M’Cheyne Bible Reading Plan
1 Salomoni, bir i Davidit, u forcua shumë në mbretërinë e tij, dhe Zoti, Perëndia i tij, qe me të dhe e bëri jashtëzakonisht të madh.
2 Salomoni i foli tërë Izraelit, komandantëve të mijesheve dhe të qindsheve, gjyqtarëve, tërë princave të të gjithë Izraelit, të parëve të shtëpive atërore.
3 Pastaj Salomoni bashkë me tërë asamblenë shkoi në vendin e lartë, që ishte në Gabaon, sepse aty ndodhej çadra e mbledhjes së Perëndisë që Moisiu, shërbëtori i Zotit, kishte ndërtuar në shkretëtirë.
4 Arkën e Perëndisë, përkundrazi, Davidi e kishte mbartur nga Kirjath-Jearimi në vendin që kishte përgatitur për të; në të vëretë ai kishte ngritur për të një çadër në Jeruzalem.
5 Altarin prej bronzi, që e kishte bërë Betsaleeli, bir i Urit, që ishte bir i Urit, e vendosi përpara tabernakullit të Zotit. Salomoni dhe asambleja shkuan për të kërkuar Zotin.
6 Atje Salomoni u ngjit në altarin prej bronzi përpara Zotit, që ishte në çadrën e mbledhjes, dhe mbi të ofroi një mijë olokauste.
7 Atë natë Perëndia iu shfaq Salomonit dhe i tha: "Më kërko atë që do dhe unë do të ta jap".
8 Salomoni iu përgjigj Perëndisë: "Ti je treguar shumë dashamirës me Davidin, atin tim, dhe më ke bërë mua të mbretëroj në vend të tij.
9 Tani, o Zot Perëndi, u realizoftë premtimi yt që i ke bërë Davidit, atit tim, sepse ti me ke bërë mbret mbi një popull të madh si pluhuri i tokës!
10 Më jep, pra, dituri dhe zgjuarsi, që të mund të hyj dhe të dal para këtij populli, sepse kush mund ta qeverisë, vallë, këtë popull të madh tëndin?".
11 Perëndia i tha Salomonit: "Me qenë se kjo ishte gjëja që kishe në zemër dhe nuk më ke kërkuar as pasuri, as mall, as lavdi, as jetën e armiqve të tu dhe as jetë të gjatë, por kërkove për vete diturin dhe zgjuarsin që të mund të qeverisësh popullin tim mbi të cilin të vura mbret,
12 dituria dhe zgjuarsia të janë dhënë. Përveç tyre do të të jap pasuri, mall dhe lavdi, të cilat nuk i ka pasur asnjë mbret para teje dhe nuk do t’i ketë asnjë pas teje".
13 Salomoni u kthye pastaj nga vendi i lartë që ishte në Gabaon, nga çadra e mbledhjes, në Jeruzalem, dhe mbretëroi mbi Izraelin.
14 Salomoni grumbulloi qerre dhe kalorës, dhe pati një mijë e katërqind qerre dhe dymbëdhjetë mijë kalorës, të cilët i vendosi në qytetet e qerreve dhe pranë mbretit në Jeruzalem.
15 Mbreti veproi gjithashtu në mënyrë të tillë që në Jeruzalem argjendi dhe ari të ishin të rëndomtë si gurët, dhe kedrat të bollshëm si fiku i Egjiptit në fushë.
16 Kuajt e Salomonit importoheshin nga Egjipti dhe nga Kue; tregtarët e mbretit shkonin t’i merrnin në Kue me një çmim të caktuar.
17 Ata sillnin dhe importonin nga Egjipti një qerre për gjashtëqind sikla argjendi dhe një kalë për njëqind e pesëdhjetë. Kështu, me anë të këtyre tregtarëve, ua eksportonin tërë mbretërve të Hitejve dhe të Sirisë.
1 Atë që ishte nga fillimi, atë që dëgjuam, atë që pamë me sytë tanë, atë që vështruam dhe që duart tona e prekën lidhur me Fjalën e jetës
2 (dhe jeta u shfaq dhe ne e pamë e dëshmojmë për të, dhe ju shpallim jetën e përjetshme që ishte pranë Atit dhe që na u shfaq neve),
3 Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
4 Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.
5 Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë
6 Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën;
7 por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.
8 Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.
9 Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.
10 Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.
7 Mjerë unë! Sepse jam si ata që vjelin frutat e verës, si ata që mbledhin rrushin e vitit: nuk ka asnjë vile për të ngrënë, shpirti im dëshëron një fik të parë.
