M’Cheyne Bible Reading Plan
9 Kështu tërë Izraelitët u regjistruan sipas gjenealogjive dhe u shkruan në librin e mbretërve të Izraelit. Por Juda u internua në Babiloni për shkak të mosbesnikërisë së tij.
2 Tani banorët e parë që u vendosën rishtas në pronat e tyre, në qytetet e tyre, ishin Izraelitët, priftërinj, Levitë dhe Nethinej.
3 Në Jeruzalem u vendosën disa nga bijtë e Judës, nga bijtë e Beniaminit dhe nga bijtë e Efraimit dhe të Manasit:
4 Uthai, bir i Amihudit, bir i Omrit, bir i Imrit, bir i Banit nga pasardhësit e Peretsit, birit të Judës.
5 Nga Shilonitët: Asajahu, djali i parë dhe bijtë e tij.
6 Nga bijtë e Zerahut: Jeueli dhe vëllezërit e tij, gjithsej gjashtëqind e nëntëdhjetë veta.
7 Nga bijtë e Beniaminit: Salu, bir i Meshulamit, birit të Hodavias, birit të Hasenahit;
8 Ibnejahu, bir i Jerohamit, Elahu, bir i Uzit, birit të Mikrit, dhe Meshulami, bir i Shefatiahut, birit të Reuelit, që ishte bir i Ibnijahut;
9 vëllezërit e tyre, sipas brezave të tyre, ishin nëntëqind e pesëdhjetë e gjashtë veta. Tërë këta ishin të parë të një shtëpie atërore në shtëpitë e tyre atërore.
10 Nga priftërinjtë: Jedajahu, Jehojaribi dhe Jakini,
11 Azariahu, bir i Hilkiahut, bir i Meshullamit, bir i Tsadokut, bir i Merajothit, bir i Ahitubit, që ishte oficer në krye të shtëpisë së Perëndisë,
12 Adajahu, bir i Jerohamit, bir i Pashurit, bir i Malkijahut; Maasi, bir i Adielit, bir i Jahzerahut, bir i Meshulamit, bir i Meshillemithit, bir i Imerit;
13 dhe vëllezërit e tyre të parë të shtëpive të tyre atërore, një mijë e shtatëqind e gjashtëdhjetë veta, njerëz shumë të shkathët në shërbim të shtëpisë së Perëndisë.
14 Nga Levitët: Shemajahu, bir i Hasshubit, bir i Azrikamit, bir i Hashabiahut, të bijve të Merarit;
15 Bakbakari, Hereshi, Galali, Mataniahu, bir i Mikahut, bir i Zikrit, bir i Asafit;
16 Obadiahu, bir i Shemajahut, bir i Galalit, bir i Jeduthunit; Berakiahu, bir i Asas, bir i Elkanahut, që banonte në fshatrat e Netofathitëve.
17 Derëtarët ishin Shallumi, Akubi, Talmoni, Ahimani dhe vëllezërit e tyre; Shalumi ishte i pari i tyre.
18 Ata kanë mbetur deri tani derëtarë të kampit të bijve të Levit në portën e mbretit, në drejtim të lindjes.
19 Shalumi, bir i Koreut, bir i Ebiasafit, bir i Korahut, dhe vëllezërit e tij, Korahitët, nga shtëpia e atit të tij, ishin të ngarkuar me punën e shërbimit, si derëtarë të tabernakullit; etërit e tyre ishin caktuar në kampin e Zotit si derëtarë.
20 Finehasi, bir i Eleazarit, kishte qenë në të kaluarën i pari i tyre; dhe Zotit ishte me të.
21 Zakaria, bir i Meshelemiahut, ishte derëtar në hyrjen e çadrës së mbledhjeve.
22 Tërë ata që u zgjodhën si derëtarë ishin dyqind e dymbëdhjetë veta; ata ishin të regjistruar sipas gjenealogjive në fshatrat e tyre. Davidin dhe Samuelin shikuesi i kishte vendosur në zyrën e tyre.
23 Ata dhe bijtë e tyre mbanin përgjegjësinë e ruajtjes së portave të shtëpisë së Zotit, domethënë të shtëpisë së tabernakullit, si derëtarë.
24 Kishte derëtarë në të katër pikat e horizontit: në lindje, në perëndim, në veri dhe në jug.
25 Vëllezërit e tyre, që banonin në fshatrat e tyre, duhet të vinin herë pas here për të qëndruar me ta shtatë ditë,
26 sepse katër derëtarët kryesorë, që ishin Levitë, ishin gjithnjë në detyrë. Ata merreshin gjithashtu me mbikqyrjen e dhomave dhe të thesarëve të shtëpisë së Perëndisë;
27 banonin në afërsitë e shtëpisë së Perëndisë, sepse atyre u ishte besuar ruajtja e saj, si dhe hapja e saj çdo mëngjes.
