Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Kronikave 11-12

11 Atëherë tërë Izraeli u mblodh rreth Davidit në Hebron dhe i tha: "Ja, ne jemi kocka dhe mishi yt".

Edhe në të kaluarën, kur ishte mbret Sauli, ti ishe ai që udhëhiqte dhe kthente pas Izraelin; dhe Zoti, Perëndia yt, të pati thënë: "Ti do të ushqesh popullin tim të Izraelit, ti do të jesh princ mbi popullin tim të Izraelit"".

Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën te mbreti në Hebron, dhe Davidi lidhi me ta një aleancë në Hebron përpara Zotit; pastaj ata e vajosën Davidin mbret të Izraelit, sipas fjalës së shqiptuar nga Zoti me anë të Samuelit.

Davidi së bashku me tërë Izraelin doli kundër Jeruzalemit, që është Jebusi, ku ndodheshin Jebusejtë, banorë të vendit.

Atëherë banorët e Jebusit i thanë Davidit: "Nuk do të hysh këtu". Por Davidi pushtoi qytetin e fortifikuar të Sionit, që është qyteti i Davidit.

Davidi kishte thënë: "Ai që do t’i mundë i pari Jebusejtë do të bëhet kryetar dhe princ". Doli i pari Joabi, bir i Tserujahut, që u bë kështu kryetar.

Davidi u vendos pastaj në kalanë që u quajt për këtë arsye "qyteti i Davidit".

Pastaj ai bëri ndërtime përreth qytetit nga Milo dhe në gjithë perimetrin e tij; Joabi meremetoi pjesën tjetër të qytetit.

Kështu Davidi bëhej gjithnjë e më i madh dhe Zoti i ushtrive ishte me të.

10 Këta janë komandantët e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit dhe që i dhanë përkrahje të madhe me gjithë Izraelin në mbretërinë e tij për ta bërë mbret sipas fjalës të Zotit lidhur me Izraelin.

11 Kjo është lista e luftëtarëve trima që ishin në shërbim të Davidit: Jashobeami, bir i një Hakmoniti, komandant i tridhjetë kapedanëve; ai rroku ushtën kundër treqind njerëzve, që i vrau në një ndeshje të vetme.

12 Mbas tij vinte Eleazari, bir i Dodos, Ahohitit; ishte një nga tre luftëtarët trima.

13 Ai ishte me Davidin në Pas-Damim, ku ishin mbledhur Filistejtë për të luftuar dhe ku kishte një arë plotë me elb. Populli iku me vrap përpara Filistejve,

14 por ata u vendosën në mes të arës, e mbrojtën dhe i mundën Filistejtë; kështu Zoti realizoi fitore të madhe.

15 Tre nga të treqind kapedanët zbritën te shkëmbi drejt Davidit, në shpellën e Adulamit, ndërsa ushtria e Filistejve kishte fushuar në luginën e Refaimit.

16 Davidi ndodhej atëherë në kala, kurse në Betlem kishte një garnizon Filistejsh.

17 Davidi pati një dëshirë të madhe dhe tha: "Ah, sikur dikush të më jepte të pija ujë nga pusi i Betlemit që është pranë portës!".

18 Kështu këta të tre çanë nëpër kampin e Filistejve dhe mbushën ujë nga pusi i Betlemit që ndodhej te porta; pastaj e morën dhe ia çuan Davidit. Por Davidi nuk desh ta pinte, por e derdhi si libacion përpara Zotit,

19 duke thënë: "Të më ruajë Perëndia nga kryerja e një gjëje të tillë! A mund ta pij unë gjakun e këtyre njerëzve, që kanë rrezikuar jetën e tyre? Sepse e kanë sjellë duke rrezikuar jetën e tyre". Dhe nuk deshi ta pinte. Kështu vepruan këta tre trima.

20 Abishai, vëllai i Joabit, ishte i pari i tre të tjerëve. Ai drejtoi ushtën e tij kundër treqind njerëzve dhe i vrau; kështu u bë i famshëm midis të treve.

21 U bë më i njohur midis të treve dhe për këtë arësye u bë i pari i tyre, por nuk arriti të barazohet me tre të parët.

22 Benajahu, bir i Jehojadit, birit të një trimi nga Kabtseeli, bëri trimëri të madhe. Ai vrau dy heronjtë e Moabit, që ishin si luanë. Zbriti edhe në mes të një sterne, ku vrau një luan një ditë që binte borë.

