Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Kronikave 26-27

26 Për klasat e derëtarëve: të Korahitëve, Meshelemiahu, bir i Koreut, nga bijtë e Asafit.

Bijtë e Meshelemiahut ishin Zakaria, djali i parë, Jediaeli i dyti, Zebadiahu i treti, Jathnieli i katërti,

Eliami, i pesti, Jehohanani, i gjashti, Eljehoenai i shtati.

Bijtë e Obed-Edomit ishin Shemajahu, djali i parë, Jehozabadi i dyti, Joahu i treti, Sakari i katërti, Nethaneli i pesti,

Amieli i gjashti, Isakari i shtati, Peulthai i teti, sepse Perëndia e kishte bekuar.

Shemajahut, birit të tij, i lindën bij që sundonin në shtëpitë e tyre atërore, sepse ishin njerëz të fortë dhe trima.

Bijtë e Shemajahut ishin Othni, Rafaeli, Obedi dhe Elzabadi, vëllezërit e të cilëve Elihu dhe Semakiahu ishin njerëz trima.

Tërë këta ishin bij të Obed-Edomit; ata, bijtë e tyre dhe vëllezërit e tyre, ishin njerëz të zotë, të fuqishëm dhe të aftë të kryenin shërbimin: gjashtëdhjetë pasardhës të Obed-Edomit.

Meshelemiahu pati bij dhe vëllezër, tetëmbëdhjetë trima.

10 Hosahu, nga bijtë e Merarit, pati si bij: Shimrin, i pari (megjithëse nuk ishte i parëlinduri, i ati e caktoi të parë),

11 Hilkiahun i dyti, Tebaliahun i treti, Zakarian i katërti: të marrë së bashku bijtë dhe vëllezërit e Hosahut ishin trembëdhjetë.

12 Këtyre klasave të derëtarëve, nëpërmjet të parëve të tyre, por edhe nëpërmjet vëllezërve të tyre, iu besuan shërbimi në shtëpinë e Zotit.

13 U hodh në short për çdo portë, qoftë të vegjëlit apo të mëdhenjtë, sipas shtëpive atërore.

14 Për portën lindore shorti i ra Shelemiahut. Pastaj u hodh shorti për portën veriore, e cila i ra birit të tij Zakaria, një këshilltar me mend.

15 Porta jugore i ra Obed-Edomit dhe magazinat bijve të tij,

16 Shupimit dhe Osahut i ra në perëndim, me portën e Shalekethit, në rrugën përpjetë, një postë roje përballë tjetrës.

17 Në krahun lindor qëndronin gjithnjë gjashtë Levitë çdo ditë, në krahun jugor katër çdo ditë, dhe në magazinat nga dy për secilën prej tyre.

18 Në Parbar, në krahun perëndimor, ishin caktuar katër veta për rrugën dhe dy për Parbarin.

19 Këto ishin klasat e derëtarëve të zgjedhur midis bijve të Koreut dhe bijve të Merarit.

20 Nga Levitët, Ahijahu ishte caktuar për ruajtjen e thesareve të shtëpisë së Perëndisë dhe të thesareve të gjërave të shenjtëruara.

21 Bijtë e Ladanit, bijtë e Gershonitëve që rridhnin nga Ladani, të parët e shtëpive atërore të Ladanit, Gershonitit, domethënë Jehieli.

22 Bijtë e Jehielit, Zethami dhe i vëllai Joeli, ishin caktuar për ruajtjen e thesareve të shtëpisë të Zotit.

23 Midis Amramitëve, Jitsharitët, Hebronitët dhe Uzielitët,

24 Shebueli, bir i Gershomit, që ishte bir i Moisiut, ishte kryeintendenti i thesareve.

25 Vëllezërit e tij, me anë të Eliezerit, ishin i biri i Rehabiahu, bir i të cilit ishte Jeshajahu, bir i të cilit ishte Jorami, bir i të cilit ishte Zikri, bir i të cilit ishte Shelomithi.

26 Ky Shelomith dhe vëllezërit e tij ishin caktuar për ruajtjen e të gjitha thesareve të gjërave të shenjta që mbreti David, të parët e shtëpive atërore dhe komandantët e ushtrisë kishin shenjtëruar.

