Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 14

14 Vitin e dytë të Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit, filloi të mbretërojë Amatsiahu, bir i Joasit, mbret i Judës.

Kur filloi të mbretërojë ishte njëzet e pesë vjeç, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan, ishte nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo si Davidi, ati i tij; bëri gjithçka ashtu siç kishte vepruar Joasi, ati i tij.

Megjithatë vendet e larta nuk u hoqën; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.

Sa filloi të ushtrojë një kontroll të rreptë mbi mbretërinë, ai i vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë të atin, mbretin;

por nuk vrau bijtë e vrasësve, sipas asaj që është shkruar në librin e ligjit të Moisiut, në të cilin Zoti ka urdhëruar duke thënë: "Etërit nuk do të dënohen me vdekje për bijtë e tyre, as bijtë nuk do të vriten për etërit e tyre; secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".

Ai vrau dhjetë mijë Idumej në luginën e Kripës; dhe me luftë pushtoi Selën dhe i vuri emrin Joktheel, që ka mbetur deri më sot.

Atëherë Amatsiahu i dërgoi lajmëtarë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit, për t’i thënë: "Eja, të ndeshemi njeri me tjetrin në betejë".

Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t’i thonë Amatsiahut, mbretit të Judës: Gjembi i Libanit i dërgoi fjalë kedrit të Libanit: "Jepi tët bijë për grua birit tim". Por andej kaloi një kafshë e egër e Libanit dhe e shkeli gjembin.

10 Ti ke mundur Edomin dhe zemra jote të ka bërë krenar. Lavdërou megjithatë, por rri në shtëpinë tënde. Pse dëshiron një fatkeqësi, duke marrë më qafë veten dhe Judën bashkë me ty?".

11 Por Amatsiahu nuk e dëgjoi. Kështu Joasi mbret i Izraelit, doli; prandaj ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën njeri me tjetrin në Beth-Shemesh, që ishte pronë e Judës.

12 Juda u mund nga Izraeli, dhe secili prej tyre iku në çadrën e vet.

13 Në Beth-Shemesh Joasi, mbret i Izraelit, kapi Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, që ishte bir i Ashaziahut. Pastaj shkoi në Jeruzalem ku bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit, nga porta e Efraimit deri te porta e Qoshes.

14 Gjithashtu mori tërë arin dhe argjendin dhe tërë sendet që ndodheshin në shtëpinë e Zotit dhe në thesaret e shtëpisë së mbretit, bashkë me njerëzit peng, dhe u kthye në Samari.

15 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit, trimëria e tij dhe si luftoi kundër Amatsiahut mbretit të Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

16 Kështu Joasin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros në Samari me mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Jeroboami.

17 Amatsiahu, bir i Joasit dhe mbret i Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit dhe mbret i Izraelit.

18 Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut a nuk është e shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

19 Kundër tij u kurdis një komplot në Jeruzalem dhe ai iku në Lakish; por e ndoqën deri në Lakish, ku e vranë.

20 Pastaj e mbartën me kuaj dhe e varrosën në Jeruzalem bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit.

21 Atëherë tërë populli i Judës mori Azariahun, që ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç, dhe e bëri mbret në vend të atit të tij Amatsiah.

22 Mbasi mbretin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij, ai rindërtoi Elathin dhe ripushtoi Judën.

23 Në vitin e pesëmbëdhjetë të Amatsiahut, birit të Joasit dhe mbret i Judës, filloi të mbretërojë në Samari Jeroboami, bir i Joasit, mbret i Izraelit, dhe e mbajti fronin dyzet e një vjet.

24 Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit; nuk u largua nga asnjë prej mëkateve të Jeroboamit, birit të Nebatit, që kishte bërë të kryente mëkate Izraelin.

25 Ai rivendosi kufijtë e Izraelit nga hyrja e Hamathit në detin e Arahahut, sipas fjalës të Zotit, Perëndisë të Izraelit, të shqiptuar nga profeti Jona, birit të Amitait, që ishte nga Gath-Heferi.

26 Në fakt Zoti kishte parë që dëshpërimi i Izraelit ishte shumë i thellë; nuk kishte më as skllevër as të lirë, dhe nuk kishte as edhe një që t’i vinte në ndihmë Izraelit.

