M’Cheyne Bible Reading Plan
5 Kështu u përfundua tërë puna që Salomoni kishte urdhëruar për shtëpinë e Zotit. Atëherë Salomoni solli tërë gjërat që i ati kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe të gjitha veglat, dhe i futi në thesaret e shtëpisë së Perëndisë.
2 Atëherë Salomoni mblodhi në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe të gjithë krerët e fiseve, princat e familjeve atërore të bijve të Izraelit, për ta çuar lart arkën e besëlidhjes të Zotit nga qyteti i Davidit, domethënë nga Sioni.
3 Tërë burrat e Izraelit u mblodhën rreth mbretit për festën që binte në muajin e shtatë.
4 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe Levitët morën arkën.
5 Ata e çuan lart arkën, çadrën e mbledhjes dhe të gjitha përdorëset e shenjta që ndodheshin në çadër. Këto gjëra i mbartën priftërinjtë dhe Levitët.
6 Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u grumbulluan rreth arkës dhe flijuan një sasi kaq të madhe dhensh dhe lopësh që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.
7 Priftërinjtë e çuan pastaj arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e vet, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.
8 Në fakt kerubinët i shtrinin krahët mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.
9 Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre në arkë mund të shiheshin përballë vendit shumë të shenjtë, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri ditën e sotme.
10 Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave që Moisiu kishte vendosur në malin Horeb, kur Zoti lidhi një besëlidhje me bijtë e Izraelit, kur këta kishin dalë nga Egjipti.
11 Tani, ndërsa priftërinjtë dilnin nga vendi i shenjtë (tërë priftërinjtë e pranishëm në të vërtetë ishin shenjtëruar pa respektuar rendin e klasave,
12 dhe tërë Levitët këngëtarë, Asafi, Hemani, Jeduthuni, bijtë dhe vëllezërit e tyre, të veshur me li të bardhë, me cembale, harpa dhe qeste në dorë rrinin më këmbë në lindje të altarit, dhe bashkë me ta njëqind e njëzet priftërinjtë që u binin borive)
13 dhe kur trumbetarët dhe këngëtarët si një njeri i vetëm bënë të dëgjohet bashkarisht zëri i tyre për të lëvduar dhe për të kremtuar Zotin dhe e ngritën zërin në tingullin e borive, të cembaleve dhe të veglave të tjera muzikore dhe lëvduan Zotin: "Sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetësi," ndodhi që shtëpia, shtëpia e Zotit, u mbush me një re,
14 dhe priftërinjtë nuk mundën të rrinin për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Perëndisë.
6 Atëherë Salomoni tha: "Zoti ka shpallur se do të banojë në renë e dëndur.
2 Dhe unë kam ndërtuar për ty një shtëpi të madhërishme, në vendin ku do të banosh përjetë".
3 Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit, ndërsa tërë asambleja e Izraelit qëndronte më këmbë.
4 Pastaj tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që ka kryer me fuqinë e tij atë që i kishte premtuar me gojën e vet atit tim David, duke thënë:
5 "Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga vendi i Egjiptit, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të mbetej, dhe nuk kam zgjedhur njeri që të bëhet princ mbi popullin tim të Izraelit,
6 por kam zgjedhur Jeruzalemin, që emri im të mbetet aty, dhe kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".
7 Davidi, ati im, kishte në zemër të ndërtonte një tempull, në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit,
8 por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një tempull në emrin tim, dhe ke bërë mirë që ke pasur një gjë të tillë në zemër;
9 por nuk do të jesh ti që do ta ndërtosh tempullin, por biri yt që ka për të dalë nga ijët e tua, do të jetë ai që do ta ndërtojë tempullin në emrin tim".
10 Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte shqiptuar, dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim dhe u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte premtuar Zoti, dhe ndërtova tempullin në emrin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.
11 Aty vendosa arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai ka bërë me bijtë e Izraelit"
4 Shumë të dashur, mos i besoni çdo frymë, por i vini në provë frymërat për të ditur nëse janë nga Perëndia, sepse shumë profetë të rremë kanë dalë në botë.
2 Nga kjo mund të njihni Frymën e Perëndisë: çdo frymë që rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, është nga Perëndia.
3 Dhe çdo frymë që nuk rrëfen se Jezu Krishti ka ardhur në mish, nuk është nga Perëndia; dhe kjo është fryma e antikrishtit që, siç e keni dëgjuar se vjen; dhe tashmë është në botë.