23 Vrau edhe një Egjiptas vigan, i lartë pesë kubitë, që kishte në dorë një shtizë të ngjashme me shulin e një endësi; por Benajahu i doli kundra me një bastun, i rrëmbeu me forcë nga duart Egjiptasit shtizën dhe e vrau me shtizën e tij.

24 Këto gjëra bëri Benajahu, bir i Jehojadit, dhe u bë i famshëm midis tre trimave.

25 Ishte më i shquari i të tridhjetëve, por nuk arriti të barazoht me tre të parët. Davidi e vuri në krye të rojeve të tij personale.

26 Njerëz të tjerë të fortë dhe trima ishin: Asaheli, vëllai i Joabit, Elhanani, bir i Dodos, nga Betlemi,

27 Shamothi nga Harori, Heletsi nga Peloni,

28 Ira, bir i Ikeshit nga Tekoa, Abiezeri nga Anathothi,

29 Sibekai nga Husha, Ilai, nga Ahoa,

30 Maharai nga Netofa, Heledi, bir i Baanahut nga Netofa;

31 Ithai, bir i Ribait, i Gibeahut të bijve të Beniaminit, Benajahu nga Pirathoni,

32 Hurai nga Nahale-Gaashi, Abieli nga Arbathi,

33 Azmavethi nga Baharumi, Eliahba nga Shaalboni.

34 Bijtë e Hashemit nga Gizoni, Jonathani, bir i Shageut nga Harari,

35 Haiami, bir i Sakarit, nga Harari; Elifali, bir i Urit,

36 Heferi nga Mekrea, Ahijahu nga Paloni,

37 Hetsro nga Karmeli, Naarai, bir i Ezbait,

38 Joeli, vëllai i Nathanit, Mibhari, bir i Hagrit,

39 Amoniti Tselek, Naharai nga Berothi (shqytar i Joabit, birit të Tserujahut),

40 Ira nga Jetheri, Garebi nge Jetheri,

41 Uria, Hiteu, Zabadi, bir i Ahlait,

42 Adina, bir i Shizës, Rubenit (i pari i Rubenitëve) dhe tridhjetë të tjerë bashkë me të,

43 Hanani, bir i Maakahut, Joshafati nga Mithni;

44 Uzia nga Ashtarothi, Shama dhe Jejeli, bij të Hothamit nga Aroeri,

45 Jediaeli, bir i Shimrit dhe Titsiti Joha, vëllai i tij,

46 Elieli nga Mahavimi, Jeribai dhe Joshaviahu, bij të Elnaamit, dhe Ithmah, Moabiti,

47 Elieli, Obedi dhe Jaasieli, Metsobaiti.

12 Këta janë njerëzit që erdhën te Davidi në Tsiklag, kur ai qendronte larg pranisë së Saulit, birit të Kishit; ata ishin një pjesë e trimave që e ndihmuan në luftë;

ishin të armatosur me harqe dhe mund të përdornin si dorën e djathtë ashtu edhe atë të majtë për të hedhur gurë dhe për të gjuajtur shigjeta me hark; i përkisnin fisit të Beniaminit, vëllezër të Saulit.

I pari i tyre ishte Ahiezeri, pastaj Joasi, bij të Shemaahut, nga Giberahu; Jezieli dhe Peleti, bij të Azmavethit; Berakahu dhe Jehu nga Anathothi;

Ishmajahu nga Gabaoni, trim midis të tridhjetëve dhe i pari i tyre; Jeremia, Jahazieli, Johanani, Jozabadi nga Gedera

Eluzai, Jerimothi, Bealiahu, Shemariahu, Shefatiahu nga Harufi;

Elkanahu, Jishshiahu, Azareli, Joezeri dhe Jashobeami, Koraiti;

Joelahu dhe Zebadiahu, bij të Jerohamit nga Gedori.

Ndër Gaditët disa njerëz vendosën të bashkohen me Davidin në kalanë e shkretëtirës; ishin njerëz të fortë dhe trima, të stërvitur për luftë, të shkathët në përdorimin e mburojës dhe të shtizës; fytyrat e tyre ishin si fytyrat e luanëve dhe në malet ishin të shpejtë si gazelat.

Ezeri ishte i pari i tyre, Obadiahu vinte i dyti dhe Eliabi i treti,

10 Mishmanahu i katërti, Jeremia i pesti

11 Atai i gjashti, Elieli i shtati,

12 Johanani i teti, Elzabadi i nënti,

13 Jeremia i dhjeti, Makbanai i njëmbëdhjeti.

14 Këta Gaditë ishin komandantë të ushtrisë; më i vogli komandonte njëqind ushtarë, më i madhi një mijë.

15 Këta janë ata që kaluan Jordanin në muajin e parë kur ky lumë kishte dalë nga shtrati i tij, dhe i bënë të ikin me vrap tërë banorët e luginave, në lindje dhe në perëndim.

