M’Cheyne Bible Reading Plan
30 Pastaj Ezekia i dërgoi lajmëtarë tërë Izraelit dhe Judës dhe i shkroi gjithashtu letra Efraimit dhe Manasit që të vinin në shtëpinë e Zotit në Jeruzalem për të festuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit.
2 Mbreti, paria dhe tërë asambleja në Jeruzalem vendosën ta kremtojnë Pashkën në muajin e dytë;
3 në të vërtetë nuk kishin mundur ta kremtonin në kohën e caktuar, sepse priftërinjtë nuk ishin shenjtëruar në numër të mjaftueshëm dhe populli nuk ishte mbledhur në Jeruzalem.
4 Kjo gjë i pëlqeu mbretit dhe tërë asamblesë.
5 Vendosën kështu të shpallin në tërë Izraelin, një njoftim nga Beer-Sheba deri në Dan, që të vijnë në Jeruzalem për të kremtuar Pashkën për nder të Zotit, Perëndisë të Izraelit, sepse prej shumë vitesh nuk e kishin kremtuar në mënyrën e paracaktuar.
6 Korrierët, pra, shkuan në gjithë Izraelin dhe në Judën me letrat e mbretit dhe të parisë së tij, duke shpallur sipas urdhrit të mbretit: "Bij të Izraelit, kthehuni tek Zoti, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Izraelit, me qëllim që ai të rikthehet pranë asaj që iu ka mbetur dhe që ka shpëtuar nga duart e mbretërve të Asirisë.
7 Mos jini si etërit tuaj dhe vëllezërit tuaj, që kanë mëkatuar kundër Zotit, Perëndisë të etërve të tyre, i cili për këtë shkak i ka braktisur dhe i ka lënë në pikëllim, siç e shihni.
8 Tani mos e fortësoni zverkun si etërit tuaj, por jepini dorën Zotit, ejani në shenjtëroren e tij që ai ka shenjtëruar përjetë dhe i shërbeni Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet nga ju.
9 Sepse, në rast se ktheheni tek Zoti, vëllezërit tuaj dhe bijtë tuaj do të trajtohen me dhembshuri nga ata që i kanë internuar dhe do të kthehen në këtë vend, sepse Zoti, Perëndia juaj, është i mëshirshëm dhe zemërmadh dhe nuk do ta heqë fytyrën prej jush, në rast se ktheheni tek ai".
10 Dhe korrierët kaluan nga një qytet në tjetrin në vendin e Efraimit dhe të Manasit deri në Zabulon; por njerëzit i përqeshnin dhe talleshin me ta.
11 Megjithatë disa burra nga Asheri, nga Zabuloni dhe nga Manasi u përulën dhe erdhën në Jeruzalem.
12 Por në Judë dora e Perëndisë veproi duke u dhënë atyre një zemër të njëllojtë për të kryer urdhrin e mbretit dhe të parisë, sipas fjalës të Zotit.
13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh.
14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit.
15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.
16 Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve.
17 Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t’i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t’ia shenjtëruar Zotit.
18 Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo
19 që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".
20 Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.
21 Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit.
22 Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.
23 Pastaj tërë kuvendi vendosi ta kremtojë festën shtatë ditë të tjera; kështu e kremtuan shtatë ditë të tjera me gëzim.
24 Në fakt Ezekia, mbret i Judës, i kishte falur kuvendit një mijë dema të vegjël dhe shtatë mijë dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit një mijë dema të vegjël dhe dhjetë mijë dele; dhe një numër i madh priftërinjsh ishte shenjtëruar.
25 Tërë asambleja e Judës kremtoi festën bashkë me priftërinjtë, me Levitët, me tërë asamblenë e atyre që erdhën nga Izraeli dhe me të huajt që kishin mbërritur nga vendin e Izraelit ose që banonin në Judë.
26 Kështu pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgjë e tillë në Jeruzalem.
27 Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.
16 Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: “Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë.”
2 I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj.
3 Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq.
4 Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak.
5 Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: “Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra.
6 Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë.”
7 Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: “Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta.”
8 Dhe engjëlli i katërt e derdhi kupën e tij mbi dielli; dhe iu dha atij të djegë njerëzit me zjarr.
9 Dhe njerëzit u dogjën nga një nxehtësi e madhe dhe ata blasfemuan emrin e Perëndisë që ka pushtet mbi këto plagë, dhe nuk u penduan që t’i japin lavdi atij.
10 Dhe engjëlli i pestë e derdhi kupën e tij mbi fronin e bishës; dhe mbretëria e tij u mbulua me terr; dhe njerëzit kafshonin gjuhët e tyre nga dhembja,
11 dhe blasfemuan Perëndinë e qiellit për shkak të dhembjeve të tyre dhe ulçerët e tyre, por nuk u penduan për veprat e tyre.
