Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Kronikave 17

17 Në vend të tij mbretëroi i biri Jozafat, që u fortifikua kundër Izraelit.

Ai vendosi trupa në tërë qytetet e fortifikuara të Judës dhe garnizone në vendin e Judës dhe në qytetin e Efraimit, që ati i tij kishte pushtuar.

Zoti ishte me Jozafatin, sepse ai eci në rrugët e para të Davidit, atit të tij. Ai nuk kërkoi Baalin,

por kërkoi Perëndinë e atit të tij dhe eci sipas urdhërimeve të tij dhe jo sipas bëmave të Izraelit.

Prandaj Zoti e përforcoi mbretërinë në duart e tij. Tërë Juda i çonte dhurata Jozafatit, dhe ai pati me shumicë pasuri dhe lavdi.

Zemra e tij u forcua në rrugët e Zotit dhe ai hoqi përsëri vendet e larta dhe Asherimët nga Juda.

Vitin e tretë të mbretërisë së tij ai i dërgoi krerët e tij Ben-Hail, Obadiah, Zakaria, Nethaneel dhe Mikajaht që të jepnin mësime në qytetin e Judës;

dhe me ta dërgoi Levitët Shemajah, Nethanjah, Zebadjah, Asahel, Shemiramoth, Jonathan, Adonijah, Tobijah dhe Tobadonijah, dhe bashkë me këta edhe priftërinjtë Elishama dhe Jehoram.

Kështu ata dhanë mësime në Judë, duke pasur me vete librin e ligjit të Zotit; ata kaluan nëpër tërë qytetet e Judës, duke e mësuar popullin.

10 Tmerri i Zotit zuri të gjitha mbretëritë e vendeve që ishin rreth e qark Judës, dhe kështu ato nuk i shpallën luftë Jozafatit.

11 Disa nga Filistejtë i çuan Jozafatit dhurata dhe një haraç në argjend; edhe Arabët i sollën bagëti të imta: shtatë mijë e shtatëqind desh dhe shtatë mijë e shtatëqind cjepë.

12 Kështu Jozafati u bë gjithnjë e më i madh dhe ndërtoi në Judë fortesa dhe qytete-depozitë.

13 Kreu shumë punime në qytetet e Judës, dhe në Jeruzalem mbante luftëtarë, burra të fortë dhe trima.

14 Ky është regjistrimi i tyre, sipas shtëpive të tyre atërore. Nga Juda, komandantët e mijëshëve ishin Adnahu, si prijës, dhe bashkë me të treqind mijë burra të fortë dhe trima;

15 pas tij vinin Jehohanani, siprijës, me dyqind e tetëdhjetë mijë burra;

16 pas tij ishte Amasiahu, bir i Zikrit, që i ishte kushtuar vullnetarisht Zotit, dhe me të dyqind mijë burra të fortë dhe trima.

17 Nga Beniamini ishte Eliada, burrë i fortë dhe trim, dhe me të dyqind mijë burra të armatosur me harqe dhe me mburoja;

18 pas tij vinte Jehozabadi, dhe me të njëqind e shtatëdhjetë mijë burra gati për të marrë pjesë në luftë.

19 Tërë këta ishin në shërbim të mbretit, përveç atyre që ai kishte vendosur në qytetet e fortifikuara të të gjithë Judës.

Zbulesa 6

Pastaj pashë kur Qengji hapi të parën nga të shtatë vulat, dhe dëgjova një nga të katër qeniet e gjalla që thoshte si me zë bubullime: “Eja e shiko.”

Dhe unë pashë, dhe ja, një kalë i bardhë. Dhe ai që e kalëronte kishte një hark; dhe atij iu dha një kurorë, dhe ai doli jashtë si fitimtar dhe për të fituar.

Kur ai hapi vulën e dytë, dëgjova qenien e dytë të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.”

Atëherë doli jashtë një kalë tjetër i kuq; dhe atij që e kalëronte iu dha të hiqte paqen nga dheu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një shpatë e madhe.

Dhe kur ai hapi vulën e tretë, dëgjova qenien e tretë e gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.” Dhe pashë dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që e kalëronte kishte një peshore në dorën e tij.

Dhe dëgjova një zë në mes të katër qenieve të gjalla duke thënë: “Një kenik gruri për një denar, dhe dy kenikë elbi për një denar; dhe mos dëmto vajin, as verën.”

Kur ai hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e qenies së katërt të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.”

Dhe unë pashë, dhe ja një kalë i zbehtë; dhe ai që e kalëronte emrin e kishte Vdekja, dhe Hadesi vinte pas tij. Dhe iu dha atyre pushtet përmbi një të katërtën e dheut, të vrasin me shpatë dhe me zi buke e me vdekje, dhe nëpërmjet bishave të dheut.

Dhe kur hapi vulën e pestë, unë pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin;

10 dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?.”

11 Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkësherbëtoreve e tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata.

12 Dhe pashë, kur ai hapi vulën e gjashtë; dhe ja, u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si një thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak;

13 dhe yjet e qiellit ranë mbi dheun, ashtu si fiku hedh fiqtë e paarrirë kur e tund një erë e madhe.

14 Pastaj qielli u hoq si një pergamenë që mbështillet, dhe çdo mal dhe ishull luajtën nga vendi i tyre.

15 Dhe mbretërit e dheut, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve,

16 dhe u thoshnin maleve dhe shkëmbinjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,

17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit së tij; dhe kush mund të qëndrojë?.”

Zakaria 2

I ngrita mandej sytë dhe shikova dhe ja, një burrë që mbante në dorë një litar për matje.

