M’Cheyne Bible Reading Plan
24 Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Tsibiah dhe ishte nga Beer-Sheba.
2 Joasi bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit gjatë gjithë kohës që jetoi prifti Jehojada.
3 Jehojada i zgjodhi për të dy bashkëshorte dhe Joasit i lindën djem dhe vajza.
4 Mbas kësaj e shtyu zemra Joasin të ndreqë shtëpinë e Zotit.
5 Prandaj mblodhi priftërinjtë dhe Levitët dhe u tha atyre: "Shkoni në qytetet e Judës dhe mblidhni vit për vit nga gjithë Izraeli paratë që nevojiten për të restauruar shtëpinë e Perëndisë tuaj; përpiquni ta kryeni shpejt këtë punë". Por Levitët nuk treguan asnjë nxitim.
6 Atëherë mbreti thirri kryepriftin Jehojada dhe i tha: "Pse nuk u kërkove Levitëve që të sillnin nga Juda dhe nga Jeruzalemi taksën e caktuar nga Moisiu, shërbëtor i Zotit, dhe nga asambleja e Izraelit për çadrën e dëshmisë?".
7 Në të vërtetë bijtë e Athaliahës, të kësaj gruaje të keqe, kishin plaçkitur shtëpinë e Perëndisë dhe kishin përdorur madje gjithë gjërat e shenjtëruara të shtëpisë të Zotit për Baalët.
8 Me urdhër të mbretit bënë një arkë dhe e vunë jashtë, te porta e shtëpisë të Zotit.
9 Pastaj bënë një shpallje në Judë dhe në Jeruzalem, me qëllim që t’i çohej Zotit taksa që Moisiu, shërbëtori i Perëndisë, i kishte vënë Izraelit në shkretëtirë.
10 Tërë krerët dhe tërë populli u gëzuan dhe sollën paratë, duke i hedhur në arkë deri sa e mbushën.
11 Kur arka çohej nga Levitët tek inspektori i mbretit, sepse shihnin se kishte në të shumë para, sekretari i mbretit dhe i ngarkuari nga kryeprifti vinin për të zbrazur arkën; pastaj e merrnin dhe e çonin përsëri në vendin e saj. Kështu vepronin çdo ditë; në këtë mënyrë grumbullonin një sasi të madhe parash.
12 Pastaj mbreti dhe Jehojada ua jepnin këto atyre që bënin shërbimin në shtëpinë e Zotit; dhe ata paguanin gurgdhëndësit dhe marangozët për të restauruar shtëpinë e Zotit, si edhe punëtorët e hekurit dhe të bronzit që merreshin me shtëpinë e Zotit.
13 Kështu punëtorët i kryen me kujdes punimet dhe me anë të tyre ndreqjet shkuan mbarë; ata e kthyen përsëri shtëpinë e Perëndisë në gjendejn e saj origjinale dhe e përforcuan atë.
14 Kur kishin mbaruar, paratë që mbetën i çuan para mbretit dhe Jehojadës dhe me to bënë orendi për shtëpinë e Zotit, orendi për shërbimin dhe për olokaustet, kupa dhe vegla të tjera prej ari ose argjendi. Deri sa jetoi Jehojada, u ofruan vazhdimisht olokauste në shtëpinë e Zotit.
15 Por Jehojada, tanimë i plakur dhe i ngopur me ditë, vdiq; ai ishte njëqind e tridhjetë vjeç kur vdiq;
16 e varrosën në qytetin e Davidit bashkë me mbretërit, sepse kishte bërë të mira në Izrael, ndaj Perëndisë dhe ndaj shtëpisë së tij.
17 Mbas vdekjes së Jehojadës, krerët e Judës shkuan dhe ranë përmbys përpara mbretit; dhe mbreti i dëgjoi.
18 Pastaj ata braktisën shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, dhe u shërbyen Asherimëve dhe idhujve; për shkak të këtij mëkati, zemërimi i Perëndisë ra mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin.
19 Zoti u dërgoi atyre profetë për t’i bërë të kthehen tek ai; këta dëshmuan kundër tyre, por ata nuk deshën t’i dëgjojnë.
20 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Zakarian, birin e priftit Jehojada, që u ngrit përpara popullit dhe tha: "Kështu thotë Perëndia: Pse shkelni urdhërimet e Zotit dhe nuk keni mbarësi? Mëqe e keni braktisur Zotin edhe ai do t’ju braktisë".
21 Por ata komplotuan kundër tij dhe me urdhër të mbretit, e vranë me gurë në oborrin e shtëpisë të Zotit.
22 Kështu mbreti Joas nuk e kujtoi mirësinë që Jehojada, ati i Zakarias, kishte treguar ndaj tij dhe ia vrau të birin, i cili duke vdekur tha: "Zoti e shikoftë dhe të kërkoftë llogari!.
23 Kështu ndodhi që, në fillim të vitit të ri, ushtria e Sirëve doli kundër Joasit. Ata erdhën në Judë dhe në Jeruzalem dhe shfarosën nga populli tërë krerët e tij, dhe tërë plaçkën ia çuan mbretit të Damaskut.
