M’Cheyne Bible Reading Plan
10 Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur në Sikem për ta bërë mbret.
2 Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte akoma në Egjipt ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), Jeroboami u kthye nga Egjipti.
3 Prandaj dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë Izraeli erdhën t’i flasin Roboamit dhe i thanë:
4 "Ati yt e ka bërë zgjedhën tonë të rëndë; tani ti lehtësoje robërinë e fortë të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që ai na ka imponuar, dhe ne do të të shërbejmë".
5 Ai u përgjigj kështu: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh". Pastaj populli iku.
6 Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe i tha: "Çfarë më këshilloni t’i them këtij populli?".
7 Ata i folën duke thënë: "Në rast se tregohesh dashamirës me këtë popull dhe e kënaq, duke u dhënë atyre një përgjigje të favorshme, ata do të jenë shërbëtorë të tu përgjithmon".
8 Por Roboami hodhi poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë dhe u konsultua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,
9 dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli që më foli duke thënë: "Lehtësoje zgjedhën e vënë nga ati yt?"".
10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të i folën, duke thënë: "Kështu do t’i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke thënë: "Ati yt e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani lehtësoje atë". Kështu do t’u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë se sa ijet e atit tim;
11 prandaj në qoftë se ati im ju ka vënë një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik"".
12 Pas tri ditëve, Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditësh".
13 Mbreti iu përgjigj atyre rëndë: kështu mbreti Roboam, duke hedhur poshtë këshillën e dhënë nga pleqtë,
14 u foli atyre sipas këshillës së dhënë nga të rinjtë, duke thënë: "Ati im e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj, por unë do ta bëj edhe më të rëndë; ati im ju ka ndëshkuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik".
15 Kështu mbreti nuk e dëgjoi popullin, sepse zhvillimi i ngjarjeve varej nga Perëndia, me qëllim që Zoti ta çonte në vend fjalën e tij, që ia kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shilohu.
16 Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj mbretit duke thënë: "Çfarë pjese kemi ne nga Davidi? Nuk kemi asnjë trashëgimi nga biri i Isait! Secili në çadrën e vet, o Izrael! Tani kujdesohu për shtëpinë tënde, o David!". Kështu tërë Izraeli shkoi në çadrat e veta.
17 Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetin e Judës mbretëroi Roboami.
18 Mbreti Roboam dërgoi Hadoramin, të ngarkuarin me haraçet, por bijtë e Izraelit e vranë me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam u shpejtua të hipë mbi një qerre për të ikur me vrap në Jeruzalem.
19 Kështu Izraeli ka qenë rebel ndaj shtëpisë së Davidit deri ditën e sotme.
1 Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti dhe e bëri të ditur, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, shërbëtorit të vet Gjon,
2 i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, dhe të gjitha gjërat që pa.
3 Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.
4 Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: hir për ju dhe paqe nga ana e atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij,
5 dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.
6 Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.
7 Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen.
8 “Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi,” thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi.”
9 Unë, Gjoni, që jam edhe vëllai juaj dhe pjestar bashkë me ju në pikëllimin, në mbretërinë dhe në durimin e Jezu Krishtit, isha në ishullin që quhet Patmos, për fjalën e Perëndisë dhe për dëshminë e Jezu Krishtit.
10 Isha në Frymë ditën e Zotit dhe dëgjova pas meje një zë të madh si nga një bori,
11 që thoshte: “Unë jam Alfa dhe Omega, i pari dhe i fundit, dhe çfarë sheh, shkruaji në një libër dhe ua dërgo shtatë kishave që janë në Azi: në Efes, në Smirnë, në Pergam, në Tiatirë, në Sardë, në Filadelfi dhe në Laodice.”
12 Dhe u solla të shoh zërin që foli me mua. Dhe, si u solla, pashë shtatë shandanë ari
13 dhe, në mes të shtatë shandanëve, një të ngjashëm me një Bir njeriu, të veshur me një petk të gjatë deri te këmbët dhe ngjeshur me një brez ari në gjoks.
