M’Cheyne Bible Reading Plan
16 Në vitin e tridhjetë e gjashtë të mbretërisë së Asas, Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun për të penguar që dikush të hynte apo të dilte nga Asa, mbret i Judës.
2 Atëherë Asa nxori nga thesaret e shtëpisë të Zotit dhe të pallatit mbretëror argjend dhe ar dhe ia dërgoi Ben-Hadadit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, duke thënë:
3 "Le të ketë aleancë midis teje dhe meje, ashtu si kishte midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj argjend dhe ar: prandaj, prishe aleancën me Baashan, mbretin e Izraelit me qëllim që ai të tërhiqet nga unë".
4 Ben-Hadadi e dëgjoi mbretin Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qyteteve të Izraelit. Këta sulmuan Ijonin, Danin, Abel-Maimin dhe të gjitha qytetet-depozitë të Neftalit.
5 Kur Baasha e mësoi këtë, e ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe pezulloi punimet e tij.
6 Atëherë mbreti Asa mori të gjithë ata të Judës, që morën gurët dhe lëndën e drurit që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar Ramahun dhe me to ndërtoi Geban dhe Mitspahun.
7 Në atë kohë shikuesi Hanani shkoi tek Asa, mbret i Judës, dhe i tha: "Me qenë se u mbështete te mbreti i Sirisë dhe nuk u mbështete tek Zoti, Perëndia yt, ushtria e mbretit të Sirisë të shpëtoi nga dora.
8 A nuk ishin vallë Etiopasit dhe Libianët një ushtri e pamasë me një numër shumë të madh qerresh dhe kalorësish? Megjithatë, me qenë se ishe mbështetur tek Zoti ai i dha në duart e tua.
9 Në të vërtetë Zoti me sytë e tij shikon përpara dhe mbrapa tërë dheun për të treguar forcën e tij ndaj atyre që kanë një zemër të ndershme ndaj tij. Në këtë ti ke vepruar si një i pamend; prandaj tani e tutje do të kesh luftëra".
10 Asa u indinjua dhe e futi në burg, sepse ishte zemëruar me të për këto gjëra. Në këtë kohë Asa u suall egërsisht edhe me disa njerëz nga populli.
11 Por ja, bëmat e Asait nga të parat deri në ato të fundit, i gjejmë të shkruara në librin e mbretit të Judës dhe të Izraelit.
12 Në vitin e tridhjetë e nëntë të mbretërimit të tij Asa u sëmur nga këmbët, dhe sëmundja e tij ishte shumë e rëndë, por gjatë sëmundjes së tij Ai nuk kërkoi Zotin, por iu drejtua mjekëve.
13 Kështu Asa pushoi bashkë me etërit e tij dhe vdiq në vitin e dyzetenjëtë të mbretërisë së tij.
14 E varrosën në varrin që i kishte hapur vetes në qytetin e Davidit, e vendosën mbi një shtrat plot me aroma dhe melheme të ndryshme të parfumuara, të përgatitura sipas artit të parfumierit, dhe dogjën një sasi të madhe prej tyre për nder të tij.
5 Pastaj pashë në dorën e djathtë të atij që rrinte ulur mbi fron, një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.
2 Dhe pashë një engjëll të fuqishëm, që proklamoi me zë të madh: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?.”
3 Po kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, nuk mund të hapte librin e ta shihte atë.
4 Edhe unë qaja shumë, sepse s’qe gjetur asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shohë.
5 Atëherë një nga pleqtë më tha: “Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij.”
6 Dhe pashë, në mes të fronit dhe të katër gjenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, një Qengj si i therur, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë, të dërguar në gjithë dheun.
7 Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte mbi fron.
8 Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe disa kupa ari plot me erë të këndshme, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.
9 Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb,
10 dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.”
11 Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,
12 që thoshnin me zë të madh: “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin.”
13 Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.”
14 Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: “Amen!.” Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.
1 Në muajin e tetë të vitit të dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
2 "Zoti ishte zemëruar shumë me etërit tuaj.
3 Prandaj u thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: Kthehuni tek unë, thotë Zoti i ushtrive, dhe unë do të kthehem te ju," thotë Zoti i ushtrive.
4 "Mos u bëni si etërit tuaj, të cilëve profetët e së kualuarës u kanë shpallur, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija dhe nga veprat tuaja të këqija". Por ata nuk dëgjuan dhe nuk më kushtuan vemendje," thotë Zoti.
5 "Etërit tuaj ku janë? Po profetët a rrojnë vallë përjetë?
