M’Cheyne Bible Reading Plan
29 Ezekia ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Abijah; ishte bija e Zakarias.
2 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar Davidi, i ati.
3 Në vitin e parë të mbretërimit të tij, në muajin e parë, ai hapi portat e shtëpisë të Zotit dhe i restauroi.
4 Pastaj solli priftërinjtë dhe Levitët, dhe i mblodhi në sheshin lindor,
5 dhe u tha: "Më dëgjoni, o Levitë! Tani shenjtërohuni dhe shenjtëroni shtëpinë e Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, dhe nxirrni nga vendi i shenjtë çdo gjë të papastër.
6 Sepse etërit tanë kanë kryer mëkate dhe kanë bërë atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë tonë dhe e kanë braktisur, duke i hequr fytyrat e tyre nga banesa e Zotit dhe duke i kthyer krahët.
7 Ata madje kanë mbyllur portat e portikut, kanë shuar llambat dhe nuk kanë djegur më temjan as nuk kanë ofruar olokauste në vendin e shenjtë të Perëndisë të Izraelit.
8 Prandaj zemërimi i Zotit ra mbi Judën dhe Jeruzalemin, dhe ai i ka braktisur në telashe, në shkretim dhe në përbuzje, siç mund ta shihni me sytë tuaj.
9 Dhe ja, për shkak të kësaj, etërit tanë ranë nga goditjet e shpatës, dhe bijtë tanë, bijat tona dhe gratë tona janë në robëri.
10 Tani kam në zemër të bëj një besëlidhje me Zotin, Perëndinë e Izraelit, me qëllim që zjarri i zemërimit të tij të largohet prej nesh.
11 Bij të mij, mos u tregoni të shkujdesur tani, sepse Zoti ju ka zgjedhur që t’i shërbeni atij, që të jemi shërbëtorët e tij dhe që t’i ofroni temjan".
12 Atëherë Levitët u ngritën: Mahathi, bir i Amasait, Joeli, bir i Azariahut, nga bijtë e Kehathit. Nga bijtë e Merarit, Kishi, bir i Abdiut dhe Azariahut, bir i Jehalelelit. Nga Ghershonitët, Joahu, bir i Zimahut dhe Edeni, bir i Joahut.
13 Nga bijtë e Elitsafanit, Shimri dhe Jeieli. Nga bijtë e Asafit, Zakaria dhe Mataniahu.
14 Nga bijtë e Hemanit, Jehieli dhe Shimei. Nga bijtë e Jeduthunit, Shemajahu dhe Uzieli.
15 Ata mblodhën vëllezërit e tyre dhe u shenjtëruan; pastaj hynë në shtëpinë e Zotit për ta pastruar, sipas urdhrit të mbretit, në përputhje me fjalët e Zotit.
16 Kështu priftërinjtë hynë brënda shtëpisë të Zotit për ta pastruar dhe nxorën jashtë, në oborrin e shtëpisë të Zotit, të gjitha sendet e papastra që gjetën në tempullin e Zotit; Levitët i morën për t’i çuar jashtë në përroin e Kidronit.
17 Filluan të shenjtërohen ditën e parë të muajit; ditën e tetë të muajit hynë në portikun e Zotit; brenda tetë ditëve pastruan shtëpinë e Zotit dhe e përfunduan ditën e gjashtëmbëdhjetë të muajit të parë.
18 Pastaj hynë në pallatin e mbretit Ezekia dhe i thanë: "Kemi pastruar tërë shtëpinë e Zotit, altarin e olokausteve me të gjitha veglat e tij dhe tryezën e bukëve të paraqitjes me gjithë veglat e saj.
19 Përveç kësaj kemi vënë përsëri në vend dhe kemi pastruar të gjitha përdorëset që mbreti Ashaz në mëkatin e tij kishte flakur tej gjatë mbretërimit të tij; dhe ja, tani janë përpara altarit të Zotit".
20 Atëherë mbreti Ezekia u ngrit shpejt, mblodhi parinë e qytetit dhe u ngjit në shtëpinë e Zotit.
21 Ata sollën shtatë dema, shtatë desh, shtatë qengja dhe shtatë cjep, si flijim për mëkatin për mbretërinë, për shenjtëroren dhe për Judën. Pastaj mbreti urdhëroi priftërinjtë, bijtë e Aaronit, t’i ofronin në altarin e Zotit.
22 Kështu therën demat, dhe priftërinjtë mblodhën gjakun e tyre dhe spërkatën altarin me të; në të njëjtën mënyrë therën deshtë dhe spërkatën gjakun e tyre mbi altar; pastaj therën qengjat dhe spërkatën me gjakun e tyre altarin.
23 Pastaj i paraqitën mbretit dhe asamblesë cjeptë e flijimit për mëkatin, dhe ata vunë mbi to duart e tyre.
24 Priftërinjtë i therën dhe ofruan gjakun e tyre mbi altar si flijim për mëkatin, si shlyerje e fajit për tërë Izraelin, sepse mbreti kishte urdhëruar të ofronin olokaustin dhe flijimin për mëkatin, për tërë Izraelin.
