M’Cheyne Bible Reading Plan
34 Josia ishte tetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tridhjetë e një vjet në Jeruzalem.
2 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e Davidit, atit të tij, pa u shmangur as në të djathtë as në të majtë.
3 Në vitin e tetë të mbretërimit të tij, kur ende ishte djalosh, filloi të kërkojë Perëndinë e Davidit, atit të tij, dhe në vitin e dymbëdhjetë filloi ta pastrojë Judën dhe Jeruzalemin nga vendet e larta, nga Asherimët, nga shëmbëlltyrat e gdhendura dhe nga shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë.
4 Para tij u shembën altaret e Baalit; përveç tyre shembi altaret e temjanit që ishin mbi ta, bëri copë-copë Asherimët, shëmbëlltyrat e gdhendura dhe shëmbëlltyrat prej metali të shkrirë dhe i bëri pluhur, të cilin e shpërndau mbi varret e atyre që u kishin ofruar flijime.
5 Pastaj dogji kockat e priftërinjve mbi altaret e tyre, dhe kështu pastroi Judën dhe Jeruzalemin.
6 Të njëjtën gjë bëri në qytetet e Manasit, të Efraimit dhe të Simeonit deri në Neftali, me sëpatat e tyre rreth e qark.
7 Kështu ai shkatërroi altarët dhe Asherimët, i bëri pluhur shëmbëlltyrat e gdhendura dhe rrëzoi tërë altarët e temjanit në gjithë vendin e Izraelit, pastaj u kthye në Jeruzalem.
8 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërimit të tij, mbasi pastroi vendin dhe tempullin, dërgoi Shafanin, birin e Atsaliahut, Maasejahun, qeveritarin e qytetit, dhe Joahun, birin e Joahazit, arkivistin, për të restauruar shtëpinë e Zotit, Perëndisë të tij.
9 Ata shkuan te kryeprifti Hilkiah dhe dorëzuan paratë që kishin sjellë në shtëpinë e Perëndisë, që derëtarët Levitë kishin mbledhur nga Manasi, nga Efraimi dhe tërë pjesa tjetër e Izraelit, nga tërë Juda dhe Beniamini dhe nga banorët e Jeruzalemit.
10 Pastaj ua dorëzuan punëtorëve të ngarkuar me mbikqyrjen e shtëpisë të Zotit, të cilët ua dhanë punëtorëve që punonin në shtëpinë e Zotit për ta riparuar dhe për të restauruar tempullin.
11 Ua dorëzuan marangozëve dhe ndërtuesve për të blerë gurë të latuar dhe lëndë druri për armaturat dhe trarët e shtëpive që mbretërit e Judës kishin shkatërruar.
12 Këta njerëz e bënin punën e tyre me besnikëri. Mbikqyrësit e tyre ishin Jahathi dhe Obadiahu, Levitë nga bijtë e Merarit, dhe Zakaria dhe Meshullami nga bijtë e Kehathit, dhe tërë Levitët që ishin specialistë të veglave muzikore.
13 Këta mbikqyrnin gjithashtu mbartësit e peshave dhe drejtonin tërë ata që kryenin punime të çfarëdo lloji; përveç kësaj, disa Levitë ishin shkrues, inspektorë dhe derëtarë.
14 Ndërsa po tërhiqeshin paratë që ishin çuar në shtëpinë e Zotit, prifti Hilkiah gjeti librin e Ligjit të Zotit, që ishte dhënë nëpërmjet Moisiut.
15 Atëherë Hilkiahu e mori fjalën dhe i tha sekretarit Shafan: "Kam gjetur në shtëpinë e Zotit librin e ligjit". Pastaj Hilkiahu ia dha librin Shafanit.
16 Shafani ia çoi librin mbretit dhe i tha gjithashtu: "Shërbëtorët e tu po bëjnë atë që u është urdhëruar të bëjnë.
17 Kanë mbledhur paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit dhe i kanë dorëzuar në duart e mbikqyrësve dhe të punëtorëve".
18 Shafani, sekretari, i tha gjithashtu mbretit: "Prifti Hilkiah më dha një libër". Pastaj Shafani e lexoi në prani të mbretit.
