M’Cheyne Bible Reading Plan
13 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, Abijahu filloi të mbretërojë në Judë.
2 Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Mikajah; ishte bija e Urielit nga Gibeahu. Pati luftë midis Abijahut dhe Jeroboamit.
3 Abijahu u përgatit për betejën me një ushtri me luftëtarë trima, katërqind mijë njerëz të zgjedhur; edhe Jeroboami u radhit në rend beteje kundër tij me tetëqind mijë burra të zgjedhur, njerëz të fortë dhe trima.
4 Duke qëndruar në malin e Tsemaraimit, që ndodhet në krahinën malore të Efraimit, Abijahu tha: "Më dëgjoni, Jeroboam dhe tërë Izraeli!
5 A nuk e dini vallë që Zoti, Perëndia i Izraelit, ia ka dhënë për gjithnjë Davidit mbretërimin mbi Izrael, atij dhe bijve të tij, me një besëlidhje kripe?
6 Megjithatë Jeroboami, bir i Nebatit, shërbëtor i Salomonit, birit të Davidit, u ngrit dhe u rebelua kundër zotërisë së tij.
7 Rreth tij ishin mbledhur njerëz të neveritshëm dhe horra, që ishin bërë të fortë kundër Roboamit, birit të Salomonit, kur Roboami ishte i ri dhe pa përvojë, dhe nuk ishte mjaft i fortë sa t’u rezistonte atyre.
8 Tani ju mendoni të mund t’i rezistoni mbretërisë të Zotit, që është në duart e bijve të Davidit, sepse jeni një shumicë e madhe dhe keni me vete viçat e artë që Jeroboami ka bërë për ju si perënditë tuaja.
9 A nuk keni dëbuar vallë priftërinjtë e Zotit, bij të Aaronit, dhe Levitët dhe nuk jeni bërë priftërinj si popujt e vendeve të tjera? Kështu kushdo që vjen me një dem të vogël dhe me shtatë desh për t’u shenjtëruar, mund të bëhet prift i atyre që nuk janë perëndi.
10 Sa për ne, Zoti është Perëndia ynë dhe ne nuk e kemi braktisur; priftërinjtë që i shërbejnë Zotit janë bij të Aaronit, ndërsa Levitët kryejnë detyrat e tyre.
11 Çdo mëngjes e çdo mbrëmje ata i ofrojnë Zotit olokauste dhe temjan erëmirë; për më tepër ata i vendosin bukët e paraqitjes në një tryezë të pastër, dhe çdo mbrëmje ndezin shandanin e artë me llambat e tij, sepse ne respektojmë urdhrin e Zotit, Perëndisë tonë, por ju e keni braktisur.
12 Dhe ja, vet Perëndia është me ne, mbi kryet tonë dhe priftërinjtë me buri kumbonjëse janë duke i rënë alarmit kundër jush. O bij të Izraelit, mos luftoni kundër Zotit, Perëndisë të etërve tuaj, sepse nuk do të keni sukses".
13 Ndërkaq Jeroboami me një pritë u mori krahët për t’i sulmuar; kështu ndërsa ai ishte radhitur para Judës, ata të pritës ndodheshin prapa tyre.
14 Kur ata të Judës u kthyen, vunë re që beteja i priste si nga përpara ashtu dhe nga prapa. Atëherë i klithën Zotit dhe priftërinjtë u ranë borive.
15 Pastaj njerëzit e Judës lëshuan një britmë dhe, ndërsa njerëzit e Judës ulërinin, ndodhi që Perëndia goditi Jeroboamin dhe tërë Izraelin përpara Abijahut dhe Judës.
16 Kështu bijtë e Izraelit ikën përpara Judës, dhe Perëndia i dorëzoi në duart e tij.
17 Abijahu dhe njerëzit e tij i mundën keq; nga radhët e Izraelitëve ranë të vdekur pesëqind mijë luftëtarë të zgjedhur.
18 Kështu në atë kohë bijtë e Izraelit u poshtëruan, ndërsa bijtë e Judës u përforcuan sepse ishin mbështetur tek Zoti, Perëndia i etërve të tyre.
19 Abijahu e ndoqi Jeroboamin dhe i mori qytetet që vijojnë: Bethelin me fshatrat përreth, Jeshanahun me fshatrat përreth dhe Efraimin me fshatrat përreth.
20 Kështu gjatë jetës së Abijahut, Jeroboami nuk e mblodhi më veten; pastaj Zoti e goditi dhe ai vdiq.
21 Abijahu përkundrazi u bë i fuqishëm, mori katërmbëdhjetë gra dhe pati njëzet e dy djem dhe gjashtëmbëdhjetë vajza.
22 Pjesa tjetër e bëmave të Abijahut, sjellja dhe fjalët e tija janë përshkruar në kronikat e profetit Ido.
3 “Dhe engjëllit të kishës në Sardë shkruaji: këto gjëra thotë ai që ka të shtatë Frymërat e Perëndisë dhe të shtatë yjet. Unë i di veprat e tua; ti ke emrin se jeton, por je i vdekur.