27 Ata kishin shenjtëruar një pjesë të plaçkës që kishin shtënë në dorë gjatë luftës për të mbajtur shtëpinë e Zotit.

28 Përveç kësaj të gjitha ato që ishin shenjtëruar nga Samueli, shikuesi, nga Sauli, bir i Kishit, nga Abneri, bir i Nerit dhe nga Joabi, bir i Tserujahut, dhe çdo gjë tjetër e shenjtëruar nga cilido qoftë ishte nën përgjegjësinë e Shelomithit dhe të vëllezërve të tij.

29 Ndër Jitsharitët, Kenajahu dhe bijtë e tij ishin të ngarkuar me punët e jashtme të Izraelit, në cilësinë e tyre si magjistrarë dhe si gjyqtarë.

30 Ndër Hebronitët, Hashabiahu dhe vëllezërit e tij, një mijë e shtatëqind trima, u caktuan të mbikqyrnin Izraelin, këndej Jordanit, në perëndim, në të tëra çështjet e Zotit dhe të shërbimit të mbretit.

31 Jerijahu ishte i pari i Hebronitëve, sipas brezave të shtëpive të tyre atërore. Në vitin e dyzetë të mbretërimit të Davidit u bënë kërkime dhe u gjetën midis tyre njerëz të fortë dhe trima në Jazer të Galaadit.

32 Vëllezërit e tij ishin dy mijë e shtatëqind trima, të parë të shtëpive atërore. Mbreti David u besoi atyre mbikqyrjen e Rubenitëve, të Gaditëve, të gjysmës së fisit të Manasit për të gjitha gjërat që kishin të bënin me Perëndinë dhe me punët e mbretit.

27 Dhe tani ja, bijtë e Izraelit, sipas numrit të tyre, të parëve të shtëpive atërore, komandantëve të mijësheve dhe të qindësheve dhe të oficerëve të tyre në shërbim të mbretit për të gjitha ato që kishin të bënin me divizionet që hynin dhe dilnin muaj pas muaji, në të gjitha muajt e vitit; çdo divizion përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

Në krye të divizionit të parë, gjatë muajit të parë, ishte Jashobeami, bir i Zabdielit, dhe divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

Ai ishte nga bijtë e Peretsit dhe komandant i të gjithë oficerëve të ushtrisë gjatë muajit të parë.

Në krye të divizionit të muajit të dytë ishte Dodai, Ahohiti; në divizionin e tij oficeri më i rëndësishëm ishte Miklothi; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

Komandanti i divizionit të tretë për muajin e tretë ishte Benajahu, bir i priftit Jehojada; ai ishte komandant dhe divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

Benajahu ishte një trim midis të tridhjetëve dhe ishte i pari i të tridhjetëve; në divizionin e tij ndodhej edhe i biri i tij Amizabadi.

Komandanti i katërt për muajin e katërt ishte Asaheli, vëllai i Joabit; pas tij vinte i biri, Zebadiahu; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

Komandanti i pestë për muajin e pestë ishte komandanti Shamhuth, Izrahiti; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

Komandanti i gjashtë për muajin e gjashtë ishte Ira, bir i Ikeshit, Tekoitit; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

10 Komandanti i shtatë për muajin e shtatë ishte Heletsi, Peloniti, nga bijtë e Efraimit; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

11 Komandanti i tetë për muajin e tetë ishte Sibekai, Hushathiti, nga Zarhitët; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

12 Komandanti i nëntë për muajin e nëntë ishte Abiezeri nga Anatothi, një Beniaminit; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

13 Komandanti i dhjetë për muajin e dhjetë ishte Maharai nga Netofa, nga Zerahitët; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

14 Komandanti i njëmbëdhjetë për muajin e njëmbëdhjetë ishte Banajahu nga Pirathoni, një nga bijtë e Efraimit; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

15 Komandanti i dymbëdhjetë për muajin e dymbëdhjetë ishte Heldai nga Netofa, prej familjes së Othnielit; divizioni i tij përbëhej nga njëzet e katër mijë burra.