19 Por ndodhi që, kur mbreti dëgjoi fjalët e ligjit, ai grisi rrobat e trupit.
20 Pastaj mbreti i dha këtë urdhër Hilkiahut, Ahikamit, birit të Shafanit, Abdonit, birit të Mikahut, Shafanit, sekretarit, dhe Asajahut, shërbëtorit të mbretit, duke thënë:
21 "Shkoni të konsultoheni Zotin për mua dhe për ata që kanë mbetur në Izrael dhe në Judë, lidhur me fjalët e Librit që u gjet; i madh, pra, është zemërimi i Zotit që ra mbi ne, sepse etërit tanë nuk kanë ndjekur fjalën e Zotit, duke vepruar plotësisht sipas asaj që është shkruar në këtë libër".
22 Kështu Hilkiahu dhe ata që mbreti kishte caktuar shkuan te profetesha Huldah, bashkëshorte e Shallumit, birit të Tokhathit, bir i Hasrathit, ruajtësi i rrobave; (ajo banonte në Jeruzalem në lagjen e dytë), dhe i folën lidhur me këtë çështje.
23 Ajo u përgjigj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: Njoftoni atë që ju ka dërguar tek unë:
24 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të sjell një fatkeqësi mbi këtë vend dhe mbi banorët e tij, të gjitha mallkimet që janë shkruar në librin, të cilin e kanë lexuar përpara mbretit të Judës.
25 Duke qenë se më kanë braktisur dhe u kanë ofruar temjan perëndive të tjera për të provokuar zemërimin tim me të gjitha veprat e duarve të tyre, zemërimi im do të bjerë mbi këtë vend dhe nuk do të shuhet".
26 Ndërsa mbretit të Judës që ju ka dërguar të këshilloheni me Zotin, njoftojini sa vijon: Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, lidhur me fjalët që ke dëgjuar:
27 "Duke qenë se zemra jote është mallëngjyer, sepse je përulur përpara Perëndisë duke dëgjuar fjalët e tij kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, je përulur para meje, ke grisur rrobat e tua dhe ke qarë para meje, edhe unë të dëgjova," thotë Zoti.
28 "Ja, unë do të të bashkoj me etërit e tu, dhe do të të shtien në paqe në varrin tënd; sytë e tu nuk do të shohin tërë të keqen që unë do t’i sjell këtij vendi dhe banorëve të tij"". Ata ia njoftuan mesazhin mbretit.
29 Atëherë mbreti urdhëroi të mblidhen pranë tij tërë pleqtë e Judës dhe të Jeruzalemit.
30 Pastaj mbreti u ngjit në shtëpinë e Zotit me të gjithë burrat e Judës, me të gjithë banorët e Jeruzalemit, me priftërinjtë, me Levitët dhe me tërë popullin, nga më i vogli gjer te më i madhi, dhe këndoi në prani të tyre të gjitha fjalët e librit të besëlidjes, që ishte gjetur në shtëpinë e Zotit.
31 Pastaj mbreti, duke qëndruar më këmbë mbi podium, bëri një besëlidhje përpara Zotit, duke u zotuar të ndjekë Zotin, të zbatojë urdhërimet e tij, porositë e tij dhe statutet e tij me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt, për të vënë në praktikë fjalët e besëlidhjes së shkruar në atë libër.
32 Dhe bëri që të përfshihen besëlidhje tërë ata që ndodheshin në Jeruzalem dhe në Beniamin; banorët e Jeruzalemit vepruan sipas besëlidhjes së Perëndisë, Perëndisë të etërve të tyre.
33 Kështu Josia zhduku tërë gjërat e neveritshme nga të gjitha vendet që u përkisnin bijve të Izraelit dhe i detyroi tërë ata që ishin në Izrael t’i shërbenin Zotit, Perëndisë të tyre. Gjatë gjithë jetës së tij ata nuk hoqën dorë së ndjekuri Zotin, Perëdinë e etërve të tyre.
20 Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës, dhe një zinxhir të madh në dorë.
2 Ai e kapi dragoin, gjarpërin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet,
3 dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, deri sa të mbushen një mijë vjet; dhe pas këtyre ai duhet zgjidhur për pak kohë.
4 Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha pushteti që të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për dëshminë e Jezusit dhe për fjalën e Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në duart e tyre. Këta u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet.
5 Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë deri sa të mbusheshin një mijë vjet. Kjo është ringjallja e parë.
6 I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ringjalljen e parë. Mbi ata vdekja e dytë nuk ka pushtet, por ata do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të një mijë vjet.
7 Dhe kur të kryhen të një mijë vjetët, Satani do të zgjidhet nga burgu i tij,
8 dhe do të dalë të mashtrojë kombet që janë në të katër anët e dheut, Gogun e Magogun, që t’i mbledhë ata për luftë; numri i tyre do të jetë si rëra e detit.
