Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Kronikave 28

28 Davidi mblodhi në Jeruzalem tërë krerët e Izraelit, të parët e fiseve, komandantët e divizioneve që ishin në shërbim të mbretit, komandantët e mijëshëve, komandantët e qindëshëve, administratorët e tërë pasurive dhe të bagëtisë që ishin pronë e mbretit dhe e bijve të tij, së bashku me funksionarët, me kreshnikët dhe tërë luftëtarët trima.

Pastaj mbreti David u ngrit në këmbë dhe tha: "Më dëgjoni, o vëllezër të mi dhe o populli im! Unë kisha në zemër të ndërtoja një shtëpi paqeje për arkën e besëlidhjes të Zotit, për mbështetësen e këmbëve të Perëndisë tonë, dhe kisha bërë përgatitje për ta ndërtuar.

Por Perëndia më tha: "Ti nuk do të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, sepse ke qenë një njeri lufte dhe ke derdhur gjak".

Megjithatë Zoti, Perëndia i Izraelit, më ka zgjedhur mua nga tërë shtëpia e atit tim, që të bëhem mbret i Izraelit përjetë. Në fakt ai ka zgjedhur Judën si princ, dhe në shtëpinë e Judës shtëpinë e atit tim dhe midis bijve të atit tim i ka pëlqyer të më bëjë mua mbret të të gjithë Izraelit.

Midis tërë bijve të mi (sepse Zoti më ka dhënë shumë fëmijë) ai ka zgjedhur birin tim Salomon, që të ulet në fronin e mbretërisë të Zotit mbi Izraelin.

Ai më tha: "Do të jetë biri yt Salomon ai që ka për të ndërtuar shtëpinë time dhe oborret e mia, sepse kam zgjedhur atë si djalin tim, dhe unë do të jem për atë si një baba.

Do ta bëj të qëndrueshme përjetë mbretërinë e tij në rast se u përmbahet në mënyrë të vendosur urdhërimeve dhe dekreteve të mia, ashtu si po bën sot".

Kështu, pra, përpara tërë Izraelit, asamblesë së Zotit, dhe përpara Perëndisë tonë që na dëgjon, zbatoni dhe kërkoni tërë urdhërimet e Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mund ta zotëroni këtë vend të mirë dhe t’ia lini si trashëgimi bijve tuaj mbas jush, përjetë.

Ti Salomon, biri im njihe Perëndinë e atit tënd dhe shërbeji me gjithë zemër dhe me shpirt vullnetmirë, sepse Zoti heton të gjitha zemrat dhe kupton tërë qëllimet e mendimeve. Në rast se ti e kërkon, ai do të të lërë ta gjesh; por në rast se ti e braktis, ai do të të hedhë poshtë përjetë.

10 Tani ki parasysh që Zoti të ka zgjedhur për të ndërtuar një shtëpi si shenjtërore; tregohu i fortë dhe futju punës!".

11 Atëherë Davidi i dha birit të tij Salomonit projektin e portikut të tempullit, të godinave të tij, të dhomave të tij, të thesareve të tij, të dhomave të sipërme, të dhomave të brendshme dhe të vendit të pajtuesit,

12 si dhe projektin e të gjitha gjërave që kishte në mendje për Frymën lidhur me oborret e shtëpisë të Zotit, me të gjitha dhomat anësore, me thesaret e shtëpisë së Perëndisë dhe me thesaret e sendeve të shenjtëruara,

13 me klasat e priftërinjve dhe të Levitëve, me tërë punën lidhur me shërbimin e shtëpisë të Zotit dhe me të gjitha veglat e nevojshme për shërbimin e shtëpisë të Zotit.

14 I dha arin duke treguar peshën e sendeve prej ari, për të gjitha veglat që përdoren në çdo lloj shërbimi, dhe argjendin duke treguar peshën e të gjitha veglave prej argjendi, për të gjitha veglat që përdoren në çdo lloj shërbimi.

15 I dha gjithashtu peshën e arit për shandanët prej ari dhe për llambat e tyre prej ari, duke treguar peshën e çdo shandani dhe të llambave të tij, dhe peshën e argjendit për shandanët prej argjendi, duke treguar peshën e çdo shandani dhe të llambave të tij, sipas përdorimit të çdo shandani.

16 I dha gjithashtu, duke treguar peshën, arin për tryezat e bukëve të paraqitjes, për çdo tryezë, dhe argjendin për tryezat prej argjendi,

17 dhe arin e kulluar për pirunët e mëdhenj, për legenët e vegjël dhe për kupat, dhe arin, duke treguar peshën për kupat prej ari, për çdo kupë, dhe argjendin, duke treguar peshën për kupat prej argjendi, për çdo kupë.