2 Ji syçelë dhe forco mbetjen e gjërave që gati po vdesin, sepse nuk i gjeta të përkryera veprat e tua përpara Perëndisë tim.
3 Kujto, pra, atë që more dhe dëgjove, dhe ruaje edhe pendohu. Po të mos rrish zgjuar, unë do të vij te ti si vjedhës, dhe nuk do të dish në ç’orë do të vij te ti.
4 Por ke disa veta në Sardë, që nuk e ndotën petkat e tyre; edhe do të ecin me mua të veshur në të bardha, sepse janë të denjë.
5 Kush fiton do të vishet me rroba të bardha dhe unë nuk do ta fshij emrin e tij nga libri i jetës, por do të rrëfej emrin e tij përpara Atit tim dhe para engjëjve të tij.
6 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”
7 “Dhe engjëllit të kishës së Filadelfisë shkruaji: këtë thotë i Shenjti, i Vërteti, ai që ka çelësin e Davidit, ai që hap dhe askush nuk mbyll; dhe mbyll dhe askush nuk hap.
8 Unë njoh veprat e tua; ja, të vura përpara një dere të hapur që asnjëri nuk mund ta mbyllë; sepse ke pak forcë, dhe e ruajte fjalën time edhe nuk mohove emrin tim.
9 Ja, unë do të dorëzoj disa nga sinagoga e Satanit, që e quajnë veten Judenj, dhe nuk janë, por gënjejnë; ja, unë do t’i bëj të vijnë dhe të bien përmbys përpara këmbëve të tua, dhe do të njohin se unë të kam dashur.
10 Sepse e ruajte fjalën e durimit tim, edhe unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës që do të vij mbi gjithë botën, për të provuar ata që banojnë mbi dhe.
11 Ja, unë vij shpejt; mbaje fort atë që ke, që të mos të marrë ndokush kurorën tënde.
12 Kush fiton do ta bëj shtyllë në tempullin e Perëndisë tim, dhe ai nuk do të dalë më përjashta; dhe do të shkruaj mbi të emrin e Perëndisë tim, dhe emrin e qytetit të Perëndisë tim, të Jeruzalemit të ri, që zbret nga qielli nga Perëndia im, dhe emrin tim të ri.
13 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që Fryma u thotë kishave.”
14 “Dhe engjëllit të kishës në Laodice shkruaji: këtë thotë Ameni, Dëshmitari besnik dhe i vërtetë, Fillimi i krijesës së Perëndisë.
15 Unë njoh veprat e tua, që ti nuk je as i ftohtë as i ngrohtë. Do të doja të ishe i ftohtë ose i ngrohtë!
16 Por, mbasi je kështu i vakët, dhe as i ftohtë e as i ngrohtë, unë do të të vjell nga goja ime.
17 Sepse ti thua: "Unë jam i pasur, u pasurova dhe s’kam nevojë për asgjë"; edhe nuk e di se ti je qyqar e mjeran, i varfër, i verbër dhe i zhveshur.
18 Të këshilloj të blesh nga unë ar të kulluar në zjarr që të bëhesh i pasur; edhe petka të bardhë që të vishesh dhe të mos duket turpi i lakuriqësisë sate; edhe vajos sytë e tu me kolir, që të shohësh.
19 Unë të gjithë ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu.
20 Ja, unë qëndroj te dera dhe trokas; nëse dikush dëgjon zërin tim dhe të hapë derën, unë do të hyj tek ai dhe do të ha darkë me të dhe ai me mua.
21 Kujt fiton do t’i jap të ulet me mua mbi fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim mbi fronin e tij.
22 Kush ka veshë, le të dëgjojë atë që u thotë Fryma kishave.”
1 Në vitin e dytë të mbretit Dar, në muajin e gjashtë, ditën e parë të muajit, fjala e Zotit iu drejtua me anë të profetit Hagai, Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës, dhe Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift, duke thënë:
2 "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Ky popull thotë: "Nuk ka ardhur ende koha, koha kur duhet të rindërtohet shtëpia e Zotit"".
3 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua atyre me anë të profetit Hagai, duke thënë:
4 "A është vallë për ju koha për të banuar në shtëpitë tuaja të mbuluara mirë, ndërsa ky tempull është ende i rrënuar?".
5 Prandaj Zoti i ushtrive thotë tani: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!
6 Ju keni mbjellë shumë, por keni korrur pak; ju hani por jo aq sa të ngopeni; ju pini, por jo aq sa të shuani etjen tuaj; ju visheni, por askush nuk rrin ngrohtë; ai që fiton një mëditje, e fiton për ta shtënë në një qese të shpuar".
7 Kështu thotë Zoti i ushtrive: "Mendohuni mirë për sjelljen tuaj!
8 Ngjituni ndër male, sillni lëndën dhe ndërtoni tempullin, që të mund të gëzohem për të dhe kështu të jem i përlëvduar," thotë Zoti.
9 Ju prisnit shumë, por në realitet keni pasur pak; pastaj, kur e keni çuar në shtëpi, unë e shpërndava. Përse?," thotë Zoti i ushtrive, "për shkak të tempullit tim që është i rrënuar, ndërsa secili prej jush rend në shtëpinë e vet.