9 Dhe ata do të lëvizin në të gjithë sipërfaqen e dheut dhe do ta rrethojnë fushën e shenjtorëve dhe qytetin e dashur. Por nga qielli do të zbresë zjarr, i dërguar nga Perëndia, dhe do t’i përpijë.
10 Atëherë djallin që i kishte mashtruar, do ta hedhin në liqenin e zjarrit e të squfurit, ku janë bisha dhe profeti i rremë; dhe do të mundohen ditë e natë në shekuj të shekujve.
11 Pastaj pashë një fron të madh të bardhë dhe atë që ulej mbi të, nga prania e të cilit iku dheu dhe qielli, dhe nuk u gjet vënd për ata.
12 Dhe pashë të vdekurit, të mëdhenj e të vegjël, që rrinin në këmbë përpara Perëndisë, edhe librat u hapën; dhe u hap një libër tjetër, që është libri i jetës; dhe të vdekurit u gjykuan në bazë të gjërave të shkruara në libra, sipas veprave të tyre.
13 Dhe deti i dorëzoi të vdekurit që ishin në të, dhe vdekja dhe Hadesi dorëzuan të vdekurit që ishin në ta; dhe ata u gjykuan secili sipas veprave të veta.
14 Pastaj vdekja dhe Hadesi u flakën në liqenin e zjarrit. Kjo është vdekja e dytë.
15 Dhe, nëse ndokush nuk u gjet i shkruar në librin e jetës, u flak në liqenin e zjarrit.
2 "Dhe tani ky urdhërim është për ju, o priftërinj.
2 Në qoftë se nuk dëgjoni, po të mos keni në zemër t’i jepni lavdi emrit tim," thotë Zoti i ushtrive, "do të dërgoj mbi ju mallkimin dhe do të mallkoj bekimet tuaja; po, tashmë i kam mallkuar, sepse nuk e keni futur këtë gjë në zemër.
3 Ja, unë do ta shaj farën tuaj, do të hedh jashtëqitje mbi fytyrat tuaja, jashtëqitjet e festave tuaja solemne, dhe ju do t’ju marrin bashkë me to.
4 Atëherë do të pranoni që unë ju kam dërguar këtë urdhërim, me qëllim që besëlidhja ime me Levin të mund të vazhdojë," thotë Zoti i ushtrive.
5 "Besëlidhja ime me të ishte një besëlidhje jete dhe paqeje, që unë ia dhashë që të ketë frikë prej meje; dhe ai më pati frikë dhe u tmerrua para emrit tim.
6 Ligji i së vërtetës ishte në gojën e tij dhe asnjë çoroditje nuk gjindej mbi buzët e tij; ai ecte bashkë me mua në paqe e në ndershmëri dhe shpëtoi shumë njerëz nga paudhësia.
7 Sepse buzët e priftit duhet të ruajnë diturinë dhe nga goja e tij secili duhet të kërkojë ligjin, sepse ai është lajmëtari i Zotit të ushtrive.
8 Përkundrazi ju jeni larguar nga rruga, keni bërë që shumë njerëz të pengohen te ligji, keni dhunuar besëlidhjen e Levit," thotë Zoti i ushtrive.
9 "Për këtë arsye ju kam bërë të përbuzshëm dhe të neveritshëm përpara gjithë popullit, sepse nuk keni respektuar rrugët e mia dhe keni qenë të njëanshëm në zbatimin e ligjit".
10 A nuk kemi të gjithë të njëjtin Atë? A nuk na ka krijuar i njëjti Perëndi? Pse, pra, veprojmë me pabesi me njeri tjetrin, duke përdhosur besëlidhjen e etërve tanë?
11 Juda ka vepruar me pabesi dhe një veprim i neveritshëm është kryer në Izrael dhe në Jeruzalem, sepse Juda ka përdhosur vendin e shenjtë të Zotit, që ai e do dhe është martuar me bijën e një perëndie të huaj.
12 Zoti do të shfarosë nga çadrat e Jakobit atë që vepron në këtë mënyrë, atë që përgjon, atë që përgjigjet dhe atë që i ofron një blatim Zotit të ushtrive.
13 Ju po bëni edhe këtë veprim tjetër: e mbuloni altarin e Zotit me lot, me të qara dhe vajtime, sepse nuk e shikon më me favor ofertën tuaj dhe nuk e pranon më me kënaqësi nga duart tuaja.
