M’Cheyne Bible Reading Plan
19 Jozafati, mbret i Judës, u kthye shëndoshë e mirë në shtëpinë e tij në Jeruzalem.
2 Por shikuesi Jehu, bir i Hananit, i doli përpara dhe i tha mbretit Jozafat: "A duhet të ndihmoje ti një të pafe dhe të doje ata që urrenin Zotin? Prandaj mëria e Zotit është mbi ty.
3 Megjithatë janë gjetur te ti gjëra të mira, sepse ke hequr nga vendi Asherothët dhe zemra jote është përpjekur për të kërkuar Perëndinë".
4 Kështu Jozafati banoi në Jeruzalem; pastaj shkoi përsëri midis popullit, nga Beer-Sheba në krahinën malore të Efraimit, dhe i solli ata përsëri te Zoti, Perëndia i etërve të tij.
5 Pastaj ai emëroi gjyqtarë në vend, në të tëra qytetet e fortifikuara të Judës, qytet pas qyteti,
6 dhe u tha gjyqtarëve: "Kini kujdes për atë që bëni, sepse nuk gjykoni për njeriun por për Zotin, që do të jetë me ju kur do të administroni drejtësinë.
7 Prandaj tani frika e Zotit qoftë mbi ju. Tregoni kujdes për atë që bëni, sepse tek Zoti, Perëndia ynë, nuk ka asnjë padrejtësi, as anësi, as pranim dhuratash.
8 Edhe në Jeruzalem Jozafati vendosi disa Levitë priftërinj dhe të parë të shtëpive atërore të Izraelit për gjykimin e Zotit dhe për grindjet e ndryshme; këta banonin në Jeruzalem.
9 I urdhëroi ata duke thënë: "Ju do të veproni duke pasur frikë nga Zoti, me besnikëri dhe me zemër të pastër.
10 Në çdo grindje që do t’ju parashtrohet para jush nga ana e vëllezërve tuaj që banojnë në qytetet e tyre, qoftë për gjak të derdhur ose për shkelje të ligjit apo të një urdhërimi, kundër statuteve ose dekreteve, lajmërojini që të mos bëhen fajtorë përpara Zotit, dhe zemërimi të mos bjerë mbi ju dhe mbi vëllezërit tuaj. Veproni kështu dhe nuk do të bëheni fajtorë.
11 Dhe ja, prifti më i lartë Amariah do të caktohet mbi ju për çdo çështje që i përket Zotit, ndërsa Zebadiahu, bir i Ismaelit, i pari i shtëpisë së Judës, do të jetë për çdo çështje që ka të bëjë me mbretin; edhe Levitët do të jenë në dispozicionin tuaj si gjyqtarë. Tregohuni të fortë dhe i hyni punës, dhe Zoti do të jetë me njeriun e drejtë".
20 Mbas këtyreve ngjarjeve ndodhi që bijtë e Moabit, bijtë e Amonit dhe të tjerë me ta së bashku me Amonitët erdhën të luftojnë kundër Jozafatit.
2 Kështu erdhën disa të informonin Jozafatin, duke thënë: "Një shumicë e madhe është nisur kundër teje që përtej detit, nga Siria; ja, tani ata janë në Hatsatson-Thamar" (që është En-Gedi).
3 Atëherë Jozafati u trëmb dhe filloi të kërkojë Zotin, dhe shpalli një agjërim në gjithë Judën.
4 Kështu ata të Judës u mblodhën për të kërkuar ndihmën e Zotit, dhe nga të gjitha qytetet e Judës vinin për të kërkuar Zotin.
5 Pastaj Jozafati u ngrit më këmbë në mes të asamblesë së Judës dhe të Jeruzalemit në shtëpinë e Zotit përpara oborrit të ri
6 dhe tha: "O Zot, Perëndia i etërve tanë, a nuk je ti Perëndia që është në qiell? Po, ti sundon mbi të gjitha mbretëritë e kombeve, në duart e tua janë forca dhe fuqia dhe nuk ka njeri që mund të të rezistojë.
7 A nuk ke qenë ti, Perëndia ynë, që ke dëbuar banorët e këtij vendi përpara popullit tënd të Izraelit dhe ia ke dhënë për gjithnjë pasardhësve të mikut tënd Abraham?