4 Ju jeni prej Perëndisë, o djem të rinj, dhe i keni mundur ata, sepse ai që është në ju është më i madh se ai që është në botë.
5 Ata janë nga bota; prandaj flasin për gjërat e botës dhe bota i dëgjon.
6 Ne jemi prej Perëndisë; kush njeh Perëndinë na dëgjon; kush nuk është prej Perëndisë nuk na dëgjon; nga kjo njohim Frymën e së vërtetës dhe frymën e gabimit.
7 Shumë të dashur, le ta duam njeri tjetrin, sepse dashuria është nga Perëndia dhe kushdo që do, ka lindur nga Perëndia dhe e njeh Perëndinë.
8 Ai që nuk ka dashuri nuk e ka njohur Perëndinë, sepse Perëndia është dashuri.
9 Në këtë është shfaqur dashuria e Perëndisë ndaj nesh, se Perëndia dërgoi Birin e tij të vetëmlindurin në botë që ne të rrojmë nëpërmjet tij.
10 Në këtë është dashuria: jo se ne e kemi dashur Perëndinë, por që ai na ka dashur ne dhe dërgoi Birin e tij për shlyerjen e mëkateve tona.
11 Shumë të dashur, në qoftë se Perëndia na ka dashur në këtë mënyrë; edhe ne duhet ta duam njeri-tjetrin.
12 Askush s’e ka parë ndonjëherë Perëndinë; po ta duam njeri-tjetrin, Perëndia qëndron në ne dhe dashuria e tij është e përsosur në ne.
13 Nga kjo ne njohim se qëndrojmë në të dhe ai në ne, sepse ai na ka dhënë nga Fryma e tij.
14 Dhe ne pamë dhe dëshmojmë se Ati e dërgoi Birin për të qënë Shpëtimtar i botës.
15 Ai që rrëfen se Jezusi është Biri i Perëndisë, Perëndia qëndron në të dhe ai në Perëndinë.
16 Dhe ne njohëm dhe besuam dashurinë që Perëndia ka për ne. Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në të.
17 Në këtë dashuria u përsos në ne (që të kemi guxim në ditën e gjyqit): sepse sikurse është ai, po kështu jemi edhe ne në këtë botë.
18 Në dashuri nuk ka frikë, madje dashuria e përsosur e nxjerr jashtë frikën, sepse frika ka të bëjë me ndëshkimin, dhe ai që ka frikë nuk është i përsosur në dashuri.
19 Ne e duam atë, sepse ai na deshi i pari.
20 Po të thotë dikush: “Unë e dua Perëndinë” dhe urren vëllanë e vet, është gënjeshtar; sepse ai që nuk do vëllanë e vet të cilin e sheh, si mund të dojë Perëndinë, që nuk e sheh?
21 Dhe ky është urdhërimi që kemi marrë nga ai: ai që do Perëndinë, të dojë edhe vëllanë e vet.
3 Mjerë qyteti gjakatar, që është plot me hile dhe me dhunë dhe që nuk po heq dorë nga grabitjet!
2 Kërcet kamxhiku, zhurmë shurdhuese rrotash, kuajsh që vrapojnë dhe qerresh që hovin,
3 kalorës në sulm shpata flakëruese, ushta që shndritin, një shumicë e madhe të vrarësh, të vdekur të shumtë, kufoma pa fund; pengohesh te kufomat.
4 Të gjitha këto për shkak të kurvërimeve të shumta të prostitutes joshëse, mjeshtre në artet magjike që i shiste kombet me kurvërimet e saj dhe popujt me artet e saj magjike.
5 "Ja, unë jam kundër teje," thotë Zoti i ushtrive, "unë do të ngre cepat e rrobës sate deri në fytyrë dhe do t’u tregoj kombeve lakuriqësinë tënde dhe mbretërive turpin tënd.
6 Do të të hedh përsipër ndyrësi, do të të bëj të neveritshme dhe do të të nxjerr te shtylla e turpit.
7 Do të ndodhë që të gjithë ata që do të të shikojnë do të largohen prej teje dhe do të thonë: "Ninive është shkretuar! Kujt do t’i vijë keq për të?". Ku t’i kërkoj ngushëllonjësit e saj?".
