M’Cheyne Bible Reading Plan
3 Salomoni filloi pastaj ndërtimin e shtëpisë të Zotit, në Jeruzalem mbi malin Moriah, aty ku Zoti i ishte shfaqur Davidit, atit të tij, në vendin që Davidi kishte përgatitur në lëmin e Ornanit, Jebuseut.
2 Ai filloi të ndërtojë ditën e dytë të muajit të dytë të vitit të katërt të mbretërimit të tij.
3 Këto janë përmasat e themeleve që hodhi Salomoni për ndërtimin e shtëpisë së Perëndisë. Gjatësia ishte gjashtëdhjetë kubitë (në kubitë të masës së vjetër) dhe gjerësia njëzet kubitë.
4 Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjatësinë e tempullit, dhe ishte i lartë njëqind e njëzet kubitë. Ai e veshi nga brenda me ar të kulluar.
5 E veshi sallën e madhe me dru qiparisi, pastaj e veshi me ar të kulluar dhe mbi të gdhendi degë palme dhe zinxhirë të vegjël.
6 Përveç kësaj e zbukuroi sallën me gurë të çmuar si ornament; dhe ari ishte ai i Parvaimit.
7 Veshi gjithashtu me ar tempullin, trarët, pragjet, muret dhe portat; dhe mbi muret gdhëndi kerubinë.
8 Pastaj ndërtoi vendin shumë të shenjtë. Ky ishte njëzet kubitë i gjatë, duke barazuar kështu gjerësinë e tempullit, dhe njëzet kubitë i gjerë. E veshi me ar të kulluar me një vlerë prej gjashtëqind talentash.
9 Pesha e arit për gozhdat ishte pesëdhjetë sikla. Veshi me ar edhe dhomat e sipërme.
10 Në vendin shumë të shenjtë bëri dy kerubinë të gdhëndur dhe i veshi me ar.
11 hapësira e krahëve të kerubinëve ishte njëzet kubitë; një krah i një kerubini, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa krahu tjetër, gjithashtu i gjatë pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit të dytë.
12 Njeri krah i kerubinit të dytë, i gjatë pesë kubitë, prekte murin e tempullit, ndërsa tjetri i gjatë gjithashtu pesë kubitë, prekte krahun e kerubinit tjetër.
13 Krahët e hapur të këtyre kerubinëve ishin njëzet kubitë të gjatë. Ata qëndronin drejt në këmbë me fytyrë të kthyer nga pjesa e brendshme e tempullit.
14 Ai bëri gjithashtu velin me fill ngjyrë vjollcë të purpurt, të kuqe flakë dhe me pëlhurë të hollë, dhe mbi to qëndisën kerubinë.
15 Përpara tempullit bëri dy shtylla të larta tridhjetë e pesë kubitë; kapiteli në majë të çdo shtylle ishte pesë kubitë.
16 Bëri gjithashtu zinxhira të vegjël, si ato që ishin në shenjtërore dhe i vendosi në majë të shtyllave; pastaj bëri një mijë shegë dhe i vuri mbi zinxhirët e vegjël.
17 Pastaj ngriti shtyllat përpara tempullit, njerën në të djathtë dhe tjetrën në të majtë; të djathtën e quajti Jakin dhe të majtën Boaz.
4 Pastaj bëri një altar prej bronzi të gjatë njëzet kubitë, të gjerë njëzet kubitë dhe të lartë dhjetë kubitë.
2 Bëri gjithashtu një det prej metali të shkrirë, në formë rrethi, që nga një cep në cepin tjetër ishte dhjetë kubitë; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi i tij tridhjetë kubitë.
3 Poshtë buzës kishte figura të ngjashme me qetë, dhjetë për çdo kubit, që rrethonin detin nga çdo anë. Qetë, të vendosur në dy radhë, ishin derdhur bashkë me detin.
4 Ky mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, nga të cilët tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja. Deti ishte vendosur mbi ta dhe pjesët e tyre të pasme ishin kthyer nga ana e brendshme.
5 Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte bërë si buza e një kupe, si lulja e një zambaku; deti mund të përmbante deri tre mijë bate.
6 Bëri edhe dhjetë enë për pastrim dhe i vendosi pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë; në to laheshin gjërat që i përkisnin olokaustit; në det laheshin përkundrazi priftërinjtë.
7 Bëri dhjetë shandane prej ari, sipas normave të caktuara, dhe i vendosi në tempull, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë.
8 Bëri dhjetë tryeza dhe i vendosi në tempull pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë. Bëri gjithashtu njëqind kupa prej ari.
9 Pastaj bëri oborrin e priftërinjve dhe oborrin e madh me portat e tij të veshura me bronz.
10 Pas kësaj e vendosi detin nga krahu i djathtë, në drejtim të juglindjes.
11 Hirami bëri gjithashtu enët, lopatëzat dhe legenët e vegjël. Kështu Hirami përfundoi punën që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Perëndisë;
12 dy shtyllat, dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëzat për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave,
13 katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz me qëllim që të mbulohen dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave).
