Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Kronikave 31

31 Mbasi mbaruan tërë këtë punë, Izraelitët e pranishëm u nisën për në qytetet e Judës, për të thyer kollonat e shenjta, për të shembur Asherimët dhe për të shkatërruar vendet e larta dhe altarët në tërë Judën dhe Beniaminin, ashtu edhe në Efraim dhe në Manas, deri në shkatërrim të plotë. Pastaj tërë bijtë e Izraelit u kthyen në qytetet e tyre, secili në pronën e tij.

Ezekia rindërtoi klasat e priftërinjve dhe të Levitëve në bazë të klasave të tyre, secila sipas shërbimit të tij, priftërinjtë dhe Levitët për olokaustet dhe flijimet e falenderimit për të shërbyer, për të falenderuar dhe për të lëvduar në portat e kampeve të Zotit.

Mbreti caktoi edhe pjesën e pasurive të tij, që do t’i caktoheshin për olokauste; olokaustet e mëngjesit dhe të mbrëmjes, olokaustet e të shtunave, të ditëve të hënës së re dhe të festave solemne, ashtu siç është shkruar në ligjin e Zotit.

Gjithashtu urdhëroi popullin, ata që banonin në Jeruzalem, t’u jepnin priftërinjve dhe Levitëve pjesën që u takonte, me qëllim që të tregoheshin të vendosur në ligjin e Zotit.

Sa u përhap ky urdhër, bijtë e Izraelit dhanë me shumicë prodhimet e para të grurit, të verës, të vajit, të mjaltit dhe të të gjitha prodhimeve të arave; dhe çuan një të dhjetë të bollshme nga çdo gjë.

Bijtë e Izraelit dhe të Judës që banonin në qytetet e Judës çuan edhe ata të dhjetën e lopëve dhe të deleve, po kështu edhe të dhjetën e gjërave të shenjta të shenjtëruara Zotit, Perëndisë të tyre, dhe krijuan me to shumë grumbuj.

Filluan t’i bëjnë grumbujt në muajin e tretë dhe e përfunduan këtë punë në muajin e shtatë.

Kur Ezekia dhe krerët erdhën për të parë grumbujt, bekuan Zotin dhe popullin e tij të Izraelit.

Pastaj Ezekia pyeti priftërinjtë dhe Levitët për grumbujt;

10 kryeprifti Azariah, nga shtëpia e Tsadokut, iu përgjigj: "Që kur filloi prurja e ofertave në shtëpinë e Zotit, kemi ngrënë sa jemi ngopur dhe kanë mbetur gjëra me shumicë, sepse Zoti ka bekuar popullin e tij; dhe kjo është sasia e madhe që ka tepruar".

11 Atëherë Ezekia i urdhëroi ata të përgatisnin disa dhoma në shtëpinë e Zotit. Ata i përgatitën,

12 dhe sollën aty me besnikëri ofertat, të dhjetën dhe gjërat e shenjtëruara. Levitit Konaniahu iu besua kryeintendenca dhe mbas tij vinte i vëllai, Shimei.

13 Jehieli, Ahaziahu, Nahathi, Asahelli, Jerimothi, Jozabadi, Elieli, Ismakiahu, Mahathi dhe Benajahu ishin mbikqyrës nën urdhrat e Konaniahut dhe të vëllait të tij Shimei, me porosi të mbretit Ezekia dhe të Azariahut, kreu i shtëpisë së Perëndisë.

14 Leviti Kore, bir i Imnahut, rojë e portës lindore, ishte caktuar për ofertat vullnetare që i bëheshin Perëndisë për të shpërndarë ofertat e larta të Zotit dhe gjërat shumë të shenjta.