16 Edhe disa nga bijtë e Beniaminit e të Judës shkuan te Davidi në kala.

17 Davidi u doli përpara dhe, duke marrë fjalën, tha: "Në rast se keni ardhur tek unë me qëllime paqësore për të më ndihmuar, jam gati të bashkohem me juve, por në se keni ardhur për të më tradhëtuar dhe për të më dorëzuar në duart e kundërshtarëve të mi, megjithëse unë nuk kam përdorur fare dhunën, Perëndia i etërve tanë le të shohë dhe le të dënojë".

18 Atëherë Fryma e përshkoi Amasain, të parin e të tridhjetëve, që thirri: Ne jemi me ty, David; jemi me ty, o biri i Isait! Paqe, paqe ty dhe paqee atij që të ndihmon, sepse Perëndia yt të ndihmon". Atëherë Davidi i priti dhe i bëri komandantë të trupave.

19 Edhe nga Manasi disa kaluan me Davidin, kur ky vajti me Filistejtë për të luftuar kundër Saulit; por këta nuk i dhanë asnjë ndihmë Filistejve, sepse princat e Filistejve, mbasi u konsultuan, e kthyen prapa Davidin, duke thënë: "Ai ka për të kaluar me zotërinë e tij Saul duke vënë në rrezik kokat tona".

20 Ndërsa shkonte në Tsiklag, ata të Manasit që kaluan me të ishin Adnahu, Jozbadi, Jediaeli, Mikaeli, Jozabadi, Elihu, Tsillethai, komandantë të mijësheve që i përkisnin Manasit.

21 Këta e ndihmuan Davidin kundër bandave të plaçkitësve, sepse ishin të gjithë njerëz të fortë dhe trima dhe u bënë komandantë në ushtri.

22 Në atë kohë, në të vërtetë, çdo ditë disa vinin te Davidi për ta ndihmuar deri sa formoi një ushtri të madhe si ushtria e Perëndisë.

23 Ky është numri i krerëve të armatosur për luftë, që shkuan te Davidi në Hebron për t’i kaluar atij mbretërinë e Saulit, sipas fjalës së Zotit.

24 Bijtë e Judës, që mbanin mburoja dhe shtiza ishin gjashtë mijë e tetëqind veta, të armatosur për luftë.

25 Nga bijtë e Simeonit, njerëz të fortë dhe trima në luftë, ishin shtatë mijë e njëqind veta.

26 Nga bijtë e Levit, katër mijë e gjashtëqind veta;

27 përveç Jehojadit, princit të familjes së Aaronit, që kishte tre mijë e shtatëqind veta,

28 dhe Tsadoku, një i ri i fortë dhe trim, me njëzet e dy krerë të shtëpisë së tij atërore.

29 Nga bijtë e Beniaminit, vëllezër të Saulit, tre mijë (sepse pjesa më e madhe e tyre i kishte qëndruar besnike deri atëherë shtëpisë së Saulit).

30 Nga bijtë e Efraimit, njëzet mijë e tetëqind veta, njerëz të fortë dhe trima, njerëz të famshëm, sipas shtëpive të tyre atërore.

31 Nga gjysma e fisit të Manasit, tetëmbëdhjetë mijë veta, që u zgjodhën individualisht për të vajtur dhe për ta shpallur mbret Davidin.

32 Nga bijtë e Isakarit, që i kuptonin kohrat dhe dinin kështu çfarë duhet të bënte Izraeli: dyqind krerë dhe tërë vëllezërit e tyre në urdhrat e tyre.

33 Nga Zabuloni, pesëdhjetë mijë, që shkonin të luftonin, të shkathët për tu vendosur në rend beteje me të gjitha armët e luftës dhe të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur.

34 Nga Neftali, një mijë krerë dhe me ta tridhjetë e shtatë mijë njerëz me mburoja dhe shtiza.

35 Nga Danitët, të shkathët për t’u radhitur në rend beteje, njëzet e tetë mijë e gjashtëqind veta.

36 Nga Asheri, dyzet mijë, që shkonin të luftonin dhe që ishin të shkathët për t’u vendosur në rend beteje.

37 Nga ana tjetër e Jordanit, nga Rubenitët, nga Gaditët dhe nga gjysma e fisit të Manasit, njëqind e njëzet mijë veta, të pajisur me të gjitha armët për të luftuar.