2 Njeriu i përshpirtshëm është zhdukur nga dheu, midis njerëzve nuk ka më njerëz të ndershëm; të tërë rrinë në pritë për të derdhur gjak, secili gjuan vëllanë e vet me rrjetë.
3 Të dy duart e tyre janë të shtrira për të bërë të keq me zotësi; princi pretendon, gjyqtari kërkon shpërblime, i madhi shfaq lakminë e tij; kështu bashkarisht e prishin drejtësinë.
4 Më i miri i tyre është si një ferrishte, më i ndershmi është më i keq se një gardh ferrash. Dita e dënimit tënd po vjen; tani do të jetë pështjellimi i tyre.
5 Mos e besoni shokun, mos i zini besë mikut të ngushtë; ruaji portat e gojës sate përpara asaj që prehet mbi gjirin tënd.
6 Sepse biri turpëron të atin, bija ngre krye kundër nënës, e reja kundër vjehrrës, armiqtë e secilit janë ata të shtëpisë së tij.
7 Por unë do të shikoj te Zoti, do të shpresoj te Perëndia i shpëtimit tim; Perëndia im do të më dëgjojë.
8 Mos u gëzo me mua, o armikja ime! Në rast se kam rënë, do të ngrihem përsëri; në rast se ulem në terr, Zoti do të jetë drita ime.
9 Unë do të duroj indinjatën e Zotit, sepse kam kryer mëkate kundër tij, deri sa ai do të mbrojë kauzën time, dhe do vendosë drejtësi për mua; ai do të më nxjerrë në dritë dhe unë do të sodit drejtësinë e tij.
10 Atëherë armikja ime do ta shohë dhe do të mbulohet me turp, ajo që më thoshte: "Ku është Zoti, Perëndia yt?". Sytë e mi do ta shikojnë me ëndje, ndërsa do ta shkelin si baltën e rrugëve.
11 Kur do të rindërtohen muret e tua, atë ditë kufiri yt do të zgjerohet shumë.
12 Atë ditë do të vinë te ti, nga Asiria dhe nga qytetet e tua të fortifikuara, nga qyteti i fortifikuar deri te Lumi, nga deti në det dhe nga mali në mal.
13 Por vendi do të katandiset në një shkreti për shkak të banorëve të tu, për shkak të frytit të veprimeve të tyre.
14 Kullot popullin tënd me shkopin tënd, kopenë e trashëgimisë sate, që rri i vetmuar në pyllin në mes të Karmelit. Le të kullosin në Bashan dhe në Galaad si në kohërat e lashta.
15 "Si në ditët që dole nga vendi i Egjiptit, unë do t’u tregoj atyre gjëra të mrekullueshme".
16 Kombet do të shohin dhe do t’u vijë turp për tërë fuqinë e tyre; do të vënë dorën te goja, veshët e tyre do të mbeten të shurdhër.
17 Do të lëpijnë pluhurin si gjarpëri, si rrëshqanorët e tokës, do të dalin duke u dridhur nga vendet ku janë fshehur; do të kenë frikë nga Zoti, Perëndia ynë, dhe do të kenë frikë nga ti.
18 Cili Perëndi është si ti, që fal paudhësinë dhe e kapërcen shkeljen e mbetjes së trashëgimisë së tij? Ai nuk e mban përgjithnjë zemërimin e tij, sepse i pëlqen të jetë i mëshirshëm.
19 Atij do t’i vijë përsëri keq për ne, do të shkelë paudhësitë tona, Ti do të hedhësh në fund të detit tërë mëkatet tona.
20 Ti do t’ia tregosh besnikërinë tënde Jakobit dhe dhemshurinë tënde Abrahamit, siç iu betove etërve tanë qysh në kohërat e lashta.
16 Tani ai u foli akoma dishepujve të vet: “Ishte një njeri i pasur që kishte një administrator; këtë e paditën se po ia shkapërderdhte pasurinë e tij.
2 Atëherë ai e thirri dhe i tha: "Ç’është kjo që po dëgjoj për ty? Më jep llogari për ato që ke administruar, sepse ti nuk mund të jesh më administratori im".
3 Dhe administratori tha me vete: "Ç’do të bëj unë tani, që zotëria im po ma heq administrimin? Të gërmoj, s’e bëj dot, dhe të lyp, më vjen turp.