8 Ata kanë banuar aty dhe kanë ndërtuar një shenjtërore për emrin tënd, duke thënë:
9 "Në rast se na godet një fatkeqësi, shpata, gjykimi apo murtaja ose zia e bukës, ne do të paraqitemi përpara këtij tempulli dhe përpara teje (sepse emri yt është në këtë tempull), do të të klithim ty nga fatkeqësia jonë, ti do të na dëgjosh dhe do të na vish në ndihmë".
10 Dhe ja, tani bijtë e Amonit, të Moabit dhe ata të malit Seir, në territorin e të cilëve nuk e lejove Izraelin të hynte kur ata po dilnin nga Egjipti (prandaj ata qëndruan larg tyre dhe nuk i shkatërruan),
11 dhe ja, tani ata na shpërblejnë, duke ardhur të na dëbojnë nga trashëgimia jote që na ke dhënë në zotërim.
12 O Perëndia ynë, a nuk do t’i dënosh ata? Sepse ne jemi pa forcë përpara kësaj shumice të madhe që vjen kundër nesh; nuk dimë çfarë të bëjmë, por sytë tona janë drejtuar te ti".
13 Tani tërë burrat e Judës, me fëmijët, bashkëshortet dhe bijtë e tyre, rrinin më këmbë përpara Zotit.
14 Atëherë në mes të asamblesë Fryma e Zotit përfshiu Jahazielin, birin e Zakarias, bir i Benajahut, bir i Jejelit, bir i Mataniahut, një Levit nga bijtë e Asafit.
15 Dhe ky tha: "Dëgjoni, ju të gjithë nga Juda, ju banorë të Jeruzalemit dhe ti, o mbret Jozafat! Kështu ju thotë Zoti: "Mos kini frikë, mos u tronditni për shkak të kësaj shumice të madhe, sepse beteja nuk është juaja, por e Perëndisë.
16 Nesër hidhuni kundër tyre; ja, ata do të ngjiten nëpër të përpjetën e Tsitsit, dhe ju do t’i gjeni në skajin e luginës përballë shkretëtirës së Jeruelit.
17 Nuk do të jeni ju që do të luftoni në këtë betejë; zini pozicion, qëndroni pa lëvizur dhe do të shihni lirimin e Zotit, që është me ju. O Judë, o Jeruzalem, mos kini frikë dhe mos u tronditni; nesër do të dilni kundër tyre, sepse Zoti është me ju"".
18 Atëherë Jozafati uli për tokë fytyrën e tij, dhe tërë Juda dhe banorët e Jeruzalemit ranë përmbys përpara Zotit dhe e adhuruan.
19 Pastaj Levitët, bijtë e Kehathitëve dhe të Korahitëve, u ngritën për të lëvduar me zë të lartë Zotin, Perëndinë e Izraelit.
20 Mëngjesin vijues u çuan shpejt dhe u nisën për në shkretëtirën e Tekoas; ndërsa po viheshin për rrugë, Jozafati, duke qëndruar në këmbë, tha: Dëgjomëni, o Judë, dhe ju banorë të Jeruzalemit! Besoni Zotin, Perëndinëë tuaj, dhe do të jeni të fortë; besoni profetët e tij dhe do të keni mbarësi".
21 Pastaj, pasi u këshillua me popullin, caktoi ata që duhet t’i këndonin Zotit dhe duhet ta lëvdonin për shkëlqimin e shenjtërisë së tij, ndërsa ecnin përpara ushtrisë dhe thonin: "Kremtoni Zotin, sepse mirësia e tij zgjat përjetë".
22 Kur ata filluan të këndojnë dhe të lëvdojnë, Zoti ngriti një pritë kundër bijve të Amonit dhe të Moabit dhe atyre të malit të Seirit që kishin ardhur kundër Judës, dhe mbetën të mundur.
23 Bijtë e Amonit dhe të Moabit u ngritën kundër banorëve të malit të Seirit për të realizuar shfarosjen dhe shkatërrimin e tyre; mbasi kryen shfarosjen e banorëve të Seirit, ndihmuan njeri-tjetrin për të shkatërruar veten e tyre.
24 Kështu kur ata të Judës arritën në lartësinë prej nga mund të kqyrej shkretëtira, u kthyen nga turma, dhe ja, nuk kishte veçse kufoma të shtrira për tokë, asnjë nuk kishte shpëtuar.