14 Bëri edhe qerrëzat dhe enët e mëdha mbi qerrëzat,
15 detin, një të vetëm, dhe dymbëdhjetë qetë nën detin,
16 si edhe enët, lopatëzat, pirunët dhe të gjitha sendet e tyre, që mjeshtri Hiram i bëri prej bronzi të shndritshëm për mbretin Salomon, për shtëpinë e Zotit.
17 Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit, në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tseredahut.
18 Salomoni i bëri këto vegla në një sasi kaq të madhe, sa që pesha e bronzit nuk u përcaktua dot.
19 Kështu Salomoni përgatiti të gjitha orenditë për shtëpinë e Perëndisë; altarin prej ari dhe tryezat mbi të cilat vendoseshin bukët e paraqitjes,
20 shandanët me llambat e tyre prej ari të kulluar që duhet të ndizeshin sipas normës së caktuar para shenjtërores;
21 lulet, llambat dhe veglat në formë gërshëre prej ari; ishin prej ari shumë të kulluar;
22 thikat, legenët, kupat dhe mangallët prej ari të kulluar. Sa për hyrjen e tempullit, portat e brendshme që të çonin në vendin shumë të shenjtë dhe portat që të futnin në anijatën e tempullit ishin prej ari.
3 Shikoni ç’dashuri të madhe na dha Ati, që të quhemi bij të Perëndisë. Prandaj bota nuk na njeh, sepse nuk e ka njohur atë.
2 Shumë të dashur, tani jemi bij të Perëndisë, por ende nuk është shfaqur ç’do të jemi; por dimë se, kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim se si është ai.
3 Dhe kushdo që e ka këtë shpresë në të, le ta pastrojë veten, siç është i pastër ai.
4 Kush bën mëkat, bën edhe shkelje të ligjit; dhe mëkati është shkelje e ligjit.
5 Dhe ju e dini se ai u shfaq për të hequr mëkatet tona; dhe në të nuk ka mëkat.
6 Kush qëndron në të nuk mëkaton; kush mëkaton nuk e ka parë dhe as nuk e ka njohur.
7 Djema, kurrkush mos ju mashtroftë: ai që zbaton drejtësinë është i drejtë, ashtu sikur është i drejtë ai.
8 Kush kryen mëkat është nga djalli, sepse djalli mëkaton nga fillimi; prandaj është shfaqur Biri i Perëndisë: për të shkatërruar veprat e djallit.
9 Kush lindi nga Perëndia nuk kryen mëkat, sepse fara e Perëndisë qëndron në të dhe nuk mund të mëkatojë sepse lindi nga Perëndia.
10 Prej kësaj njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo që nuk praktikon drejtësinë nuk është nga Perëndia, dhe i tillë nuk është as ai që nuk do vëllanë e vet.
11 Sepse ky është mesazhi që dëgjuat nga fillimi. Ta duam njeri-tjetrin,
12 jo sikundër Kaini, i cili ishte nga i ligu dhe vrau vëllanë e vet. Dhe për çfarë arësye e vrau atë? Sepse veprat e tij ishin të liga dhe ato të të vëllait ishin të drejta.
13 Mos u çuditni, vëllezër të mi, nëse bota ju urren.
14 Ne e dimë se kemi kaluar nga vdekja në jetë, sepse i duam vëllezërit; kush nuk e do vëllanë e vet, mbetet në vdekje.
15 Kushdo që urren vëllanë e vet është vrasës; dhe ju e dini se asnjë vrasës nuk ka jetë të përjetshme të qëndrueshme në vete.
16 Nga kjo e kemi njohur dashurinë: ai e dha jetën e vet për ne; dhe ne duhet ta japim jetën tonë për vëllezërit.
17 Dhe nëse njëri ka të mirat e kësaj bote dhe sheh të vëllanë që është në nevojë dhe e mbyll zemrën e tij, si qëndron në të dashuria e Perëndisë?
18 Djema të rinj, të mos duam me fjalë, as me gjuhë, por me vepra dhe në të vërtetë.
19 Dhe nga kjo ne dimë se jemi në të vërtetën dhe do t’i bindim zemrat tona para atij;
20 sepse, po të na dënojë zemra jonë, Perëndia është më i madh se zemra jonë dhe njeh çdo gjë.
21 Shumë të dashur, nëse zemra jonë nuk na dënon, kemi siguri para Perëndisë;
22 dhe ç’të kërkojmë, e marrim nga ai, sepse zbatojmë urdhërimet e tij dhe bëjmë gjërat që janë të pëlqyera prej tij.
23 Dhe ky është urdhërimi i tij që besojmë në emrin e Birit të tij Jezu Krisht dhe ta duam njeri-tjetrin si na urdhëroi ai.
24 Ai që zbaton urdhërimet e tij qëndron në Perëndinë, dhe Ai në të; dhe prej kësaj ne dijmë se ai qëndron në ne: nga Fryma që ai na dha.