16 Përveç këtyre, të parët e fiseve të Izraelit ishin këta që vijojnë: i pari i Rubenitëve ishte Eliezeri, bir i Zikrit; i pari i Simeonitëve, Shefatiahu, bir i Maakahut;

17 i pari i Levitëve, Hashabiahu, bir i Kemuelit; i pari i Aaronit, Tsadoku;

18 i pari i Judës, Elihu, një ndër vëllezërit e Davidit, i pari i Isakarit, Omri, bir i Mikaelit;

19 i pari i Zabulonit, Ismajahu, bir i Obadiahut, i pari i Neftalit, Jerimothi, bir i Azrielit;

20 i pari i bijve të Efraimit, Hoshea, bir i Azariahut, i pari i gjysmës së fisit të Manasit, Joeli, bir i Pedajahut;

21 i pari i gjysmës së fisit të Manasit në Galaad, Ido, bir i Zakarias; i pari i Beniaminit, Jaasieli, bir i Abnerit;

22 i pari i Danit, Azareeli, bir i Jerohamit. Këta ishin të parët e fiseve të Izraelit.

23 Por Davidi nuk bëri regjistrimin e atyre që ishin më pak se njëzet vjeç, sepse Zoti i kishte thënë që do ta shumëzonte Izraelin si yjet e qiellit.

24 Joabi, bir i Tserujahut, kishte filluar regjistrimin e popullsisë por nuk e kishte përfunduar; prandaj zëmërimi i Zotit goditi Izraelin dhe numri i të regjistruarve nuk u përfshi në Kronikat e mbretit David.

25 Azmavethi, bir i Adielit, ishte ngarkuar me thesaret e mbretit; Jonathani, bir i Uziahut, ishte ngarkuar me thesaret që ndodheshin në fshatrat, në qytetet dhe në kalatë;

26 Ezri, bir i Kelubit, ishte caktuar për punonjësit që punonin tokën;

27 Shimei nga Ramahu ishte caktuar për vreshtat; Zabdihu i Sefamit ishte caktuar për prodhimin e vreshtave që depozitohej në kantina;

28 Baal-Hanani nga Gederi ishte caktuar për ullishtet dhe për fiqtë e egjiptit që ndodheshin në fushë; Joashi ishte caktuar për depozitat e vajit;

29 Shitrai nga Sharoni ishte caktuar për kopetë që kullotnin në Sharon; Shafati, bir i Adlait, ishte caktuar për kopetë që ndodheshin në luginat;

30 Obili, Ismaeliti, ishte caktuar për devetë; Jehdejahu nga Merenothi merrej me gomarët;

31 Jazizi, Hagariti, ishte caktuar me kopetë e bagëtive të imta. Tërë këta ishin administratorë të pasurive të mbretit David.

32 Jonathani, ungji i Davidit, ishte këshilltar, njeri i zgjuar dhe shkrues; Jehieli, bir i Hakmonit, rrinte me bijtë e mbretit;

33 Ahitofeli ishte këshilltar i mbretit; Hushai, Arkiti, ishte mik i mbretit.

34 Ahithofelit i zunë vendin Jehojada, bir i Benajahut, dhe Abiathari; komandant i ushtrisë së mbretit ishte Joabi.

2 Pjetrit 1

Simon Pjetri, shërbëtor dhe apostull i Jezu Krishtit, atyre që kanë marrë për pjesë një besim të çmueshëm sikurse edhe ne, me anë të drejtësisë së Perëndisë tonë dhe të Shpëtimtarit Jezu Krisht:

hiri dhe paqja u shumoftë për ju në njohjen e Perëndisë dhe të Jezusit, Zotit tonë.

Duke qenë se fuqia e tij hyjnore na dhuroi të gjitha gjërat që i takojnë jetës dhe perëndishmërisë, me anë të njohjes së atij që na thirri me lavdinë dhe virtytin e vet,

me anë të të cilave na u dhuruan premtimet e çmueshme dhe shumë të mëdha, që nëpërmjet tyre të bëheni pjestarë të natyrës hyjnore, duke i shpëtuar prishjes që është në botë për shkak të lakmisë.

Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin, dhe virtytit diturinë,

diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmerinë,

mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë.

Sepse nëse këto gjëra gjendën në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht.

Sepse ai që nuk i ka këto gjëra është i verbër dhe dritëshkurtër, sepse harroi pastrimin nga mëkatet e tij të vjetër.

10 Prandaj, vëllezër, përpiquni gjithnjë e më shumë ta përforconi thirrjen dhe zgjedhjen tuaj, sepse, duke bërë këto gjëra, nuk do të pengoheni kurrë.

11 Sepse kështu begatisht do t’ju hapet hyrja në mbretërinë e amshuar të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

12 Prandaj nuk do të lë pas dore t’ju kujtoj vazhdimish këto gjëra, ndonëse ju i dini dhe jeni të patundur në këtë të vërtetë.