27 Zoti nuk kishte thënë akoma të zhdukej emri i Izraelin poshtë qiellit; prandaj e shpëtoi me anë të Jeroboamit, birit të Joasit.

28 Pjesa tjetër e bëmave të Jeroboamit, tërë atë që kreu, trimëria e tij në luftë dhe si i ripushtoi Izraelit Damaskun dhe Hamathin që kishin qenë pronë e Judës, a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?

29 Kështu Jeroboamin e zuri gjumi me etërit e tij, mbretërit e Izraelit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Zakaria.

2 Timoteut 4

Po të përbej, pra, përpara Perëndisë dhe Zotit Jezu Krisht, që ka për të gjykuar të gjallë e të vdekur, në dukjen e tij dhe në mbretërinë e tij:

prediko fjalën, ngul këmbë me kohë e pa kohë, kritiko dhe qorto, këshillo me çdo durim e doktrinë.

Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët

dhe do t’i largojnë veshët nga e vërteta e do t’i sjellin drejt përrallave.

Por ti rri syçelë në çdo gjë, duro vuajtjet, kryeje punën e ungjilltarit, përmbushe plotësisht shërbesën tënde.

Sa për mua, po derdhem si ofertë pije, dhe koha e nisjes sime arriti.

Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin.

Pas kësaj më pret gati kurora e drejtësisë që Perëndia, gjykatësi i drejtë, do të ma japë atë ditë, dhe jo vetëm mua, por edhe gjithë atyre që presin me dashuri të shfaqurit e tij.

Përpiqu të vish shpejt tek unë,

10 sepse Dema më la, sepse deshi këtë botë, dhe iku në Thesaloniki; Kreshenci në Galati, Titi në Dalmaci.

11 Me mua është vetëm Lluka; merre Markun dhe sille me vete, sepse e kam shumë të dobishëm për shërbesë.

12 Tikikun e dërgova në Efes.

13 Kur të vish, sill mantelin që lashë në Troadë, pranë Karpit, dhe librat, sidomos pergamenat.

14 Aleksandri, remtari, më bëri shumë të këqija; Zoti ia shpagoftë sipas veprave të tij.

15 Ruaju edhe ti prej tij, sepse ka qenë kundërshtar i madh i fjalëve tona.

16 Në mbrojtjen time të parë në gjyq askush nuk qe me mua, por të gjithë më lanë; kjo të mos u numërohet për faj.

17 Por Zoti më ndenji pranë dhe më dha fuqi, që me anën time predikimi i ungjillit të kryhej plotësisht dhe ta dëgjonin të gjithë johebrenjtë; dhe unë shpëtova nga goja e luanit.

18 Edhe Zoti do të më shpëtojë nga çdo vepër e keqe dhe do të më ruajë për mbretërinë e tij qiellore. Lavdi atij në shekuj të shekujve. Amen.

19 Të fala Prishilës dhe Akuilës dhe shtëpisë së Onesiforit.

20 Erasti mbeti në Korint, por Trofimin e lashë të sëmurë në Milet.

21 Përpiqu të vish përpara dimrit. Të përshëndetin Eubuli, Pudenti, Lini, Klaudja dhe të gjithë vëllezërit.

22 Zoti Jezu Krisht qoftë me frymën tënde! Hiri qoftë me ju! Amen.

Osea 7

"Kur dëshiroja të shëroja Izraelin, atëherë u zbulua paudhësia e Efraimit dhe ligësia e Samarisë, sepse veprojnë me falsitet: vjedhësi hyn, një bandë vjedhësish bën sulme jashtë.

Atyre nuk u shkon në mend që unë nuk e harroj gjithë ligësinë e tyre. Tani veprimet e tyre i rrethojnë nga çdo anë; ato qëndrojnë para fytyrës sime.

Me ligësitë e tyre gëzojnë mbretin dhe me gënjeshtrat e tyre krerët e tyre.

Janë të gjithë shkelës të kurorës, si një furrë e ngrohur nga furrtari, që nuk e nxit më zjarrin mbasi ka brumosur miellin deri sa të vijë brumi.