15 Nën urdhrat e tij ishin Edeni, Miniamini, Jeshua, Shemajahu, Amariahu, Shekaniahu në qytetet e priftërinjve, që duhet t’u bënin me përpikmëri shpërndarjen vëllezërve të tyre, të mëdhenj apo të vegjël, sipas klasave të tyre;

16 me përjashtim të meshkujve që ishin regjistruar në gjeneologjitë e tyre nga mosha tre vjeç e lart, ata u shpërndanin të gjithë atyre që hynin në shtëpinë e Zotit racionin e tyre të përditshëm për shërbimin e tyre, sipas funksioneve të tyre dhe në bazë të klasës së cilës i përkisnin,

17 priftërinjve të regjistruar në gjenealogjitë sipas shtëpive atërore dhe Levitëve me moshë njëzet vjeç e lart, sipas detyrave të tyre dhe klasave të cilave u përkisnin,

18 dhe gjithë atyre që ishin regjistruar në gjenealogjinë, domethënë fëmijët e tyre të vegjël, bashkëshortet e tyre bijtë e tyre dhe bijat e tyre si anëtarë të të gjithë asamblesë; sepse në funksionin që u ishte caktuar ata u shenjtëruan në shenjtëri.

19 Edhe për priftërinjtë, bijtë e Aaronit, që banonin në fshat, në zonat rreth qyteteve, kishte në çdo qytet njerëz të caktuar me emër për të ndarë racionet çdo mashkulli midis priftërinjve dhe tërë Levitëve të regjistruar në gjenealogjitë.

20 Ezekia veproi kështu në të gjithë Judën; bëri atë që është e mirë, e drejtë dhe e vërtetë përpara Zotit, Perëndisë të tij.

21 Çdo punë që ndërmori për shërbimin e shtëpisë të Perëndisë, për ligjin dhe për urdhërimet, për të kërkuar Perëndinë e tij, ai e bëri me gjithë zemër; prandaj ai pati mbarësi.

Zbulesa 17

17 Dhe erdhi një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat, dhe foli me mua dhe më tha: “Eja, do të të tregoj gjyqin e kurvës së madhe që është ulur në ujëra të shumta,

më të cilën u kurvëruan mbretërit e dheut, dhe banorët e dheut u dehën me verën e kurvërisë së saj.”

Dhe më çoi në Frymë në një shkretëtirë, dhe pashë një grua që rrinte mbi një bishë të kuqe, plot me emra blasfemie dhe që kishte shtatë krerë dhe dhjetë brirë.

Edhe gruaja ishte veshur me purpur dhe me të kuq të ndezur, e stolisur me ar, gurë të çmuar dhe me margaritarë; kishte në dorë një kupë ari plot me neveritë dhe ndyrësitë e kurvërimit të saj.

Dhe mbi ballin e saj ishte shkruar një emër: “Misteri, Babilona e madhe, nëna e lavirave dhe e neverive të dheut.”

Dhe e pashë gruan duke u dehur nga gjaku i shenjtorëve dhe nga gjaku i martirëve të Jezusit. Dhe, kur e pashë, u çudita me çudi të madhe.

Dhe engjëlli më tha: “Përse çuditesh? Unë do të të tregoj misterin e gruas dhe të bishës që e mban atë, e cila ka shtatë krerë dhe dhjetë brirë.

Bisha, që pe, ishte, edhe nuk është, dhe do të ngjitet nga humnera dhe do të vejë në përhumbje; dhe banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës që nga krijimi i botës, do të çuditen kur të shohin bishën që ishte, dhe nuk është, ndonëse është.

Këtu është mendja që ka dituri: të shtatë krerët janë shtatë male, ku ulet gruaja,

10 dhe mbretër janë shtatë; pesë kanë rënë, një është dhe tjetri nuk ka ardhur ende; dhe, kur të vijë, pak kohë do të mbetet.

11 Dhe bisha që ishte, dhe nuk është më, është edhe ajo i teti mbret, dhe është nga të shtatët dhe shkon në përhumbje.

12 Të dhjetë brirët, që pe, janë dhjetë mbretër, të cilët nuk kanë marrë ende mbretërinë, por do të marrin pushtet si mbretër, një orë, bashkë me bishën.