8 A je më e bukur se No-Amoni, që ndodhet midis kanaleve të Nilit, i rrethuar nga ujërat dhe që e kishte detin si ledh dhe detin si mur?
9 Etiopia dhe Egjipti ishin forca e tij dhe nuk kishin kufi; Puti dhe Libianët ishin aleatët e tij.
10 Megjithatë edhe ai u internua, shkoi në robëri; edhe fëmijët e tij u bënë copë-copë në hyrje të çdo rruge; kanë hedhur shortin mbi fisnikët e tij dhe tërë të mëdhenjtë e tij u lidhën me zinxhirë.
11 Ti gjithashtu do të jesh e dehur dhe do të fshihesh; ti gjithashtu do të kërkosh një vend të fortifikuar përpara armikut.
12 Tërë fortesat e tua do të jenë si druri i fikut me fiq të parë; po t’i shkundësh, bien në gojë të atij që i ha.
13 Ja, trupat e tua në mes teje janë si gra; portat e vendit tënd janë të hapura përpara armiqve të tu; zjarri ka gllabëruar hekurat e portave të tua.
14 Mblidh për vete ujin e nevojshëm për rrethimin, përforco fortifikimet e tua, ngjeshe argjilën, punoje llaçin, ndreqe furrën për tulla.
15 Atje zjarri do të të gllabërojë, shpata do të të shkatërrojë, do të të hajë si një larvë karkaleci; shumohu si larvat e karkalecave, shumohu si karkalecat.
16 I ke shumuar tregjet e tua më tepër se yjet e qiellit; larvat e karkalecave zhveshin çdo gjë dhe pastaj fluturojnë tutje.
17 Princat e tu janë si karkalecat, oficerët e tu si mizëri karkalecash që ndalen midis gjerdheve në ditët e ftohta; po, kur del dielli, fluturojnë tutje, por nuk dihet se ku kanë shkuar.
18 O mbret i Asirisë, barinjtë e tu po flenë, fisnikët e tu pushojnë; populli yt u shpërnda ndër male dhe kurrkush nuk po i mbledh.
19 Nuk ka ilaç për plagën tënde, plaga jote është vdekjeprurëse; të gjithë ata që do të dëgjojnë të flitet për ty, do të përplasin duart për fatin tënd. Sepse mbi kë nuk është ushtruar vazhdimisht ligësia jote?
19 Pastaj Jezusi hyri në Jeriko dhe po kalonte nëpër qytet;
2 dhe ja, një njeri i quajtur Zake, i cili ishte kryetari i tagrambledhësve dhe ishte i pasur.
3 Ai kërkonte të shihte kush ishte Jezusi, por nuk mundte për shkak të turmës, sepse ishte i shkurtër nga shtati.
4 Atëherë rendi përpara dhe u ngjit në një fik për ta parë, sepse ai duhet të kalonte andej.
5 Dhe kur Jezusi arriti në atë vend, i çoi sytë, e pa dhe i tha: “Zake, zbrit shpejt poshtë, sepse sot duhet të rri në shtëpinë tënde.”
6 Dhe ai zbriti me nxitim dhe e priti me gëzim.
7 Kur panë këtë, të gjithë murmuritën, duke thënë: “Ai shkoi të rrijë në shtëpinë e një njeriu mëkatar.”
8 Por Zakeu u çua dhe i tha Zotit: “Zot, unë po u jap të varfërve gjysmën e pasurisë sime dhe, po të kem marrë ndonjë gjë nga ndonjëri me mashtrim, do t’ia kthej katërfish.”
9 Dhe Jezusi i tha: “Sot në këtë shtëpi ka hyrë shpëtimi, sepse edhe ky është bir i Abrahamit.
10 Sepse Biri i njeriut erdhi të kërkojë dhe të shpëtojë atë që kishte humbur.”
11 Dhe, ndërsa ata po i dëgjonin këto, Jezusi vazhdoi të tregojë një shëmbëlltyrë, sepse ai ishte afër Jeruzalemit dhe ata mendonin se mbretëria e Perëndisë do të shfaqej menjëherë.
12 Tha, pra: “Një njeri fisnik shkoi në një vend të largët për të marrë në dorëzim një mbretëri e pastaj të kthehej.
13 Dhe, si i thirri dhjetë shërbëtorët e vet, u dha dhjetë mina dhe u tha atyre: "Tregtoni deri sa të kthehem".
14 Por qytetarët e vet e urrenin dhe i dërguan pas një përfaqësi duke thënë: "Nuk duam që ky të mbretërojë përmbi ne".
15 Dhe kur ai u kthye, pasi e mori në dorëzim mbretërinë, urdhëroi t’i thërresin ata shërbëtorët, të cilëve u kishte dhënë paratë për të marrë vesh sa kishte fituar secili duke tregtuar.
