M’Cheyne Bible Reading Plan
22 Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbajti fronin e tij tridhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jedidah, ishte e bija e Adajahut nga Botskathi.
2 Ai bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit dhe vazhdoi tërësisht rrugën e Davidit, atit të tij, duke mos devijuar as më të djathtë as më të majtë.
3 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretit Josia, mbreti dërgoi në shtëpinë e Zotit Shafanin, sekretarin, birin e Atsaliahut, që ishte bir i Meshulamit, duke thënë:
4 "Shko te kryeprifti Hilkiah dhe i thuaj që të mbledhë paratë që kanë sjellë në shtëpinë e Zotit dhe ato që derëtarët kanë mbedhur nga populli.
5 T’u jepet në dorë atyre që kryejnë punën, që u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit; dhe këta t’ua japin punëtorëve që ndodhen në shtëpinë e Zotit për të meremetuar dëmtimet e tempullit;
6 marangozave, ndërtuesve dhe muratorëve, për të blerë lëndën e drurit dhe gurë të latuar, të cilat nevojiten për të ndrequr tempullin.
7 Por mos kërkoni fare llogari për paratë e dorëzuara në duart e tyre, sepse ata veprojnë me ndershmëri".
8 Atëherë kryeprifti Hilkiah i tha Shafanit, sekretarit: "Gjeta në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Hilkiahu ia dha pastaj librin Shafanit që e lexoi.
9 Kështu Shafani, sekretari, shkoi te mbreti për t’i njoftuar ngjarjen, duke i thënë: "Shërbëtorët e tu kanë mbledhur paratë e gjetura në tempull dhe i kanë dorëzuar në duart e atyre që bëjnë punën, të cilëve u është besuar mbikqyrja e shtëpisë të Zotit".
10 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më ka dhënë një libër". Dhe Shafani e lexoi në prani të mbretit.
11 Kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e tij.
12 Pastaj mbreti urdhëroi priftin Hilkiah, Ahikamin, birin e Shafanit, Agborin, birin e Mikajahut, Shafanin, sekretarin, dhe Asajahun, shërbëtorin e mbretit:
13 "Shkoni dhe konsultohuni me Zotin për mua për popullin dhe për tërë Judën, lidhur me fjalët e këtij libri që u gjet; sepse i madh është zemërimi i Zotit kundër nesh, sepse etërit tanë nuk iu bindën fjalëve të këtij libri dhe nuk kanë vepruar në përshtatje me të gjitha ato që janë shkruar për ne".
14 Atëherë prifti Hilkiah, Ahikami, Akbori, Shafani dhe Asajahu shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shalumit të Tikvahut, që ishte i biri i Harahsit, ruajtësit të rrobave, (ajo banonte në Jeruzalem, në lagjen e dytë) dhe folën me të.
15 Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: njoftojani atij që ju dërgoi tek unë:
16 "Kështu thotë Zoti: Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, tërë fjalët e librit që mbreti i Judës ka lexuar,
17 sepse ata më kanë braktisur dhe u kanë djegur temjan perëndive të tjera për të më zemëruar me të gjitha veprat e duarve të tyre. Prandaj zemërimi im u ndez kundër këtij vendi dhe nuk do të shuhet".
18 Por mbretit të Judës, që ju ka dërguar për t’u konsultuar me Zotin, do t’i thoni kështu: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ti ke dëgjuar,
19 sepse zemra jote u mallëngjye dhe ti u përule përpara Zotit kur dëgjove atë që kam thënë kundër këtij vendi dhe banorëve të tij, që do të bëheshin një dëshpërim dhe një mallkim, dhe grise rrobat dhe qave përpara meje, edhe unë të dëgjova," tha Zoti.
20 "Prandaj, ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu dhe ty do të të vendosin në paqe në varrin tënd; dhe sytë e tu nuk kanë për të parë tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi"". Dhe ata ia njoftuan mbretit këtë mesazh.
4 Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.
2 Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.
3 Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time,” ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.
4 Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”;
5 dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time.”
6 Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,
7 ai cakton përsëri një ditë: "Sot," duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”
8 Sepse, në qoftë se Jozueu do t’u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.
9 Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.
10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.
11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.
12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.
13 Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.
14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.
15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.
16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.
1 Fjala e Zotit që iu drejtua Joelit, birit të Pethuelit.
2 Dëgjoni këtë, o pleq, dëgjoni, ju të gjithë banorë të vendit. A ka ndodhur vallë një gjë e tillë në ditët tuaja apo në ditët e etërve tuaj?
