M’Cheyne Bible Reading Plan
2 Pastaj Salomoni vendosi të ndërtojë një tempull në emër të Zotit dhe një pallat për vete.
2 Salomoni rekrutoi shtatëdhjetë mijë burra që të mbartnin pesha, tetëdhjetë mijë të nxirrnin gurë në malet dhe tre mijë e gjashtëqind veta për t’i mbikqyrur.
3 Pastaj Salomoni i çoi fjalë Hiramit, mbretit të Tiros: "Ashtu si ke bërë me Davidin, atin tim, të cilit i dërgove kedra për të ndërtuar një shtëpi në të cilën të banonte, bëj të njëjtën gjë me mua.
4 Ja unë jam duke ndërtuar një tempull në emër të Zotit, Perëndisë tim, për t’ia kushtuar atij, për të djegur para tij temjan erëmirë, për të ekspozuar vazhdimisht bukët e paraqitjes dhe për të ofruar olokauste në mëngjes dhe në mbrëmje, të shtunave, kur të ketë hënë të re dhë në festat e caktuara nga Zoti, Perëndia ynë. Ky është një ligj i përjetshëm për Izraelin.
5 Tempulli që unë do të ndërtoj do të jetë i madh, sepse Perëndia ynë është më i madh se tërë perënditë e tjera.
6 Po kush do të jetë në gjendje t’i ndërtojë një tempull me qenë se qiejtë dhe qiejtë e qiejve nuk janë në gjendje ta nxenë? E kush jam unë që t’i ndërtoj një tempull, qoftë edhe vetëm për të djegur temjan para tij?
7 Prandaj dërgomë tani një njeri të shkathët që di të punojë arin, argjendin, bronzin, hekurin, purpurin, të kuqen flakë, ngjyrë vjollcën dhe që të dijë të bëjë çdo lloj prerjesh, duke punuar bashkë me specialistët që janë pranë meje në Judë dhe në Jeruzalem, dhe që ati im David ka përgatitur.
8 Dërgomë edhe nga Libani dru kedri, qiparisi dhe santali, sepse e di që shërbëtorët e tu janë të aftë të presin drurin e Libanit; dhe ja, shërbëtorët e mi do të punojnë bashkë me shërbëtorët e tu,
9 për të më pregatitur lëndë druri me shumicë, sepse tempulli që do të ndërtoj do të jetë i madh dhe i mrekullueshëm.
10 Dhe shërbëtorëve të tu që do të rrëzojnë dhe do të presin drurët unë do t’u jap njëzet mijë kore gruri, njëzet mijë kore elbi, njëzet mijë bate verë dhe njëzet mijë bate vaji".
11 Dhe Hirami, mbret i Tiros, u përgjigj me një shkrim, që i dërgoi Salomonit: "Me qenë se Zoti e do popullin e tij, të ka caktuar mbret mbi të".
12 Hirami thoshte gjithashtu: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që ka bërë qiejtë dhe tokën, sepse i ka dhënë mbretit David një bir të urtë, shumë të zgjuar dhe të aftë, që do të ndërtojë një tempull për Zotin dhe një pallat mbretëror për vete!
13 Unë po të dërgoj një njeri të shkathët dhe të ditur të atit tim Hiram, që është
14 bir i një gruaje nga bijat e Danit, ndërsa i ati ishte një njeri nga Tiro. Ai di të punojë arin, bronzin, hekurin, gurin, drurin, purpurin dhe ngjyrë vjollcën, të kuqe flakë, pëlhurën e hollë dhe di të bëjë çdo prerje dhe çdo lloj vizatimi që i besohet. Ai do të punojë me specialistët e tu dhe me specialistët e zotit tim David, atit tënd.
15 Tani, pra, imzot le t’u dërgojë shërbëtorëve të tij grurin, elbin, vajin dhe verën, që u ka premtuar;
16 dhe ne do të presim tërë drurët e Libanit për të cilat ke nevojë; do t’i sjellim me trap nëpër det deri në Jafo dhe ti do t’i mbartësh në Jeruzalem".
17 Salomoni regjistrioi tërë të huajt që ndodheshin në vendin e Izraelit, mbas regjistrimit që kishte bërë Davidi, i ati; ata ishin njëqind e pesëdhjetë e tre mijë e gjashtëqind veta,
18 dhe mori shtatëdhjetë mijë prej tyre për të mbartur pesha, tetëdhjetë mijë për të prerë gurë në mal dhe tre mijë e gjashtëqind mbikqyrës që ta bënin popullin të punonte.
