M’Cheyne Bible Reading Plan
36 Atëherë populli i vendit mori Jehoahazin, birin e Josias, dhe e bëri mbret në Jeruzalem në vend të atit të tij.
2 Jehoahazi ishte njëzet e tre vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem.
3 Mbreti i Egjiptit e hoqi nga froni në Jeruzalem dhe i vuri vendit një gjobë njëqind talentash argjendi dhe një talent ari.
4 Pastaj mbreti i Egjiptit bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit vëllanë e tij Eliakimin, të cilit ia ndërroi emrin dhe e quajti Jehojakim. Neko përkundrazi mori vëllanë e tij Jehoahaz dhe e çoi në Egjipt.
5 Jehojakimi ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.
6 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, doli kundër tij dhe e lidhi me zinxhira prej bronzi për ta çuar në Babiloni.
7 Nebukadnetsari çoi gjithashtu në Babiloni një pjesë të sendeve të shtëpisë të Zotit dhe i vuri në pallatin e tij në Babiloni.
8 Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit, gjërat e neveritshme që kreu dhe të gjitha ato që u gjetën kundër tij, ja, janë të shkruara në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës. në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.
9 Jehojakini ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj dhe dhjetë ditë në Jeruzalem. Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.
10 Në fillim të vitit të ri mbreti Nebukadnetsar dërgoi ta marrë dhe e çoi në Babiloni me gjërat e çmuara të shtëpisë të Zotit. Pastaj bëri mbret të Judës dhe të Jeruzalemit Sedekian, vëllanë e Jehojakinit.
11 Sedekia ishte njëzet vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.
12 Edhe ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, Perëndisë të tij, dhe nuk u përul përpara profetit Jeremia, që fliste nga ana e Zotit.
13 Ai ngriti krye gjithashtu kundër mbretit Nebukadnetsar, që e kishte vënë të betohej në emër të Perësndisë por ai e mpiu zverkun e tij dhe ngurtësoi zemrën e tij, duke mos pranuar të kthehej tek Zoti, Perëndia i Izraelit.
14 Edhe tërë krerët e priftërinjve dhe populli mëkatuan gjithnjë e më tepër duke ndjekur të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve dhe e ndotën shtëpinë se Zotit, që ai u kishte shenjtëruar në Jeruzalem.
15 Zoti, Perëndia i etërve të tyre, u dërgoi atyre, që në fillim dhe me këmbëngulje, paralajmërime me anë të lajmëtarëve të tij, sepse donte ta shpëtonte popullin e tij dhe banesën e tij.
16 Por ata u tallën me lajmëtarët e Perëndisë, përçmuan fjalët e tij dhe vunë në lojë profetët e tij, deri sa zemërimi i Zotit kundër popullit të tij arriti një pikë në të cilën nuk kishte rrugëdalje.
17 Atëherë ai bëri që të dalin kundër tyre mbreti i Kaldeasve, që vrau me shpatë të rinjtë e tyre në shtëpinë e shenjtërores së tyre, pa pasur mëshirë për të riun, për virgjireshën, për plakun ose për flokëthinjurin. Zoti i dha të gjithë në duart e tij.
18 Nebukadnetsari solli në Babiloni të gjitha sendet e shtëpisë së Perëndisë, të mëdha ose të vogla, thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e mbretit dhe të parisë së tij.
19 Pastaj i vunë zjarrin shtëpisë të Perëndisë, rrëzuan muret e Jeruzalemit, u vunë flakën të gjitha pallateve të tij dhe shkatërruan të gjitha sendet me vlerë.
20 Përveç kësaj Nebukadnetsari internoi në Babiloni ata që i kishin shpëtuar shpatës; këta u bënë shërbëtorë të tij dhe të bijve të tij deri në ardhjen e mbretërisë së Persisë,
21 që kështu të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, deri sa vendi të kremtonte të shtunat e tij. Në fakt ai kremtoi të shtunën për gjithë kohën e shkretimit të tij deri sa u mbushën të shtatëdhjetë vjetët.
22 Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, me qëllim që të realizohej fjala e Zotit që u shqiptua nga goja e Jeremias, Zoti e nxiti frymën e Kirit, mbret të Persisë, që të nxirrte një dekret për gjithë mbretërinë e tij dhe ta jepte me të shkruar, duke thënë:
23 "Kështu thotë Kiri, mbret i Persisë: Zoti, Perëndia i qiejve, më ka dhënë tërë mbretëritë e dheut. Ai më ka urdhëruar t’i ndërtoj një shtëpi në Jeruzalem, që është në Judë. Kush nga ju i përket popullit të tij? Zoti, Perëndia i tij, qoftë me të dhe le të niset!".
22 Dhe më tregoi lumin e pastër të ujit të jetës, te kthjellët si kristali, që dilte nga froni i Perëndisë dhe i Qengjit.
2 Në mes të sheshit të qytetit, këtej e andej lumit, ishte druri i jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe që nxjerr frutin e saj në çdo muaj; dhe gjethet e drurit janë për shërim të kombeve.
3 Dhe asnjë mallkim nuk do të ketë më; dhe në të do të jetë froni i Perëndisë dhe i Qengjit, dhe shërbëtorët e tij do t’i shërbejnë;
4 ata do të shohin fytyrën e tij; dhe emri i tij do të jetë mbi ballin e tyre.