12 Pastaj engjëlli i gjashtë e derdhi kupën e tij në lumin e madh Eufrat dhe uji i tij u tha për të bërë gati udhën e mbretërve që vijnë nga lindja e diellit.
13 Dhe pashë të dilte nga goja e dragoit, nga goja e bishës dhe nga goja e profetit të rremë, tri frymë të ndyra, që u ngjanin bretkosave.
14 Sepse në fakt janë fryma të demonëve që bëjnë mrekulli, që shkojnë te mbretërit e dheut dhe të gjithë botës, që t’i mbledhin për luftën e ditës së madhe të Perëndisë së Plotfuqishëm.
15 “Ja, unë po vij si vjedhës; lum ai që rri zgjuar dhe ruan rrobat e veta që të mos ecë i zhveshur dhe të duket turpi i tij.”
16 Dhe i mblodhën në një vend që hebraisht quhet “Armagedon.”
17 Pastaj engjëlli i shtatë e derdhi kupën e tij në erë; dhe doli një zë i madh nga tempulli i qiellit, nga froni, duke thënë: “U bë.”
18 Atëherë shkrepën zëra bubullima dhe vetëtima, dhe u bë një tërmet i madh, që i tillë nuk ishte bërë qëkurse u bënë njerëzit mbi tokë, një tërmet kaq fort i madh.
19 Dhe qyteti i madh u nda në tri pjesë dhe qytetet e kombeve ranë, Babilona e madhe u kujtua përpara Perëndisë, që t’i japë kupën e verës së zemërimit të tij të tërbuar.
20 Dhe çdo ishull iku, edhe malet nuk u gjetën më.
21 Dhe një breshër i madh, me peshë prej një talenti, ra nga qielli mbi njerëzit; edhe njerëzit blasfemuan Perëndinë për plagën e breshërit; sepse plaga e tij ishte me të vërtetë e madhe.
12 Orakulli i fjalës të Zotit lidhur me Izraelin. Kështu thotë Zoti që i ka shpalosur qiejt, që ka hedhur themelet e dheut dhe ka formuar frymën e njeriut përbrenda tij:
2 "Ja, unë do ta bëj Jeruzalemin një kupë hutimi për gjithë popujt përreth; ata do të dalin gjithashtu kundër Judës, kur të rrethojnë Jeruzalemin.
3 Atë ditë do të ndodhë që unë do ta bëj Jeruzalemin një gur të rëndë për gjithë popujt; të gjithë ata që do të ngarkohen me të do të bëhen krejtësisht copë-copë, edhe sikur të mblidheshin të gjitha kombet e dheut kundër tij.
4 Atë ditë," thotë Zoti, "unë do t’i qëlloj me hutim të gjithë kuajt dhe me marrëzi kalorësit e tyre; do t’i hap sytë e mi mbi shtëpinë e Judës, por do të godas me verbim të gjithë kuajt e popujve.
5 Krerët e Judës do të thonë në zemër të tyre: "Banorët e Jeruzalemit janë fuqia ime në Zotin e ushtrive, Perëndinë e tyre".
6 Atë ditë unë do t’i bëj krerët e Judës si një mangall që digjet në mes të një turre drush, si një pishtar të ndezur midis demeteve. Ata do të gllabërojnë djathtas e majtas gjithë popujt përreth; por Jeruzalemi do të mbetet akoma i banuar, në vendin e vet, në Jeruzalem.
7 Zoti do të shpëtojë më parë çadrat e Judës, me qëllim që lavdia e shtëpisë së Davidit dhe lavdia e banorëve të Jeruzalemit të mos rritet më shumë se ajo e Judës.
8 Atë ditë Zoti do t’i mbrojë banorët e Jeruzalemit; atë ditë më i dobëti ndër ta do të jetë si Davidi, dhe shtëpia e Davidit do të jetë si Perëndia, si Engjëlli i Zotit përpara tyre.
9 Atë ditë do të ndodhë që unë do të veproj për të shkatërruar të gjitha kombet që do të dalin kundër Jeruzalemit".
10 "Do të derdh mbi shtëpinë e Davidit dhe mbi banorët e Jeruzalemit Frymën e hirit dhe të përgjërimit; dhe ata do të vështrojnë drejt meje, drejt atij që kanë therur; do të pikëllohen për të, ashtu si pikëllohesh për një bir të vetëm, dhe do të hidhërohen shumë për të, ashtu si hidhërohesh fort për një të parëlindur.
