M’Cheyne Bible Reading Plan
25 Amatsiahu ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi njëzet e nëntë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jehoadan dhe ishte nga Jeruzalemi.
2 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, por jo me gjithë zemër.
3 Mbasi përforcoi mbretërinë e tij, ai vrau shërbëtorët e tij që kishin vrarë mbretin, atin e tij.
4 Megjithatë ai nuk i vriste bijtë e tyre, por veproi siç është shkuar në ligj në librin e Moisiut, të cilin Zoti e urdhëroi duke thënë: "Etërit nuk do të vriten për fajin e bijve të tyre, dhe as bijtë e tyre nuk do të vriten për fajin e etërve; por secili do të dënohet me vdekje për mëkatin e vet".
5 Përveç kësaj Amatsiahu mblodhi ata të Judës dhe caktoi mbi ta komandantët e mijëshëve dhe të qindëshëve sipas shtëpive të tyre atërore, për tërë Judën dhe Beniaminin; pastaj bëri regjistrimin nga njëzet vjeç e lart dhe doli që ishin treqind mijë burra të zgjedhur, të aftë për luftë dhe të zotë të përdorin ushtën dhe mburojën.
6 Rekrutoi gjithashtu me para njëqind mijë burra nga Izraeli, të fortë dhe trima, për njëqind talenta argjendi.
7 Por një njeriu i Perëndisë erdhi tek ai dhe i tha: "O mbret, ushtria e Izraelit të mos vijë me ty, sepse Zoti nuk është me Izraelin, as me ndonjë nga bijtë e Efraimit!
8 Por në rast se dëshiron të shkosh, shko megjithatë; edhe po të tregohesh trim në betejë, Perëndia do të të bëjë të biesh para armikut, sepse Perëndia ka pushtet të ndihmojë dhe të të bëjë që të biesh".
9 Amatsiahu i tha atëherë njeriut të Perëndisë: "Por çdo t’i bëj njëqind talentat që ia dhashë ushtrisë së Izraelit?". Njeriu i Perëndisë u përgjigj: Zoti mund të të japë më tepër se aqq".
10 Atëherë Amatsiahu e shpërndau ushtrinë që kishte ardhur tek ai nga Efraimi, me qëllim që të kthehej në shtëpi të saj; por zemërimi i pjesëtarëve të saj u rrit shumë kundër Judës dhe ata u kthyen në shtëpi me një zemërim të madh.
11 Pastaj Amatsiahu, mbasi mori zemër, u vu në krye të popullit të tij, shkoi në luginën e Kripës dhe vrau dhjetë mijë njerëz të Seirit.
12 Bijtë e Judës kapën gjallë dhjetë mijë të tjerë dhe i çuan në majë të shkëmbit, prej ku i hodhën poshtë; dhe të tërë u bënë copë-copë.
13 Por burrat e ushtrisë, që Amatsiahu kishte shpërndarë që të mos vinin me të për të luftuar, u vërsulën mbi qytetet e Judës, nga Samaria deri në Beth-Horon, duke vrarë tre mijë banorë dhe duke marrë një plaçkë të madhe.
14 Pas kthimit të tij nga masakra e Edomitëve, Amatsiahu urdhëroi që t’i sillnin perënditë e bijve të Seirit, i vendosi si perëndi të tij, ra përmbys përpara tyre dhe u ofroj temjan.
15 Prandaj zemërimi i Zotit u ndez kundër Amatsiahut dhe i dërgoi një profet për t’i thënë: "Pse kërkove perënditë e këtij populli, që nuk kanë qenë të zotë të çlirojnë popullin e tyre nga dora jote?".
16 Ndërsa vazhdonte të fliste akoma me të, mbreti i tha: "A të kemi bërë vallë këshilltar të mbretit? Pusho! Pse kërkon të vritesh?". Atëherë profeti nuk foli më, por tha: "Unë e di që Perëndia ka vendosur të të shkatërrojë, sepse ke bërë këtë dhe nuk more parasysh këshillën time".
17 Atëherë Amatsiahu, mbret i Judës, pasi u këshillua, dërgoi t’i thotë Joasit, birit të Jehoahazit, birit të Jehut, mbret i Izraelit: "Eja të ballafaqohemi njeri me tjetrin në betejë".
18 Por Joasi, mbret i Izraelit, dërgoi t’i thotë Amatsiahut, mbretit të Judës: "Gjembi i Libanit i çoi fjalë kedrit të Libanit: "Jepi vajzën tënde për grua birit tim". Por një kafshë e egër e Libanit kaloi andej dhe e shkeli gjembin.
19 Ti ke thënë: "Ja, unë kam mundur Edomin," dhe zemra jote të ka bërë krenar aq sa të mburresh. Rri në shtëpinë tënde. Pse kërkon të shkaktosh fatkeqësi, duke shkatërruar veten tënde dhe Judën bashkë me ty?".