18 I dha gjithashtu ar të kulluar për altarin e temjanit, duke treguar peshën, dhe për modelin e qerres, domethënë, kerubinët prej ari që hapnin krahët dhe mbulonin arkën e besëlidhjes të Zotit.

19 "Tërë kjo," tha Davidi, "m’u dha e shkruar nga dora e Zotit, që më bëri të kuptoj tërë punimet e këtij projekti".

20 Davidi i tha pastaj të birit Salomon: "Ji i fortë dhe trim, përvishju punës, mos ki frikë dhe mos u trondit, sepse Zoti Perëndi, Perëndia im, do të jetë me ty. Ai nuk do të lërë dhe nuk do të braktisë deri sa të mbarosh tërë punën për shërbimin e shtëpisë të Zotit.

21 Dhe ja klasat e priftërinjve dhe të Levitëve për tërë shërbimin e shtëpisë së Perëndisë; përveç kësaj, për çdo punë do të kesh në dispozicion lloj lloj specialistësh vullnetmirë, në çdo veprimtari; edhe krerët edhe tërë populli do të jenë plotësisht nën urdhrat e tua".

2 Pjetrit 2

Por ka pasur edhe profetë të rremë midis popullit, ashtu si do të ketë midis jush mësues të rremë, të cilët do të fusin fshehurazi herezi shkatërruese dhe, duke mohuar Zotërinë që i bleu ata, do të tërheqin mbi vete një shkatërrim të shpejtë.

Dhe shumë vetë do të ndjekin doktrina shkatërruese të tyre dhe për shkak të tyre udha e së vërtetës do të shahet.

Dhe në lakminë e tyre do t’ju shfrytëzojnë me fjalë të shpifura, por ndëshkimi i tyre që moti nuk vonon dhe shkatërrimi i tyre nuk po dremit.

Sepse, në qoftë se Perëndia nuk i kurseu ëngjëjt që mëkatuan, por i hodhi në tartar të lidhur me pranga terri që të ruhen për gjyq;

dhe nuk kurseu botën e lashtë, por shpëtoi bashkë me shtatë të tjerë Noeun, predikues të drejtësisë, kur solli përmbytjen mbi botën e të pabesëve,

edhe dënoi me shkatërrim qytetet e Sodomës dhe të Gomorës, duke i bërë hi, dhe i bëri shëmbull për ata që në të ardhmen do të jetonin pabesisht,

dhe e liroi të drejtin Lot, që helmohej nga sjellja imorale e këtyre të çoroditurve

(sepse ky i drejtë banonte në mes tyre e mundonte për ditë shpirtin e tij të drejtë duke shikuar dhe duke dëgjuar veprat e tyre të poshtra),

Zoti di t’i shpëtojë nga tundimi të perëndishmit dhe t’i ruajë të padrejtët që të ndëshkohen ditën e gjyqit,

10 sidomos ata që shkojnë pas mishit në lakminë e fëlliqësisë dhe e përbuzin pushtetin. Ata janë të paturpshëm, arrogant dhe nuk druajnë të blasfemojnë dinjitetet;

11 ndërsa engjëjt, që janë më të lartë për nga forca e nga fuqia, nuk sjellin kundër atyre gjykime fyese përpara Zotit.

12 Por këta, si shtazë pa mend, të lindura nga natyra që të kapen dhe të shkatërrohen, flasin keq për gjërat që nuk i dinë dhe do të asgjësohen në prishjen e tyre, duke marrë kështu shpërblimin e paudhësisë së tyre.

13 Ata e konsiderojnë kënaqësi ta çojnë ditën ndër qejfe; janë njolla dhe fëlliqësi, dhe lëshohen pas mashtrimeve të tyre, kur marrin pjesë në gostitë tuaja.

14 Sytë i kanë plot me kurorëshkelje dhe nuk pushojnë së mëkatuari; mashtrojnë shpirtrat e paqëndrueshëm, kanë zemër të stërvitur në lakmime, dhe janë bij mallkimi.

15 Ata, pasi e lanë udhën e drejtë, devijuan duke ndjekur udhën e Balaamit, birit të Beorit, i cili e deshi pagën e paudhësisë,

16 por u qortua për shkeljen e tij: një kafshë barre pa gojë, duke folur me zë njeriu, e ndaloi marrëzinë e profetit.