4 E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e tyre kur të hiqem nga administrimi".
5 I thirri atëherë një nga një ata që i detyroheshin zotërisë së tij dhe i tha të parit: "Sa i detyrohesh zotërisë tim?".
6 Ai u përgjigj: "Njëqind bato vaj". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde, ulu dhe shkruaj shpejt pesëdhjetë".
7 Pastaj i tha një tjetri: "Po ti sa i detyrohesh?". Ai u përgjigj: Njëqind kora grurëë". Atëherë ai i tha: "Merre dëftesën tënde dhe shkruaj tetëdhjetë".
8 Zotëria e lavdëroi administratorin e pandershëm, se kishte vepruar me mençuri, sepse bijtë e kësaj bote, në brezin e tyre, janë më të mençur se bijtë e dritës.
9 Unë, pra, po ju them: Bëjini miqtë me pasuri të padrejta sepse, kur këto do t’ju mungojnë, t’ju pranojnë në banesat e përjetshme.
10 Kush është besnik në të vogla, është besnik edhe në të mëdhatë; dhe kush është i padrejtë në të vogla, është i padrejtë edhe në të mëdhatë.
11 Pra, në qoftë se ju nuk keni qenë besnikë në pasuritë e padrejta, kush do t’ju besojë pasuritë e vërteta?
12 Dhe, në qoftë se nuk keni qenë besnikë në pasurinë e tjetrit, kush do t’ju japë tuajën?
13 Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë dy zotërinjve; sepse ose do ta urrejë njerin e tjetrin do ta dojë, ose do të lidhet me njerin dhe tjetrin do ta përbuzë; ju nuk mund t’i shërbeni Perëndisë dhe mamonit.”
14 Dhe farisenjtë, të cilët ishin shumë të dhënë pas parasë, i dëgjonin të gjitha këto dhe e tallnin.
15 Dhe ai u tha atyre: “Ju jeni ata që e justifikoni veten përpara njerëzve, por Perëndia i njeh zemrat tuaja; sepse ajo që vlerësohet shumë ndër njerëzit është gjë e neveritshme para Perëndisë.
16 Ligji dhe profetët arrijnë deri në kohën e Gjonit; që atëherë shpallet mbretëria e Perëndisë dhe gjithkush përpiqet të hyjë aty.
17 Por është më lehtë që të mbarojnë qielli dhe toka, se sa të bjerë poshtë qoftë edhe një pikë nga ligji.
18 Ai që lëshon gruan e vet dhe merr një tjetër, shkel kurorën; edhe ai që martohet me një grua të lëshuar nga i burri, shkel kurorën.”
19 Por atje ishte një njeri i pasur, që vishej me të purpurta dhe me rroba të çmueshme prej liri dhe për ditë e kalonte shkëlqyeshëm.
20 Atje ishte edhe një lypës, i quajtur Llazar, që rrinte para derës së tij, dhe trupin e kishte plot me plagë të pezmatuara,
21 dhe dëshironte të ngopej me thërrimet që binin nga tryeza e pasanikut; madje edhe qentë vinin e ia lëpinin plagët.
22 Por ndodhi që lypësi vdiq dhe engjëjt e çuan në gji të Abrahamit; vdiq edhe pasaniku dhe e varrosën.
23 Dhe, duke pasur mundime në ferr, i çoi sytë dhe pa nga larg Abrahamin dhe Llazarin në gji të tij.
24 Atëherë ai bërtiti dhe tha: "O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë.
25 Por Abrahami thoshte: "O bir, kujto se ti i ke marrë të mirat e tua gjatë jetës sate, kurse Llazari të këqijat; tashti, përkundrazi, ai po përdëllehet dhe ti vuan.
26 Dhe, veç të gjithave, midis nesh dhe jush është një humnerë e madhe, kështu që ata që do të donin të kalonin që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne".
27 Por ai i tha: "Atëherë, o atë, të lutem ta dërgosh atë te shtëpia e tim eti,
28 sepse unë kam pesë vëllezër e le t’i paralajmërojë rreptësisht që të mos vijnë edhe ata në këtë vend mundimesh".
29 Abrahami u përgjigj: "Kanë Moisiun dhe profetët, le t’i dëgjojnë ata".
30 Ai tha: "Jo, o atë Abraham, por nëse dikush nga të vdekurit do të shkojë tek ata, do të pendohen".
31 Atëherë ai i tha: "Nëse ata nuk e dëgjojnë Moisiun dhe profetët, nuk do të binden edhe në se dikush ringjallet prej të vdekurish".”