20 Por Amatsiahu nuk e dëgjoi; kjo gjë vinte në të vërtetë nga Perëndia, me qëllim që të jepeshin në dorën e armikut, sepse kishin kërkuar perënditë e Edomit.
21 Kështu Joasi, mbret i Izraelit, doli kundër Judës; dhe ai dhe Amatsiahu, mbret i Judës, u ndeshën me njeri-tjetrin në Beth-Shemesh që i përkiste Judës.
22 Juda u mund nga Izraeli, dhe secili ia mbathi në çadrën e vet.
23 Joasi, mbret i Izraelit, zuri në Beth-Shemesh Amatsiahun, mbretin e Judës, birin e Joasit, bir i Jehoahazit; e çoi në Jeruzalem dhe bëri një të çarë prej katërqind kubitësh në muret e Jeruzalemit që nga porta Efraimit deri te porta e Qoshes.
24 Mori tërë arin dhe argjendin dhe të gjitha sendet që gjendeshin në shtëpinë e Perëndisë, që i ishin besuar Obed-Edomit, thesaret e pallatit mbretëror dhe disa pengje, pastaj u kthye përsëri në Samari.
25 Amatsiahu, bir i Joasit, mbretit të Judës, jetoi edhe pesëmbëdhjetë vjet mbas vdekjes së Joasit, birit të Jehoahazit, mbret i Izraelit.
26 Pjesa tjetër e bëmave të Amatsiahut, nga të parat gjer në ato të fundit, a nuk janë të shkruara vallë, në librin e mbretërve të Judës dhe të Izraelit?
27 Mbas largimit të Amatsiahut nga Zoti, u kurdis kundër tij një komplot në Jeruzalem; ai iku në Lakish, por e ndoqën deri në Lakish dhe aty e vranë.
28 E ngarkuan pastaj mbi kuaj dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në qytetin e Judës.
12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.
2 Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.
3 Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.
4 Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.
5 Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.
6 Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.
7 Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,
8 por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.
9 Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.
10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë.
11 Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.
12 Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.”
13 Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull.
14 Dhe iu dhanë gruas dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe, larg pranisë së gjarprit.
15 Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë prapa gruas, që atë ta merrte lumi,
16 dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet.
17 Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.
8 Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:
2 Kështu thotë Zoti i ushtrive: Unë jam shumë xheloz për Sionin, po, unë digjem nga xhelozia për të".
3 Kështu thotë Zoti: "Unë do të kthehem në Sion dhe do të banoj në mes të Jeruzalemit. Jeruzalemin do ta quajnë Qytet të besnikërisë dhe malin e Zotit të ushtrive, mal të shenjtërisë".
4 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Nëpër sheshet e Jeruzalemit do të ulen akoma pleq e plaka, secili me shkopin e vet në dorë për shkak të moshës së shtyrë.
5 Sheshet e qytetit do të jenë plot e përplot me djem dhe vajza që do të lozin në sheshet e tij".
6 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në se kjo duket shumë e vështirë në sytë e atyre që kanë mbetur nga ky popull ndër këto ditë, a do të jetë gjithashtu tepër e vështirë për sytë e mi?," thotë Zoti i ushtrive.
7 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ja, unë do ta shpëtoj popullin tim nga vendi i lindjes dhe nga vendi i perëndimit.
8 Unë do t’i bëj të vijnë dhe ata do të banojnë në Jeruzalem; ata do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre me besnikëri dhe drejtësi".
9 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Duart tuaja le të jenë të fuqishme, ju që dëgjoni në këto ditë këto fjalë nga goja e profetëve që ishin në kohën kur po hidheshin themelet e shtëpisë të Zotit, me qëllim që të mund të rindërtohej tempulli.
10 Përpara asaj kohe nuk kishte pagesë për njeriun dhe pagesë për kafshët; nuk kishte fare siguri për këdo që shkonte ose vinte për shkak të armikut; unë vet, pra, i vija gjithë njerëzit kundër njeri tjetrit.
11 Por tani nuk do të jem më me ata të mbeturit nga ky popull siç kam qenë në kohërat e shkuara," thotë Zoti i ushtrive.
12 "Sepse do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.
13 Dhe do të ndodhë që, ashtu si ishit një mallkim midis kombeve, o shtëpi e Judës dhe shtëpi e Izraelit, kështu, kur t’ju shpëtoj, do të jeni një bekim. Mos u trembni, duart tuaja le të jenë të fuqishme!".
14 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Ashtu si vendosa t’ju bëj keq kur etërit tuaj më provokuan zemërimin," thotë Zoti i ushtrive, "dhe nuk u pendova,
15 kështu, këto ditë kam vendosur rishtas t’i bëj mirë Jeruzalemit dhe shtëpisë së Judës. Mos u trembni!
