Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Kronikave 32

32 Mbas këtyre gjërave dhe këtyre veprimeve besnikërie të Ezekias, Senasheribi, mbret i Asirisë, erdhi, hyri në Judë dhe rrethoi qytetet e fortifikuara, me qëllim që t’i pushtonte.

Kur Ezekia pa që Senasheribi kishte ardhur me qëllim që të sulmonte Jeruzalemin,

vendosi me komandantët e tij dhe me trimat e tij të mbyllnin ujërat e burimeve që ndodheshin jashtë qytetit; dhe ata e ndihmuan në këtë punë.

Kështu u mblodh një numër i madh njerëzish, të cilët i zunë të gjitha burimet dhe përroin që rridhte nëpër vend, duke thënë: "Pse mbreti i Asirisë duhet të vijë dhe të gjejë ujë me shumicë?".

Atëherë Ezekia mori guxim, rindërtoi të gjitha muret e rrëzuara, ngriti kulla dhe përjashta ndërtoi një mur të jashtëm; gjithashtu ai fortifikoi Milon në qytetin e Davidit dhe urdhëroi të bëheshin shumë ushta dhe mburoja.

Caktoi komandantë ushtarakë mbi popullin, i mblodhi rreth vetes në sheshin e qytetit dhe i foli zemrës së tyre, duke thënë:

"Tregohuni të fortë dhe trima! Mos kini frikë dhe mos u tronditni para mbretit të Asirisë dhe para morisë që është me të, sepse me ne është një më i madh nga ai që ndodhet me të.

Me të është një krah prej mishi, por me ne është Zoti, Perëndia ynë, për të na ndihmuar dhe për të luftuar nël betejat tona". Populli u qetësua nga fjalët e Ezekias, mbretit të Judës.

Mbas kësaj Senasheribi, mbret i Asirisë, ndërsa ndodhej me të gjitha forcat e tij përballë Lakishit, dërgoi shërbëtorët e tij në Jeruzalem për t’i thënë Ezekias, mbretit të Judës, dhe të gjithë atyre të Judës që ndodheshin në Jeruzalem:

10 "Kështu flet Senasheribi, mbret i Asirëve: Ku e mbështetni besimin që qëndroni të rrethuar në Jeruzalem?

11 A nuk po ju gënjen Ezekia me qëllim që të vdisni nga uria dhe nga etja, duke thënë: "Zoti, Perëndia ynë, do të na çlirojë nga duart e mbretit të Asirisë"?

12 A nuk i ka hequr vallë vetë Ezekia vendet e tij të larta dhe altarët e tij, duke i thënë Judës dhe Jeruzalemit: "Ju do të adhuroni përpara një altari të vetëm dhe mbi të do të ofroni temjan"?

13 A nuk e dini ju çfarë u kemi bërë unë dhe etërit e mi gjithë popujve të vendeve të tjera? A kanë qenë të aftë perënditë e kombeve të këtyre vendeve të çlirojnë në një farë mënyre vendet e tyre nga duart e mia?

14 Midis tërë perëndive të këtyre kombeve që etërit e mi kanë caktuar për shfarosje, kush, pra, ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime? Si do të mund t’ju çlirojë Perëndia juaj, pra, nga dora ime?

15 Prandaj tani mos e lini Ezekian t’ju gënjejë dhe t’ju mashtrojë në këtë mënyrë; mos i zini besë! Duke qenë se asnjë perëndi e ndonjë kombi o mbretërie, nuk ka mundur të çlirojë popullin e tij nga dora ime apo nga dora e etërve të mi, aq më pak Perëndia juaj do të mund t’ju çlirojë nga dora ime!".

16 Shërbëtorët e tij flissnin akoma kundër Zotit Perëndi dhe kundër shërbëtorit të tij Ezekia.

17 Senasheribi shkroi gjithashtu letra për të sharë Zotin, Perëndinë e Izraelit, dhe për të folur kundër tij, duke thënë: "Ashtu si perënditë e kombeve të vendeve të tjera nuk i kanë çliruar popujt e tyre nga dora ime, kështu as Perëndia i Ezekias nuk do ta çlirojë popullin e tij nga dora ime".

18 Ata bërtitën me zë të lartë në gjuhën judaike duke iu drejtuar popullit të Jeruzalemit që rrinte mbi muret, për ta trembur dhe për ta tmerruar, dhe kështu të shtinin në dorë qytetin.