5 Dhe atje natë nuk do të ketë; edhe nuk kanë nevojë për llambë, as për dritë dielli, sepse Zoti Perëndi i ndriçon; dhe ata do të mbretërojnë në shekuj të shekujve.
6 Dhe më tha: “Këto fjalë janë besnike dhe të vërteta; dhe Zoti, Perëndi i profetëve të shenjtë, dërgoi engjëllin e tij, për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti.
7 Ja, unë vij shpejt; lum ai që i ruan fjalët e profecisë së këtij libri.”
8 Dhe unë, Gjoni, jam ai që kam parë dhe dëgjuar këto gjëra; dhe kur dëgjova dhe pashë, rashë për ta adhuruar përpara këmbëve të engjëllit që m’i tregonte këto gjëra.
9 Dhe ai më tha: “Ruaju se e bën! Sepse unë jam bashkëshërbëtori yt dhe i vëllezërve të tu, profetë, dhe të atyre që i ruajnë fjalët e këtij libri. Adhuro Perëndinë!.”
10 Pastaj më tha: “Mos i vulos fjalët e profecisë së këtij libri, sepse koha është afër.
11 Kush është i padrejtë, le të vazhdojë të jetë i padrejtë, kush është i ndyrë le të vazhdojë të jetë i ndyrë, kush është i drejtë le të vazhdojë të praktikojë drejtësinë, dhe kush është i shenjtë le të vazhdojë të shenjtërohet.
12 Dhe ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im është me mua, për t’i dhënë gjithsecilit sipas veprave që ai ka bërë.
13 Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi, i pari dhe i fundit.”
14 Lum ata që i kryejnë urdhërimet e tij, që të kenë të drejtën për drurin e jetës dhe për të hyrë në portat e qytetit.
15 Jashtë janë qentë, magjistarët, kurvarët, vrasësit, idhujtarët dhe kushdo që do dhe zbaton gënjeshtrën.
16 “Unë, Jezusi, dërgova engjëllin tim për t’ju dëshmuar për këto gjëra nëpër kisha. Unë jam Rrënja dhe pasardhja e Davidit, ylli i ndritshëm i mëngjesit.”
17 Dhe Fryma dhe nusja thonë: “Eja!.” Dhe ai që dëgjon le të thotë: “Eja!.” Dhe ai që ka etje, le të vijë; dhe ai që do, le të marrë si dhuratë ujin e jetës.
18 Unë i deklaroj kujtdo që dëgjon fjalët e profecisë së këtij libri, se nëse ndokush do t’i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të dërgojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër.
19 Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t’i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër.
20 Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: “Po, unë vij shpejt. Amen.” Po, eja, Zoti Jezus.
21 Hiri i Zotit Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.
4 "Sepse ja, dita po vjen, e zjarrtë si një furrë; dhe të gjithë ata që veprojnë me pabesi do të jenë si kallamishtet; dita që po vjen do t’i djegë," thotë Zoti i ushtrive, "në mënyrë të tillë që të mos u mbetet as rrënja as dega.
2 Por për ju që keni frikë nga emri im, do të lindë dielli i drejtësisë me shërimin në krahët e tij, dhe ju do të dilni dhe do të hidheni si viçat që dalin nga stalla.
3 Do t’i shkelni me këmbë të pabesët, sepse do të jenë hi nën tabanin e këmbëve tuaja gjatë ditës që unë po përgatis," thotë Zoti i ushtrive.
4 "Mbani mend ligjin e Moisiut, shërbëtorit tim, të cilit në Horeb i urdhërova statutet dhe dekretet për mbarë Izraelin.
5 Ja, unë do t’ju dërgoj Elian, profetin, para se të vijë dita e madhe dhe e llahtarshme e Zotit.
6 Ai do të bëjë që zemra e etërve t’u kthehet bijve dhe zemra e bijve etërve, me qëllim që vendi të mos goditet nga një shfarosje e plotë.?
21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:
2 Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.
3 Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.
4 Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.
5 Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”
6 Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.
7 Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.
8 Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.
9 Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.
10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”
11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.
12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.
13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.
14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.
15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti qengjat e mi!.”
16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Ki kujdes për delet e mia.”
17 E pyeti për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?,” dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia.
18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje.”
19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë.”
20 Dhe Pjetri u kthye dhe pa se po e ndiqte dishepulli, të cilin Jezusi e donte, ai që gjatë darkës ishte mbështetur mbi kraharorin e Jezusit dhe kishte pyetur: “Zot, kush është ai që po të tradhton?.”
21 Kur Pjetri e pa, i tha Jezusit: “Zot, dhe me të ç’do të bëhet?.”
22 Jezusi iu përgjigj: “Nëse dua që ai të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet? Ti ndiqmë!.”
23 Atëherë u hap zëri midis vëllezërve se ai dishepull nuk do të vdiste; por Jezusi nuk i kishte thënë Pjetrit se ai nuk do të vdiste, por: “Nëse unë dua që ky të mbetet derisa të vij unë, ç’të duhet?.”
24 Ky është dishepulli që dëshmon për këto gjëra dhe që ka shkruar këto gjëra; dhe ne dimë se dëshmia e tij është e vërtetë.
25 Janë edhe shumë gjëra të tjera që i bëri Jezusi, të cilat, po të shkruheshin një nga një, unë mendoj se nuk do të mjaftonte mbarë bota që t’i nxinte librat që do të mund të shkruheshin. Amen.