10 Për këtë arsye qielli e ka ndalur vesën sipër jush dhe toka e ka mbajtur prodhimin e vet.
11 Dhe unë e thirra thatësirën mbi vendin, mbi malet, mbi grurin, mbi mushtin, mbi vajin dhe mbi gjithshka që prodhon toka, mbi njerëzit, mbi bagëtinë dhe mbi gjithë punën e duarve tuaja".
12 Zorobabeli, biri i Shealtielit, dhe Jozueu, biri i Jehotsadakut, kryeprift, dhe gjithë pjesa tjetër e popullit e dëgjuan zërin e Zotit, Perëndisë së tyre, dhe fjalët e profetit Hagai, sepse Zoti, Perëndia i tyre, e kishte dërguar, dhe populli pati frikë nga prania e Zotit.
13 Atëherë Hagai, lajmëtari i Zotit, i shpalli popullit mesazhin e Zotit, duke thënë: "Unë jam me ju, thotë Zoti".
14 Kështu Zoti e zgjoi frymën e Zorobabelit, birit të Shealtielit, qeveritar i Judës dhe frymën e Jozueut, birit të Jehotsadakut, kryeprift dhe frymën e gjithë pjesës tjetër të popullit; atëherë ata erdhën dhe filluan punën për shtëpinë e Zotit të ushtrive, Perëndisë së tyre,
15 në ditën e njëzetekatërt të muajit të gjashtë, në vitin e dytë të mbretit Dar.
2 Tri ditë më vonë po bëhej një dasmë në Kanë të Galilesë, dhe nëna e Jezusit ishte atje.
2 Edhe Jezusi me dishepujt e vet ishte ftuar në dasmë.
3 Duke qenë se mbaroi vera, nëna e Jezusit i tha: “Nuk kanë më verë!.”
4 Jezusi i tha: “Ç’ke me mua, o grua? Ora ime s’ka ardhur akoma!.”
5 Nëna e tij u tha shërbëtorëve: “Bëni gjithçka që ai t’ju thotë!.”
6 Aty ishin gjashtë enë prej guri, që përdoreshin për pastrimin e Judenjve, dhe secila nxënte dy ose tri masa.
7 Jezusi u tha: “Mbushni enët me ujë!.” Dhe ata i mbushën deri në grykë.
8 Pastaj u tha: “Nxirreni tani dhe çojani të parit të festës.” Dhe ata ia çuan.
9 Dhe, mbasi i pari i festës e provoi ujin e shndërruar në verë (ai nuk e dinte nga vinte kjo verë, por e dinin mirë shërbëtorët që e kishin nxjerrë ujin), i pari i festës e thirri dhëndrin,
10 dhe i tha: “Çdo njeri nxjerr në fillim verën më të mirë dhe, kur të ftuarit kanë pirë shumë, verën e keqe; ti, përkundrazi, e ke ruajtur verën e mirë deri tani!.”
11 Jezusi bëri këtë fillim të shenjave në Kanë të Galilesë dhe e shfaqi lavdinë e tij, dhe dishepujt e tij besuan në të.
12 Pas kësaj, ai zbriti në Kapernaum me nënën e tij, vëllezërit e tij dhe me dishepujt e tij; dhe ata qëndruan aty pak ditë.
13 Pra, Pashka e Judenjve ishte afër dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.
14 Dhe në tempull gjeti ata që shisnin qe, dele e pëllumba dhe këmbyes monedhash duke ndenjur;
15 dhe si bëri një kamxhik me litarë, i dëboi të gjithë nga tempulli bashkë me qetë dhe delet, dhe ua hallakati paratë këmbyesve të monedhave dhe ua përmbysi tavolinat,
16 dhe shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këto gjëra që këtej; mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!.”
17 Kështu dishepujve të tij i kujtohej se ishte shkruar: “Zelli i shtëpisë sate më ka përpirë!.”
18 Atëherë Judenjtë u përgjigjën dhe i thanë: “Ç’shenjë na tregon se i bën këto gjëra?.”
19 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Shkatërroni këtë tempull dhe unë për tri ditë do ta ngre përsëri!.”
20 Atëherë Judenjtë thanë: “U deshën dyzet e gjashtë vjet që të ndërtohet ky tempull, dhe ti do ta ngresh për tri ditë?.”
21 Por ai fliste për tempullin e trupit të vet.
22 Kur, më pas, ai ishte ringjallur prej së vdekuri, dishepujt e vet u kujtuan se ai këtë ua kishtë thënë dhe u besuan Shkrimin dhe fjalëve që kishte thënë Jezusi.
23 Dhe kur qe në Jeruzalem për festën e Pashkës, shumë vetë besuan në emrin e tij duke parë shenjat që bënte,
24 por Jezusit nuk u zinte besë atyre, sepse i njihte të gjithë,
25 dhe sepse nuk kishte nevojë që ndokush të jepte dëshmi për njeriun, sepse ai e dinte ç’kishte përbrenda njeriut.