38 Tërë këta luftëtarë, të zotë të mbanin pozicionin e tyre me zemër të vendosur, erdhën në Hebron për ta shpallur Davidin mbret mbi tërë Izraelin; edhe pjesa tjetër e Izraelit ishte në një mëndje për ta bërë mbret Davidin.

39 Ata qëndruan atje tri ditë me Davidin, duke ngrënë dhe duke pirë, sepse vëllezërit e tyre kishin siguruar ushqim për ta.

40 Edhe nga ata që banonin afër tyre, madje edhe nga Isakari, nga Zabuloni dhe nga Neftali sillnin ushqime me gomarë, me deve, me mushka dhe me qe, furnizime të mëdha: miell, bukëfiqe dhe rrush të thatë, verë, vaj, lopë dhe dele me bollëk; sepse Izraeli ishte shend e verë.

Hebrenjve 13

13 Dashuria vëllazërore le të mbetet.

Mos harroni mikpritjen, sepse disa duke e praktikuar e priten pa ditur engjëj!

Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup.

Martesa të nderohet nga të gjithë dhe shtrati martesor i papërlyer, sepse Perëndia do të gjykojë kurvarët dhe kurorëshkelësit.

Sjellja juaj të jetë pa lakmi paraje dhe kënaquni me atë që keni, sepse vetë Perëndia ka thënë: “Nuk do të të lë, nuk do të të braktis.”

Kështu mund të themi, me plot besim: “Perëndia është ndihmuesi im dhe unë nuk do të kem frikë; ç’do të më bëjë njeriu?.”

Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre.

Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.

Mos e lëshoni veten aty e këtu prej doktrinah të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra juaj të forcohet me anë të hirit dhe jo prej ushqimit, të cilat nuk u dhanë asnjë dobi atyre aq sa ecën.

10 Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit.

11 Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave është sjellë prej kryepriftit në shenjtëroren për mëkatin, digjen jashtë fushës.

12 Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit)

13 Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.

14 Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.

15 Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.

16 Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.

17 Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psheretima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.

18 Lutuni për ne, sepse ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.

19 Dhe ju bëj thirrje edhe më shumë ta bëni këtë, që unë të kthehem te ju sa më parë.

20 Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht,

21 ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.

22 Dhe ju lutem, o vëllezër, ta mbani këtë fjalë këshillimi, sepse ju shkrova shkurt.

23 Ta dini se vëllai Timoteu u lirua nga burgu. Nëse mbërrin së shpejti, unë do të vij te ju bashkë me të.

24 Përshëndetni të gjithë të parët tuaj dhe gjithë shenjtorët! Ju përshëndesin ata të Italisë.

25 Hiri qoftë mbi ju të gjithë! Amen.

Amosi 7

Ja ç’më bëri të shoh Zoti, Zoti: ai formonte karkaleca kur fillonte të rritej bari i dytë; dhe ja, bari i dytë vinte mbas korrjes së mbretit.

Kur ato mbaruan së ngrëni barin e tokës, unë thashë: "Zot, Zot, oh, na fal, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?".

Zoti u pendua për këtë: "Kjo nuk ka për të ndodhur," tha Zoti.

Ja ç’më bëri të shoh Zoti, Zoti: Zoti, Zoti shpalli se do mbronte çështjen e tij me zjarr; dhe zjarri gllabëroi humnerën e madhe dhe gllabëroi një pjesë të vendit.

Atëherë unë i thashë: "Zoti, Zoti, oh, jepi fund, pra. Si mund të rezistojë Jakobi, duke qenë se është i vogël?".

Zoti u pendua për këtë: "As kjo nuk ka për të ndodhur," tha Zoti, Zoti.

Ja ç’më bëri të shoh: Zoti rrinte drejt mbi një mur të ndërtuar me plumbçe dhe me një plumbçe në dorë.

Zoti më tha: "Amos, çfarë shikon?". Unë iu përgjigja: "Një plumbçe". Atëherë Zoti tha: "Ja, unë po vendos një plumbçe në mes të popullit tim të Izraelit; nuk do ta fal më gjatë.

Vendet e larta të Isakut do të prishen dhe shenjtëroret e Izraelit do të shkatërrohen; unë do të ngrihem me shpatë kundër shtëpisë së Jeroboamit".