E pyeta: "Ku po shkon?". Ai m’u përgjigj: "Po shkoj të mas Jeruzalemin, për të parë sa është gjerësia e tij dhe sa është gjatësia e tij".

Dhe ja, engjëlli që fliste me mua doli përpara dhe një engjëll tjetër i doli përballë,

dhe i tha: "Rend, foli atij të riu dhe i thuaj: Jeruzalemi do të jetë i banuar si një qytet pa mure, për shkak të morisë së njerëzve dhe të kafshëve që do të jenë në të.

Sepse unë," thotë Zoti, "do të jem për të një mur zjarri rreth e qark dhe do të jem lavdia e tij në mes të tij".

Oh, oh! "Ikni nga vendi i veriut," thotë Zoti, "sepse ju kam shpërndarë si katër erërat e qiellit," thotë Zoti.

Oh, Sion, siguro shpëtimin, ti që banon bashkë me bijën e Babilonisë!

Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive: "Lavdia e tij më ka dërguar te kombet që ju kanë plaçkitur, sepse ai që ju prek prek beben e syrit të tij.

Ja, unë do ta tund dorën time kundër tyre dhe ata do të bëhen pre e atyre që u ishin nënshtruar atyre; atëherë do të pranoni që më ka dërguar Zoti i ushtrive.

10 Lësho klithma gëzimi, gëzohu, o bijë e Sionit, sepse ja, unë do të vij, të banoj midis teje," thotë Zoti.

11 "Atë ditë shumë kombe do të bashkohen me Zotin dhe do të bëhen populli im, dhe unë do të banoj midis teje; atëherë do të pranosh që Zoti i ushtrive më ka dërguar te ti.

12 Dhe Zoti do të marrë në zotërim Judën si trashëgimi të tij në tokën e shenjtë dhe do të zgjedhë akoma Jeruzalemin.

13 Çdo mish le të heshtë përpara Zotit, sepse ai është zgjuar nga selia e tij e shenjtë".

Gjoni 5

Pas këtyre ngjarjeve ishte një festë e Judenjve dhe Jezusi u ngjit në Jeruzalem.

Në Jeruzalem, afër portës së dhenve, është një pellg që në hebraisht quhet Betesda, dhe ka pesë portikë.

Nën to dergjeshin një numër i madh të lënguarish: të verbër, të çalë dhe të paralizuar, të cilët prisnin lëvizjen e ujit.

Sepse një engjëll, kohë pas kohe, zbriste në pellg dhe e lëvizte ujin; dhe i pari që hynte, mbasi uji ishte lëvizur, shërohej nga çfarëdo sëmundje që të kishte.

Aty ishte një njeri i lënguar prej tridhjetë e tetë vjetësh.

Jezusi, duke e parë shtrirë dhe duke ditur se prej shumë kohe ishte në atë gjendje, i tha: “A dëshiron të shërohesh?.”

I lënguari u përgjigj: "Zot, unë s’kam njeri që, kur lëviz uji, të më fusë në pellg; dhe, ndërsa unë po shkoj, një tjetër zbret para meje.”

Jezusi i tha: “Çohu, merr vigun tënd dhe ec!.”

Njeriu u shërua në çast, mori vigun e tij dhe eci. Atë ditë ishte e shtunë.

10 Prandaj Judenjtë i thanë atij që u shërua: “Éshtë e shtunë; nuk është e ligjshme për ty të ngresh vigun tënd!.”

11 Ai iu përgjigj atyre: “Ai që më shëroi më tha: "Merre vigun tënd dhe ec!".”

12 Atëherë ata e pyetën: “Kush është ai njeri që të tha: "Merre vigun tënd dhe ec"?.”

13 Por ai që ishte shëruar nuk e dinte kush ishte, sepse Jezusi ishte larguar për shkak të turmës që ishte në atë vend.

14 Më vonë Jezusi e gjeti në tempull dhe i tha: “Ja, ti u shërove; mos mëkato më që të mos të të bëhet një gjë më e keqe.”

15 Ai njeri shkoi dhe u tregoi Judenjve se Jezusi ishte ai që e shëroi.

16 Për këtë Judenjtë e përndiqnin Jezusin dhe kërkonin ta vrisnin, sepse bënte këto gjëra të shtunave.

17 Por Jezusi u përgjigj atyre: “Im Atë vepron deri më tash, e edhe unë veproj.”

18 Për këtë Judenjtë kërkonin edhe më tepër ta vrisnin, sepse jo vetëm se shkelte të shtunën, por edhe se thoshte se Perëndia ishte ati i vet, duke e barazuar veten me Perëndinë.

19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.

22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,

23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;

27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.

28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.

30 Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.

31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.

33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.

34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.

35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.

37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,

38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.

39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.

41 Unë nuk marr lavdi nga njerëzit.

42 Por unë ju njoh, që nuk keni dashurinë e Perëndisë në ju.

43 Unë kam ardhur në emër të Atit tim dhe ju nuk më pranoni; po të vinte ndonjë tjetër në emër të vet, ju do ta pranonit.

44 Si mund të besoni ju, ju që ia merrni lavdinë njëri-tjetrit dhe nuk kërkoni lavdinë që vjen vetëm nga Perëndia?

45 Mos mendoni se unë ju padis tek Ati; ka kush t’ju padisë: Moisiu, në të cilin ju kishit varur shpresën tuaj;

46 sepse nëqoftëse ju do t’i kishit besuar Moisiut, do të më besonit edhe mua, sepse ai ka shkruar për mua.

47 Por nëqoftëse ju nuk u besoni shkrimeve të tij, si do t’u besoni fjalëve të mia?.”