25 Mbreti vendosi gjithashtu Levitët në shtëpinë e Zotit me cembale, me harpa dhe me qeste, sipas urdhrit të Davidit, të Gadit, shikuesi i mbretit, dhe të profetit Nathan, sepse urdhri ishte dhënë nga Zoti me anë të profetëve të tij.
26 Kështu Levitët zunë vend me veglat e Davidit, dhe priftërinjtë me boritë.
27 Atëherë Ezekia urdhëroi që olokausti të ofrohej mbi altar; dhe në çastin që filloi olokausti, filloi gjithashtu kënga e Zotit me boritë dhe me shoqërimin e veglave të Davidit, mbretit të Izraelit.
28 Atëherë tërë asambleja u përul, ndërsa këngëtarët këndonin dhe trumbetierët u binin veglave të tyre; e tërë kjo vazhdoi deri në fund të olokaustit.
29 Me të mbaruar olokausti, mbreti dhe tërë ata që ishin me të u përkulën dhe adhuruan.
30 Pastaj mbreti Ezekia dhe paria urdhëruan Levitët të lëvdonin Zotin me fjalët e Davidit dhe të shikuesit Asaf; ata e lëvduan me gëzim, pastaj u përkulën dhe e adhuruan.
31 Atëherë Ezekia mori fjalën dhe tha: "Tani që i jeni shenjtëruar Zotit, afrohuni dhe sillni flijime dhe oferta falënderimi në shtëpinë e Zotit". Kështu asambleja solli flijime dhe oferta falenderimi; dhe të gjithë ata që ua donte zemra sollën olokauste.
32 Numri i olokausteve që solli asambleja ishte shtatëdhjetë dema, njëqind desh dhe dyqind qengja; të tëra këto ishin olokauste për Zotin.
33 Kafshët e shenjtëruara ishin gjashtëqind lopë dhe tre mijë dele.
34 Por priftërinjtë ishin shumë të pakët dhe nuk mund të rripnin tërë olokaustet; prandaj vëllezërit e tyre, Levitët, i ndihmuan deri sa mbaroi tërë puna dhe deri sa të shenjtëroheshin priftërinjtë e tjerë, sepse Levitët e kishin zemrën më të pastër në shenjtërimin e priftërinjve.
35 Pati një numër të madh olokaustesh së bashku me dhjamin e fljimeve të falënderimit dhe me blatimet e olokausteve. Kështu u rivendos shërbimi i shtëpisë të Zotit.
36 Ezekia dhe tërë populli u gëzua që Perëndia e kishte përgatitur popullin; në të vërtetë kjo gjë u bë shpejt.
15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë.
2 Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë,
3 dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.
4 Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.”
5 Dhe pas këtyre gjërave unë pashë dhe ja, u hap në qiell tempulli i tabernakullit të dëshmisë.
6 Dhe të shtatë engjëjt, që kishin të shtatë plagët, dolën nga tempulli, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari.
7 Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimi i Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve.
8 Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaroheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.
11 Hapi dyert e tua, Liban, me qëllim që zjarri të djegë kedrat e tu.
2 Vajto, selvi, sepse kedri ka rënë, sepse drurët madhështorë janë shkatërruar. Këlthisni, lisa të Bashanit, sepse pylli i padepërtueshëm është rrëzuar.
3 Dëgjohet vajtimi i barinjve, sepse shkëlqimi i tyre u shkretua; dëgjohet vrumbullima e luanëve të vegjël, sepse madhështia e Jordanit u shkretua.
4 Kështu thotë Zoti, Perëndia im: "Kulloti delet që janë caktuar për thertore,
5 blerësit e të cilave vrasin dhe nuk konsiderohen fajtorë dhe shitësit e të cilave thonë: "Qoftë bekuar Zoti, sepse unë po pasurohem" dhe barinjtë e të cilave nuk kanë kurrfarë mëshire.
6 Nuk do të kem më mëshirë për banorët e vendit," thotë Zoti, "madje do të bëj që secili prej tyre të bjerë në dorë të të afërmit të vet dhe në dorë të mbretit të vet. Ata do ta shkretojnë vendin dhe nuk do të çliroj asnjë nga duart e tyre".
7 Atëherë nisa t’i kullos delet që ishin caktuar për thertore, pikërisht më të mjerat e kopesë. Mora pastaj për vete dy shkopinj: njërin e quajta Hirr" dhe tjetrin "Bashkim," dhe nisa ta kullos kopenë.
8 Brenda një muaj eliminova tre barinj. Unë isha i paduruar me ta, edhe ata gjithashtu më urrenin.
9 Atëherë thashë: "Nuk do t’i kullos më; kush është duke vdekur, le të vdesë dhe kush është për të humbur, le të humbasë; pastaj ato që do të mbeten le të hanë njëra tjetrën".
10 Mora pastaj shkopin tim "Hir" dhe e theva, për të shfuqizuar besëlidhjen që kisha lidhur me gjithë popujt.
11 Po atë ditë ai u shfuqizua. Kështu delet më të mjera të kopesë që po më shikonin, e kuptuan se ajo ishte fjala e Zotit.