14 Dhe kryet e tij dhe flokët e tij ishin të bardhë si lesh i bardhë, si bora, dhe sytë e tij e ngjanin një flake zjarri.
15 Dhe këmbët e tij ngjanin me bronz të kulluar, si të skuqur në furrë dhe zëri i tij si zë shumë ujërash.
16 Dhe kishte në dorën e tij të djathtë shtatë yje dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë, me dy tehe, dhe fytyra e tij si dielli që ndrin me forcën e tij.
17 Dhe kur e pashë, rashë para këmbëve të tij si i vdekur. Dhe ai vuri dorën e tij të djathtë mbi mua, duke më thënë: “Mos u tremb! Unë jam i pari dhe i fundit,
18 dhe i gjalli; isha i vdekur, por ja, jam i gjallë në shekuj të shekujve, amen; dhe unë i kam çelësat e vdekjes e të Hadesit.
19 Shkruaj, pra, gjërat që pe, ato që janë dhe ato që do të ndodhin pas atyre,
20 misterin e të shtatë yjeve që ti pe në të djathtën time, dhe të shtatë shandanëve prej ari. Të shtatë yjet janë engjëjt e shtatë kishave, dhe të shtatë shandanët që pe janë shtatë kishat.”
2 Mblidhuni, mblidhuni bashkë, o komb i pacipë,
2 para se dekreti të ketë efekt, para se dita të kalojë si byku, para se të bjerë mbi ju zemërimi i zjarrtë i Zotit, para se të vijë mbi ju dita e zemërimit të Zotit.
3 Kërkoni Zotin ju të gjithë, të përulurit e dheut, që zbatoni ligjin e tij. Kërkoni drejtësinë, kërkoni përulësinë. Ndofta do të jeni të mbrojtur në ditën e zemërimit të Zotit.
4 Sepse Gaza do të braktiset dhe Ashkeloni do të bëhet një shkreti; do të dëbojnë Ashdodin me dhunë në mes të ditës, dhe Ekroni do të çrrënjoset.
5 Mjerë banorët e bregut të detit, mjerë kombi i Kerethejve! Fjala e Zotit është kundër teje, o Kanaan, vend i Filistejve: "Unë do të të shkatërroj dhe nuk do të mbetet më asnjë i gjallë".
6 Kështu bregu i detit do të jetë i tëri kullotë me banesa për barinjtë dhe vathë për kopetë.
7 Bregdeti do t’i përkasë mbeturinës së shtëpisë së Judës; në këto vende do të kullotin kopetë; në mbrëmje do të pushojnë në shtëpitë e Ashkelonit, sepse Zoti, Perëndia i tyre, do t’i vizitojë dhe do t’i kthejë nga robëria.
8 "Kam dëgjuar përbuzjen e Moabit dhe fyerjet e rënda të bijve të Amonit, me të cilat kanë fyer popullin tim dhe janë zmadhuar në dëm të territorit të tyre.
9 Prandaj, ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit, "me siguri Moabi do të jetë si Sodoma, dhe bijtë e Amonit si Gomorra, një vend i zënë nga hithrat dhe kripërat, një shkreti përjetë. Kusuri i popullit tim do t’i plaçkitë dhe mbeturina e popullit tim do t’i zotërojë.
10 Kjo do t’u ndodhë për shkak të kryelartësisë së tyre, sepse kanë fyer dhe trajtuar me arrogancë popullin e Zotit të ushtrive.
11 Zoti do të jetë i tmerrshëm kundër tyre, sepse do t’i përkulë tërë perënditë e tokës; dhe secili do ta adhurojë nga vendi i tij, po, tërë ishujt e kombeve.
12 Edhe ju, Etiopas, do të vriteni nga shpata ime".
13 Ai do të shtrijë dorën kundër veriut, do të shkatërrojë Asirinë dhe do ta bëjë Niniven shkreti, një vend të thatë si shkretëtira.
