M’Cheyne Bible Reading Plan
26 Pastaj tërë populli i Judës mori Uziahun, që ishte atëherë gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe e bëri mbret në vend të atit të tij, Amatsiahut.
2 Ai ndërtoi Elathin dhe ia ripushtoi Judës, mbasi mbretin e pushoi bashkë me etërit e tij.
3 Uziahu ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi pesëdhjetë e dy vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jekoliah dhe ishte nga Jeruzalemi.
4 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte bërë Amatsiahu, i ati.
5 Ai kërkoi Perëndinë gjatë jetës së Zakarias, që kuptonte vizionet e Perëndisë; dhe për deri sa kërkoi Zotin, Perëndia e begatoi.
6 Ai doli dhe luftoi kundër Filistejve, rrëzoi muret e Gathit, muret e Jabnehut dhe muret e Ashdodit, dhe ndërtoi qytete në afërsi të Ashdotit dhe midis Filistejve.
7 Perëndia e ndihmoi kundër Filistejve, kundër Arabëve që banonin në Gur-Baal dhe kundër Meunitëve.
8 Amonitët i paguanin Uziahut një haraç; fama e tij qe përhapur deri në kufijtë e Egjiptit; sepse ishte bërë shumë i fuqishëm.
9 Uziahu ndërtoi gjithashtu kulla në Jeruzalem në portën e Qoshes, në portën e Luginës dhe mbi Qoshen e mureve dhe i fortifikoi këto.
10 Ai ndërtoi kulla edhe në shkretëtirë dhe gërmoi shumë puse, sepse kishte një numër të madh bagëtish, si në pjesën e poshtme të vendit ashtu dhe në fushë; kishte gjithashtu bujqër dhe vreshtarë në malet dhe në Karmel, sepse e donte tokën.
11 Uziahu kishte gjithashtu një ushtri luftëtarësh që shkonte në luftë në formacion, sipas numrit të regjistruar nga sekretari Jeijel dhe nga komisari Maasejah nën urdhërat e Hananiahut, një nga kapitenët e mbretit.
12 Numri i përgjithshëm i të parëve të shtëpive atërore, njerëzve të fortë dhe trima, ishte dy mijë e gjashtëqind veta.
13 Nën komandën e tyre ndodhej një ushtri prej treqind e shtatë mijë e pesëqind njerëz të aftë të luftojnë me trimëri të madhe, për të ndihmuar mbretin kundër armikut.
14 Uziahu i furnizoi ata, domethënë tërë ushtrinë, me mburoja, ushta, përkrenare, parzmore, harqe dhe hobe për të hedhur gurë.
15 Në Jeruzalem specialistët i ndërtuan gjithashtu disa makina të cilat ai i vendosi mbi kullat dhe në qoshet, për të hedhur shigjeta dhe gurë të mëdhenj. Fama e tij u përhap larg, sepse u ndihmua në mënyrë të mrekullueshme deri sa u bë i fuqishëm.
16 Por, mbasi u bë i fuqishëm, zemra e tij u bë krenare aq sa u korruptua dhe ai mëkatoi kundër Zotit, duke hyrë në tempullin e Zotit për të djegur temjan në altarin e temjanit.
17 Pas tij hyri prifti Azariah me tetëdhjetë priftërinj të Zotit, njerëz trima.
18 Ata iu kundërvunë mbretit Uziah dhe i thanë: "Nuk të takon ty, o Uziah, t’i ofrosh temjan Zotit, por priftërinjve, bijve të Aaronit, që janë shenjtëruar për të ofruar temjan. Dil nga vendi i shenjtë, sepse ke kryer mëkat! Kjo nuk do të sjellë asnjë nder nga ana e Zotit Perëndi".
19 Atëherë Uziahu, që kishte në dorë një temjanisë për të ofruar temjanin, u zemërua; por ndërsa po u hakërrohej priftërinjve, mbi ballin e tij shpërtheu lebra, përpara priftërinjve, në shtëpinë e Zotit, pranë altarit të temjanit.
20 Kryeprifti Azariah dhe tërë priftërinjtë e tjerë u kthyen ndaj tij, dhe ja, mbi ballin e tij dukeshin shenjat e lebrës. Kështu e nxorën me të shpejtë dhe ai vetë nxitoi të dalë sepse Zoti e kishte goditur.
21 Mbreti Uziah mbeti lebroz deri ditën e vdekjes së tij dhe banoi në një shtëpi të izoluar, sepse ishte lebroz dhe ishte përjashtuar nga shtëpia e Zotit; dhe i biri Jotham ishte kryeintendenti i pallatit mbretëror dhe administronte drejtësinë e popullit të vendit.
22 Pjesa tjetër e bëmave të Uziahut, nga të parat deri në të fundit, janë shkruar nga profeti Isaia, bir i Amotsit.
23 Kështu Uziahu pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me etërit e tij në fushën e varrimit që u takonte mbretërve, sepse thuhej: "E ka zënë lebra". Në vend të tij mbretëroi i biri, Jothami.
