluan të bënin një festë të madhe.

25 Djali i tij i madh ishte në ara; dhe kur u kthye dhe iu afrua shtëpisë, dëgjoi këngë e valle.

26 Atëherë thirri një shërbëtor dhe e pyeti ç’ishte e gjitha kjo.

27 Dhe ai i tha: "U kthye yt vëlla dhe yt atë theri viçin e majmur, sepse iu kthye djali shëndoshë e mirë".

28 Kur i dëgjoj këto, ai u zemërua dhe nuk deshi të hynte; atëherë i ati doli dhe iu lut të hynte.

29 Por ai iu përgjigj të atit dhe tha: "Ja, u bënë kaq vite që unë të shërbej dhe kurrë s’kam shkelur asnjë nga urdhërat e tu, e megjithëatë kurrë s’më dhe një kec për të bërë një festë me miqtë e mi.

30 Por, kur u kthye ky djali yt, që prishi pasurinë tënde me prostituta, ti there për të viçin e majmur".

31 Atëherë i ati i tha: "O bir, ti je gjithmonë me mua, dhe çdo gjë që kam është jotja.

32 Por duhet të festojmë dhe të gëzohemi, sepse ky vëllai yt kishte vdekur dhe u kthye në jetë, kishte humbur dhe u gjet përsëri".”