25 Atëherë Jozafati dhe njerëzit e tij shkuan për të marrë plaçkën e luftës; midis tyre gjetën një sasi të madhe pasurish mbi kufomat e tyre dhe sende me vlerë; morën për vete më tepër se sa mund t’i mbartnin; iu deshën tri ditë për të marrë plaçkën, aq e shumtë ishte ajo.
26 Ditën e katërt u mblodhën në Luginën e Bekimit, ku bekuan Zotin; prandaj ky vend quhet Lugina e Bekimit edhe sot.
27 Pastaj tërë njerëzit e Judës dhe të Jeruzalemit, me Jozafatin në krye, u nisën me gëzim për t’u kthyer në Jeruzalem, sepse Zoti u kishte dhënë shkas të gëzohen mbi armiqtë e tyre.
28 Kështu hynë në Jeruzalem me harpa, me qeste dhe me bori dhe u drejtuan nga shtëpia e Zotit.
29 Tmerri i Zotit ra mbi të gjitha mbretëritë e vendeve të tjera, kur mësuan që Zoti kishte luftuar kundër armiqve të Izraelit.
30 Mbretëria e Jozafatit qe e qetë; Perëndia i tij i dha paqe rreth e qark.
31 Kështu Jozafati mbretëroi mbi Judë. Ai ishte tridhjetë e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e pesë vjet në Jeruzalem; e ëma quhej Azubah dhe ishte bija e Shihlit.
32 Ai ndoqi kudo rrugët e atit të tij, Asa, dhe nuk u largua prej tyre, duke bërë atë që ishtë e drejtë në sytë e Zotit.
33 Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën, sepse populli nuk e kishte akoma zemrën të kthyer në mënyrë të qëndrueshme nga Perëndia i etërve të tyre.
34 Pjesa tjetër e bëmave të Jozafatit, nga e para deri në atë të fundit, janë të shkruara në analet e Jehut, birit të Hananit, që përfshihen në librin e mbretërve të Izraelit.
35 Pas kësaj Jozafati, mbret i Judës, u lidh me Ashaziahun, mbretin e Izraelit, që vepronte me paudhësi;
36 ai u lidh me të për të ndërtuar anije që të shkonin në Tarshish; i pajisën anijet në Etsion-Geber.
37 Atëherë Eliezeri, bir i Dodavahut nga Mareshah, profetizoi kundër Jozafatit, duke thënë: "Nga që je bashkuar me Ashaziahun, Zoti ka shkatërruar veprat e tua". Kështu anijet u shkatërruan dhe nuk arritën dot në Tarshish.
8 Edhe kur ai hapi vulën e shtatë, në qiell u bë heshtje për rreth gjysmë orë.
2 Dhe unë i pashë të shtatë engjëjt që qëndrojnë përpara Perëndisë, dhe atyre u dha shtatë bori.
3 Pastaj erdhi një engjëll tjetër që kishte një temianicë ari dhe ndaloi pranë altarit; dhe iu dha shumë erë e këndshme që t’ua shtonte lutjeve të të gjithë shenjtorëve mbi altarin prej ari që ishte përpara fronit.
4 Dhe tymi i erëve të këndshme, të ofruara me lutjet e shenjtorëve, u ngrit përpara Perëndisë nga dora e engjëllit.
5 Pastaj enjëlli mori temianicën, e mbushi nga zjarri i altarit dhe e hodhi mbi dhe; dhe u bënë zëra, bubullima, vetima dhe një tërmet.
6 Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë boritë u bënë gati t’i bien borisë.
7 Engjëlli i parë i ra borisë, dhe u bë breshër e zjarr, i përzier me gjak, dhe u hodhën mbi dhe; dhe e treta e pemëve u dogj tërësisht, dhe çdo bar i njomë u dogj tërësisht.
8 Dhe engjëlli i dytë i ra borisë dhe diçka si një mal i madh që digjet nga zjarri u hodh në det, dhe e treta e detit u bë gjak;
9 dhe e treta e krijesave që rrojnë në det ngordhi, dhe e treta e anijeve u shkatërruan.
10 Dhe i treti engjëll i ra borisë, dhe ra nga qielli një yll i madh që digjej si pishtar, dhe ra mbi pjesën e tretë të lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.
