Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Kronikave 14-15

14 Pastaj Abijahun pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa. Në kohën e tij vendi qe i qetë dhjetë vjet.

Asa bëri atë që ishtë e mirë dhe e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë të tij.

Ai hoqi nga vendi altarët e perëndive të huaj dhe vendet e larta, shkatërroi shtyllat e shenjta dhe i bëri copë-copë Asherimët.

Përveç kësaj urdhëroi Judën të kërkojë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, dhe të zbatojë në praktikë ligjin dhe urdhërimet.

Hoqi gjithashtu nga të gjitha qytetet e Judës vendet e larta dhe idhujt; dhe me të mbretëria njohu një periudhë qetësie.

Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë, sepse vendi ishte i qetë. Në ato vite nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Zoti i kishte dhënë qetësi.

Ai u thoshte atyre të Judës: "Le t’i ndërtojmë këto qytete dhe t’i rrethojmë me mure, me kulla, me porta dhe shufra. Vendi është akoma në dispozicionin tonë, sepse kemi kërkuar Zotin, Perëndinë tonë; ne e kemi kërkuar dhe ai na ka dhënë paqe rreth e qark". Kështu ata iu vunë ndërtimit dhe u begatuan.

Asa kishte një ushtri prej treqindmijë njerëzish nga Juda që mbanin ushta dhe mburoja, si dhe dyqind e tetëdhjetë mijë nga Beniamini që mbanin mburoja dhe gjuanin me hark; tërë këta ishin burra të fortë dhe trima.

Kundër tyre doli Zerahu, Etiopasi, me një ushtri prej një milion burrash dhe me treqind qerre dhe arriti deri në Mareshah.

10 Asa doli atëherë kundër tij dhe u vendosën në rend beteje në luginën e Tsefathahut pranë Mareshahut.

11 Atëherë Asa i klithi Zotit, Perëndisë të tij, dhe tha: "O Zot, nuk ka njeri veç teje që mund të ndihmojë në luftimet midis një të fuqishmi dhe atij që i mungon forca. Na ndihmo, o Zot, Perëndia ynë, sepse ne mbështetemi te ti dhe dalim kundër kësaj shumice në emrin tënd. O Zot, ti je Perëndia ynë; mos lejo që njeriu të ta kalojë ty!".

12 Kështu Zoti goditi Etiopasit përpara Asas dhe përpara Judës, dhe Etiopasit ua mbathën këmbëve.

13 Atëherë Asa dhe njerëzit që ishin me të i ndoqën deri në Gherar. Prandaj Etiopasit u mundën, prej tyre nuk mbeti asnjë i gjallë, sepse ata u shkatërruan përpara Zotit dhe ushtrisë së tij. Dhe ata morën një plaçkë shumë të madhe.

14 Pastaj sulmuan tërë qytetet rreth e qark Gherarit, sepse tmeri i Zotit i kishte zënë, dhe ata plaçkitën tërë qytetet në të cilat kishte plaçkë të madhe.

15 Sulmuan gjithashtu vathët e bagëtive dhe morën me vete një numër të madh dhensh dhe devesh. Pastaj u kthyen në Jeruzalem.

15 Atëherë Fryma e Perëndisë erdhi mbi Azarisahun, birin i Odedit,

që doli të takojë Asan dhe i tha: "Asa, dhe ju të gjithë nga Juda dhe nga Beniamini, më dëgjoni! Zoti është me ju, kur ju jeni me të. Në rast se e kërkoni, ai do të vijë tek ju, por në rast se e braktisni, edhe ai do t’ju braktisë.

Për një kohë të gjatë Izraeli ka qenë pa Perëndinë e vërtetë, pa priftërinj që të jepnin mësim dhe pa ligj.

Por në fatkeqësinë e tyre ata u rikthyen tek Zoti, Perëndia i Izraelit, e kërkuan dhe ai i la ta gjenin.

Në atë kohë nuk kishte siguri për ata që shkonin e vinin, sepse të gjithë banorët e vendeve ishin shumë të shqetësuar.

Një komb shtypej nga një tjetër, një qytet nga një tjetër, sepse Perëndia i hidhëronte me fatkeqësira të çdo lloji.