2 Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.
2 Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.
3 Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.
4 Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë,” dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.
5 Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.
6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.
7 Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.
8 E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.
10 Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.
11 Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.
12 Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur nëpërmjet emrit të tij.
13 Etër, ju shkruaj sepse ju e keni njohur atë që është që nga fillimi. Të rinj, ju shkruaj sepse e mundët të ligun. Djema, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin.
14 Etër, ju kam shkruar sepse e keni njohur atë që është nga fillimi. Të rinj, ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.
15 Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,
16 sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.
17 Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.
18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.
19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
20 Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe i dini çdo gjë.
21 Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.
22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
24 Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.
25 Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme.
26 Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë.
27 Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.
28 Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij.
29 Në qoftë se e dini se ai është i drejtë, ta dini se kushdo që praktikon drejtësinë ka lindur prej tij.
1 Profecia mbi Niniven. Libri i vegimit të Nahumit nga Elkoshi.
2 Zoti është një Perëndi xheloz dhe hakmarrës; Zoti është hakmarrës dhe plot tërbim. Zoti hakmerret me kundërshtarët e tij dhe e ruan zemërimin për armiqtë e tij.
3 Zoti është i ngadalshëm në zemërim dhe pushtetmadh, por nuk e lë pa e ndëshkuar aspak të ligun. Zoti vazhdon rrugën e tij në shakullimë dhe në furtunë dhe retë janë pluhuri i këmbëve të tij.
4 Ai e qorton rëndë detin dhe e than, i bën të thahen të gjithë lumenjtë. Bashani dhe Karmeli thahen dhe lulja e Libanit fishket.
5 Malet dridhen para tij, kodrat treten; në prani të tij toka ngrihet, po, bota dhe tërë banorët e saj.
6 Kush mund t’i rezistojë indinjatës së tij dhe kush mund të durojë zjarrin e zemërimit të tij? Tërbimi i tij derdhet si zjarr dhe shkëmbinjtë janë prej tij të thërmuara.
7 Zoti është i mirë, është një fortesë në ditën e fatkeqësisë; ai i njeh ata që kërkojnë strehë tek ai.
8 Por me një përmbytje të madhe ai do të kryejë një shkatërrim të plotë të vendit të tij dhe armiqtë e tij do të përndiqen nga terri.
9 Çfarë projektoni kundër Zotit? Ai do të kryejë një shkatërrim të plotë: fatkeqësia nuk do të ndodhë dy herë.
10 Edhe sikur të ishin si ferrat e dendura edhe të dehur nga vera që kanë pirë, ata do të gllabërohen si kashta fare e thatë.
11 Prej teje doli ai që ka kurdisur të keqen kundër Zotit, ai që ka konceptuar ligësinë.
12 Kështu thotë Zoti: "Edhe sikur të ishin plot forcë dhe të shumtë, do të kositen dhe do të zhduken. Ndonëse të kam pikëlluar, nuk do të pikëlloj më.
13 Tani do të thyej zgjedhën e saj nga trupi yt dhe do t’i shkul lidhjet e tua".
14 Por lidhur me ty Zoti ka dhënë këtë urdhër: "Emri yt nuk do të përjetësohet më. Nga tempulli i perëndive të tua do të zhduk figurat e gdhendura dhe ato të derdhura. Do të të përgatis varrin se je i neveritshëm".
15 Ja mbi male këmbët e atij që njofton lajme të mira dhe që shpall paqen! Kremto festat e tua solemne, o Judë, plotëso betimet e tua, sepse i ligu nuk do të kalojë më në mes teje; ai do të shfaroset krejt.
17 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Éshtë e pamundur që të mos ndodhin skandale; por mjerë ai për faj të të cilit vijnë!
2 Për të do të ishte më mirë t’i varnin në qafë një gur mulliri dhe ta hidhnin në det, se sa të skandalizojë një të vetëm nga këta të vegjël.
3 Kini kujdes veten tuaj! Në se yt vëlla mëkaton kundër teje, qortoje; dhe në se pendohet, fale.
4 Edhe sikur të mëkatonte shtatë herë në ditë kundër teje, dhe shtatë herë në ditë do të kthehet te ti duke thënë: "Pendohem," fale.”
5 Atëherë apostujt i thanë Zotit: “Na e shto besimin.”
6 Dhe Zoti tha: “Po të kishit besim sa një kokërr sinapi, do të mund t’i thonit këtij mani: "Shkulu me gjithë rrënjë dhe mbillu në det," dhe ai do t’ju bindej.