19 Ata folën kundër Perëndisë të Jeruzalemit ashtu si kundër perëndive të popujve të tokës, që janë vepër e dorës së njeriut.

20 Por mbreti Ezekia dhe profeti Isaia, bir i Amotsit, u lutën me këtë rast dhe klithën në drejtim të qiellit.

21 Atëherë Zoti dërgoi një engjëll që shfarosi gjithë burrat e fortë dhe trima, princat dhe komandantët në kampin e mbretit të Asirisë. Ky u kthye në vendin e tij i mbuluar me turp; pastaj hyri në tempullin e perëndisë së tij, ku vetë bijtë e tij e vranë me shpatë.

22 Kështu Zoti shpëtoi Ezekian dhe banorët e Jeruzalemit nga dora e Senasheribit, mbretit të Asirisë, dhe nga dora e gjithë të tjerëve dhe i mbrojti rreth e qark.

23 Një numër i madh njerëzish i çuan oferta Zotit në Jeruzalem dhe sende të çmuara Ezekias, mbretit të Judës, i cili qysh atëherë u madhërua në sytë e tërë kombeve.

24 Në ato ditë Ezekia u sëmur për vdekje. Ai iu lut Zotit, që i foli dhe i dha një shenjë.

25 Por Ezekia nuk iu përgjigj mirësisë që iu bë atij, sepse zemra e tij ishte bërë krenare; prandaj mbi të, mbi Judën dhe mbi Jeruzalemin ra zemërimi i Zotit.

26 Pastaj Ezekia e përunji krenarinë e zemrës së tij, ai dhe banorët e Jeruzalemit; prandaj zemërimi i Zotit nuk erdhi mbi ta gjatë jetës së Ezekias.

27 Ezekia pati pasuri shumë të mëdha dhe nder. Ai bëri depozita për argjendin, arin, gurët e çmuar, aromat, mburojat, dhe për çdo lloj objektesh të çmuara,

28 magazina për drithërat, verën e vajin, stalla për çdo lloj gjedhi dhe vathë për delet.

29 Vec këtyre ndërtoi qytete dhe pati një numër të madh kopesh dhe bagetish të trasha, sepse Perëndia i kishte dhënë pasuri shumë të mëdha.

30 Ishte Ezekia vetë që mbylli burimin e sipërm të ujrave të Gihonit dhe i kanalizoi poshtë në anën perëndimore të qytetit të Davidit. Ezekia ia doli mbanë në të gjitha veprat e tij.

31 Por kur krerët e Babilonisë i dërguan lajmëtarë për t’u informuar për mrekullinë që kishte ndodhur në vend, Perëndia e braktisi për ta vënë në provë e për të njohur gjithçka që ishte në zemrën e tij.

32 Pjesa tjetër e bëmave të Ezekias dhe veprat e tij të mira janë shkruar në vizionin e profetit Isaia, bir i Amotsit, dhe në librin e mbretërve të Judës e të Izraelit.

33 Pastaj Ezekia pushoi bashkë me etërit e tij dhe u varros në shpalin e varreve të bijve të Davidit; në vdekjen e tij gjithë Juda dhe banorët e Jeruzalemit i bënë nderime. Në vend të tij mbretëroi biri i tij Manasi.

Zbulesa 18

18 Edhe pas këtyre pashë një engjëll tjetër që zbriste nga qielli, që kishte pushtet të madh; dhe dheu u ndriçua nga lavdia e tij.

Ai bërtiti me forcë dhe me zë të madh, duke thënë: “Ra, ra Babilona e madhja, dhe u bë vendbanimi i demonëve, dhe streha e çdo fryme të ndyrë, dhe streha e çdo shpendi të ndyrë dhe neveritshëm.

Sepse nga vera e mërisë së kurvërimit të saj kanë pirë të gjitha kombet, dhe mbretërit e dheut me të u kurvëruan, dhe tregtarët e dheut u pasuruan për shkak të luksit të saj të shfrenuar.”

Pastaj dëgjova një zë tjetër nga qielli, duke thënë: “Dilni prej saj, o populli im, që të mos bëheni pjestarë të mëkateve të saj, dhe të mos merrni nga plagët e saj,

sepse mëkatet e saj janë grumbulluar dhe kanë arritur deri në qiell, dhe Perëndia kujtoi paudhësitë e saj.

Shpërblejani atë që ajo ju ka bërë juve, përkundrazi, shpërblejani dyfish sipas veprave të saj; në kupën që ajo derdhi derdhini dyfishin.

Në masën që u vetlavdërua ajo dhe shfreu në epshe, në atë masë i jepni asaj mundim dhe brenga, sepse ajo në zemër të vet thotë: "Unë rri posi mbretëreshë, e ve nuk jam dhe brengë nuk do të shoh".

Prandaj në një ditë të vetme do të vijnë plagët e saj: vdekja, vaji dhe zia e bukës; edhe do të digjet krejt në zjarr, sepse i fuqishëm është Zoti Perëndia, ai që e gjykon atë.”

Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;

10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: “Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!.”

11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:

12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri,

13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.

14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t’i gjesh më kurrë.

15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,

16 duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!.”

17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg

18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: “Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?.”

19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!

20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë.”

21 Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: “Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më;

22 dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo eksperti i arteve nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit.

23 Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.

24 Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe.”

Zakaria 14

14 Ja, po vjen dita e Zotit; plaçka jote e luftës do të ndahet në mes teje.

Unë do t’i mbledh të gjitha kombet për të luftuar kundër Jeruzalemit; qyteti do të pushtohet, shtëpitë do të plaçkiten dhe gratë do të dhunohen. Gjysma e qytetit do të shkojë në robëri, por ata që do të mbeten nga populli nuk do të shfarosen nga qyteti.

Pastaj Zoti do të dalë për të luftuar kundër atyre kombeve, ashtu si ka luftuar herë të tjera në ditën e betejës.

Atë ditë këmbët e tij do të ndalen sipër malit të Ullinjve që ndodhet përballë Jeruzalemit, në lindje, dhe mali i Ullinjve do të çahet në mes, nga lindja në perëndim, duke krijuar kështu një luginë të madhe; gjysma e malit do të tërhiqet drejt veriut dhe gjysma tjetër drejt jugut.

Atëherë ju do të ikni nëpër luginën e maleve të mi, sepse lugina e maleve do të shtrihet deri në Atsal; po, do të ikni ashtu si keni ikur përpara tërmetit gjatë ditëve të Uziahut, mbretit të Judës; kështu Zoti, Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e tij do të jenë me ty.

Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren.

Do të jetë një ditë unikale, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.

Atë ditë do të ndodhë që nga Jeruzalemi do të burojnë ujëra të freskëta: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.

Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.

10 Gjithë vendi do të shndërrohet në fushë, nga Geba në Rimon, në jug të Jeruzalemit; dhe Jeruzalemi do të lartohet dhe do të banohet në vendin e vet, nga porta e Beniaminit, në vend të portës së parë, deri te porta e Qoshes, dhe nga kulla e Hananeelit deri te torkujt e mbretit.

11 Njerëzit do të banojnë dhe asgjë më nuk do të jetë caktuar për t’u shfarosur, por Jeruzalemi do të qëndrojë i sigurt.

12 Kjo do të jetë plaga me të cilën Zoti do të godasë të gjithë popujt që kanë luftuar kundër Jeruzalemit: ai do të bëjë që mishi i tyre të konsumohet ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të konsumohet në gojën e tyre.

13 Atë ditë do të ndodhë që për shkak të veprimit të Zotit, midis tyre do të jetë një çoroditje e madhe; secili prej tyre do të zërë dorën e fqinjit të vet dhe do ta ngrerë dorën kundër dorës së fqinjit të vet.

14 Vetë Juda do të luftojë kundër Jeruzalemit, dhe pasuria e të gjitha kombeve përreth do të mblidhet tok: ar, argjend dhe rroba në sasi të madhe.

15 Plagë e ngjashme me tjetrën do të jetë plaga që do të godasë kuajt, mushkat, devetë, gomerët dhe të gjitha kafshët që do të ndodhen në ato fushime.

16 Dhe do të ndodhë që secili nga të mbijetuarit nga të gjitha kombet që kanë dalë kundër Jeruzalemit do të dalë vit për vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, dhe për të kremtuar festën e Kasolleve.

17 Dhe do të ndodhë që, në qoftë se ndonjë familje e dheut nuk do të shkojë në Jeruzalem për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, kurrfarë shiu nuk do të bjerë mbi to.

18 Në qoftë se familja e Egjiptit nuk do të dalë dhe nuk do të vijë, as mbi të nuk do të bjerë shi, por do të bjerë e njëjta plagë me të cilën Zoti do të godasë kombet që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.

19 Ky do të jetë ndëshkimi i Egjiptit, dhe ndëshkimi i të gjitha kombeve që nuk do të dalin të kremtojnë festën e Kasolleve.

20 Atë ditë mbi zilkat e kuajve do të skalitet: "SHENJTÉRIM ZOTIT". Tenxheret në shtëpinë e Zotit do të jenë si legenët e vegjël përpara altarit.

21 Po, çdo tenxhere në Jeruzalem dhe në Judë do t’i shenjtërohet Zotit të ushtrive; të gjithë ata që do të ofrojnë flijime do të vijnë t’i marrin për të gatuar mishrat. Atë ditë në shtëpinë e Zotit nuk do të ketë më asnjë tregtar.

Gjoni 17

17 Jezusi tha këto gjëra, pastaj i ngriti sytë drejt qiellit dhe tha: “O Atë, ora ka ardhur, përlëvdo Birin tënd, që edhe Biri yt të të përlëvdojë,

sepse ti i ke dhënë pushtet mbi çdo mish, që t’u japë jetë të përjetshme të gjithë atyre që ti ia ke dhënë.

Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar.

Unë të kam përlëvduar mbi tokë; unë e kam kryer veprën që më ke dhënë të bëj.

Tani, pra, më përlëvdo, o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota.

Unë ia kam dëftuar emrin tënd njerëzve që ti m’i ke dhënë nga bota; ishin të tutë dhe ti m’i ke dhënë; dhe ata e kanë zbatuar fjalën tënde.

Tani ata kanë njohur se të gjitha gjërat që ti më ke dhënë vijnë prej teje,

sepse ua kam dhënë atyre fjalët që ti më ke dhënë mua; dhe ata i kanë pranuar dhe kanë njohur se me të vërtetë unë dola nga ti, dhe kanë besuar se ti më ke dërguar.

Unë lutem për ta, nuk lutem për botën, po për ata që më ke dhënë, sepse janë të tutë.

10 Dhe të gjitha gjërat e mia janë të tuat, dhe gjërat e tua janë të miat; dhe unë jam përlëvduar në to.

11 Tani unë nuk jam më në botë, por ata janë në botë, dhe unë po vij te ti. O Atë i shenjtë, i ruaj ata në emrin tënd, ata që më ke dhënë, që të jenë një sikurse ne!

12 Kur isha me ata në botë, unë i kam ruajtur në emrin tënd; unë i kam ruajtur ata që ti më ke dhënë dhe askush nga ata nuk ka humbur, përveç birit të humbjes, që të përmbushej Shkrimi.

13 Por tani unë po vij te ti dhe i them këto gjëra në botë, që gëzimi im të bëhet i plotë në ta.

14 Unë u kam dhënë atyre fjalën tënde dhe bota i ka urryer, sepse nuk janë prej botës, ashtu si edhe unë nuk jam prej botës.

15 Unë nuk kërkoj që ti t’i heqësh nga bota, por që ti t’i mbrosh nga i ligu.

16 Ata nuk janë nga bota, sikurse unë nuk jam nga bota.

17 Shenjtëroji në të vërtetën tënde; fjala jote është e vërteta.

18 Sikurse ti më ke dërguar mua në botë, po ashtu unë i kam dërguar ata në botë.

19 Dhe unë për ta po shenjtëroj vetveten, që edhe ata të jenë të shenjtëruar në të vërtetë.

20 Tani unë nuk lutem vetëm për ta, por edhe për ata që do të besojnë në mua me anë të fjalës së tyre,

21 që të gjithë të jenë një, ashtu si ti, o Atë, je në mua dhe unë në ty; edhe ata të jenë një në ne, që bota të besojë se ti më ke dërguar.

22 Dhe unë u kam dhënë lavdinë që më ke dhënë, që ata të jenë një, ashtu si ne jemi një.

23 Unë jam në ta dhe ti në mua, që të jenë të përsosur në unitet dhe që bota të njohë që ti më ke dërguar dhe që i ke dashur, ashtu si më ke dashur mua.

24 O Atë, unë dua që atje ku jam unë, të jenë me mua edhe ata që më ke dhënë, që ta shohin lavdinë time që ti më ke dhënë, sepse ti më ke dashur para themelimit të botës.

25 O atë i drejtë, bota nuk të ka njohur, por unë të kam njohur; dhe këta e kanë njohur se ti më ke dërguar.

26 Dhe unë i kam bërë të njohin emrin tënd dhe do të bëj ta njohin akoma, që dashuria, me të cilën ti më ke dashur mua, të jetë në ta dhe unë në ta.”