11 Atë ditë në Jeruzalem do të ketë pikëllim të madh, i ngjeshëm me pikëllimin Hadad-rimonit në luginën Megido.
12 Edhe vendi do të pikëllohet, çdo familje për vete: familja e shtëpisë së Davidit për vete, bashkëshortet e tyre për vete; familja e shtëpisë së Natanit për vete; dhe bashkëshortet e tyre për vete;
13 familja e shtëpisë së Levit për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete; familja e Shimejt për vete dhe bashkëshortet e tyre për vete;
14 të gjitha familjet e mbetura secila për vete, dhe bashkëshortet e tyre për vete".
13 "Atë ditë do të hapet një burim për shtëpinë e Davidit dhe për banorët e Jeruzalemit, për mëkatin dhe për papastërtinë.
15 “Unë jam hardhia e vërtetë dhe Ati im është vreshtari.
2 Çdo shermend që nuk jep fryt në mua, ai e heq; kurse çdo shermend që jep fryt, ai e krasit që të japë edhe më shumë fryt.
3 Ju tashmë jeni të pastër, për shkak të fjalës që ju kumtova.
4 Qëndroni në mua dhe unë do të qëndroj në ju; sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, ashtu as ju, nëse nuk qëndroni në mua.
5 Unë jam hardhia, ju jeni shermendet; kush qëndron në mua dhe unë në të, jep shumë fryt, sepse pa mua nuk mund të bëni asgjë.
6 Në qoftë se ndokush nuk qëndron në mua, hidhet jashtë si shermendi dhe thahet; pastaj i mbledhin, i hedhin në zjarr dhe digjen.
7 Në qoftë se qëndroni në mua dhe fjalët e mia qëndrojnë në ju, kërkoni çfarë të doni dhe do t’ju bëhet.
8 Në këtë është përlëvduar Ati im, që të jepni shumë fryt, dhe kështu do të jeni dishepujt e mi.
9 Sikurse Ati më ka dashur mua, ashtu edhe unë ju kam dashur juve; qëndroni në dashurinë time.
10 Po të zbatoni urdhërimet e mia, do të qëndroni në dashurinë time, sikurse unë i zbatova urdhërimet e Atit tim dhe qëndroj në dashurinë e tij.
11 Këto gjëra jua kam thënë që gëzimi im të qëndrojë në ju dhe gëzimi juaj të jetë i plotë.
12 Ky është urdhërimi im: ta doni njëri-tjetrin, ashtu si unë ju kam dashur juve.
13 Askush s’ka dashuri më të madhe nga kjo: të japë jetën e vet për miqtë e tij.
14 Ju jeni miqtë e mi, nëse bëni gjërat që unë ju urdhëroj.
15 Unë nuk ju quaj më shërbëtorë, sepse shërbëtori nuk e di ç’bën i zoti; por unë ju kam quajtur miq, sepse ju bëra të njihni të gjitha gjëra që kam dëgjuar nga Ati im.
16 Nuk më keni zgjedhur ju mua, por unë ju kam zgjedhur juve; dhe ju caktova të shkoni dhe të jepni fryt, dhe fryti juaj të jetë i qëndrueshëm, që, çfarëdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai t’jua japë.
17 Këtë ju urdhëroj: ta doni njëri-tjetrin.
18 Nëse bota ju urren, ta dini se më ka urryer mua para jush.
19 Po të ishit nga bota, bota do të donte të vetët; por sepse nuk jeni nga bota, por unë ju kam zgjedhur nga bota, prandaj bota ju urren.
20 Kujtoni fjalën që ju thashë: "Shërbëtori nuk është më i madh se i zoti". Nëse më kanë përndjekur mua, do t’ju përndjekin edhe ju; nëse kanë zbatuar fjalën time, do të zbatojnë edhe tuajën.
21 Të gjitha këto gjëra do t’jua bëjnë për shkak të emrit tim, sepse nuk e njohin atë që më ka dërguar.
22 Po të mos kisha ardhur dhe të mos u kisha folur atyre, nuk do të kishin faj; por tani ata nuk kanë asnjë shfajësim për mëkatin e tyre.
23 Kush më urren mua, urren edhe Atin tim.
24 Po të mos kisha bërë në mes tyre vepra që askush tjetër nuk ka bërë, nuk do të kishin faj; por tani, përkundrazi, e kanë parë, dhe më kanë urryer mua dhe Atin tim.
25 Por kjo ndodhi që të përmbushet fjala e shkruar në ligjin e tyre: "Më kanë urryer pa shkak".
26 Por kur të vijë Ngushëlluesi, që do t’ju dërgoj prej Atit, Fryma e së vërtetës, që del nga Ati im, ai do të dëshmojë për mua.
27 Edhe ju, gjithashtu, do të dëshmoni, sepse ishit me mua që nga fillimi.”