M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Davidi u këshillua me komandantët e mijëshëve e dhe të qindëshëve dhe me të gjithë princat.
2 Pastaj Davidi i tha tërë asamblesë së Izraelit: "Në qoftë se kjo ju duket e mirë dhe në se na vjen nga Zoti, Perëndia ynë, t’u çojmë fjalë vëllezërve tanë që kanë mbetur në të gjitha krahinat e Izraelit, dhe me ta edhe priftërinjve dhe Levitëve në qytetet e tyre dhe tokat për kullotë të mblidhen pranë nesh,
3 dhe ta sjellim përsëri arkën e Perëndisë tonë te ne, sepse nuk e kemi kërkuar në kohën e Saulit".
4 Tërë asambleja pranoi të vepronte kështu, sepse kjo gjë dukej e drejtë në sytë e tërë popullit.
5 Atëherë mblodhi tërë Izraelin nga Shihori i Egjiptit, deri në hyrje të Hamathit, për ta sjellë përsëri arkën e Perëndisë nga Kiriath-Jearimi.
6 Pastaj Davidi me tërë Izraelin u nis në drejtim të Baalahut, domethënë në drejtim të Kirjath-Jearimit që ishte pronë e Judës, për të mbartur që andej arkën e Perëndisë, të Zotit, që rri mbi kerubinët, ku përmëndet emri i tij.
7 Nga shtëpia e Abinadabit e transportuan arkën e Perëndisë mbi një qerre të re. Uza dhe Ahio e ngisnin qerren.
8 Davidi dhe tërë Izraeli e kremtonin këtë ngjarje përpara Perëndisë me tërë forcat e tyre, me këngë dhe qeste, me harpe, dajre, cembale dhe bori.
9 Kur arritën në lëmin e Kidonit, Uza shtriu dorën për të mbajtur arkën, sepse qetë ishin penguar.
10 Atëherë zemërimi i Zotit shpërtheu kundër Uzës dhe e goditi, sepse kishte shtrirë dorën e tij mbi arkë; ai vdiq atje përpara Perëndisë.
11 Davidi u hidhërua shumë sepse Zoti kishte hapur një të çarë në popull duke goditur Uzën. Prandaj ky vend quhet edhe sot e Çara e Uzës.
12 Atë ditë Davidi pati frikë nga Perëndia dhe tha: "Si mund ta transportoj arkën e Perëndisë në shtëpinë time?".
13 Kështu Davidi nuk deshi ta kishte arkën pranë vetes në qytetin e Davidit, por e kaloi në shtëpinë e Obed-Edomit nga Gathi.
14 Arka e Perëndisë mbeti tre muaj pranë familjes së Obed-Edomit në shtëpinë e saj; dhe Zoti bekoi shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithshka që ishte pronë e tij.
14 Hirami, mbret i Tiros, i dërgoi Davidit lajmëtarë, dru kedri, muratorë, dhe marangozë për t’i ndërtuar një shtëpi.
2 Atëherë Davidi e pranoi që Zoti e kishte vendosur mbret të Izraelit, sepse mbretëria e tij qe lavdëruar shumë për shkak të popullit të tij, Izraelit.
3 Davidi u martua me gra të tjera në Jeruzalem dhe i lindën djem e vajza.
4 Këto janë emrat e bijve që i lindën në Jeruzalem: Shamua, Shohabi, Salomoni,
5 Ibhari, Elishua, Elpeleti,
6 Nagahu, Nefegu, Jafia,
7 Elishama, Beelida dhe Elifeleti.
8 Kur Filistejtë mësuan që Davidi ishte vajosur mbret i tërë Izraelit, dolën të gjithë në kërkim të Davidit. Sa e mësoi këtë, Davidi u doli përballë.
9 Filistejtë arritën dhe u përhapën në luginën e Refaimit.
10 Atëherë Davidi u këshillua me Perëndinë, duke thënë: A duhet të dal kundër Filistejve? A do të m’i japësh në duart e mia?". Zoti u përgjigj: Dil dhe unë do t’i jap në duart e tuaa".