13 Këta kanë një qëllim, dhe do t’ia japin fuqinë dhe pushtetin e tyre bishës.

14 Ata do të luftojnë kundër Qengjit dhe Qengji do t’i mundë, sepse ai është Zot i zotërve dhe Mbret i mbretërve; dhe ata që janë me të janë të thirrur, të zgjedhur dhe besnikë.”

15 Pastaj më tha: “Ujërat që ke parë, ku ulet lavirja, janë popuj dhe turma, dhe kombe, dhe gjuhë.

16 Dhe të dhjetë brirët që ke parë mbi bishën, këta do të urrejnë laviren, do ta bëjnë të shkretë dhe lakuriq, dhe do të hanë mishrat e saj dhe do ta djegin në zjarr.

17 Sepse Perëndia u dha në zemër atyre të kryejnë mendjen e tij, të bëhen në një mendje, edhe t’i japin bishës mbretërinë e tyre, gjersa të plotësohen fjalët e Perëndisë.

18 Dhe gruaja që pe është qyteti i madh, që mbretëron mbi mbretëritë e dheut.”

Zakaria 13:2-9

Atë ditë do të ndodhë," thotë Zoti i ushtrive, "që unë do të shfaros nga vendi emrat e idhujve, që nuk do të kujtohen më; do të zhduk gjithashtu profetët nga vendi dhe frymën e papastër.

Dhe do të ndodhë që, në se dikush do të profetizojë akoma, i ati dhe e ëma që e kanë lindur do t’i thonë: "Ti s’ke për të jetuar, sepse shqipton gënjeshtra në emër të Zotit". Kështu i ati dhe e ëma që e kanë lindur do ta therin, sepse ai profetizon.

Atë ditë do të ndodhë që secili profet do të ndiejë turp për vegimin e vet, kur të profetizojë dhe nuk do të veshë më qyrkun për të mashtruar.

Po secili do të thotë: "Unë nuk jam profet, jam bujk; dikush më ka mësuar të rris bagëtinë që në rininë time".

Pastaj në qoftë se dikush do t’i thotë: "Çfarë janë këto plagë që ke në duart e tua?," ai do të përgjigjet: "Janë ato me të cilat jam plagosur në shtëpinë e miqve të mi"".

"Zgjohu, o shpatë, kundër bariut tim dhe kundër njeriut që është shoku im," thotë Zoti i ushtrive. "Godite bariun dhe delet le të shpërndahen; pastaj do ta drejtoj dorën time kundër të vegjëlve.

Dhe në gjithë vendin do të ndodhë," thotë Zoti, "që dy të tretat do të shfarosen dhe do të vdesin, por një e treta do të mbetet.

Këtë të tretë do ta bëj të kalojë nëpër zjarr, do ta rafinoj ashtu si rafinohet argjendi dhe do ta vë në provë ashtu si provohet ari. Ata do të thërresin emrin tim dhe unë do t’i kënaq. Unë do të them: Ky është populli im, dhe ai do të thotë: Zoti është Perëndia im".

Gjoni 16

16 “Jua kam thënë këto gjëra, që të mos skandalizoheni.

Do t’ju përjashtojnë nga sinagogat; madje po vjen ora kur, kushdo që t’ju vrasë, do të mendojë se i ka kryer një shërbim Perëndisë.

Dhe do t’ju bëjnë këto gjëra, sepse nuk kanë njohur as Atin, as mua.

Por unë jua kam thënë këto gjëra që, kur të vijë momenti, të kujtoheni se unë jua kisha thënë; por nga fillimi këto fjalë nuk jua pata thënë, sepse isha me ju.

Por tani unë po shkoj tek ai që më ka dërguar, dhe askush nga ju s’po më pyet: "Ku po shkon?".

Madje, për shkak se ju thashë këto gjëra, trishtimi e ka mbushur zemrën tuaj.

Megjithatë unë ju them të vërtetën: është mirë për ju që unë të shkoj, sepse, po nuk shkova, nuk do të vijë te ju Ngushëlluesi; por, po shkova, unë do t’jua dërgoj.