14 Megjithatë ju thoni: "Përse?" Sepse Zoti është dëshmitar midis teje dhe bashkëshortes së rinisë sate, ndaj së cilës je sjellë me pabesi, ndonëse ajo është shoqja jote dhe bashkëshorte e besëlidhjes sate.
15 Por a nuk i bëri Perëndia një qenie të vetme dhe megjithatë fryma qëndroi në të? Po pse vallë një qënie të vetme? Sepse ai kërkonte një prejardhje nga Perëndia. Tregoni, pra, kujdes për frymën tuaj dhe askush të mos sillet me pabesi me bashkëshorten e rinisë së vet.
16 Sepse Zoti, Perëndia i Izraelit, thotë se ai e urren divorcin dhe atë që e mbulon me dhunë rroben e vet," thotë Zoti i ushtrive. Tregoni, pra, kujdes për frymën tuaj dhe mos u sillni me pabesi.
17 Ju e lodhni Zotin me fjalët tuaja, dhe megjithatë thoni: "Si e kemi lodhur?". Sepse ju thoni: "Kushdo që vepron keq pëlqehet nga Zoti, i cili kënaqet me të," ose: "Ku është Perëndia i drejtësisë?".
19 Atëherë Pilati mori Jezusin dhe dha urdhër ta fshikullonin.
2 Dhe ushtarët thurrën një kurorë me gjemba, ia vunë mbi krye dhe i veshën siper një mantel të purpurt,
3 dhe thoshnin: “Tungjatjeta, o mbret i Judenjve”; dhe i binin me shuplaka.
4 Pastaj Pilati doli përsëri dhe u tha atyre: “Ja, po jua nxjerr jashtë, që ta dini se nuk gjej në të asnjë faj.”
5 Jezusi, pra, doli, duke mbajtur kurorën prej gjembash dhe mantelin e purpurit. Dhe Pilati u tha atyre: “Ja njeriu!.”
6 Kur e panë krerët e priftërinjve dhe rojet, filluan të bërtasin, duke thënë: “Kryqëzoje, kryqëzoje!.” Pilati u tha atyre: “Merreni ju dhe kryqëzojeni, sepse unë nuk gjej në të asnjë faj.”
7 Judenjtë iu përgjigjën: “Ne kemi një ligj dhe sipas ligjit tonë ai duhet të vdesë, sepse e bëri veten Bir të Perëndisë.”
8 Kur Pilati i dëgjoi këto fjalë, kishte akoma më shumë frikë;
9 dhe, si u kthye në pretorium, i tha Jezusit: “Nga je ti?.” Por Jezusi nuk i dha kurrfarë përgjigje.
10 Për këtë arsye Pilati i tha: “S’po më flet? ti s’e di që unë kam pushtet të të kryqëzoj dhe pushtet të të liroj?.”
11 Jezusi u përgjigj: “Ti nuk do të kishe asnjë pushtet përmbi mua, po të mos të qe dhënë prej së larti; prandaj ai që më dorëzoi tek ti ka faj më të madh.”
12 Që nga ai moment Pilati kërkoi ta lironte; por Judenjtë bërtisnin, duke thënë: “Po e lirove këtë, nuk je mik i Cezarit; kush e bën veten mbret, i kundërvihet Cezarit.”
13 Pilati, pra, kur i dëgjoi këto fjalë, e çoi jashtë Jezusin dhe u ul në selinë e gjykatës, në vendin e quajtur "Kalldrëm," e në hebraisht "Gabatha";
14 tani ishte dita e përgatitjes së Pashkës, dhe ishte afërsisht ora e gjashtë; dhe u tha Judenjve: “Ja mbreti juaj.”
15 Por ata bërtitën: “Largoje! Largoje! Kryqëzoje!.” Pilati u tha atyre: “Ta kryqëzoj mbretin tuaj?.” Krerët e priftërinjve u përgjigjën: “Ne s’kemi mbret tjetër përveç Cezarit!.”
16 Atëherë ai ua dorëzoi që të kryqëzohej. Dhe ata e morën Jezusin dhe e çuan tutje.
17 Dhe ai, duke mbartur kryqin e tij, u nis drejt vendit që quhej "Kafka," që në hebraisht quhet "Golgota,"
18 ku e kryqëzuan, dhe me të dy të tjerë, njërin në një anë e tjetrin në anën tjetër, dhe Jezusi në mes.