11 Ata dolën në Baal-Peratsim, ku Davidi i mundi dhe tha: "Perëndia ka hapur me duart e mia një kalim midis armiqve të mi, si një kalim i hapur nga ujërat". Prandaj i vunë këtij vendi emrin e Baal-Peratsimit.
12 Filistejtë braktisën aty perënditë e tyre dhe Davidi urdhëroi që të digjeshin në zjarr.
13 Më vonë Filistejtë filluan të shpërndahen nëpër luginë.
14 Davidi u këshillua përsëri me Perëndinë, dhe Perëndia i tha: "Mos u dil prapa, por merru krahët dhe sulu mbi ta përballë ballsameve.
15 Kur të dëgjosh një zhurmë hapash në majat e ballsameve, hidhu menjëherë në sulm, sepse Perëndia do të të dalë përpara për të mundur ushtrinë e Filistejve".
16 Davidi bëri ashtu siç e kishte urdhëruar Perëndia, dhe ata mundën ushtrinë e Filistejve nga Gabaoni deri në Gezer.
17 Kështu fama e Davidit u përhap në të gjitha vendet, dhe Zoti solli tmerrin e tij mbi të gjitha kombet.
1 Jakobi, shërbëtor i Perëndisë dhe i Zotit Jezu Krisht, të dymbëdhjetë fiseve të shpërndarë nëpër botë: përshëndetje!
2 Ta konsideroni një gëzim të madh, o vëllezër të mi, kur ndodheni përballë sprovash nga më të ndryshmet,
3 duke e ditur se sprova e besimit tuaj sjell qëndrueshmëri.
4 Dhe qëndrueshmëria të kryejë në ju një vepër të përsosur, që ju të jeni të përsosur dhe të plotë, pa asnjë të metë.
5 Por në qoftë se ndonjërit nga ju i mungon urtia, le të kërkojë nga Perëndia, që u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar, dhe atij do t’i jepet.
6 Por le ta kërkojë me besim, pa dyshuar, sepse ai që dyshon i ngjan valës së detit, të cilën e ngre dhe e përplas era.
7 Dhe ky njeri të mos pandehë se do të marrë diçka nga Zoti,
8 sepse është një njeri me dy mendje, i paqëndrueshëm në gjithë rrugët e veta.
9 Dhe vëllai më i poshtmë le të madhështohet në lartësimin e tij,
10 dhe i pasuri në uljen e tij, sepse do të shkojë si lule bari.
11 Në fakt si lindi dielli me të nxehtit e tij dhe e thau barin, dhe lulja e tij ra dhe bukuria e pamjes së vet humbi: kështu do të fishket edhe i pasuri në udhët e tij.
12 Lum njeriu që ngulmon në provë, sepse kur del i aprovuar, do të marrë kurorën e jetës, të cilën Zoti ua premtoi atyre që e duan.
13 Askush kur tundohet të mos thotë: “Jam tunduar nga Perëndinë,” sepse Perëndia nuk mund të tundohet nga e keqja, dhe ai vet nuk tundon asnjeri.
14 Por secili tundohet i udhëhequr dhe i mashtruar nga lakminë e vet.
15 Pastaj lakmia, pasi mbarset, pjell mëkatin dhe mëkati, si të kryhet, ngjiz vdekjen.
16 Mos u mashtroni, vëllezërit e mi shumë të dashur;
17 çdo gjë e mirë që na jepet dhe çdo dhuratë e përsosur vjen prej së larti dhe zbret nga Ati i dritave, pranë së cilit nuk ka ndërrim dhe as hije ndryshimi.
18 Ai na ngjizi me vullnetin e tij me anë të fjalës të së vërtetës, që ne të jemi në një farë menyrë fryti i parë i krijesave të tij.
19 Prandaj, vëllezërit e mi shumë të dashur, çdo njeri të jetë i shpejtë në të dëgjuar, i ngadalshëm në të folur dhe i ngadalshëm në zemërim,
20 sepse zemërimi i njeriut nuk kryen drejtësinë e Perëndisë.