10 Atëherë Amatsiahu, prifti i Bethelit, i çoi fjalë Jeroboamit, mbretit të Izraelit: "Amosi komploton kundër teje në mes të shtëpisë së Izraelit; vendi nuk është në gjendje të durojë tërë fjalët e tij.

11 Në fakt Amosi ka thënë kështu: "Jeroboami do të vdesë nga shpata dhe Izraeli do të internohet me siguri larg vendit të tij"".

12 Amatsiahu i tha Amosit: "Shikues, shko, ik në vendin e Judës; atje ke për të ngrënë bukë dhe atje do të profetizosh;

13 por mos profetizo më në Bethel, sepse është shenjtërorja e mbretit dhe selia mbretërore".

14 Atëherë Amosi u përgjigj dhe i tha Amatsiahut: "Unë nuk isha profet as bir profeti, por isha bari dhe rrisja fiq egjipti.

15 Zoti më mori pas kopesë dhe Zoti më tha: "Shko, profetizoi popullit tim të Izraelit".

16 Prandaj tani dëgjo fjalën e Zotit: Ti po thua: "Mos profetizo kundër Izraelit dhe mos fol më kundër shtëpisë së Isakut".

17 Prandaj kështu flet Zoti: "Gruaja jote do të kurvërohet në qytet, bijtë dhe bijat e tu do të vriten nga shpata dhe vendi yt do të ndahet me litar; ti do të vdesësh në tokë të papastër dhe Izraeli patjetër do të internohet larg vendit të tij"".

Luka 2

Tani, në atë ditë u shpall një dekret nga ana e Cezar Augustit, për të kryer regjistrimin e popullsisë të gjithë perandorisë.

Ky regjistrim qe i pari që u krye kur Kuirini ishte guvernatori i Sirisë.

Dhe të gjithë shkonin të regjistroheshin, secili në qytetin e vet.

Tani edhe Jozefi doli nga qyteti i Nazaretit të Galilesë, për të shkuar në Jude, në qytetin e Davidit, që quhet Bethlehem, sepse ai ishte i shtëpisë dhe i familjes së Davidit,

për t’u regjistruar bashkë me Marinë, gruan e vet, me të cilën ishte martuar dhe që ishte shtatzënë.

Kështu, ndërsa ishin atje, asaj i erdhi koha të lindë.

Dhe ajo lindi djalin e saj të parëlindur, e mbështolli me pelena dhe e vendosi në një grazhd, sepse në han nuk kishte vend për ta.

Tani në po atë krahinë ishin disa barinj që rrinin jashtë, në fusha, dhe natën ruanin kopenë e tyre.

Dhe ja, një engjëll i Zotit iu paraqit atyre dhe lavdia e Zotit shkëlqeu rreth tyre e ata i zuri një frikë e madhe.

10 Por engjëlli u tha atyre: “Mos druani, sepse unë po ju lajmëroj një gëzim të madh për të gjithë popullin;

11 sepse sot në qytetin e Davidit lindi për ju një Shpëtimtar, që është Krishti, Zoti.

12 Dhe kjo do t’ju vlejë si shenjë: ju do të gjeni një fëmijë të mbështjellur me pelena, të shtrirë në një grazhd.”

13 Dhe menjëherë engjëllit iu bashkua një shumicë e ushtrisë qiellore, që lëvdonte Perëndinë, duke thënë:

14 “Lavdi Perëndisë në vendet më të larta, dhe paqe mbi tokë njerëzve mbi të cilët qëndron mirëdashja e tij!.”

15 Dhe ndodhi që, kur engjëjt u larguan prej tyre për t’u kthyer në qiell, barinjtë i thanë njeri tjetrit: “Le të shkojmë deri në Bethlehem për të parë ç’ka ndodhur dhe ç’na bëri të ditur Zoti.”

16 Shkuan, pra, me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin dhe fëmijën që ndodhej në një grazhd.

17 Mbasi e panë, përhapën ato që u ishte thënë për atë fëmijë.

18 Dhe të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga gjërat që u treguan barinjtë.

19 Maria i ruante të gjitha këto fjalë, duke i medituar në zemrën e saj.

20 Dhe barinjtë u kthyen, duke përlëvduar dhe lavdëruar Perëndinë për të gjitha gjërat që kishin dëgjuar dhe parë, ashtu si u ishte thënë atyre.

21 Dhe kur kaluan të tetë ditët, pas të cilave ai duhej rrethprerë, ia vunë emrin Jezus, emër të dhënë nga engjëlli para se ai të ngjizej në bark.