6 Vallë fjalët e mia dhe statutet e mia që ua kisha besuar shërbëtorëve të mi, profetëve, nuk arritën te etërit tuaj? Kështu ata u konvertuan dhe thanë: "Ashtu si kishte vendosur të vepronte me ne Zoti i ushtrive, në bazë të rrugëve tona dhe të veprave tona, kështu veproi me ne"".
7 Më njëzet e katër të muajit të njëmbëdhjetë, që është muaji i Shebatit, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit iu drejtua Zakarias, birit të Berekiahut, bir i Idos, profet, duke thënë:
8 Natën pata një vegim; dhe ja, një burrë, që i kishte hipur një kali të kuq, rrinte midis shkurreve të mërsinave në një gropë të thellë dhe prapa tij kishte kuaj të kuq, të kuqërremë dhe të bardhë.
9 Unë pyeta: "Imzot, çfarë kuptimi kanë këto gjëra?". Engjëlli që fliste me mua m’u përgjigj: "Unë do të të bëj të shohësh çfarë kuptimi kanë ato".
10 Atëherë burri që rrinte midis shkurreve të mërsinave nisi të thotë: Këta janë ata që i ka dërguar Zoti për të përshkuar dheunn".
11 Kështu iu përgjigjën ata engjëllit të Zotit i cili rrinte midis shkurreve të mërsinave: "Kemi përshkuar dheun dhe ja, gjithë dheu është në pushim dhe i qetë".
12 Atëherë engjëlli i Zotit nisi të thotë: "O Zoti i ushtrive, deri kur do të vazhdosh të mos kesh mëshirë për Jeruzalemin dhe për qytetet e Judës kundër të cilave ke qënë i zemëruar gjatë këtyre shtatëdhjetë vjetëve?".
13 Pastaj Zoti i tha disa fjalë të mira, fjalë inkurajimi, engjëllit që fliste me mua.
14 Kështu engjëlli që fliste me mua më tha: "Bërtit dhe thuaj: Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Unë jam shumë xheloz për Jeruzalemin dhe për Sionin;
15 por jam zemëruar shumë me kombet që jetojnë në mirëqenie, sepse, kur isha zemëruar pak, ata luajtën rol për ta shtuar të keqen".
16 Prandaj kështu thotë Zoti: "Unë po i drejtohem përsëri Jeruzalemit me mëshirë; tempulli im do të rindërtohet aty, thotë Zoti i ushtrive, dhe litari do të nderet mbi Jeruzalem".
17 Bërtit akoma dhe thuaj: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Qytetet e mia do të jenë plot e përplot me pasuri; Zoti do të ngushëllojë akoma Sionin dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin"".
18 Pastaj i çova sytë, shikova dhe ja, katër brirë.
19 Unë e pyeta engjëllin që fliste me mua: "Çfarë janë këta?". Ai m’u përgjigj: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, Izraelin dhe Jeruzalemin".
20 Pastaj Zoti më bëri të shoh katër kovaçë.
21 Unë pyeta: "Pse kanë ardhur këta, çfarë do të bëjnë?". Ai u përgjigj dhe tha: "Këta janë brirët që kanë shpërndarë Judën, kështu që askush nuk mund të çonte kokën lart, por këta kovaçë vijnë për t’i trembur, për të rrëzuar brirët e kombeve që e kanë ngritur bririn e tyre kundër vendit të Judës për ta shpërndarë".
4 Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni
2 (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),
3 e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
4 Por duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.
6 Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.
7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”
8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”
11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?
12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”
15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”
16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”
17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"
18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”
19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”
21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”
25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”
26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”
27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: “Çfarë do?” ose: “Pse po flet me të?.”
28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:
29 “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?.”
30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.
31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: “Mësues, ha.”
32 Por ai u tha atyre: “Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s’e njihni.”
33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: “Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?.”
34 Jezusi u tha atyre: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.
35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.
36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.
37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".
38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre.”
39 Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Ai më tregoi gjithçka kam bërë.”
40 Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.
41 Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.
42 Dhe ata i thoshnin gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës.”
43 Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,
44 sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.
45 Pra, kur arriti në Galile, Galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.
46 Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.
48 Atëherë Jezusi i tha: “Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni.”
49 Nëpunësi i mbretit i tha: “Zot, zbrit para se djali im të vdesë.”
50 Jezusi i tha: “Shko, djali yt jeton!.” Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
51 Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: “Djali yt jeton!.”
52 Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: “Dje në orën e shtatë e lanë ethet.”
53 Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: “Djali yt jeton”; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
54 Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.