21 Prandaj, hiqni çdo ndyrësi dhe mbeturinë ligësie, pranoni me butësi fjalën e mbjellë në ju, e cila mund të shpëtojë shpirtrat tuaj.
22 Dhe bëhuni bërës të fjalës dhe jo vetëm dëgjues, që gënjejnë vetveten.
23 Sepse nëse dikush është dëgjues i fjalës dhe jo bërës, ai i përngjan një njeriu që e shikon fytyrën e tij natyrale në një pasqyrë;
24 ai e shikon veten dhe pastaj ikën, duke harruar menjëherë si ishte.
25 Ndërsa ai që do të shikojë me vemendje ligjin e përsosur, i cili është ligji i lirisë, dhe ngulmon në të, duke mos qenë një dëgjues harraq, por një bërës i veprës, ai do të jetë i lumtur në veprimtarinë e vet.
26 Në qoftë se ndokush nga ju mendon se është fetar, edhe nuk i vë fre gjuhës së vet, sigurisht ai e mashtron zemrën e vet, feja e këtij është e kotë.
27 Feja e pastër dhe pa njollë përpara Perëndisë dhe Atit është kjo: të vizitosh jetimët dhe të vejat në pikëllimet e tyre dhe ta ruash veten të pastër nga bota.
8 Ja ç’më bëri të shoh Zoti, Zoti: ishte një shportë me fruta vere.
2 Ai më tha: "Amos, çfarë po shikon?". Unë u përgjigja: "Një shportë me fruta vere". Zoti më tha: "Erdhi fundi për popullin tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.
3 Atë ditë këngët e tempullit do të bëhen vajtime," thotë Zoti, Zoti. "Do të ketë kudo shumë kufoma; do t’i hedhin jashtë në heshtje".
4 Dëgjoni këtë, o ju që gllabëroni nevojtarin dhe shfarosni të varfërit e vendit,
5 dhe thoni: "Kur do të kalojë hëna e re që të mund të shesim grurin, dhe e shtuna që të fillojmë shitjen e grurit, duke e zvogëluar efan dhe duke rritur siklin, duke falsifikuar peshoret për të mashtruar,
6 duke i blerë të varfrit me para, nevojtarin për një palë sandale dhe duke shitur edhe skarcitetet e grurit?".
7 Zoti është betuar për krenarinë e Jakobit: "Nuk do të harroj asnjë nga veprat e tyre.
8 A nuk do të dridhet vallë vendi për këtë dhe nuk do të jenë në zi tërë banorët e tij? Do të ngrihet i tëri si Nili, do të trazohet dhe do të ulet si lumi i Egjiptit.
9 Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti, Zoti, "që unë do ta bëj diellin të perëndojë në mesditë dhe do ta errësoj tokën ditën.
10 Do t’i shndërroj festat tuaja në zi dhe të gjitha këngët tuaja në vajtime; do të bëj që secili të vishet me thes dhe do ta bëj të shogët çdo kokë. Do ta bëj si një zi për një bir të vetëm dhe fundi i tij do të jetë një ditë trishtimi.
11 Ja, do të vijnë ditët," thotë Zoti, Zoti, "gjatë të cilave unë do të dërgoj urinë në vend, jo uri për bukë dhe etje për ujë, por më tepër për të dëgjuar fjalët e Zotit.
12 Ata do të shkojnë duke u endur nga një det në tjetrin, nga veriu në lindje, do të rendin sa andej dhe këtej në kërkim të fjalës të Zotit, por nuk do ta gjejnë.
13 Atë ditë vajzat e bukura dhe djemtë e zgjedhur do të ligështohen nga etja.
14 Ata që betohen për mëkatin e Samarisë dhe thonë: "Ashtu si Perëndia yt rron, o Dan," dhe: "Si rron Beer-Sheba," do të rrëzohen dhe nuk do të çohen më".
3 Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,
2 nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.
3 Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,
4 ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!
5 Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen
6 dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë.”
7 Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?
8 Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: Ne kemi Abrahamin për Atë,," sepse unë po ju them se Perëndia mund t’i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.
9 Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.”