16 Këto janë gjërat që duhet të bëni: i flisni me vërtetësi secili të afërmit të tij, në portat tuaja jepni gjykime me vërtetësi, drejtësi dhe paqe.
17 Askush të mos kurdisë në zemër të vet ndonjë të keqe kundër të afërmit të vet dhe mos pëlqeni betimin e rremë, sepse të gjitha këto gjëra unë i urrej, thotë Zoti".
18 Fjala e Zotit të ushtrive m’u drejtua përsëri, duke thënë:
19 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Agjërimi i muajit të katërt, agjërimi i të pestit, agjërimi i të shtatit dhe agjërimi i të dhjetit do të bëhen për shtëpinë e Judës një periudhë gëzimi, hareje dhe festash të gëzuara; prandaj duajeni të vërtetën dhe paqen".
20 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Do të vijnë akoma popuj dhe banorë të shumë qyteteve;
21 banorët e një qyteti do të shkojnë tek ata të tjetrit, duke thënë: "Le të shkojmë menjëherë t’i përgjërohemi fytyrës së Zotit dhe të kërkojmë Zotin e ushtrive. Edhe unë do të shkoj".
22 Po, shumë popuj dhe kombe të fuqishëm do të vijnë të kërkojnë Zotin e ushtrive në Jeruzalem dhe t’i përgjërohen fytyrës së Zotit".
23 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Në ato ditë dhjetë burra nga të gjitha gjuhët e kombeve do të zënë një Jude nga cepi i rrobës dhe do të thonë: "Ne duam të vijmë me ju sepse kemi dëgjuar se Perëndia është me ju"".
11 Ishte atëherë i sëmurë një farë Llazari nga Betania, fshati i Marisë dhe i Martës, motrës së saj.
2 Maria ishte ajo që e vajosi me vaj erëkëndëshëm Zotin dhe ia fshiu këmbët me flokët e saj; dhe vëllai i saj, Llazari, ishte i sëmurë.
3 Prandaj motrat i dërguan fjalë Jezusit: “Zot, ja, ai që ti e do shumë është i sëmurë.”
4 Dhe Jezusi si dëgjoi këto tha: “Kjo sëmundje nuk është për vdekje, po për lavdinë e Perëndisë, që nëpërmjet saj të përlëvdohet Biri i Perëndisë.”
5 Por Jezusi e donte Martën, motrën e saj dhe Llazarin.
6 Kur dëgjoi se Llazari ishte i sëmurë, qëndroi edhe dy ditë në vendin ku ishte.
7 Pastaj u tha dishepujve: “Të kthehemi përsëri në Jude.”
8 Dishepujt i thanë: “Mësues, pak më parë Judenjtë kërkonin të të vrisnin me gurë dhe ti po shkon përsëri atje?.”
9 Jezusi u përgjigj: “Nuk janë vallë dymbëdhjetë, orët e ditës? Kur dikush ecën ditën, nuk pengohet, sepse sheh dritën e kësaj bote,
10 por nëse dikush ecën natën, pengohet, sepse drita nuk është në të.”
11 Mbasi i tha këto gjëra, shtoi: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj.”
12 Atëherë dishepujt e tij thanë: “Zot, po të flejë, do të shpëtojë.”
13 Por Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit.
14 Atëherë Jezusi u tha atyre haptas: “Llazari ka vdekur.
15 Edhe unë gëzohem për ju që nuk isha atje, që të besoni; por le të shkojmë tek ai.”
16 Atëherë Thomai, i quajtur Binjaku, u tha bashkëdishepujve: “Të shkojmë edhe ne, që të vdesim me të.”
17 Kur arriti Jezusi, pra, gjeti që Llazari ishte që prej katër ditësh në varr.
18 Por Betania ishte rreth pesëmbëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
19 Dhe shumë Judenj kishin ardhur te Marta dhe te Maria për t’i ngushëlluar për vëllanë e tyre.
20 Marta, pra, si e mori vesh se po vinte Jezusi, i doli përpara; kurse Maria ishte ulur në shtëpi.
21 Marta i tha Jezusit: “Zot, po të ishe këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur,
22 por edhe tani e di se të gjitha ato që ti i kërkon Perëndisë, Perëndia do të t’i japë.”
23 Jezusi i tha: “Yt vëlla do të ringjallet.”
24 Marta i tha: “E di se do të ringjallet, në ringjallje, ditën e fundit.”
25 Jezusi i tha: “Unë jam ringjallja dhe jeta; ai që beson në mua, edhe sikur të duhej të vdesë do të jetojë.
26 Dhe ai që jeton e beson në mua, nuk do të vdesë kurrë përjetë. A e beson këtë?.”
27 Ajo i tha: “Po, Zot, unë besoj se ti je Krishti, Biri i Perëndisë, që duhet të vinte në botë”
28 Dhe, si tha kështu, shkoi të thërrasë fshehtas Marinë, motrën e saj, duke thënë: “Mësuesi është këtu dhe po të thërret.”