12 Atëherë u thashë atyre: "Po t’ju duket e drejtë, më jepni pagën time; në se jo, lëreni". Kështu ata e peshuan pagën time: tridhjetë sikla argjendi.
13 Por Zoti më tha: "Hidhja poçarit çmimin madhështor me të cilin ata më vlerësuan". Atëherë i mora tridhjetë siklat prej argjendi dhe i hodha në shtëpinë e Zotit për poçarin.
14 Pastaj theva shkopin tjetër "Bashkimi," për të thyer vëllazërinë ndërmjet Judës dhe Izraelit.
15 Atëherë Zoti më tha: "Merri edhe veglat e një bariu të pamend.
16 Sepse ja, unë do të nxjerr në vend një bari që nuk do të kujdeset për delet që humbasin, nuk do t’i kërkojë ato që janë të reja, nuk do të shërojë të plagosurat, nuk do të ushqejë ato që rrijnë në këmbë, por do të hajë mishin e të majmeve dhe do t’u shkulë edhe thonjtë".
17 Mjerë bariu i pavlerë që e braktis kopenë! Një shpatë do të jetë kundër krahut të tij dhe kundër syrit të tij të djathtë. Krahu i tij do të thahet krejt dhe syri i tij do të verbohet fare.
14 “Zemra juaj mos u trondittë; besoni në Perëndi dhe besoni edhe në mua!
2 Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t’ju thoja. Unë po shkoj t’ju përgatis një vend.
3 Dhe kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të kthehem dhe do t’ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju.
4 Ju e dini se ku po shkoj dhe e njihni edhe udhën.”
5 Thomai i tha: “Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?”
6 Jezusi i tha: “Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje.
7 Po të më kishit njohur, do të kishit njohur edhe Atin tim; qysh tani e njihni dhe e keni parë.”
8 Filipi i tha: “Zot, na e trego Atin, dhe na mjafton.”
9 Jezusi i tha: “Ka kaq kohë që unë jam me ju dhe ti nuk më ke njohur akoma, o Filip? Kush më ka parë mua, ka parë Atin; Si vallë po thua: "Na e trego Atin?".
10 A nuk beson se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua? Fjalët që po ju them, nuk i them nga vetja. Ati që qëndron në mua, është ai që i bën veprat.
11 Më besoni se unë jam në Atin dhe se Ati është në mua; në mos, më besoni për shkak të vet veprave.
12 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: kush beson në mua do të bëjë edhe ai veprat që bëj unë; madje do të bëjë edhe më të mëdha se këto, sepse unë po shkoj tek Ati.
13 Dhe çfarëdo të kërkoni në emrin tim, do ta bëj, që Ati të përlëvdohet në Birin.
14 Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.”
15 “Nëse më doni, zbatoni urdhërimet e mia.
16 Dhe unë do t’i lutem Atit dhe ai do t’ju japë një Ngushëllues tjetër, që do të qëndrojë përgjithmonë me ju,
17 Frymën e së Vërtetës, që bota nuk mund ta marrë, sepse nuk e sheh dhe nuk e njeh; por ju e njihni, sepse qëndron me ju dhe do të jetë në ju.
18 Nuk do t’ju lë bonjakë, do të kthehem te ju.
19 Edhe pak kohë dhe bota nuk do të më shohë më, por ju do të më shihni; sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni.
20 Atë ditë do të mësoni se unë jam në Atin tim, dhe se ju jeni në mua dhe unë në ju.
21 Kush ka urdhërimet e mia dhe i zbaton, është ai që më do; dhe kush më do mua, Ati im do ta dojë; dhe unë do ta dua dhe do t’i dëftehem atij.”
22 Juda, jo Iskarioti, i tha: “Zot, si vallë do të na dëftehesh neve dhe jo botës?.”
23 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Nëse ndokush më do, do ta zbatojë fjalën time; edhe Ati im do ta dojë dhe ne do të vijmë tek ai dhe do të bëjmë banesën tek ai.
24 Kush nuk më do, nuk i zbaton fjalët e mia; dhe fjala që po dëgjoni nuk është imja, por e Atit që më ka dërguar.
25 Ju kam thënë këto gjëra, ndërkaq jam me ju;
26 por Ngushëlluesi, Fryma e Shenjtë, që Ati do ta dërgojë në emrin tim, do t’ju mësojë çdo gjë dhe do t’ju kujtojë të gjitha këto që ju thashë.
27 Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë.
28 Ju keni dëgjuar që ju thashë: "Unë po shkoj dhe do të kthehem te ju". Po të më donit, do të gëzoheshit sepse unë thashë: "Po shkoj tek Ati"; sepse Ati është më i madh se unë.
29 Dhe jua kam thënë tani, para se të ndodhë, që, kur të ndodhë, të besoni.
30 Nuk do të flas më gjatë me ju, sepse po vjen princi i kësaj bote dhe ai nuk ka asgjë në mua;
31 por kjo ndodh që bota ta njohë se unë e dua Atin dhe se bëj ashtu siç Ati më ka urdhëruar. Çohuni, ikim prej këndej!.”