Por ju jeni të fortë dhe mos lini që krahët tuaja të dobësohen, sepse puna juaj do të shpërblehet.

Kur Asa dëgjoi këto fjalë dhe profecinë e profetit Oded, mori zemër dhe hodhi idhujt e neveritshëm nga tërë vendi i Judës dhe i Beniaminit si dhe nga qytetet që kishte pushtuar në zonën malore të Efraimit, ndreqi edhe altarin e Zotit që gjendej përpara portikut të Zotit.

Pastaj mblodhi tërë Judën dhe Beniaminin dhe ata të Efraimit, të Manasit dhe të Simeonit që banonin bashkë me ta; në fakt kishin ardhur tek ai në numër të madh nga Izraeli, kur kishin parë që Zoti, Perëndia i tyre, ishte me të.

10 Kështu u mblodhën në Jeruzalem në muajin e tretë të vitit të pesëmbëdhjetë të mbretërisë së Asas.

11 Në atë kohë flijuan për Zotin plaçka që kishin marrë, shtatëqind lopë dhe shtatë mijë dele.

12 Pastaj u zotuan me një besëlidhje të kërkojnë Zotin, Perëndinë e etërve të tyre, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirtin e tyre.

13 Kushdo që nuk e kishte kërkuar Zotin, Perëndinë e Izraelit, do të dënohej me vdekje, qoftë i madh apo i vogël, burrë apo grua.

14 Përveç kësaj iu betuan Zotit me zë të lartë dhe me britma gëzimi, të shoqëruar me boritë dhe brirët.

15 Tërë Juda u gëzua nga betimi, sepse ishin betuar me gjithë zemër dhe kishin kërkuar Zotin me gjithë vullnetin e tyre, dhe ai i kishte lënë ta gjejnë. Kështu Zoti u dha paqe rreth e qark.

16 Ai hoqi nga pozita që kishte si mbretëreshë edhe Maakahën, nënën e mbretit Asa, sepse ajo kishte bërë një shëmbëlltyrë të neveritshme të Asherahut. Pastaj Asa e shkatërroi shëmbëlltyrën, e bëri copë-copë dhe e dogji pranë përroit Kidron.

17 Por vendet e larta nuk u zhdukën në Izrael, megjithëse zemra e Asas mbeti e ndershme gjatë gjithë jetës së tij.

18 Ai bëri që të sillen në shtëpinë e Perëndisë gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat e shenjtëruara nga ai vetë: argjendin, arin dhe enët.

19 Dhe nuk pati më luftë deri në vitin e tridhjetë e pestë të mbretërisë së Asas.

Zbulesa 4

Pas këtyre gjërave, pashë dhe ja, një derë u hap në qiell dhe zëri i parë që kisha dëgjuar të fliste me mua si bori, tha: “Ngjitu këtu dhe do të të tregoj gjërat që duhet të ndodhin pas këtyre gjërave.”

Dhe menjëherë erdha në frymë; dhe ja, një fron ishte në qiell dhe mbi fron rrinte një i ulur.

Dhe ai që ishte ulur nga pamja i ngjante një guri diaspri dhe sardi; dhe rreth fronit ishte një ylber që i ngjante smeraldit.

Dhe rreth e qark fronit ishin njëzet e katër frone, dhe mbi frone pashë ndenjur njëzet e katër pleq të veshur me petka të bardha; dhe mbi kryet e tyre kishin kurora:

dhe nga froni shpërthenin vetëtima, bubullima dhe zëra; dhe përpara fronit ishin shtatë llamba të ndezura, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë.

Dhe përpara fronit ishte si një det i qelqtë që i ngjante kristalit, dhe në mes të fronit dhe përreth fronit katër kafshë, që ishin plot me sy përpara dhe prapa.

Qenia e parë e gjallë ishte e ngjashme me një luan, edhe qenia e dytë e gjallë e ngjashme me një viç, edhe qenia e tretë e gjallë kishte fytyrë si të njeriut, edhe e katërta ishte e ngjashme me një shqiponjë në fluturim.