7 Tani cili nga ju, po të ketë një shërbëtor që i lëron tokën ose i kullot kopenë, do t’i thotë kur ai kthehet nga fusha në shtëpi: "Eja menjëherë në tryezë"?
8 A nuk do t’i thotë përkundrazi: "Ma bëj gati darkën, përvishu e më shërbe që unë të ha e të pi e pastaj të hash dhe të pish edhe ti"?
9 Do ta falënderojë ndoshta atë shërbëtor sepse i zbatoi ato që i ishin urdhëruar? Mendoj se jo.
10 Kështu edhe ju, kur të keni bërë të gjitha ato që ju urdhërohen, thoni: Jemi shërbëtorë të padobishëm. Bëmë atë që kishim detyrë të bënimm".”
11 Dhe ndodhi që duke udhëtuar për në Jeruzalem, ai kaloi nëpër Samari dhe Galile.
12 Dhe, kur po hynte në një fshat, i dolën para dhjetë lebrozë, të cilët ndaluan larg,
13 dhe duke ngritur zërin, thanë: “Mjeshtër, Jezus, ki mëshirë për ne.”
14 Dhe ai, si i pa, u tha atyre: “Shkoni e paraqituni te priftërinjtë.” Dhe ndodhi që, ndërsa ata po shkonin, u pastruan.
15 Dhe një nga ata, si e pa se u shërua, u kthye mbrapa dhe përlëvdonte Perëndinë me zë të lartë.
16 Dhe ra përmbys me fytyrë përtokë te këmbët e Jezusit, duke e falënderuar. Ky ishte Samaritan.
17 Jezusi atëherë filloi të thotë: “A nuk u shëruan që të dhjetë? Ku janë nëntë të tjerët?
18 A nuk gjet asnjë që të kthehet për të dhënë lavdi Perëndisë, përveç këtij të huaji?.”
19 Dhe i tha atij: “Çohu dhe shko; besimi yt të shëroi.”
20 Tani kur u pyet nga farisenjtë se kur do të vinte mbretëria e Perëndisë, ai u përgjigj atyre dhe tha: “Mbretëria e Perëndisë nuk vjen në mënyrë të dukshme;
21 dhe as nuk do të mund të thuhet: "Ja, këtu," ose: "Ja, atje"; sepse ja, mbretëria e Perëndisë është përbrenda jush.”
22 Pastaj u tha dishepujve të vet: “Do të vijnë ditë kur ju do të dëshironi të shihni një nga ditët e Birit të njeriut, por nuk do ta shihni.
23 Dhe do t’ju thonë: "Ja, është këtu" ose: "Ja, është atje," por ju mos shkoni dhe mos i ndiqni.
24 Sepse ashtu si rrufeja, që vetëtin nga njëri skaj i qiellit te tjetri e ndriçon, kështu do të jetë edhe Biri i njeriut në ditën e tij.
25 Por më parë i duhet të vuajë shumë dhe të hidhet poshtë nga ky brez.
26 Dhe, ashtu siç ndodhi në kohën e Noes, ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut.
27 Njerëzit hanin, pinin, martonin dhe martoheshin, deri ditën kur Noeu hyri në arkë; dhe erdhi përmbytja dhe i zhduku të gjithë.
28 Po kështu ndodhi në kohën e Lotit: njerëzit hanin, pinin, blinin, shitnin, mbillnin dhe ndërtonin;
29 por ditën kur Loti doli nga Sodoma, ra shi zjarri e squfuri nga qielli dhe i zhduku të gjithë.
30 Kështu do të jetë edhe atë ditë kur Biri i njeriut do të shfaqet.
31 Në atë ditë, ai që ndodhet mbi çatinë e shtëpisë të mos zbresë në shtëpi për të marrë gjërat e tij; e po kështu ai që ndodhet në ara, të mos kthehet prapa.
32 Kujtoni gruan e Lotit.
33 Ai që do të kërkojë të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do ta humbasë, do ta shpëtojë.
34 Unë po ju them: atë natë dy veta do të jenë në një shtrat; njëri do të merret dhe tjetri do të lihet.
35 Dy gra do të bluajnë bashkë; njëra do të merret e tjetra do të lihet.
36 Dy burra do të jenë në ara: njëri do të merret e tjetri do të lihet.”
37 Atëherë dishepujt u përgjigjën dhe thanë: “Ku, o Zot?” Dhe ai u tha atyre: “Ku të jetë trupi, atje do të mblidhen shqiponjat.”