Në ditën e mbretit tonë, krerët e kanë bërë të sëmuret afshin e verës; mbreti u ka shtrirë dorën tallësve.

Ndërsa rrinë në pritë, ata e përgatitin zemrën e tyre si një furrë; furrtari i tyre fle tërë natën, dhe në mëngjes furra e tyre të djeg me një zjarr flakërues.

Të gjithë janë të zjarrtë si një furrë dhe i hanë gjykatësit e tyre; gjithë mbretërit e tyre kanë rënë, por asnjë prej tyre nuk më kërkon.

Efraimi përzihet me popujt, Efraimi është një kulaç i pakthyer.

Të huajt gllabërojnë forcën e tij, por ai nuk e vë re; po flokët e kokës kanë ngjyrë të përhime, por ai nuk i vë re.

10 Kryelartësia e Izraelit dëshmon kundër tij, sepse ata nuk kthehen tek Zoti, Perëndia i tyre, nuk e kërkojnë megjithëatë.

11 Efraimi është një pëllumbeshë budallaçkë, pa mend; ata thërresin Egjiptin, shkojnë në Asiri.

12 Ndërsa shkojnë, do të shtrij mbi ta rrjetën time dhe do t’i bëj që të rrëzohen si zogjtë e qiellit; do t’i ndëshkoj, siç u paralajmërua në asamblenë e tyre.

13 Mjerë ata, sepse janë larguar prej meje! Shkatërrim për ta, sepse janë rebeluar kundër meje! Unë do të doja t’i shpengoja, por ata thonë gënjeshtra kundër meje.

14 Ata nuk më thërresin me zemrën e tyre, por ankohen në shtratin e tyre. Mblidhen bashkë për grurin dhe verën dhe rebelohen kundër meje.

15 Megjithëse i kam dënuar dhe kam përforcuar krahët e tyre, ata thurin të keqen kundër meje.

16 Ata kthehen, por jo te Shumë i Larti; janë si një hark që gabon; krerët e tyre do të bien nga shpata për shkak të tërbimit të gjuhës së tyre; kjo do t’i bëjë qesharakë në vendin e Egjiptit".

Psalmet 120-122

120 Në ankthin tim i klitha Zotit, dhe ai m’u përgjigj.

O Zot, më çliro nga buzët gënjeshtare dhe nga gjuha mashtruese.

Çfarë do të të japin ose çfarë do të të shtojnë, o gjuhë gënjeshtare?

Shigjeta të mprehta të një trimi, me qymyr dëllinje.

I mjeri unë, që banoj në Meshek dhe që strehohem në çadrat e Kedarit!

Tepër gjatë kam banuar me ata që e urrejnë paqen.

Unë jam për paqen; ata përkundrazi, kur unë flas, janë për luftën.

121 Unë i ngre sytë nga malet; nga do të më vijë ndihma?

Ndihma me vjen nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

Ai nuk do të lejojë që të të merren këmbët, ai që të mbron nuk do të dremitë.

Ja, ai që mbron Izraelin nuk dremit dhe nuk fle.

Zoti është ai që të mbron, Zoti është hija jote, ai ndodhet në të djathtën tënde.

Dielli nuk ka për të të goditur ditën, as hëna natën.

Zoti do të të ruajë nga çdo e keqe; ai do të ruajë jetën tënde.

Zoti do të ruajë daljet dhe hyrjet e tua, tani dhe përjetë.

122 U gëzova kur më thanë: "Shkojmë në shtëpinë e Zotit".

Këmbët tona u ndalën brenda portave të tua, o Jeruzalem.

Jeruzalemi është ndërtuar si një qytet i bashkuar mirë,

ku ngjiten fiset, fiset e Zotit, për të kremtuar emrin e Zotit.

Sepse aty janë vënë fronet për gjykimin, fronet e shtëpisë së Davidit.

Lutuni për paqen e Jeruzalemit, le të begatohen ata që të duan.

Pastë paqe brenda mureve të tua dhe begati në pallatet e tua.

Për hir të vëllezërve të mi dhe të miqve të mi tani do të them: "Paqja qoftë te ti".

Për hir të shtëpisë së Zotit, Perëndisë tonë, unë do të kërkoj të mirën tënde.