Edhe të katër qeniet e gjalla kishin secila nga gjashtë krahë përqark, edhe përbrenda ishin plot me sy; dhe nuk pushojnë kurrë, as ditë as natë, duke thënë: “I shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti Perëndi, i Plotfuqishmi, që ishte, që është dhe që do të vijë!.”

Sa herë që qeniet e gjalla i japin lavdi, nder e të falenderim atij që rri ulur mbi fron, atij që rron në shekuj të shekujve,

10 të njëzet e katër pleq bien përmbys përpara atij që rri mbi fron dhe adhurojnë atë që jeton në shekuj të shekujve dhe i hedhin kurorat e tyre përpara fronit, duke thënë:

11 “Ti je i denjë, o Zot, të marrësh lavdinë, nderimin dhe fuqinë, sepse ti i krijove të gjitha gjëra, dhe nëpërmjet vullnetit tënd ekzistojnë dhe u krijuan.”

Hagai 2

Në muajin e shtatë, në ditën e njëzetenjëtë të muajit, fjala e Zotit u drejtua me anë të profetit Hagai, duke thënë:

"Foli tani Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, dhe pjesës tjetër të popullit, duke thënë:

"Cili prej jush ka mbetur nga ata që e kanë parë këtë tempull në lavdinë e tij të mëparshme? Dhe si po e shikoni tani? Në krahasim me atë, a nuk është kjo asgjë para syve tuaj?

Dhe tani ji i fortë, Zorobabel," thotë Zoti, "ji i fortë, Jozue, bir i Jehotsadakut, kryeprift; ji i fortë, o mbarë popull i vendit," thotë Zoti, dhe i hyni punës, sepse unë jam me ju,," thotë Zoti i ushtrive,

"sipas fjalës së besëlidhjes që lidha me ju kur dolët nga Egjipti, kështu Fryma ime qëndron midis jush. Mos kini frikë".

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Edhe një herë, pas pak, unë do t’i bëj të dridhen qiejtë dhe dheun, detin dhe sterenë;

do t’i bëj të dridhen gjithë kombet; dëshira e gjithë kombeve do të vijë dhe unë do ta mbush këtë tempull me lavdi," thotë Zoti i ushtrive.

"Argjendi është imi, ari është imi," thotë Zoti i ushtrive.

"Lavdia e këtij tempulli të fundit do të jetë më e madhe nga ajo e të mëparshmit," thotë Zoti i ushtrive; "dhe në këtë vend unë do të sjell paqen,"" thotë Zoti i ushtrive.

10 Në ditën e njezet e katërt të muajit të nëntë, në vitin e dytë të Darit, fjala e Zotit u drejtua me anë të profetit Hagai, duke thënë:

11 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Pyeti priftërinjtë për ligjin, duke thënë:

12 "Në qoftë se dikush mban në cepin e rrobës së tij mish të shenjtëruar dhe me cepin prek bukë ose ushqim të gatuar, verë ose vaj, ose çfarëdo ushqim tjetër, a do të bëhet i shenjtëruar ky?"". Priftërinjtë u përgjigjen dhe thanë: "Jo!".

13 Atëherë Hagai u tha atyre: "Në qoftë se dikush, që është i papastër për shkak të kontaktit me një kufomë, prek ndonjë nga këto gjëra, a do të bëhet kjo e papastër?". Priftërinjë u përgjigjën dhe thanë: "Po, ajo do të bëhet e papastër".

14 Atëherë Hagai u përgjigj dhe tha: "Kështu është ky popull, kështu është ky komb përpara meje," thotë Zoti, "dhe kështu është çdo punë e duarve të tyre, dhe ajo që më ofrojnë atje është e papastër.

15 Tani mendohuni mirë që sot e tutje, para se të vendoset guri mbi gur në tempullin e Zotit.

16 Më parë kur dikush shkonte para një kapice që mendohej se kishte njëzet masa, kishte vetëm dhjetë; kur dikush shkonte te buti për të nxjerrë nga buti pesëdhjetë bate, kishte vetëm njëzet.