19 Dhe Pilati shkroi edhe një mbishkrim dhe e vuri në kryq; dhe atje ishte shkruar: "JEZUSI NAZAREAS, MBRETI I JUDENJVE".
20 Kështu këtë mbishkrim e lexuan shumë nga Judenjtë, sepse vendi ku u kryqëzua Jezusi ishte afër qytetit; dhe mbishkrimi ishte shkruar hebraisht, greqisht dhe latinisht.
21 Prandaj krerët e priftërinjve të Judenjve i thanë Pilatit: “Mos shkruaj: "Mbreti i Judenjve," por se ai ka thënë: "Unë jam mbreti i Judenjve".”
22 Pilati u përgjigj: “Atë që kam shkruar, e kam shkruar!.”
23 Dhe ushtarët, mbasi e kishin kryqëzuar Jezusin, morën rrobat e tij dhe bënë katër pjesë, një pjesë për çdo ushtar, dhe tunikën. Por tunika ishte pa tegel, e endur një copë nga maja e deri në fund.
24 Prandaj ata i thanë njëri-tjetrit: “Nuk e grisim, por hedhim short kujt t’i bjerë”; që të përmbushej Shkrimi, që thotë: “I ndanë midis tyre rrobat e mia, dhe hodhën short për tunikën time.” Ushtarët, pra, i bënë këto gjëra.
25 Por afër kryqit të Jezusit, qendronin nëna e tij dhe motra e nënës së tij, Maria e Kleopas dhe Maria Magdalenë.
26 Atëherë Jezusi, kur pa nënën e tij dhe pranë saj dishepullin që donte, i tha nënës së tij: “O grua, ja biri yt!.”
27 Pastaj i tha dishepullit: “Ja nëna jote!.” Dhe që në atë moment ai e mori në shtëpinë e vet.
28 Pas kësaj, Jezusi, duke ditur që tashmë çdo gjë ishte kryer, që të përmbushej Shkrimi, tha: “Kam etje!.”
29 Por aty ishte një enë plot me uthull. Pasi shtinë një sfungjer në uthull dhe e vunë në majë të një dege hisopi, ia afruan te goja.
30 Kur Jezusi e mori uthullën, tha: “U krye!.” Dhe duke ulur kryet, dha frymën.
31 Duke qenë se ishte dita e Përgatitjes, me qëllim që trupat të mos qëndronin në kryq të shtunën, sepse ajo e shtunë ishte një ditë me rëndësi të veçantë, Judenjtë i kërkuan Pilatit që atyre t’u thyheshin kërcinjtë dhe të hiqeshin që andej.
32 Ushtarët, pra, erdhën dhe ia thyen kërcinjtë të parit dhe pastaj edhe tjetrit që ishte kryqëzuar me të;
33 por, kur erdhën te Jezusi, dhe si panë se ai tashmë kishte vdekur, nuk ia thyen kërcinjtë,
34 por njëri nga ushtarët ia tejshpoi brinjën me një heshtë, dhe menjëherë i doli gjak e ujë.
35 Dhe ai që ka parë, ka dëshmuar për këtë, dhe dëshmia e tij është e vërtetë; dhe ai e di se thotë të vërtetën, që ju të besoni.
36 Këto gjëra në fakt ndodhën që të përmbushet Shkrimi: “Nuk do t’i thyhet asnjë eshtër.”
37 Dhe akoma një Shkrim tjetër thotë: “Do të vështrojnë atë që e kanë tejshpuar.”
38 Pas këtyre gjërave, Jozefi nga Arimatea, që ishte dishepull i Jezusit, por fshehtas nga druajtja e Judenjve, i kërkoi Pilatit që mund ta merrte trupin e Jezusit; dhe Pilati i dha leje. Atëherë ai erdhi dhe e mori trupin e Jezusit.
39 Por erdhi dhe Nikodemi, i cili më përpara kishte vajtur te Jezusi natën, duke sjellë një përzierje prej mirre dhe aloe, prej rreth njëqind librash.
40 Ata, pra, e morën trupin e Jezusit dhe e mbështollën në pëlhura liri me erëra të këndëshme, sipas zakonit të varrimit që ndiqnin Judenjtë.
41 Por në atë vend ku ai u kryqëzua ishte një kopsht, dhe në kopsht një varr i ri, në të cilën ende nuk ishte vënë askush.
42 Aty, pra, për shkak të Përgatitjes së Judenjve, e vunë Jezusin, sepse varri ishte afër.