17 Këta janë burime pa ujë, re që shtyhen nga furtuna, të cilëve u rezervohet errësira e territ përjetë.

18 Sepse duke mbajtur ligjërata jashtë mase të fryra dhe të kota bëjnë për vete, me anë të pasioneve të mishit dhe të paturpësisë, ata që me të vërtetë kishin shpëtuar nga ata që jetojnë në gabim;

19 ndërsa u premtojnë atyre liri, ata vetë janë skllevër të prishjes, sepse një bëhet skllav i atij që e mundi.

20 Sepse ata që shpëtuan nga ndyrësitë e botës me anë të njohjes së Zotit dhe Shpëtimtarit Jezu Krisht, nëse përsëri ngatërrohen nga këto dhe munden, gjendja e tyre e fundit është më e keqe se e para.

21 Sepse do të qe më mirë për ta të mos e kishin njohur udhën e drejtësisë, se sa, pasi e njohën, t’ia kthejnë shpinën urdhërimit të shenjtë që u qe dhënë.

22 Por atyre u ndodhi ç’ka thotë një fjalë e urtë e vërtetë: “Qeni u kthye në të vjellat e veta,” dhe “dosa e larë u kthye të zhgërryhet në llucë.”

Mikea 5

Tani, bashkohu tok, o bijë e trupave. Na kanë rrethuar; me shufër godasin mbi faqe gjyqtarin e Izraelit.

"Por ti, o Betlem Efratah, megjithëse je i vogël midis mijërave të Judës, nga ti do të dalë për mua ai që do të jetë sundues në Izrael, origjinat e të cilit janë nga kohërat e lashta, nga ditët e përjetësisë".

Prandaj ai do t’i braktisë deri në kohën në të cilën ajo që duhet të pjellë ka për të pjellur; atëherë kusuri i vëllezërve të saj do t’u kthehet bijve të Izraelit.

Ai do të mbetet për të kullotur kopenë e tij me pushtetin e Zotit, në madhërinë e emrit të Zotit, Perëndisë së tij. Dhe ata do të banojnë të sigurt, sepse atëherë ai do të jetë i madh deri në skajet e tokës.

Dhe ai vetë do të jetë paqja. Kur Asiri do të vijë në vendin tonë dhe do të shkelë në pallatet tona, ne do të nxjerrim kundër tij shtatë barinj dhe tetë princa nga njerëzit e zakonshëm.

Ata do të shkatërrojnë vendin e Asirisë me shpatë dhe tokën e Nimrodit në portat e saj; kështu ai do të na çlirojë nga Asiri në rast se do të vijë në vendin tonë dhe do të shkelë kufijtë tanë.

Kusuri i Jakobit, në mes të shumë popujve, ka për qenë si një vesë e dërguar nga Zoti, si një shi i dendur mbi barin, që nuk pret njeriun dhe nuk shpreson asgjë nga bijtë e njerëzve.

Kusuri i Jakobit do të jetë midis kombeve, në mes të shumë popujve, si një luan midis kafshëve të pyllit, si një luan i vogël midis kopeve të dhenve, i cili, po të jetë se kalon në mes, shkel dhe shqyen pa i dhënë mundësi askujt t’i shpëtojë.

Dora jote do të ngrihet kundër kundërshtarëve të tu dhe tërë armiqtë e tu do të shfarosen.

10 "Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti, "që unë do t’i zhduk kuajt e tu në mes teje dhe do të shkatërroj qerret e tua;

11 do të zhduk qytetet e vendit tënd dhe do të rrëzoj tërë fortesat e tua;

12 do të zhduk nga dora jote artet magjike dhe ti nuk do të kesh më shortarë;

13 do të zhduk në mes teje figurat e tua të gdhëndura dhe shtyllat e tua të shenjta, dhe ti nuk do të biesh më përmbys përpara veprës së duarve të tua.

14 Do të çrrënjos në mes teje Asherahët e tu dhe do të shkatërroj qytetet e tua.

15 Do të hakmerrem me zemërim dhe me tërbim me kombet që nuk kanë dashur të dëgjojnë".

Luka 14

14 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;

dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.

Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: “A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?.”

Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.

Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: “Cili nga ju, po t’i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?.”

Por ata nuk mund të përgjigjeshin asgje për këto gjëra.

Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë:

“Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,

dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.

10 Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.

11 Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet.”

12 Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: “Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin.

13 Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit;

14 dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve.”

15 Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.”

16 Atëherë Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta;

17 dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t’u thotë të ftuarve: Ejani, sepse gjithçka tashmë është gatii".

18 Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falëshh".

19 Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më falësh".

20 Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij".

21 Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër".

22 Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më".

23 Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime.

24 Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time".”

25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:

26 “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.

27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.

28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?

29 Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,

30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".

31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?

32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.

33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.

34 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija?

35 Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”