13 Dhe u ndala mbi rërën e detit. Dhe pashë të ngjitej nga deti një bishë, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë krerë, dhe mbi brirë dhjetë kurora dhe mbi krerë emra blasfemie.
2 Dhe bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh.
3 Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua; dhe gjithë dheu u mrekullua pas bishës.
4 Dhe adhuruan dragoin që i dha autoritet bishës dhe adhuruan bishën duke thënë: “Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?.”
5 Dhe iu dha një gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemi; dhe iu dha pushtet të veprojë për dyzet e dy muaj.
6 Dhe ajo hapi gojën e vet për të blasfemuar kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij, tabernakullin e tij dhe ata që banojnë në qiell.
7 Dhe iu dha t’u bëjë luftë kundër të shenjtorëve dhe t’i mundë; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb.
8 Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës.
9 Kush ka veshë, le të dëgjojë.
10 Kush e çon tjetrin në robëri, në robëri do të bjerë; kush vret me shpatë, duhet edhe ai të vritet me shpatë. Këtu është qëndrueshmëria dhe besimi i shenjtorëve.
11 Pastaj pashë një bishë tjetër, që ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, por fliste si një dragua.
12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj dhe bënte që dheu dhe banorët e tij të adhurojnë bishën e parë, së cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse.
13 Edhe bënte shenja të mëdha, sa që edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve,
14 dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës, duke u thënë banorëve të dheut t’i bëjnë një figurë bishës, që kishte plagën e shpatës dhe u kthye në jetë.
15 Dhe iu dha t’i japë një frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës të flasë, edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin.
16 Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre,
17 dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj.
18 Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.
9 Orakulli i fjalës së Zotit kundër vendit të Hadrakut dhe Damasku vendpushimi i tij (sepse sytë e njerëzve të të gjitha fiseve të Izraelit i drejtohen Zotit),
2 dhe kundër Hamathit, që është në kufi me të, dhe kundër Tiros dhe Sidonit, ndonëse ata janë shumë të urtë.
3 Tiro ka ndërtuar një fortesë dhe ka grumbulluar argjend si pluhur dhe ar si balta e rrugëve.
4 Ja, Zoti do ta rrëzojë nga fuqia dhe do të shkatërrojë pushtetin e tij në det, dhe ai do të konsumohet nga zjarri.
5 Ashkeloni do ta shohë dhe do të ketë frikë, edhe Gaza do të përpëlitet nga dhëmbja e madhe dhe po kështu Ekroni, sepse shpresa e tij do të pësojë zhgënjim. Mbreti do të zhduket nga Gaza dhe Ashkeloni nuk do të banohet më.
6 Një popull bastard do të banojë në Ashdod, dhe unë do të asgjësoj krenarinë e Filistejve.
7 Do të heq gjak nga goja e tij dhe gjërat e neveritshme nga dhëmbët e tij, dhe ai gjithashtu do të jetë një i mbetur për Perëndinë tonë dhe do të jetë si një kryetar në Judë, dhe Ekroni si Jebuzeu.
8 Do të fushoj rreth shtëpisë sime për ta mbrojtur nga çfarëdo ushtrie, nga kush shkon dhe kush vjen; asnjë shtypës nuk do të kalojë më nga ata, sepse tani pashë vetë me sytë e mi.
9 Ngazëllo me të madhe, o bijë e Sionit, lësho britma gëzimi, o bijë e Jeruzalemit! Ja, mbreti yt po të vjen; ai është i drejtë dhe sjell shpëtimin, i përulur dhe i hipur mbi një gomar, mbi një gomar të ri.
10 Unë do t’i zhduk qerret nga Efraimi dhe kuajt nga Jeruzalemi; harqet e luftës do të asgjësohen. Ai do t’u flasë për paqe kombeve; sundimi i tij do të shtrihet nga deti në det, dhe nga Lumi deri në skaj të dheut.
11 Sa për ty, për shkak të gjakut të besëlidhjes sime me ty, i çlirova robërit e tu nga gropa pa ujë.
12 Kthehuni në fortesë, o ju robër të shpresës! Pikërisht sot unë deklaroj se do të të jap dyfishin.
13 Do ta përkul Judën për mua si harkun tim dhe me Efraimin do ta mbush me shigjeta, dhe do t’i ngre në këmbë bijtë e tu, o Sion, kundër bijve të tu, o Javan, dhe do të të bëj si shpata e një njeriu të fuqishëm.
14 Atëherë mbi ta do të duket Zoti dhe shigjeta e tij do të niset si një rrufe. Zoti, Zoti, do t’i bjerë borisë dhe do të përparojë bashkë me shakullimat e jugut.
15 Zoti i ushtrive do t’i mbrojë; kështu ata do të gllabërojnë dhe do të shkelin gurët e hobeve të armiqve të tyre, do të pijnë dhe do të bëjnë zhurmë si të nxitur nga vera dhe do të jenë plot me gjak si legenat e vegjël që përdoren për flijime, si brirët e altarit.