3 Tregouani bijve tuaj, dhe bijtë tuaj bijve të tyre, dhe bijtë e tyre brezit tjetër.
4 Atë që la krimbi e hëngri karkaleci, atë që la karkaleci e hëngri larva e karkalecit, atë që la larva e hëngri bulkthi.
5 Zgjohuni, o të dehur, dhe qani; vajtoni ju të gjithë, që pini verë, për mushtin që ju hoqën nga goja.
6 Sepse një komb i fortë dhe i panumërt ka dalë kundër vendit tim. Dhëmbët e tij janë dhëmbë luani, dhe ka stërdhëmbë luaneshe.
7 Ka shkatërruar hardhinë time, e ka bërë copë-copë fikun tim, ia ka hequr lëvoren krejt dhe e ka hedhur tutje; degët e tij kanë mbetur të bardha.
8 Vajto si një virgjëreshë e veshur me thes për dhëndrrin e rinisë së saj.
9 Nga shtëpia e Zotit janë zhdukur ofertat e ushqimit dhe libacionet; priftërinjtë, ministrat e Zotit, pikëllohen.
10 Fusha është shkretuar, vendi është në zi, sepse gruri u prish, mushti u tha dhe vaji humbi.
11 Pikëllohuni, o bujq, vajtoni, o vreshtarë, për grurin dhe për elbin, sepse të korrat e arave humbën.
12 Hardhia u tha, fiku u tha, shega, hurma, molla dhe tërë drurët e fushës u thanë; nuk ka gëzim midis bijve të njerëzve.
13 Ngjeshuni me thes dhe mbani zi, o priftërinj, vajtoni, ministra të altarit. Ejani, rrini tërë natën të veshur me thasë, o ministra të Perëndisë tim, sepse oferta e ushqimit dhe libacioni u zhduk nga shtëpia e Perëndisë tuaj.
14 Shpallni agjërim, thërrisni një kuvend solemn. Mblidhni pleqtë dhe tërë banorët e vendit në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe i klithni Zotit.
15 Mjerë ajo ditë! Sepse dita e Zotit është e afërt; po, do të vijë si një shkatërrim nga i Plotfuqishmi.
16 A nuk u hoq vallë ushqimi para syve tona, dhe gëzimi dhe hareja nga shtëpia e Perëndisë tonë?
17 Farërat po thahen nën plisa, depot janë katandisur të shkreta, hambaret e grurit po rrënohen, sepse gruri u tha.
18 Sa vuajnë kafshët! Kopetë e gjedhëve sillen më kot, sepse nuk ka kullotë për ta; lëngojnë edhe kopetë e deleve.
19 Te ty, o Zot, unë këlthas, sepse një zjarr ka gllabëruar të gjitha tokat për kullotë dhe një flakë ka djegur të gjithë drurët e fushës.
20 Edhe kafshët e fushave i ngrenë sytë drejt teje, sepse rrjedhjat e ujit janë tharë dhe zjarri ka gllabëruar tokat për kullotë.
140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,
2 që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.
3 Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)
4 Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.
5 Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)
6 Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.
7 O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.
8 O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)
9 Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.
10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.
11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".
12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.
13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.
141 O Zot, unë të këlthas ty; nxito të më përgjigjesh. Vëri veshin zërit tim, kur të këlthas ty.
2 Le të arrijë lutja ime para teje si temjani, ngritja e duarve të mia si flijimi i mbrëmjes.
3 O Zot, vër një roje para gojës sime.
4 Mos lejo që zemra ime të priret nga asgjë e keqe dhe kështu të kryejë veprime të këqija bashkë me ata që bëjnë paudhësi; dhe bëj që unë të mos ha ushqimet e tyre të shijshme.
5 Le të më rrahë madje i drejti, do të jetë një mirësjellje nga ana e tij; le të më qortojë ai, do të jetë si vaji mbi kokë; koka ime nuk ka për ta refuzuar. Por lutja ime vazhdon të jetë kundër veprimeve të tyre të këqija.
6 Princat e tyre i hodhën nga skërkat dhe ata do t’i dëgjojnë fjalët e mia, sepse ato janë të këndshme.
7 Ashtu si ai që lëron dhe çan tokën, kështu kockat tona janë të përhapura në hyrje të Sheolit.
8 Por sytë e mia janë drejtuar te ti, o Zot, Zoti im; unë strehohem te ti, mos më lër të pambrojtur.
9 Më ruaj nga laku që më kanë përgatitur dhe nga kurthet e njerëzve që kryejnë paudhësi.
10 Të pabesët rënçin vetë në rrjetat e tyre, ndërsa unë do të kaloj tutje.