11 Dhe emri i yllit është "pelin" dhe e treta e ujërave u bë pelin; dhe shumë njerëz vdiqën për shkak të këtyre ujërave, sepse u bënë të hidhura.
12 Dhe i katërti engjëll i ra borisë, dhe u godit pjesa e tret e diellit dhe pjesa e tret e hënës dhe pjesa e tret e yjeve, që të errësohej e treta e tyre dhe e treta e ditës e humbi shkëlqimin e saj, kështu edhe nata.
13 Dhe pashë, dhe dëgjova një engjëll që fluturonte në mes të qiellit dhe thoshte me zë të madh: “Mjerë, mjerë, mjerë atyre që banojnë mbi dhe, për shkak të të rënave të tjera të borive që të tre engjëjtë do t’i bien.”
4 Pastaj engjëlli që fliste me mua u kthye dhe më zgjoi ashtu si zgjojnë dikë nga gjumi.
2 Dhe më pyeti: "Çfarë po shikon?". U përgjigja: "Ja, po shikoj një shandan krejt prej ari dhe që ka në majë një enë, mbi të cilën janë shtatë llampa me shtatë tuba për shtatë llampat që janë në majë.
3 Afër tyre janë dy ullinj, një në të djathtën e enës dhe tjetri në të majtën e saj".
4 Kështu nisa t’i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, ç’kuptim kanë këto gjëra?".
5 Engjëlli që fliste me mua u përgjigj dhe më tha: "Nuk e kupton se ç’duan të thonë këto gjëra?". Unë i thashë: "Jo, imzot".
6 Atëherë ai, duke u përgjigjur, më tha: "Kjo është fjala e Zotit drejtuar Zorobabelit: Jo për fuqinë dhe as për forcën, por për Frymën time," thotë Zoti i ushtrive.
7 "Kush je ti, o mali i madh? Përpara Zorobabelit ti do të bëhesh fushë. Dhe ai do ta bëjë gurin e majës së malit të shkojë përpara midis britmave: Mëshirë, mëshirë për të!!"".
8 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:
9 "Duart e Zorobabelit kanë hedhur themelet e këtij tempulli dhe duart e tij do ta përfundojnë; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju.
10 Kush ka mundur të përçmojë ditën e gjërave të vogla? Por ata të shtatë gëzohen kur shohin plumbçen në duart e Zorobabelit. Ata të shtatë janë sytë e Zotit që e përshkojnë gjithë dheun".
11 Unë u përgjigja dhe i thashë: "Këta dy ullinj në të djathtën dhe në të majtën e shandanit çfarë janë?".
12 Për herë të dytë nisa t’i them: "Çfarë janë këto dy degë ulliri që janë përbri dy prurësve prej ari nga rrjedh vaji i praruar?".
13 Ai m’u përgjigj dhe tha: "Nuk e kupton çfarë janë këto?". Unë u përgjigja: "Jo, imzot".
14 Atëherë ai më tha: "Këta janë dy të vajosurit që rrijnë afër Zotit të gjithë dheut".
7 Pas këtyre gjërave, Jezusi përshkoi Galilenë, sepse nuk donte të endej nëpër Jude, nga që Judenjtë kërkonin ta vrisnin.
2 Por festa e Judenjve, ajo e Tabernakujve ishte afër.
3 Prandaj vëllezërit e tij i thanë: “Nisu prej këndej dhe shko në Jude, që edhe dishepujt e tu t’i shohin veprat që ti bën.
4 Askush në fakt nuk bën asgjë në fshehtësi kur kërkon të nijhet botërisht; kur ti do të bësh gjëra të tilla, tregohu botës!.”
5 Në fakt as vëllezërit e tij nuk besonin në të.
6 Atëherë Jezusi u tha aytre: “Koha ime nuk ka ardhur ende; por koha juaj është gjithmonë gati.
7 Bota nuk mund t’ju urrejë juve, por më urren mua sepse unë dëshmoj për të se veprat e saj janë të mbrapshta.
8 Ngjituni ju në këtë festë; unë nuk po ngjitem ende në këtë festë, sepse koha ime ende nuk është plotësuar.”
9 Dhe si u tha atyre këto gjëra, mbeti në Galile.
10 Mbasi vëllezërit e tij u ngjitën në festë, atëherë edhe ai u ngjit atje, jo haptas, por si fshehurazi.
11 Judenjtë, pra, e kërkonin gjatë festës dhe thoshnin: “Ku është ai?.”
12 Në turmë pëshpëritej shumë për të; disa thoshnin: “Ai është i mirë!.” Të tjerë thoshnin: “Jo, madje ai e mashtron popullin.”