14 Në mes të tij do të struken kopetë, tërë kafshët e kombeve; si pelikani ashtu dhe çafka do të kalojnë natën mbi kapitelet e shtyllave të tij; zëri i tyre do të dëgjohet në dritare; shkretimi do të jetë mbi pragje, sepse do të shkatërrojë veshjen me panela kedri.
15 Ky është qyteti i qejfeve që rrinte i sigurt dhe thoshte në zemër të vet: "Unë, dhe askush tjetër veç meje". Vallë si u bë një shkreti, një vend ku struken kafshët? Kushdo që do t’i kalojë afër do të fërshëllejë dhe do të tundë dorën.
24 Tani ditën e parë të javës, shumë herët në mëngjes, ato me gra të tjera shkuan te varri, duke sjellë erërat e mira që kishin përgatitur.
2 Dhe gjetën që guri ishte rrokullisur nga varri.
3 Por, kur hynë, nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus.
4 Dhe, ndërsa ishin shumë të hutuara nga kjo, ja, iu paraqitën atyre dy burra të veshur me rroba të ndritshme.
5 Dhe, mbasi ato, të tmerruara, e mbanin fytyrën të përkulur për dhe, ata u thanë: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?
6 Ai nuk ështe këtu, por është ringjallur; kujtohuni si ju foli, kur ishte ende në Galile,
7 duke thënë se Biri i njeriut duhej të dorëzohej në duar të njerëzve mëkatarë, duhej kryqëzuar dhe do të ringjallej ditën e tretë.”
8 Dhe ato kujtonin fjalët e tij.
9 kur u kthyen nga varri, ato ua treguan të gjitha këto gjëra të njëmbëdhjetëve dhe gjithë të tjerëve.
10 Ato që u treguan apostujve këto gjëra ishin Maria Magdalena, Joana, Maria, nëna e Jakobit dhe gratë e tjera që ishin me to.
11 Por këto fjalë atyrë iu dukën si dokrra; dhe ata nuk u besuan atyre.
12 Megjithatë Pjetri u çua, vrapoi te varri, u përkul dhe nuk pa tjetër përveç çarçafëve që dergjeshin vetëm; pastaj u largua, i mrekulluar me veten e tij për sa kishte ndodhur.
13 Po ate ditë, dy nga ata po shkonin drejt një fshati, me emër Emaus, gjashtëdhjetë stade larg Jeruzalemit.
14 Dhe ata po bisedonin midis tyre për të gjitha ato që kishin ndodhur.
15 Dhe ndodhi që, ndërsa po flisnin dhe bisedonin bashkë, vetë Jezusi u afrua dhe nisi të ecë me ta.
16 Por sytë e tyre ishin të penguar kështu që të mos e njihnin.
17 Dhe ai u tha atyre: “Ç’janë këto biseda që bëni me njëri-tjetrin udhës? Dhe pse jeni të trishtuar?.”
18 Dhe një nga ata, i me emër Kleopa, duke u përgjigjur tha: “Je ti i vetmi i huaj në Jeruzalem, që nuk i di gjërat që kanë ndodhur këtu në këto ditë?.”
19 Dhe ai u tha atyre: “Cilat?.” Ata i thanë: “Çështjen e Jezusit nga Nazareti, që ishte një profet i fuqishëm në vepra dhe në fjalë përpara Perëndisë dhe përpara gjithë popullit.
20 Dhe se si krerët e priftërinjve dhe kryetarët tanë e kanë dorëzuar për ta dënuar me vdekje dhe e kanë kryqëzuar.
21 Por ne kishim shpresë se ai do të ishte ky që do ta çlironte Izraelin; por, megjithkëtë, sot është e treta ditë që kur ndodhën këto gjëra.
22 Por edhe disa gra në mes nesh na kanë çuditur, sepse, kur shkuan herët në mëngjes te varri,
23 dhe nuk e gjetën trupin e tij, u kthyen duke thënë se kishin parë nië vegim engjëjsh, të cilët thonë se ai jeton.