28 Disa prej tyre ishin përgjegjës për objektet që përdoreshin në shërbimin e tempullit, dhe ata i numëronin kur i çonin brenda dhe kur i çonin jashtë.
29 Të tjerë përkundrazi ishin ngarkuar me ruajtjen e mobiljeve, të gjithë veglave, të majës së miellit, të verës, të vajit, të temjanit dhe të aromave.
30 Disa bij të priftërinjve përgatisnin melhemin e aromave.
31 Matithiahu, një prej Levitëve, i parëlinduri i Shalumit, Korahiti, ishte përgjegjës për gjërat që gatuheshin në tigane.
32 Disa nga vëllezërit e tyre midis Kehathitëve ishin të ngarkuar përkundrazi të përgatisnin çdo të shtunë bukët e paraqitjes.
33 Këta ishin këngëtarë, të parë të shtëpive atërore të Levitëve, që banonin në dhomat e tempullit; ata ishin të përjashtuar nga çdo shërbim tjetër, sepse ishin të zënë ditë e natë me punën e tyre.
34 Këta ishin të parët e shtëpive atërore të Levitëve, të parë sipas brezave të tyre; ata banonin në Jeruzalem.
35 Në Gabaon banonin Jejeli, ati i Gabaonit, gruaja e të cilit quhej Maakah.
36 I parëlinduri i tij ishte Abdoni, pastaj erdhën Tsuri, Kishi, Baali, Neri, Nadabi,
37 Gedori, Ahio, Zakaria dhe Miklothi.
38 Miklothit i lindi Shimeami. Edhe këta banonin përballë vëllezërve të tyre në Jeruzalem së bashku me vëllezërit e tyre.
39 Nerit i lindi Kishi, Kishit i lindi Sauli dhe Saulit i lindën Jonathani, Malkishua, Abinadabi dhe Eshbaali.
40 Biri i Jonathanit ishte Merib-Baali dhe Merib-Baalit i lindi Mikahu.
41 Bijtë e Mikahut ishin Pitoni, Meleku, Tahrea dhe Ashazi.
42 Ashazit i lindi Jarahu; Jarahut i lindën Alemethi, Azmavethi dhe Zimri, Zimrit i lindi Motsa.
43 Motsas i lindi Binea, bir i të cilit ishte Refaihu, bir i të cilit ishte Eleasahu, bir i të cilit ishte Atseli.
44 Atseli pati gjashtë djem, dhe këta ishin emrat e tyre: Azriksani, Bokeru, Ismaeli, Sheariahu, Obadiahu dhe Hanani. Këta qenë bijtë e Atselit.
10 Filistejtë luftuan kundër Izraelit dhe Izraelitët ikën me vrap para Filistejve dhe ranë të vrarë në malin Gilboa.
2 Filistejtë ndoqën nga afër Saulin dhe bijtë e tij dhe vranë Jonathanin, Abinadabin dhe Malkishuan, bij të Saulit.
3 Beteja u bë e ashpër kundër Saulit, harkëtarët e goditën dhe ai u plagos rëndë.
4 Atëherë Sauli i tha shqyrtarit të tij: "Nxirr shpatën tënde dhe më shpo me atë, që këta të parrethprerë të mos vijnë e të tallen me mua". Por shqyrtari i tij nuk deshi ta bënte, sepse ishte trembur shumë. Atëherë Sauli mori shpatën dhe u hodh mbi të.
5 Kur shqyrtari e tij pa që Sauli kishte vdekur, edhe ai u hodh mbi shpatën e tij dhe vdiq.
6 Kështu vdiq Sauli me tre bijtë e tij; tërë shtëpia e tij u shua tok.
7 Kur të gjithë Izraelitët që banonin në këtë luginë panë që të tyret kishin ikur dhe që Sauli dhe bijtë e tij kishin vdekur, ata braktisën qytetet e tyre dhe ikën me vrap. Atëherë erdhën Filistejtë dhe u vendosën në vendin e tyre.
8 Të nesërmen Filistejtë erdhën për të zhveshur të vrarët dhe gjetën Saulin dhe bijtë e tij të rënë mbi malin Gilboa.
9 E zhveshën Saulin, i morën kokën dhe armaturën dhe çuan lajmëtarë në të gjithë vendin e Filistejve për të njoftuar lajmin në tempullin e idhujve të tyre dhe gjithë popullit.
10 E vendosën pastaj armaturën e tij në tempullin e perëndive të tyre dhe gozhduan kokën e tij në tempullin e Dagonit.
11 Kur tërë banorët e Jabeshit të Galaadit mësuan tërë atë që Filistejtë i kishin bërë Saulit,
12 tërë njerëzit trima u ngritën më këmbë, morën kufomën e Saulit dhe kufomat e bijve të tij dhe i çuan në Jabesh; pastaj i varrosën kockat e tyre nën brukën e Jabeshit dhe agjeruan shtatë ditë.