24 Megjithëse ushtria e Sirëve kishte ardhur me pak veta, Zoti u dha në dorë një ushtri shumë të madhe, sepse kishin braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre. Kështu ata e gjykuan Joasin.
25 Kur Sirët u tërhoqën nga ai (sepse e kishin lënë shumë të sëmurë), shërbëtorët e tij kurdisën një komplot kundër tij, për shkak të vrasjes së bijve të priftit Jehojada, dhe e vranë në shtratin e tij. Kështu ai vdiq dhe e varrosën në qytetin e Davidit, por jo në varrezat e mbretërve.
26
27
11 Dhe m’u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: “Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,
2 dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.
3 Dhe unë do t’u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.
4 Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrijnë përpara Perëndisë së dheut.
5 Dhe, nëse ndokush dëshiron t’u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshëron t’u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.
6 Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t’i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan.
7 Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t’i mundë ata, dhe do t’i vrasë.
8 Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë.
9 Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr.
10 Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t’i dërgojnë njeri tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe.”
11 Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr e madh ra mbi ata që i shikonin.
12 Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu lart.” Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë.
13 Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.
14 Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti.
15 Dhe engjëlli i shtatë i ra borisë dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshnin: “Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.”
16 Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë,
17 duke thënë: “Ne të falënderojmë, o Zot, Perëndi i Plotfuqishmi, që je, që ishe dhe që do të vish, sepse more në dorë pushtetin tënd të madh, dhe mbretëron.
18 Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t’u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që druajnë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun.”
19 Atëherë u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe u duk arka e besëlidhjes së tij, dhe ndodhnin vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një rebesh i fortë breshëri.
7 Në vitin e katërt të mbretit Dar, ditën e katërt të muajit të nëntë, që është Kislevi, ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Zakarias.
2 Kishin dërguar Sharetserin, bashkë me Regemelekun dhe njerëzit e tij, në Bethel për të kërkuar me lutje favorin e Zotin,
3 dhe për të folur me priftërinjtë që ishin në shtëpinë e Zotit të ushtrive dhe me profetët, duke thënë: "A duhet të qaj në muajin e pestë dhe të agjëroj si kam bërë gjatë shumë viteve?".
4 Atëherë fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
5 "Folu gjithë popullit të vendit dhe priftërinjve dhe thuaj: "Kur keni agjëruar dhe jeni pikëlluar në muajin e pestë dhe në të shtatin gjatë këtyre shtatëdhjetë viteve, a keni agjëruar në të vërtetë për mua, pikërisht për mua?
6 Po më pas, kur keni ngrënë dhe pirë, mos vallë keni ngrënë dhe pirë për veten tuaj?
7 A nuk janë këto fjalët që Zoti i ushtrive ka shpallur me anë të profetëve të së kaluarës, kur Jeruzalemi ishte i banuar dhe i qetë bashkë me qytetet e tij të afërta dhe gjithashtu Negevi dhe fusha ishin të banuara?"".
8 Fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, duke thënë:
9 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Zbatoni me përpikëri drejtësinë dhe tregoni secili mirësi dhe mëshirë për vëllezërit tuaj.
10 Mos e shtypni të venë dhe jetimin, të huajin dhe të varfërin; dhe askush të mos kurdisë në zemër të vet të keqen kundër vëllait të vet.
11 Por ata nuk deshën të dëgjojnë, kthyen krahët me kryeneçësi dhe i zunë veshët që të mos dëgjonin.
12 E bënë zemrën e tyre si diamanti, për të mos dëgjuar ligjin dhe fjalët që Zoti i ushtrive u dërgonte atyre me anë të Frymës së tij, me anë të profetëve të së kaluarës. Kështu u krijua një indinjatë e madhe te Zoti i ushtrive.
13 Dhe ndodhi që, mbasi ai thërriste dhe ata nuk ia vinin veshin, ata thirrën dhe unë nuk ua vura veshin," thotë Zoti i ushtrive,
14 "por i shpërndava me shakullimë midis gjithë kombeve që ata nuk i njihnin. Kështu vendi mbeti i shkretë pas tyre, dhe askush nuk kalonte andej ose nuk u kthye. Nga një vend kënaqësie ata e kthyen në shkreti".
10 “Në të vërtetë, në të vërtetë unë po ju them: Ai që nuk hyn nëpër derë të vathës së deleve, por ngjitet nga një anë tjetër, ai është vjedhës dhe kusar;
2 kurse kush hyn nëpër derë është bariu i deleve.