24 Dhe disa nga tanët shkuan te varri dhe e gjetën ashtu si kishin treguar gratë, por atë nuk e panë.”
25 Atëherë ai u tha atyre: “O budallenj dhe zemërngathët për të besuar gjithçka që kanë thënë profetët!
26 Por a nuk duhej që Krishti të vuajë gjëra të tilla që të hyjë kështu në lavdinë e tij?.”
27 Dhe, duke zënë fill nga Moisiu dhe nga gjithë profetët, ai u shpjegoi atyre në të gjitha Shkrimet gjërat që i takonin atij.
28 Kur iu afruan fshatit për ku ishin drejtuar, ai bëri sikur do të vazhdonte më tutje.
29 Por ata e detyruan duke thënë: “Rri me ne, sepse po ngryset dhe dita po mbaron.” Edhe ai hyri që të rrijë me ta.
30 Dhe, siç ishte në tryezë me ta, mori bukën, e bekoi dhe, si e theu, ua ndau atyre.
31 Atëherë atyre iu çelën sytë dhe e njohën, por ai u zhduk prej syve të tyre.
32 Dhe ata i thanë njeri tjetrit: “Po a nuk na digjej zemra përbrenda, kur ai na fliste udhës dhe na hapte Shkrimet?.”
33 Në po atë çast u ngritën dhe u kthyen në Jeruzalem, ku e gjetën të njëmbëdhjetët dhe ata që ishin mbledhur bashkë me ta.
34 Ata thoshnin: “Zoti u ringjall me të vërtetë dhe iu shfaq Simonit.”
35 Ata atëherë treguan ç’u kishte ndodhur rrugës dhe si e kishin njohur në ndarjen e bukës.
36 Dhe, ndërsa ata po bisedonin për këto gjëra, vetë Jezusi u shfaq në mes tyre dhe u tha atyre: "Paqja me ju!.”
37 Por ata, të tmerruar dhe gjithë frikë, mendonin se po shihnin një frymë.
38 Atëherë ai u tha atyre: “Pse jeni shqetësuar Dhe pse në zemrat tuaja po lindin dyshime?
39 Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, sepse unë jam. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam!.”
40 Dhe, si i tha këtë, u tregoj atyre duart dhe këmbët.
41 Por, duke qenë se ende nuk besonin prej gëzimit dhe ishin të çuditur, ai u tha atyre: “A keni këtu diçka për të ngrënë?.”
42 Dhe ata i dhanë një pjesë peshku të pjekur dhe një huall mjalti.
43 Dhe ai i mori dhe hëngri para tyre.
44 Pastaj u tha atyre: “Këto janë fjalët që unë ju thoja kur isha ende me ju: se duhet të përmbushen të gjitha gjërat që janë shkruar lidhur me mua në ligjin e Moisiut, në profetët dhe në psalmet.”
45 Atëherë ua hapi mendjen, që të kuptonin Shkrimet,
46 dhe u tha atyre: “Kështu është shkruar dhe kështu ishte e nevojshme që Krishti të vuante dhe të ngjallej së vdekuri ditën e tretë,
47 dhe që në emër të tij të predikohet pendimi dhe falja e mëkateve ndër të gjithë popujt, duke filluar nga Jeruzalemi.
48 Dhe ju jeni dëshmitarët e këtyre gjërave.
49 Dhe ja, unë po dërgoj mbi ju premtimin e Atit tim, por ju qëndroni në qytetin e Jeruzalemit deri sa të visheni me pushtet nga lart.”
50 Pastaj iu priu jashtë deri në Betani dhe, si i ngriti lart duart, i bekoi.
51 Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe e morën lart në qiell.
52 Dhe ata, pasi e adhuruan, u kthyen në Jeruzalem me gëzim të madh.
53 Dhe rrinin vazhdimisht në tempull duke lavdëruar dhe bekuar Perëndinë. Amen!