Dhe kur të ketë ardhur, ai do ta bindë botën për mëkat, për drejtësi dhe për gjykim.

Për mëkat, sepse nuk besojnë në mua;

10 për drejtësi, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më;

11 për gjykim, sepse princi i kësaj bote është gjykuar.

12 Kam edhe shumë gjëra të tjera për t’ju thënë, por ato ende ju nuk mund t’i mbani.

13 Por, kur të vijë ai, Fryma e së vërtetës, ai do t’ju prijë në çdo të vërtetë, sepse ai nuk do të flasë nga vetja, por do të thotë gjitha ato gjëra që ka dëgjuar dhe do t’ju kumtojë gjërat që do vijnë.

14 Ai do të më përlëvdojë, sepse do të marrë prej meje dhe do t’jua kumtojë.

15 Të gjitha gjërat që ka Ati janë të miat; për këtë ju thashë se ai do të marrë prej simes dhe do t’jua kumtojë.

16 Pas pak nuk do të më shihni më; e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni, sepse unë po shkoj tek Ati.”

17 Atëherë disa nga dishepujt e tij thoshnin midis tyre: “Ç’është kjo që po na thotë: "Pas pak nuk do të më shihni më," dhe: "e përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni" dhe: "Sepse unë po shkoj te Ati"?.”

18 Thoshnin pra: “Ç’është kjo "Pas pak," për të cilën flet? Ne s’dimë ç’don të thotë.”

19 Jezusi, pra, e kuptoi se ata donin ta pyesnin dhe u tha atyre: “Ju po pyesni njeri tjetrin pse thashë: "Pas pak nuk do të më shihni më," dhe: "E përsëri një kohë e shkurtër e do të më shihni"?

20 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: ju do të qani dhe do të mbani zi dhe bota do të gëzohet. Ju do të pikëlloheni, por pikëllimi juaj do të kthehet në gëzim.

21 Gruaja, kur lind, ka dhembje, sepse i erdhi ora; por, sapo e ka lindur fëmijën, nuk kujton më ankthin prej gëzimit që lindi një qenie njerëzore në botë.

22 Kështu edhe ju tani jeni në dhembje, por unë do t’ju shoh përsëri dhe zemra juaj do të gëzohet, dhe askush nuk do t’ua heqë gëzimin tuaj.

23 Atë ditë ju nuk do të më bëni më asnjë pyetje. Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se çdo gjë që t’i kërkoni Atit në emrin tim, ai do t’jua japë.

24 Deri tani ju s’keni kërkuar asgjë në emrin tim; kërkoni dhe do të merrni, që gëzimi juaj të jetë i plotë.

25 Jua kam thënë këto gjëra në shëmbëlltyra, por po vjen ora kur nuk do t’ju flas më me shëmbëlltyra, por do t’ju flas haptas për Atin.

26 Në atë ditë ju do të kërkoni në emrin tim; dhe nuk po them se unë do t’i lutem Atit për ju;

27 Ati vetë në fakt ju do, sepse ju më deshët mua dhe keni besuar se unë dola nga Perëndia.

28 Unë dola nga Ati dhe erdha në botë; përsëri po e lë botën dhe kthehem tek Ati.”

29 Dishepujt e tij i thanë: “Ja, ti tani po flet haptas dhe s’po përdor asnjë shëmbëlltyrë.

30 Tani ne njohim se ti di gjithçka dhe s’ke nevojë që ndokush të të pyesë; prandaj ne besojmë se ke dalë nga Perëndia.”

31 Jezusi u përgjigj atyre: “A besoni tani?

32 Ja, po vjen ora, madje tashmë ka ardhur, në të cilën ju do të shpërndaheni, secili për punë të vet, dhe do të më lini vetëm; por unë nuk jam vetëm, sepse Ati është me mua.

33 Jua kam thënë këto gjëra, që ta keni paqen në mua; në botë do të keni mundime, por merrni zemër, unë e munda botën!.”