3 Atij ia hap portieri; delet e dëgjojnë zërin e tij, dhe ai i thërret delet e tij me emër dhe i prin jashtë.
4 Dhe, pasi i ka nxjerrë delet e tij, shkon para tyre; dhe delet e ndjekin, sepse njohin zërin e tij.
5 Por nuk ndjekin asnjë të huaj, por do të ikin larg tij, sepse nuk e njohin zërin e të huajve.”
6 Jezusi u tha atyre këtë shëmbëlltyrë, por ata nuk morën vesh për çfarë po u fliste.
7 Prandaj Jezusi u tha atyre përsëri: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: unë jam dera e deleve.
8 Të gjithë ata që erdhën para meje janë vjedhës e kusarë; por delet nuk i kanë dëgjuar.
9 Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet; do të hyjë, do të dalë dhe do të gjejë kullotë.
10 Vjedhësi nuk vjen veçse për të vjedhur, për të vrarë e për të shkatërruar; por unë kam ardhur që të kenë jetë e ta kenë me bollëk.
11 Unë jam bariu i mirë; bariu i mirë jep jetën e vet për delet.
12 Kurse rrogëtari, që nuk është bari, dhe delet nuk janë të vetat, sheh ujkun që po vjen, i braktis delet dhe ikën; dhe ujku i rrëmben dhe i shpërndan delet.
13 Rrogëtari ikën, sepse është rrogëtar dhe nuk do t’ia dijë për delet.
14 Unë jam bariu i mirë, dhe i njoh delet e mia dhe ato më njohin mua,
15 ashtu siç më njeh Ati mua dhe unë e njoh Atin dhe lë jetën time për delet.
16 Unë kam edhe dele të tjera që nuk janë të kësaj vathe; duhet t’i mbledh edhe ato, dhe ato do ta dëgjojnë zërin tim, dhe do të jetë një tufë e vetme dhe një Bari i vetëm.
17 Prandaj Ati më do, sepse unë e lë jetën time që ta marr përsëri.
18 Askush nuk mund të ma heqë, por e lë nga vetja; unë kam pushtet ta lë e pushtet ta marr përsëri; ky është urdhri që kam marrë nga Ati im.”
19 Atëherë lindi përsëri një përçarje midis Judenjve për shkak të këtyre fjalëve.
20 Dhe shumë nga ata thoshnin: “Ai ka një demon dhe nuk është në vete; përse e dëgjoni?.”
21 Të tjerë thoshnin: “Këto nuk janë fjalë të një të demonizuari; a mundet një demon t’ua hap sytë të verbërve?.”
22 U kremtua festa e Kushtimit në Jeruzalem, dhe ishte dimër.
23 Dhe Jezusi po ecte në tempull, nën portikun e Salomonit.
24 E rrethuan, pra, Judenjtë dhe i thanë: “Deri kur do të na mbash pezull? Nëse je Krishti, na e thuaj haptas.”
25 Jezusi u përgjigj atyre: “Unë jua kam thënë, por ju nuk besoni; veprat që bëj në emër të Atit tim, janë ato që dëshmojnë për mua.
26 Por ju nuk besoni, sepse nuk jeni nga delet e mia, siç jua kam thënë.
27 Delet e mia e dëgjojnë zërin tim, unë i njoh dhe ato më ndjekin;
28 dhe unë u jap atyre jetën e përjetshme dhe nuk do të humbasin kurrë, e askush nuk do t’i rrëmbejë nga dora ime.
29 Ati im, që m’i dha, është më i madh se të gjithë; dhe askush nuk mund t’i rrëmbejë nga dora e Atit tim.
30 Unë dhe Ati jemi një.”
31 Prandaj Judenjtë morën përsëri gurë për ta vrarë me gurë.
32 Jezusi u përgjigj atyre: “Ju tregova shumë vepra të mira nga Ati im; për cilën nga këto më vrisni me gurë?.”
33 Judenjtë u përgjigjën duke thënë: “Ne nuk të vrasim me gurë për asnjë vepër të mirë, po për blasfemi, dhe sepse ti, duke qenë njeri, e bën veten Perëndi.”
34 Jezusi u përgjigj atyre: “A nuk është shkruar në ligjin tuaj: "Unë thashë: Ju jeni perëndi"?
35 Nëse ai i quan perëndi ata, të cilëve u qe drejtuar fjala e Perëndisë (dhe Shkrimi nuk mund të bjerë poshtë),
36 ju thoni se ai, që Ati e ka shenjtëruar dhe e ka dërguar në botë, blasfemon, sepse ka thënë: "Unë jam Biri i Perëndisë"?
37 Nëse unë nuk bëj veprat e Atit tim, mos më besoni,
38 por nëse i bëj, edhe po të mos më besoni mua, u besoni të paktën veprave, që të njihni e të besoni se Ati është në mua dhe unë në atë.”
39 Për këtë arsye ata kërkonin përsëri ta kapnin, por ai ikte nga duart e tyre.
40 Dhe shkoi përsëri përtej Jordanit, në vendin ku më parë Gjoni pagëzonte; dhe ndaloi aty.
41 Dhe shumë veta erdhën tek ai dhe thoshnin: “Gjoni vërtet nuk bëri asnjë shenjë, por gjithçka që Gjoni tha për këtë ishte e vërtetë.”
42 Dhe atje shumë veta besuan në të.