13 Por unë mendoj se është e drejtë, përderisa jam në këtë tendë, t’ju mbaj zgjuar duke ua sjellë këto gjëra ndër mend,

14 duke ditur se, së shpejti më duhet ta lë këtë tendën time, sikurse ma tregoi Zoti ynë Jezu Krisht.

15 Por do të kujdesem që, edhe pas largimit tim, ju të mund t’i kujtoni gjithnjë këto gjëra.

16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.

17 Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”

18 Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.

19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,

20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta.

21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.

Mikea 4

Por në kohët e fundit do të ndodhë që mali i shtëpisë së Zotit do të vendoset në majën e maleve dhe do ngrihet përmbi kodrat, dhe aty do të vijnë popujt.

Do të vijnë shumë kombe dhe do të thonë: "Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit dhe në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij". Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit.

Ai do të jetë gjyqtari midis shumë popujve dhe do të jetë arbitri midis shumë kombeve të fuqishme dhe të largëta. Me shpatat e tyre do të farkëtojnë plore dhe me ushtat e tyre drapërinj; një komb nuk do ta ngrerë më shpatën kundër tjetrit dhe nuk do të stërviten për luftë.

Do të ulet secili nën hardhinë e vet dhe nën fikun e vet, dhe askush nuk do t’i trembë më, sepse goja e Zotit të ushtrive foli.

Ndërsa tërë popujt ecin secili në emër të zotit të vet, ne do të ecim në emër të Zotit, Perëndisë tonë, përjetë.

"Atë ditë," thotë Zoti, "unë do të mbledh çalamanët, do të mbledh të dëbuarit dhe ata që kisha dëshpëruar.

Nga çalamanët do të bëj një mbetje dhe nga të dëbuarit një komb të fuqishëm. Kështu Zoti do të mbretërojë mbi ta në malin e Sionit, qysh atëherë e përgjithnjë.

Dhe ti, kullë e kopesë, kala e bijës së Sionit, ty do të vijë, pikërisht ty do të të vijë sundimi i lashtë, mbretëria e bijës së Jeruzalemit".

Tani, pse bërtet kaq fort? A nuk ka asnjë mbret brenda teje? Vallë ka vdekur këshilltari yt, që të kanë zënë dhembjet si një grua që po lind.

10 Perpëlitu dhe nxirre në dritë, o bijë e Sionit, si një grua që po lind, sepse tani do të dalësh nga qyteti, do të banosh në fushë dhe do të shkosh deri në Babiloni. Atje do të çlirohesh, atje Zoti do të të shpengojë nga dora e armiqve të tu.

11 Tani janë mbledhur shumë kombe kundër teje që thonë: "Le të përdhoset dhe sytë tona le të kënaqen duke shikuar Sionin".

12 Por ata nuk i dinë mendimet e Zotit, nuk e kuptojnë qëllimin e tij, sepse ai do t’i mbledhë si duaj në lëmë.

13 Çohu dhe shij, o bijë e Sionit, sepse do ta bëj bririn tënd prej hekuri dhe thonjtë e tu prej bronzi; ti do të dërmosh shumë popuj dhe unë do t’ia caktoj fitimet e tyre Zotit dhe pasuritë e tyre Zotit të të gjithë dheut.

Luka 13

13 Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata Galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.

Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “A mendoni ju se ata Galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë Galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?

Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.

Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?

Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.”

Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti.

Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?".

Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t’i hedh pleh

dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh".” Shërimi i një gruaje të paralizuar

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.

11 Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.

12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: “O grua, ti je e liruar nga lëngata jote.”

13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.

14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: “Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë.”

15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: “Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?

16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?.”

17 Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.

18 Atëherë ai tha: “Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?

19 I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj.”

20 Pastaj tha përsëri: “Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?

21 Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë.”

22 Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.

23 Dhe një njeri e pyeti: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?.” Ai u tha atyre:

24 “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.

25 Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: "Zot, Zot, na e hap". Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: "Nuk e di nga vini".

26 Atëherë do të filloni të thoni: "Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona".

27 Por ai do thotë: "Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi".

28 Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta.

29 Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.

30 Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit.”

31 Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: “Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë.”

32 Dhe ai u përgjigj atyre: “Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime".

33 Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.

34 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!

35 Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më deri sa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit".”