2 Ka dalë kundër teje një shkatërrues. Ruaje mirë fortesën, mbikqyr rrugën, forco ijët e tua, mblidh tërë forcat e tua.
2 Sepse Zoti do të rivendosë lavdinë e Jakobit dhe lavdinë e Izraelit, sepse cubat i kanë plaçkitur dhe kanë shkatërruar shermendet e tyre.
3 Mburoja e trimave të tij është ngjyrosur me të kuq, trimat e tij janë veshur me rroba të kuqe; ditën që ai përgatit hekuri i qerreve do të nxjerrë shkëndi si zjarri dhe do të vringëllojnë ushtat e qiparisit.
4 Qerret do të lëshohen me tërbim nëpër rrugë do t’u bien kryq e tërthor shesheve; do të duken si pishtarë, do të vetëtijnë si rrufe.
5 Ai do të kujtojë burrat e tij të fuqishëm, por ata do të pengohen në marshimin e tyre, do të sulen drejt mureve dhe mbrojtja do të përgatitet.
6 Portat e lumenjve do të hapen dhe pallati do të shembet.
7 Atë që rrinte palëvizur do ta zhveshin dhe do ta marrin; shërbëtoret e saj do të vajtojnë me zë si të pëllumbeshës, duke i rënë gjoksit.
8 Ndonëse Ninive i kohëve të kaluara ishte si një rezervuar uji, tani ata ikin. "Ndaluni, ndaluni!," bërtasin, por askush nuk kthehet.
9 Plaçkitni argjendin, plaçkitni arin! Ka thesare pa fund, pasuri të çfarëdo sendi të çmuar.
10 Ai është i shkretuar, bosh dhe i rrënuar; zemra ligështohet, gjunjët dridhen, ka një dhembje të madhe në të gjitha ijët dhe tërë fytyrat e tyre zverdhen.
11 Ku është strofka e luanëve, vendi ku ushqeheshin luanët e vegjël, ku silleshin luani, luanesha dhe të vegjëlit e saj dhe askush nuk i trembte?
12 Luani shqyente për të vegjëlit e tij, mbyste për luaneshat e tij dhe mbushte strofkat e tij me gjah dhe strofullat me gjënë e grabitur.
13 "Ja, unë jam kundër teje," thotë Zoti i ushtrive, "unë do t’i djeg dhe do t’i bëj tym qerret e tua dhe shpata do të gllabërojë luanët e tu të vegjël; unë do të zhduk grabitjen tënde nga dheu dhe zëri i lajmëtarëve të tu nuk do të dëgjohet më".
18 Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,
2 duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.
3 Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: Ma jep të drejtën para kundërshtarit timm".
4 Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri,,
5 duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë".”
6 Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë.
7 Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?
8 Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?.”
9 Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.
10 “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.
11 Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.
12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".
13 Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".
14 Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”
15 I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t’i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.
16 Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.
17 Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje.”
18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?.”
19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.
20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde".”
21 Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia.”
22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.”
23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.
24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!
25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?.”
27 Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë.”
28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”
29 Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,
30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme.”
31 Pastaj i mori me vete të dymbëdhjetët dhe u tha atyre: “Ja, ne po ngjitemi në Jeruzalem dhe të gjitha ato që shkruan profetët për Birin e njeriut do të përmbushen.
32 Ai, pra, do t’u dorëzohet paganëve, do të fyhet e do të poshtërohet dhe do ta pështyjnë.
33 Dhe, pasi ta fshikullojnë, do ta vrasin, por ai do të ringjallet të tretën ditë.”
34 Por ata nuk morën vesh asgjë nga të gjitha këto: këto fjalë për ta ishin fshehtësi dhe ata nuk kuptonin ato që u ishin thënë.
35 Tani ndërsa ai po i afrohej Jerikos, një i verbër ishte ulur përgjatë rrugës dhe po lypte;
36 dhe kur dëgjoi se po kalonte turma, pyeti çfarë ishte;
37 iu përgjigjën se po kalonte Jezusi nga Nazareti.
38 Atëherë ai bërtiti duke thënë: “O Jezus, Bir i Davidit, ki mëshirë për mua.”
39 Ata që ecnin përpara i bërtitën të heshtte, por ai bërtiste edhe më fort: “O Bir i Davidit: ki mëshirë për mua.”
40 Atëherë Jezusi ndaloi dhe urdheroi t’ia sillnin dhe, kur ai iu afrua, e pyeti
41 duke thëne: “Çfarë dëshiron të bëj për ty?.” Dhe ai tha: “Zot, të rimarr dritën e syve.”
42 Dhe Jezusi i tha: “Rimerr dritën e syve, Besimi yt të shëroi.”
43 Në çast rimori dritën e syve dhe e ndiqte duke përlëvduar Perëndinë; dhe gjithë populli, kur pa këtë, i dha lavdi Perëndisë.