22 Kur pastaj ishin plotësuar ditët e pastrimit të saj sipas ligjit të Moisiut, e çuan fëmijën në Jeruzalem për t’ia paraqitur Zotit,

23 ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit: “Çdo mashkull i parëlindur do të jetë thirrur shenjt për Zotin,”

24 dhe për të ofruar flijim, siç është thënë në ligjin e Zotit, një çift turtujsh ose dy pëllumbash të rinj.

25 Dhe ja, në Jeruzalem ishte një njeri që quhej Simeon; Ky njeri ishte i drejtë dhe i përshpirtshëm dhe priste ngushëllimin e Izraelit; dhe Fryma e Shenjtë ishte mbi të.

26 Dhe në mënyrë hyjnore atij i qe zbuluar nga Fryma e Shenjtë se nuk do të vdiste para se të kishte parë Krishtin e Zotit.

27 Ai pra, i shtyrë nga Fryma, erdhi në tempull; dhe, si prindërit i prunë fëmijën Jezus për të bërë me të ato që përshkruan ligji,

28 ai e mori në krah e bekoi Perëndinë duke thënë:

29 “Tani, o Zot, lejo që shërbëtori yt të vdesë në paqe, sipas fjalës sate,

30 sepse sytë e mi e panë shpëtimin tënd

31 që ti e përgatite përpara gjithë popujve:

32 dritën për të ndriçuar kombet dhe lavdinë e popullit tënd, Izraelit.”

33 Dhe Jozefi e nëna e fëmijës mrrekulloheshin për gjërat që thuheshin për të.

34 Pastaj Simeoni i bekoi dhe i tha Marisë, nënës së tij: “Ja, ky është vënë për rënien dhe për ngritjen e shumë vetave në Izrael dhe për të qenë shenjë kundërshtimesh,

35 edhe ty vetë një shpatë do të ta tejshpojë shpirtin, që të zbulohen mendimet e shumë zemrave.”

36 Aty ishte edhe Ana, një profeteshë, bija e Fanuelit, nga fisit i Aserit, e cila ishte shumë e kaluar në moshë, që kishte jetuar mbas virgjërisë së saj shtatë vjet me burrin.

37 Ajo ishte e ve dhe, megjithse ishte tetëdhjetë e katër vjeçe, nuk largohej kurrë nga tempulli duke i shërbyer Perëndisë natë e ditë me agjërime dhe lutje.

38 Edhe ajo erdhi në atë moment, lavdëroi Zotin dhe u fliste për këtë fëmijë të gjithë atyre që prisnin çlirimin në Jeruzalem.

39 Dhe mbasi i kryen të gjitha ato që i takonin sipas ligjit të Zotit, u kthyen në Galile, në qytetin e tyre, Nazaret.

40 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë, duke qenë plot dituri; dhe hiri i Perëndisë ishte mbi të.

41 Tani prindërit e tij shkonin çdo vit në Jeruzalem për festën e Pashkës.

42 Dhe, kur ai i mbushi dymbëdhjetë vjeç, ata u ngjitën në Jeruzalem, sipas zakonit të festës.

43 Dhe si u përmbushën ato ditë, kur ata u kthyen, fëmija Jezus ndënji në Jeruzalem; por Jozefi dhe e ëma e tij nuk e dinin.

44 Duke menduar se ai ishte në shoqëri, ata bënë një ditë rrugë, pastaj filluan ta kërkojnë midis farefisit dhe të njohurve;

45 dhe, duke qenë se nuk e gjetën, u kthyen në Jeruzalem për ta kërkuar.

46 Dhe ndodhi që, pas tri ditësh, e gjetën në tempull, të ulur në mes të dijetarëve, duke i dëgjuar dhe duke u bërë atyre pyetje.

47 Dhe të gjithë ata që e dëgjonin, habiteshin nga zgjuarësia e tij dhe nga përgjigjet e tij.

48 Dhe, kur ata e panë, mbetën të habitur, dhe e ëma i tha: “Bir, pse na e bëre këtë? Ja, yt atë dhe unë, në ankth, po të kërkonim!.”

49 Por ai u tha atyre: “Përse më kërkonit? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?.”

50 Por ata nuk i kuptuan fjalët që ai u tha atyre.

51 Dhe ai zbriti bashkë me ta, u kthye në Nazaret dhe i bindej atyre. E ëma i ruante të gjitha këto fjalë në zemrën e saj.

52 Dhe Jezusi rritej në dituri, në shtat dhe në hir përpara Perëndisë dhe njerëzve.