16 Zoti, Perëndia i tyre, do t’i shpëtojë atë ditë, si kopeja e popullit të tij, sepse do të jenë si gurët e çmuar të një kurore, që do të ngrihen lart si një flamur mbi tokën e tij.
17 Sa e madhe do të jetë mirësia e tij dhe sa e madhe bukuria e tij! Gruri do t’i rritë të rinjtë, dhe mushti vajzat.
12 Jezusi, pra, gjashtë ditë përpara Pashkës, erdhii në Betani, ku banonte Llazari, ai që kishte vdekur dhe Jezusi e kishte ringjallur prej së vdekurish.
2 Dhe aty i shtruan një darkë: Marta shërbente dhe Llazari ishte një nga ata që rrinin në tryezë me të.
3 Atëherë Maria mori një liber vaj erëkëndshëm prej nardi të pastër shumë të kushtueshëm, vajosi me të këmbët e Jezusit dhe i fshiu këmbët e tij me flokët e saj; dhe shtëpia u mbush me erën e këtij vaji.
4 Atëherë një nga dishepujt e tij, Juda Iskarioti, bir i Simonit, ai që do ta tradhtonte, tha:
5 “Pse nuk u shit ky vaj për treqind denarë dhe t’u jepej fitimi të varfërve?.”
6 Por ai e tha këtë, jo se kujdesej për të varfrit, por sepse ishte vjedhës dhe, duke qenë se ai e mbante qesen, mbante ç’shtinin atje brenda.
7 Jezusi, pra, tha: “Lëre! Ajo e ka ruajtur për ditën e varrimit tim.
8 Të varfrit në fakt, i keni gjithmonë me ju, por mua nuk më keni gjithmonë.”
9 Ndërkaq një turmë e madhe Judenjsh mori vesh se ai ishte atje dhe erdhi jo vetëm për shkak të Jezusit, por edhe për të parë Llazarin, te cilin ai e kishte ngjallur prej së vdekurish.
10 Atëherë krerët e priftërinjve vendosën ta vrasin edhe Llazarin,
11 sepse për shkak të tij, shumë veta braktisnin Judenjtë dhe besonin në Jezusin.
12 Të nesërmen, një turmë e madhe që kishte ardhur në festë, kur dëgjoi se Jezusi po vinte në Jeruzalem,
13 mori degë palmash dhe i doli para, duke thirrur: “Hosana! Bekuar ai që vjen në emër të Zotit, mbreti i Izraelit!.”
14 Dhe Jezusi gjeti një kërriç dhe hipi në të, siç është shkruar:
15 “Mos druaj, o bijë e Sionit; ja, mbreti yt po vjen duke kalëruar mbi një kërriç gomareje!.”
16 Dishepujt e tij nuk i kuptuan për momentin këto gjëra, po, kur Jezusi ishte përlëvduar, atëherë u kujtuan se këto gjëra ishin shkruar për të, dhe që i kishin bërë këto gjëra për të.
17 Kështu turma, që ishte me të kur ai e kishte thirrur jashtë Llazarin nga varri dhe e kishte ringjallur prej së vdekuri, jepte dëshmi për të.
18 Prandaj turma i doli përpara, sepse kishte dëgjuar se ai kishte bërë këtë shenjë.
19 Atëherë farisenjtë thanë midis tyre: “A e shihni se s’po bëni asgjë; ja, bota shkon pas tij.”
20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë.
21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: “Zot, duam të shohim Jezusin.”
22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.
23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet,
24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!
25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.
26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.
27 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.
28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi nga qielli: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!.”
29 Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: “Një engjëll i ka folur!.”
30 Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: “Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.
31 Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!
32 Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë.”
33 Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç’lloj vdekje duhet të vdiste.
34 Turma iu përgjigj: “Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?.”
35 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon.”
36 “Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës.” Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.
37 Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,
38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?.”
39 Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:
40 “Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.”
41 Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.
42 Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,
43 sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.
44 Pastaj Jezusi thirri dhe tha: “Kush beson në mua, nuk beson në mua, por në atë që më ka dërguar.
45 Dhe kush më sheh mua, sheh atë që më ka dërguar.
46 Unë kam ardhur si drita për botën, që kushdo që beson në mua të mos mbetet në errësirë.
47 Dhe nëse ndokush i dëgjon fjalët e mia dhe nuk beson, unë nuk e gjykoj; sepse unë nuk kam ardhur ta gjykoj botën, por ta shpëtoj botën.
48 Kush më hedh poshtë dhe nuk i pranon fjalët e mia, ka kush e gjykon; fjala që kam shpallur do të jetë ajo që do ta gjykojë në ditën e fundit.
49 Sepse unë nuk kam folur nga vetja ime, por Ati vetë më ka dërguar dhe më ka urdhëruar ç’duhet të them e të shpall.
50 Dhe unë e di se urdhërimi i tij është jetë e përjetshme; gjërat, pra, që them unë, i them ashtu siç m’i ka thënë Ati.”