17 Unë ju godita me plasjen, me ndryshkun dhe me breshër në çdo punë të duarve tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

18 "Mendohuni mirë që sot e tutje, nga dita e njëzetekatërt e muajit të nëntë, nga dita kur u hodhën themelet e tempullit të Zotit. Mendoni këtë:

19 a ka akoma grurë në hambar? Hardhia, fiku, shega dhe ulliri nuk kanë dhënë akoma fryt. Por që nga kjo ditë e tutje, unë do t’ju bekoj".

20 Fjala e Zotit iu drejtua për herë të dytë Agait, ditën e njëzet e katërt të muajit, duke thënë:

21 "Foli Zorobabelit, qeveritarit të Judës, dhe i thuaj: "Unë do t’i bëj qiejt dhe dheun të dridhen,

22 do të përmbys fronin e mbretërive dhe do të shkatërroj fuqinë e mbretërive të kombeve; do të përmbys qerret dhe ata që u hipin atyre; do të rrëzohen kuajt dhe kalorësit e tyre, secili do të vritet nga shpata e vëllait të vet.

23 Atë ditë," thotë Zoti i ushtrive, "unë do të të marr, o Zorobabel, bir i Shealtielit, shërbëtori im," thotë Zoti dhe do të të vë një si vulë, sepse të kam zgjedhur,"" thotë Zoti i ushtrive.

Gjoni 3

Midis farisenjve ishte një njeri me emrin Nikodem, një krer i Judenjve.

Ky erdhi natën te Jezusi dhe i tha: “Mësues, ne e dimë se ti je një mësues i ardhur nga Perëndia, sepse askush nuk mund të bëjë shenjat që bën ti, në qoftë se Perëndia nuk është me të.”

Jezusi iu përgjigj dhe tha: “Në të vërtetë, në të vërtete po të them që nëse një nuk ka rilindur, nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë.”

Nikodemi i tha: “Po si mund të lindë njeriu kur është plak? A mund të hyjë ai për së dyti në barkun e nënës së vet dhe të lindë?.”

Jezusi u përgjigj: “Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se kush nuk ka lindur nga uji dhe nga Fryma, nuk mund të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.

Ç’ka lindur nga mishi është mish; por ç’ka lindur nga Fryma është frymë.

Mos u mrrekullo që të thashë: "Duhet të lindni përsëri".

Era fryn ku të dojë dhe ti ia dëgjon zërin, por ti nuk e di nga vjen as ku po shkon; kështu është edhe çdo njëri që ka lindur nga Fryma.”

Nikodemi, duke u përgjigjur, i tha: “Si mund të ndodhin këto gjëra?.”

10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Ti je mësuesi i Izraelit dhe nuk i ditke këto gjëra?

11 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se ne flasim atë që dimë dhe dëshmojmë atë që pamë, por ju nuk e pranoni dëshminë tonë.

12 Në qoftë se ju fola për gjërat tokësore dhe ju nuk besoni, si do të më besoni nëse ju flas për gjërat qiellore?

13 Askush nuk u ngjit në qiell, përveç atij që zbriti nga qielli, pra, Birit të njeriut që është në qiell.

14 Dhe ashtu si Moisiu e ngriti lart gjarprin në shkretëtirë, kështu duhet të ngrihet lart Biri i njeriut,

15 që kushdo që beson në të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

16 Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme.

17 Sepse Perëndia nuk e dërgoi Birin e vet në botë që ta dënojë botën, por që bota të shpëtohet prej tij.

18 Ai që beson në të nuk dënohet, por ai që nuk beson tashmë është dënuar, sepse nuk ka besuar në emrin e Birit të vetëmlindur të Perëndisë.

19 Tani gjykimi është ky: Drita erdhi në botë dhe njerëzit deshën errësirën më tepër se dritën, sepse veprat e tyre ishin të mbrapshta.

20 Sepse kushdo që bën gjëra të mbrapshta e urren dritën dhe nuk vjen te drita, që të mos zbulohen veprat e tij;

21 por kush bën të vërtetën vjen te drita, që veprat e tij të zbulohen, sepse u bënë në Perëndinë.”

22 Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte.

23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin,

24 sepse Gjoni s’ishte hedhur akoma në burg.

25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.

26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: “Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.”

27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.

28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".

29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!

30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.

31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.

32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.

33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.

34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.

35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.

36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”