29 Posa e dëgjoi, ajo u çua me nxitim dhe erdhi tek ai.
30 Por Jezusi ende nuk kishte arritur në fshat, por ndodhej në vendin ku Marta e kishte takuar.
31 Prandaj Judenjtë që ishin me të në shtëpi për ta ngushëlluar, kur panë se Maria u çua me nxitim dhe doli, e ndoqën, duke thënë: “Ajo po shkon te varri për të qarë aty.”
32 Sapo Maria arriti te vendi ku ndodhej Jezusi dhe e pa atë, i ra ndër këmbë duke i thënë: “Zot, po të ishe ti këtu, im vëlla nuk do të kishte vdekur.”
33 Atëherë Jezusi, kur pa se ajo dhe Judenjtë që kishin ardhur me të po qanin, u psherëtiu në frymë dhe u trondit,
34 dhe tha: “Ku e keni vënë?.” Ata i thanë: “Zot, eja e shih!.”
35 Jezusi qau.
36 Atëherë Judenjtë thanë: “Shih, sa e donte!.”
37 Por disa nga ata thanë: “Ky, që i hapi sytë të verbërit, s’mund të bënte që ky të mos vdiste?".
38 Prandaj Jezusi, përsëri i tronditur përbrenda, erdhi te varri; por ky ishte një guvë dhe kishte përpara një gur.
39 Jezusi tha: “Hiqni gurin!.” Marta, motra e të vdekurit, i tha: “Zot, ai tashmë qelbet, sepse ka vdekur prej katër ditësh.”
40 Jezusi i tha: “A nuk të thashë se po të besosh, do të shohësh lavdinë e Perëndisë?.”
41 Atëherë ata e hoqën gurin prej vendit ku ishte shtrirë i vdekuri. Dhe Jezusi i ngriti sytë lart dhe tha: “O Atë, të falënderoj që më ke dëgjuar.
42 Unë e dija mirë se ti gjithnjë më dëgjon, por i kam thënë këto për turmën që është përreth, që të besojnë se ti më ke dërguar.”
43 Dhe, mbasi tha këto, thirri me zë të lartë: “Llazar, eja jashtë!.”
44 Atëherë i vdekuri doli, me duart e këmbët të lidhura me rripa pëlhure dhe me fytyrën të mbështjellë në një rizë. Jezusi u tha atyre: “Zgjidheni dhe lëreni të shkojë!.”
45 Atëherë shumë nga Judenjtë, që kishin ardhur te Maria dhe kishin parë gjithçka kishte bërë Jezusi, besuan në të.
46 Por disa nga ata shkuan te farisenjtë dhe u treguan atyre ç’kishte bërë Jezusi.
47 Atëherë krerët e priftërinjve dhe farisenjtë mblodhën sinedrin dhe thanë: “Ç’të bëjmë? Ky njeri po bën shumë shenja.
48 Po ta lëmë të vazhdojë kështu, të gjithë do të besojnë në të, do të vijnë Romakët dhe do të shkatërrojnë vendin dhe kombin tonë.”
49 Por një nga ata, Kajafa, që ishte kryeprifti i atij viti, u tha atyre: “Ju nuk kuptoni asgjë;
50 dhe as nuk e konceptoni se është e leverdishme për ne që të vdesë vetëm një njeri për popullin, dhe të mos humbasë gjithë kombi.”
51 Por këtë ai nuk e tha nga vetja; por, duke qenë kryeprift i atij viti, profetizoi se Jezusi duhej të vdiste për kombin,
52 dhe jo vetëm për kombin, por edhe për t’i mbledhur në një, bijtë e Perëndisë që ishin të shpërndarë.
53 Që nga ajo ditë, pra, ata vendosën ta vrasin.
54 Për këtë arsye Jezusi nuk ecte më haptasi midis Judenjve, por u tërhoq në një krahinë afër shkretëtirës, në një qytet që quhej Efraim dhe aty rrinte me dishepujt e tij.
55 Dhe Pashka e Judenjve ishte afër dhe shumë veta nga ajo krahinë u ngjitën në Jeruzalem përpara Pashkës për t’u pastruar.
56 E kërkonin, pra, Jezusin dhe, duke qëndruar në tempull, thoshnin në mes tyre: “Si ju duket juve? A do të vijë ai për festë?.”
57 Krerët e priftërinjve dhe farisenjtë kishin dhënë urdhër që, po ta dinte ndokush se ku ishte ai, të sinjalizonte që ta kapnin.