13 Kështu Sauli vdiq për shkak, të mosbensikërisë së tij ndaj Zotit, sepse nuk kishte respektuar fjalën e Zotit dhe njëkohësisht kishte konsultuar një medium për të marrë këshilla prej saj,
14 dhe nuk ishte këshilluar përkundrazi me Zotin. Prandaj Zoti e bëri të vdesë dhe ia kaloi mbretërinë Davidit, birit të Isait.
12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,
2 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.
3 Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.
4 Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit,
5 dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: “Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton,
6 sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen.”
7 Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?
8 Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij.
9 Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?
10 Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.
11 Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.
12 Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur,
13 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.
14 Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë,
15 duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz;
16 se mos ndodhet ndonjë kurvar ose profan, si Esau, i cili për një gjellë shiti të drejtën e tij të parëbirnisë.
17 Sepse e dini se, më pas, kur ai deshi të trashëgojë bekimin, iu refuzua, ndonëse e kërkoi me lot, sepse nuk gjeti vend pendimi.
18 Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,
19 as zërit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë,
20 sepse nuk mund të duronin urdhërin: “Në se edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë ose me shigjeta”;
21 dhe aq e llahtarshme ishte pamja, sa Moisiu tha: “Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri.”
22 Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve,
23 kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,
24 dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.
25 Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,
26 zëri i të cilit e drodhi atëherë dheun, por tashti bëri këtë premtim, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin.”
27 Dhe kjo fjalë "edhe një herë" tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.
28 Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë,
29 sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.
6 Mjerë ata që jetojnë në bollëk në Sion dhe që e ndjejnë veten të sigurt në malin e Samarias, njerëz të parisë të ballit të kombeve, ku po shkon shtëpia e Izraelit.
2 Kaloni në Kalneh dhe shikoni, që andej shkoni në Hamathin e madh, pastaj zbrisni në Gathin e Filistejve. A janë vallë ato më të mira nga këto mbretëri ose territori i tyre është më i madh nga ai juaji?
3 Ju doni të largoni ditën e keqe, por e afroni selinë e dhunës.
4 Mjerë ata që rrinë shtrirë mbi shtretër prej fildishi, që shtrihen mbi divanet e tyre dhe hanë qengjat e kopesë dhe viçat që merren nga stalla.
5 Këndojnë me tingullin e harpës dhe ashtu si Davidi shpikin për vete vegla muzikore;
6 pinë verë në kupa të gjëra dhe lyhen me vajrat më të mira, por nuk trishtohen për shkatërrimin e Jozefit.
7 Prandaj do të shkojnë në robëri në krye të të internuarve dhe ata që shtrihen mbi divanet në banketet do të hiqen.
8 Zoti, Zoti, është betuar për veten e tij, thotë Zoti, Perëndia i ushtrive: "Unë nuk e shoh dot me sy madhështinë e Jakobit dhe i urrej pallatet e tij; prandaj do t’ia jap armikut në dorë qytetin me tërë ato që përmban".
9 Dhe do të ndodhë që, po të lënë dhjetë burra në një shtëpi, do të vdesin edhe ata.
10 Kur një i afërt do të vijë me atë që djeg kufomat për t’i marrë trupat dhe për t’i nxjerrë jashtë shtëpisë, do t’i thotë atij që ndodhet brenda në shtëpi: "A ka të tjerë me ty?". Tjetri do të përgjigjet: "Jo". Dhe i pari do të thotë: "Hesht, sepse nuk duhet të përmendet emri i Zotit".
11 Sepse ja, Zoti urdhëron dhe e katandis shtëpinë e madhe në bajgë dhe të voglën në copëza.
12 Vallë, a rendin kuajt mbi shkëmbinjtë ose a lërohen ata me qe? Por ju e ktheni të drejtën në helm dhe frytin e drejtësisë në hidhërim,
13 ju, që gëzoheni për Lo-debarin, ju që thoni: "A nuk e kemi marrë për vete Karnaimin me forcën tonë?".
14 "Sepse ja, o shtëpia e Izraelit," thotë Zoti, Perëndia i ushtrive, "unë do të ngre kundër jush një komb, që do t’ju shtypë nga hyrja e Hamathit deri të përroi i Arabahut".
39 Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,
40 dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.
41 Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,
42 dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.
43 Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?
44 Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.
45 Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!.”
46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,
48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,
49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!
50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.
51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;
52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;
53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.
54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,
55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”
56 Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.
58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.
59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t’ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;
60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.”
61 Dhe ata i thanë: “S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.”
62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t’i quhej.
63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon.” Dhe të gjithë u mrrekulluan.
64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.
66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?.” Dhe dora e Zotit ishte me të.
67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:
68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;
69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë
71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,
73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,
74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,
77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;
78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,
79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”
80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit.