M’Cheyne Bible Reading Plan
22 Banorët e Jezrualemit shpallën mbret birin e tij më të vogël Ashaziahun, në vend të tij, sepse tërë bijtë më të mëdhenj ishin vrarë nga banda që kishte hyrë në kamp bashkë me Arabët. Kështu mbretëroi Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës.
2 Ashaziahu ishte dyzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah; ishte bij e Omrit.
3 Edhe ai ndoqi rrugët e ndjekura nga shtëpia e Ashabit, sepse e ëma e këshillonte të vepronte në mënyrë të paudhë.
4 Prandaj ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si vepronin ata të shtëpisë së Ashabit, sepse mbas vdekjes së atit të tij këta qenë, për shkatërrimin e tij, këshilltarët e tij.
5 Duke ndjekur këshillën e tyre, ai shkoi me Jehoramin, birin e Ashabit, mbretit të Izraelit të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; dhe Sirët e plagosën Jehoramin.
6 Kështu ai u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë në Ramah, duke luftuar kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Ashaziahu, bir i Jehoramit, mbret i Judës, zbriti për të parë Jehoramin, birin e Ashabit, në Jezreel, sepse ky ishte i sëmurë.
7 Vizita që i bëri Ashaziahu Jehoramit ishte vendosur nga Perëndia për shkatërrimin e tij. Kur arriti në të vërtetë, ai doli me Jehoramin kundër Jehut, birit të Nimshit, që Zoti kishte vajosur për të shfarosur shtëpinë e Ashabit.
8 Ndodhi që, ndërsa Jehu vendoste drejtësi në shtëpinë e Ashabit, u takua me krerët e Judës dhe me bijtë e vëllezërve të Ashaziahut që ishin në shërbim të Ashaziahut dhe i vrau.
9 Urdhëroi gjithashtu ta kërkojnë Ashaziahun dhe e kapën (ai ishte fshehur në Samari); e çuan pastaj tek Jehu që e vrau. Pastaj e varrosën, sepse thonin: "Éshtë bir i Jozafatit, që e kërkonte Zotin me gjithë zemër". Kështu në shtëpinë e Ashaziahut nuk mbeti më njeri në gjendje të mbretërojë.
10 Kur Athaliah, nëna e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe vrau tërë pasardhësit mbretërorë të shtëpisë së Judës.
11 Por Jehoshabeath, bija e mbretit mori Joasin, birin e Ashaziahut, e mori tinëz midis bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vendosi bashkë me tajën në dhomën e saj. Kështu Jehoshabeath, bija e mbretit Jehoram, bashkëshortja e priftit Jehojada (ishte motra e Ashaziahut), e fshehu nga Athialiahu që nuk e vrau.
12 Kështu mbeti i fshehur me ta në shtëpinë e Perëndisë gjashtë vjet, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.
23 Vitin e shtatë Jehojada mori kurajo, mori komandantët e qindëshëve, domethënë Azariahun, birin e Jerohamit, Ismaelin, birin e Jehohanamit, Azariahun, birin e Obedit, Maasejahun, birin e Adajahut dhe Elishafatin, birin e Zikrit, dhe këta lidhën një aleancë me të.
2 Pastaj ata përshkuan Judën, mblodhën Levitët nga të gjitha qytetet e Judës dhe të parët e shtëpive atërore të Izraelit dhe erdhën në Jeruzalem.
3 Kështu tërë asambleja lidhi një aleancë me mbretin në shtëpinë e Perëndisë. Pastaj Jehojada u tha atyre: "Ja, biri i mbretit do të mbretërojë, si ka thënë Zoti për bijtë e Davidit.
4 Ja çfarë do të bëni ju: një e treta nga ju, priftërinj dhe Levitë, që marrin shërbimin ditën e shtunë, do të caktohen në portat e tempullit;
5 një e treta tjetër do të rrijë në pallatin e mbretit, dhe e treta tjetër në portën e themelimit, ndërsa tërë populli do të rrijë në oborrin e shtëpisë të Zotit.
6 Por askush nuk do të hyjë në shtëpinë e Zotit, përveç priftërinjve dhe Levitëve të shërbimit; këta mund të hyjnë sepse janë të shenjtëruar; por tërë populli do t’i përmbahet urdhrit të Zotit.
7 Levitët do ta rrethojnë mbretin nga çdo anë, secili me armën e tij në dorë; kushdo që hyn në tempull do të vritet; ju përkundrazi do të qëndroni me mbretin, kur të hyjë dhe të dalë".
8 Levitët dhe tërë Juda bënë pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada; secili mori njerëzit e tij, ata e merrnin shërbimin të shtunën dhe ata që e linin shërbimin të shtunën, sepse prifti Jehojada nuk kishte liruar nga puna klasat që dilnin.
9 Prifti Jehojada u dha komandantëve të qindëshëve ushtat dhe mburojat e vogla e të mëdha që qenë të mbretit David dhe që ndodheshin në shtëpinë e Perëndisë.
10 Pastaj vendosi tërë popullin, secili me armën e tij në dorë, nga krahu i djathtë deri në krahun e majtë të tempullit; gjatë altarit dhe pranë tempullit, rrotull mbretit.
11 Atëherë nxorën birin e mbretit, i vunë mbi kokë kurorën, i dorëzuan ligjin dhe e shpallën mbret; pastaj Jehojada dhe bijtë e tij e vajosën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".
12 Kur Athaliah dëgjoi zhurmën e popullit që vinte duke brohoritur për mbretin, ajo shkoi drejt popullit, në drejtim të shtëpisë të Zotit.
13 Shikoi, dhe ja, mbreti qëndronte më këmbë në podiumin e tij në hyrje, kapitenët dhe borizanët ishin pranë mbretit, tërë populli i vendit ishte i gëzuar dhe u binte borive dhe këngëtarët me veglat e tyre musikore udhëhiqnin lavdërimin. Atëherë Athaliah grisi rrobat e saj dhe bërtiti: Tradhëti, tradhëti!!".
14 Por prifti Jehojada nxori komandantët e qindëshëve që komandonin ushtrinë dhe u tha: "Nxirreni nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Prifti në të vërtetë kishte thënë: "Mos lejoni që të vritet në shtëpinë e Zotit".
15 Kështu e mbërthyen dhe, sa arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.
16 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje ndërmjet vetes, tërë popullit dhe mbretit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit.
17 Atëherë tërë populli shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi: copëtoi plotësisht altarët e tij dhe shëmbëlltyrat dhe vrau përpara altarëve Matanin, priftin e Baalit.
18 Pastaj Jehojada ua besoi mbikqyrjen e shtëpisë të Zotit priftërinjve levitë, që Davidi kishte vendosur në shtëpinë e Zotit për t’i ofruar olokauste Zotit siç është shkruar në ligjin e Moisiut, me gëzim dhe këngë, ashtu si kishte urdhëruar Davidi.
19 Vendosi gjithashtu derëtarë në portat e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mos hynte askush që të ishte në një farë mënyre i papastër.
20 Mori pastaj komandantët e qindësheve, parinë, ata që kishin autoritet mbi popullin dhe tërë popullin e vendit dhe bëri që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit; duke kaluar pastaj nga porta e sipërme, arritën në pallatin mbretëror dhe e ulën mbretin mbi fronin mbretëror.
21 Kështu tërë populli i vendit ishte në festë dhe qyteti mbeti i qetë, kur Athaliah u vra me shpatë.
10 Pastaj pashë një engjëll tjetër të fuqishëm që zbriste nga qielli, i mbështjellë në një re dhe me ylber mbi krye; dhe fytyra e tij ishte si diell dhe këmbët e tij si shtylla zjarri.
2 Ai kishte në dorë një libërth të hapur dhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det dhe të majtin mbi dhe,
3 dhe thirri me zë të madh si një luan që vrumbullon; dhe, si bërtiti, të shtatë bubullima bënë të dëgjohej ushtima e tyre.
4 Dhe kur të shtatë bubullimat bënë të dëgjohej ushtima e tyre, u gatita të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që më thoshte: “Vulosi gjërat që thonin të shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.”
5 Atëherë engjëlli që unë pashë që rrinte në këmbë mbi det e mbi dhe, ngriti dorën e djathtë drejt qiellit,
6 dhe bëri be për atë që rron në shekuj të shekujve, që krijoi qiellin dhe gjërat që janë në të, tokën dhe gjërat që janë në të, detin dhe gjërat që janë në të, se nuk do të vonohet më.
7 por në ditët kur engjëlli i shtatë të bëjë të dëgjohet zëri i tij, kur ai t’i bjerë borisë do të zbatohet misteri i Perëndisë, ashtu si ai e ua shpalli shërbëtorëve të tij, profetëve.
8 Dhe zëri që kisha dëgjuar nga qielli më foli përsëri dhe tha: "Shko, merr libërthin e hapur që ndodhet në dorën e engjëllit që rri mbi det e mbi dhe".
9 Dhe shkova tek engjëlli dhe i thashë: “Më jep libërthin.” Dhe ai më tha: “Merre dhe gllabëroje atë dhe ai do ta hidhërojë të brëndëshmet e tua, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjaltë.”
10 Dhe e mora libërthin nga dora e engjëllit, dhe si e gllabërova; dhe ishte në gojën time i ëmbël si mjaltë; dhe, mbasi e gllabërova, barku im u hidhërua.
11 Dhe ai më tha: “Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër.”
6 I çova përsëri sytë dhe shikova, dhe ja, katër qerre që dilnin në mes të dy maleve; dhe malet ishin male prej bronzi.
2 Në qerren e parë kishte kuaj të kuq, në qerren e dytë kuaj të zinj,
3 në qerren e tretë kuaj të bardhë dhe në të katërtën kuaj shumë laramanë.
4 Atëherë nisa t’i them engjëllit që fliste me mua: "Imzot, po këta?".
5 Engjëlli u përgjigj dhe tha: "Këta janë katër frymat e qiellit që dalin pasi kanë qenë në prani të Zotit të mbarë dheut.
6 Qerrja me kuaj të zinj shkon drejt vendit të veriut; kuajt e bardhë e ndjekin, kuajt laramanë shkojnë drejt vendit të jugut;
7 pastaj përparojnë kuajt me ngjyrë të kuqe të ndezur dhe kërkojnë të shkojnë për të përshkuar dheun". Ai u tha atyre: "Shkoni, përshkoni dheun!". Kështu ata e përshkuan dheun.
8 Pastaj ai më thirri dhe më foli, duke thënë: "Ja, ata që po shkojnë drejt vendit në veri e kanë qetësuar Frymën time mbi vendin e veriut.
9 Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua duke thënë:
10 "Prano dhurata nga mërgimtarët, domethënë nga Heldai, nga Tobiahu dhe nga Jedaiahu që kanë ardhur nga Babilonia, dhe që po sot kanë shkuar në shtëpinë e Josias, birit të Sofonias.
11 Merr argjendin dhe arin, bëj një kurorë me to dhe vëre mbi kryet e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryepriftit.
12 Pastaj foli atij, duke thënë: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ja, burri emri i të cilit është Filizë, do të filizoj në vendin e tij dhe do të ndërtojë tempullin e Zotit.
13 Po, ai do të ndërtojë tempullin e Zotit, do të mbulohet me lavdi dhe do të ulet e do të mbretërojë mbi fronin e tij, do të jetë prift mbi fronin e tij, dhe midis të dyve do të jetë një këshillë paqeje.
14 Kurora do të jetë një kujtim në tempullin e Zotit për Helemin, për Tobiahun, për Jedaiahun dhe për Henin, birin e Sofonias.
15 Edhe ata që janë larg do të vijnë për të ndihmuar për ndërtimin e tempullit të Zotit; atëherë do të pranoni që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ju. Kjo do të ndodhë në qoftë se do t’i bindeni me zell zërit të Zotit, Perëndisë tuaj".
9 Kur po kalonte, pa një njeri që ishte i verbër që nga lindja.
2 Dhe dishepujt e tij e pyetën duke thënë: “Mësues, kush ka mëkatuar, ai apo prindërit e tij, që ai ka lindur i verbër?.”
3 Jezusi u përgjigj: “As ai, as prindërit e tij s’kanë mëkatuar, por kjo ndodhi që tek ai të dëftohen veprat e Perëndisë.
4 Unë duhet t’i kryej veprat e atij që më ka dërguar sa është ditë; vjen nata kur askush nuk mund të veprojë.
5 Derisa jam në botë, unë jam drita e botës.”
6 Pasi kishte thënë këto gjëra, pështyu përdhe, bëri baltë me pështymë dhe leu sytë e të verbrit me të.
7 Pastaj i tha: “Shko, lahu në pellgun e Siloamit” (që do të thotë: dërguar); dhe ai shkoi atje, u la dhe u kthye duke parë.
8 Atëherë fqinjtë dhe ata që më parë e kishin parë të verbër, thanë: “A s’është ky ai që rrinte ulur dhe lypte?.”
9 Disa thoshnin: “Ai është.” Të tjerë: “I përngjan atij.” Dhe ai thoshte: “Unë jam.”
10 I thanë pra: “Si të janë hapur sytë?.”
11 Ai u përgjigj dhe tha: “Një njeri, që quhet Jezus, ka bërë baltë, m’i leu sytë dhe më tha: "Shko te pellgu i Siloamit dhe lahu". Dhe unë shkova atje, u lava dhe m’u kthye drita e syve.”
12 Dhe ata i thanë: “Ku është ai?.” Ai u përgjigj: “Nuk e di.”
13 Atëherë ata e çuan te farisenjtë atë që më parë kishte qenë i verbër.
14 Dhe ishte e shtunë kur Jezusi bëri baltën dhe ia hapi sytë.
15 Edhe farisenjtë, pra, e pyesnin përsëri si e fitoi dritën e syve. Dhe ai u tha atyre: “Më vuri baltë mbi sy, u lava dhe shoh.”
16 Atëherë disa farisenj thanë: “Ky njeri nuk është nga Perëndia, sepse nuk e respekton të shtunën!.” Të tjerë thoshnin: “Si mund të kryejë shenja të tilla një njeri mëkatar?.” Dhe kishte përçarje midis tyre.
17 E pyetën, pra, përsëri të verbrin: “Po ti, ç’thua për atë për faktin që t’i ka hapur sytë?.” Ai tha: “Éshtë një profet.”
18 Por Judenjtë nuk besuan se ai kishte qenë i verbër dhe se kishte fituar dritën e syve, derisa thirrën prindërit e atij që kishte fituar dritën e syve.
19 Dhe i pyetën ata: “A është ky djali juaj, për të cilin ju thoni se ka lindur i verbër? Vallë si sheh tani?.”
20 Prindërit e tij, duke u përgjigjur atyre, thanë: “E dimë se ky është djali ynë dhe se ka lindur i verbër,
21 por ne nuk dimë se si sheh tani ose se kush ia ka hapur sytë; pyeteni atë; ai moshë ka, do t’ju flasë për veten e vet.”
22 Këto thanë prindërit e tij, sepse kishin frikë nga Judenjtë; sepse Judenjtë kishin vendosur që, nëse dikush do ta rrëfente Jezusin si Krishti, do të përjashtohej nga sinagoga.
23 Prandaj prindërit e tij thanë: “Moshë ka, pyeteni atë.”
24 Atëherë ata e thirrën përsëri njeriun që kishte qenë i verbër dhe i thanë: “Jepi lavdi Perëndisë; ne e dimë se ai njeri është mëkatar.”
25 Ai atëherë u përgjigj dhe tha: “Në është mëkatar, nuk e di, por di një gjë, që isha i verbër dhe tani shoh.”
26 E pyetën përsëri: “Ç’të bëri? Si t’i ka hapur sytë?.”
27 Ai u përgjigj atyre: “Unë tashmë ua kam thënë dhe ju nuk keni dëgjuar; pse doni ta dëgjoni përsëri? Doni ndoshta të bëheni edhe ju dishepuj të tij?.”
28 Por ata e fyen dhe thanë: “Ti je dishepull i tij, por ne jemi dishepuj të Moisiut!
29 Ne e dimë se Perëndia i foli Moisiut; sa për atë, nuk e dimë se nga është.”
30 Ai njeri u përgjigj dhe u tha atyre: “E pra, është e çuditshme që ju të mos dini nga është ai; megjithatë ai m’i hapi sytë!
31 Dhe ne e dimë se Perëndia nuk i dëgjon mëkatarët, por nëse dikush është i druajtshëm ndaj Perëndisë dhe bën vullnetin e tij, ai atë e dëgjon!
32 Që prej fillimit të botës nuk është dëgjuar që dikush t’ia ketë hapur sytë një të linduri të verbër.
33 Po të mos ishte ky nga Perëndia, nuk do të mund të bënte asgjë.”
34 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Ti ke lindur i tëri në mëkate e don të na mësosh?.” Dhe e nxorën jashtë.
35 Jezusi e mori vesh se e nxorën jashtë dhe, kur e gjeti, i tha: “A beson ti në Birin e Perëndisë?.”
36 Ai u përgjigj dhe tha: “Kush është, Zot, që unë të besoj në të?.”
37 Dhe Jezusi i tha: “Ti e ke parë; është pikërisht ai që po të flet.”
38 Atëherë ai tha: “Unë besoj, o Zot”; dhe e adhuroi.
39 Pastaj Jezusi tha: “Unë kam ardhur në këtë botë për të bërë një gjyq, që ata që nuk shohin të shohin dhe ata që shohin të verbohen.”
40 Disa nga farisenjtë që ishin me të i dëgjuan këto gjëra dhe i thanë: “Jemi të verbër edhe ne?.”
41 Jezusi u përgjigj atyre: “Po të ishit të verbër, nuk do të kishit asnjë mëkat; por tani thoni: "Ne shohim," prandaj mëkati juaj mbetet.”