13 Por askush nuk fliste haptas për të, nga druajtja e Judenjve.
14 Por, aty nga mesi i festës, Jezusi u ngjit në tempull dhe mësonte.
15 Dhe Judenjtë mrrekulloheshin duke thënë: “Si i ditka ky shkronjat, pa pasur studiuar?.”
16 Jezusi atëherë iu përgjigj atyre dhe tha: “Doktrina ime nuk është imja, por e atij që më ka dërguar.
17 Në qoftë se dikush don të bëjë vullnetin e tij, do ta njohë nëse kjo doktrinë vjen nga Perëndia apo që unë flas nga vetja ime.
18 Kush flet nga vetja e tij kërkon lavdinë e vet, kurse ai që kërkon lavdinë e atij që e ka dërguar është i vërtetë, dhe në të nuk ka padrejtësi.
19 A nuk jua ka dhënë Moisiu ligjin? E pra, asnjë nga ju nuk e vë në praktikë ligjin. Pse kërkoni të më vritni?.”
20 Turma u përgjigj dhe tha: “Ti ke një demon; kush kërkon të të vrasë?.”
21 Jezusi u përgjigj dhe u tha: “Unë bëra një vepër dhe ju të gjithë jeni të mreku-lluar.
22 Prandaj Moisiu iu dha rrethprerjen (ajo nuk është prej Moisiut, por prej etërve); dhe ju e rrethpritni një njeri të shtunën.
23 Në qoftë se një njeri merr rrethprerjen të shtunën, që të mos shkelet ligji i Moisiut, ju zemëroheni kundër meje sepse shërova tërësishtë një njeri të shtunën?
24 Mos gjykoni sipas pamjes së jashtme, por gjykoni sipas drejtësisë!”
25 Atëherë disa nga Jeruzalemi thanë: “A nuk është ky ai që kërkojnë ta vrasin?
26 E megjithatë ja, ai po flet lirisht dhe nuk i thonë asgjë; mos kanë njohur krerët me të vërtetë se ai është Krishti?
27 Por ne e dimë se nga është ai; ndërsa kur të vijë Krishti, askush nuk do ta dijë se nga është.”
28 Atëherë Jezusi, duke mësuar në tempull, thirri dhe tha: “Ju më njihni dhe e dini se nga jam, megjithatë unë s’kam ardhur nga vetja, por ai që më ka dërguar është i vërtetë dhe ju nuk e njihni.
29 Por unë atë e njoh, sepse jam nga ai dhe ai më dërgoi.”
30 Prandaj ata kërkonin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të, sepse ora e tij s’kishte ardhur akoma.
31 Por shumë veta nga turma besuan në të dhe thoshnin: “Kur të vijë Krishti, a do të bëjë më shumë shenja se këto që ka bërë ky?.”
32 Farisenjtë dëgjuan turmën duke pëshpëritur këto gjëra për të; prandaj farisenjtë dhe krerët e priftërinjve dërguan roje për ta kapur.
33 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Unë jam edhe për pak kohë me ju, pastaj do të shkoj tek ai që më ka dërguar.
34 Do të më kërkoni e nuk do të më gjeni; dhe atje ku do të jem unë, ju nuk do të mund të vini.”
35 Prandaj Judenjtë thonin në mes tyre: “Ku do të shkojë ky që ne nuk do ta gjejmë? Mos do të shkojë tek ata që janë shpërndarë midis Grekëve, dhe të mësojë Grekët?
36 Çfarë deshi të thoshte kur tha: "Ju do të më kërkoni dhe nuk do të më gjeni"; dhe: "Atje ku do të jem unë, ju nuk mund të vini"?.”
37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.
38 Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.”
39 Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.
40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!.”
41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti.” Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?
42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?.”
43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.
44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.
45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?.”
46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.”
47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?
48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?
49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.”
50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:
51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç’ka bërë ai?.”
52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s’ka dalë kurrë profet.”
53 Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.