10 Dhe turmat e pyesnin, duke thënë: “Dhe ne, pra, ç’të bëjmë?.”
11 Atëherë ai, duke përgjigjur, u tha atyre: “Ai që ka dy tunika le t’i ndajë me atë që s’ka, dhe ai që ka të hajë le të veprojë po kështu.”
12 Tani erdhën edhe disa tagrambledhës që të pagëzohen dhe e pyetën: “Mësues, ç’duhet të bëjmë?.”
13 Dhe ai u tha atyre: “Mos vilni asgjë më tepër nga sa ju është urdhëruar.”
14 Edhe ushtarët e pyetën duke thënë: “Dhe ne, ç’duhet të bëjmë?.” Dhe ai u tha atyre: “Mos i bëni shantazh asnjeriu, mos i bëni akuza të rreme kurrkujt dhe jini të kënaqur me pagën tuaj!.”
15 Dhe populli ishte në pritje dhe të gjithë pyesnin në zemrat e veta nëse Gjoni ishte Krishti vetë.
16 Gjoni u përgjigj duke u thënë të gjithëve: “Unë ju pagëzoj me ujë; por vjen ai që është më i fortë nga unë, të cilit unë nuk jam i denjë as t’ia zgjidh lidhëset e sandaleve; ai do t’ju pagëzojë me Frymën e Shenjtë dhe me zjarr.
17 Ai mban në dorë lopatën e vet, për ta pastruar krejt lëmin e vet dhe për të mbledhur grurin në hambarin e tij, por bykun do ta djegë me zjarr që nuk shuhet.”
18 Kështu ai e ungjillizonte popullin duke e këshilluar me shumë mënyra të tjera.
19 Por Herodi, tetraku, mbasi u qortua prej tij për shkak të Herodiadës, gruas së vëllait të tij Filipit, dhe për të gjitha mbrapshtitë që ai kishte kryer,
20 U shtoi të gjitha të tjerave edhe këtë, domethënë e futi Gjonin në burg.
21 Tani, si u pagëzua gjithë populli, edhe Jezusi u pagëzua; dhe ndërsa po lutej, qielli u hap
22 dhe Fryma e Shenjtë zbriti mbi të, në trajtën trupore si të pëllumbit, dhe nga qielli erdhi një zë, që thoshte: “Ti je Biri im i dashur, në ty unë jam kënaqur!.”
23 Dhe Jezusi ishte rreth tridhjetë vjeç; dhe e pandehnin se ishte bir i Jozefit, bir i Elit;
24 bir i Mathatit, bir i Levit, bir i Melkit, bir i Janas, bir i Jozefit;
25 bir i Matathias, bir i Amosit, bir i Naumit, bir i Eslit, bir i Nagait;
26 bir i Maathit, bir i Matathias, bir i Semeit, bir i Jozefit, bir i Judës;
27 bir i Joannas, bir i Resas, bir i Zorobabelit, bir i Salatielit, bir i Nerit;
28 bir i Melkit, bir i Adit, bir i Kosamit, bir i Elmodamit, bir i Erit;
29 bir i Joseut, bir i Eliezerit, bir i Iorimit, bir i Mathatit, bir i Levit;
30 bir i Simeonit, bir i Judës, bir i Jozefit, bir i Jonanit, bir i Eliakimit;
31 bir i Meleas, bir i Menas, bir i Matathas, bir i Natanit, bir i Davidit;
32 bir i Jeseut, bir i Obedit, bir i Boozit, bir i Salmonit, bir i Naasonit;
33 bir i Aminadabit, bir i Aramit, bir i Esromit, bir i Faresit, bir i Judës;
34 bir i Jakobit, bir i Isakut, bir i Abrahamit, bir i Tares, bir i Nakorit;
35 bir i Serukut, bir i Ragaut, bir i Pelekut, bir i Eberit, bir i Selës;
36 bir i Kainanit, bir i Arfaksadit, bir i Semit, bir i Noeut, bir i Lamekut;
37 bir i Mathusalës, bir i Enokut, bir i Jaredit, bir i Mahalaleelit, bir i Kainanit;
38 bir i Enosit, bir i Setit, bir i Adamit, i Perëndisë.