16 Atëherë doli i pari dhe tha: "Zot, mina jote dha dhjetë mina të tjera";
17 dhe ai tha: "Mirë, o shërbëtor i mirë, sepse ke qenë besnik në gjëra të vogëla, merr sundimin mbi dhjetë qytete".
18 Pastaj erdhi i dyti duke thënë: "Zot, mina jote dha edhe pesë mina";
19 dhe ai i tha edhe këtij: "Edhe ti ji sundimtar mbi pesë qytete".
20 Atëherë erdhi një tjetër i cili tha: "Zot, ja mina jote që e ruajta në një shami,
21 sepse kisha frikë nga ti, që je njeri i rreptë; ti merr atë që nuk ke vënë dhe korr atë që nuk ke mbjellë".
22 Dhe zoti i tij i tha: "Do të të gjykoj nga vetë fjalët e tua, o shërbëtor i keq; ti e dije se jam njeri i rreptë, që marr atë që nuk kam vënë dhe korr atë që nuk kam mbjellë;
23 përse nuk e vure paranë time në bankë që, kur të kthehem, ta marr bashkë me përqindje?".
24 Pastaj u tha të pranishmëve: "Merrjani minën dhe ia jepni atij që ka dhjetë mina".
25 Dhe ata i thanë: "Zot, po ai ka dhjetë mina".
26 Unë po ju them se atij që ka, do t’i jepet; por atij që s’ka do t’i hiqet edhe ajo që ka.
27 Veç kësaj, i sillni këtu armiqtë e mi, të cilët nuk donin që unë të mbretëroja mbi ta dhe i vritni përpara meje!".”
28 Mbasi tha këto gjëra, ai shkoi përpara duke u ngjitur në Jeruzalem.
29 Dhe, si iu afrua Betfagës dhe Betanias, afër malit që quhet i Ullinjve, dërgoi dy nga dishepujt e vet,
30 duke u thënë: “Shkoni në fshatin përballë dhe, kur të hyni, do të gjeni aty një kërriç të lidhur, mbi të cilin nuk ka hipur kurrë njeri; zgjidheni atë dhe ma sillni.
31 Dhe nëse ndokush ju pyet: "Përse po e zgjidhni?," u thoni atyre kështu: Zoti ka nevojëë".”
32 Dhe ata që ishin dërguar shkuan dhe e gjetën ashtu siç u kishte thënë.
33 Dhe, ndërsa ata po e zgjidhnin kërriçin, të zotët e tij u thanë atyre: “Përse po e zgjidhni kërriçin?.”
34 Dhe ata thanë: “Zoti ka nevojë.”
35 Dhe e prunë, pra, te Jezusi dhe, mbasi i hidhnin rrobat e veta mbi kërriçin, e hipën Jezusin mbi të.
36 Dhe, ndërsa ai ecte kështu përpara, ata shtronin rrobat e tyre në rrugë.
37 Dhe kur ai iu afrua teposhtës së malit të Ullinjve, gjithë turma e dishepujve filloi me gëzim të lavdërojë Perëndinë me zë të lartë për të gjitha veprat e pushtetshme që kishin parë,
38 duke thënë: “Bekuar qoftë Mbreti që po vjen në emër të Zotit; paqe në qiell dhe lavdi në vendet shumë të larta.”
39 Dhe disa farisenj që ishin midis turmës i thanë: “Mësues, qorto dishepujt e tu!.”
40 Dhe ai, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Unë po ju them se në se këta do të heshtnin, gurët do të bërtisnin.”
41 Dhe kur ai po afrohej, e pa qytetin dhe qau mbi të,
42 duke thënë: “Oh, sikur ti, pikërisht ti, të njihje të paktën në ditën tënde ato që janë te nevojshme për paqen tënde! Por tashti ato janë të fshehura për sytë e tu.
43 Sepse përmbi ty do të vijnë ditë kur armiqtë e tu do të të qarkojnë me ledh, do të të rrethojnë dhe do të të zënë nga të gjitha anët.
44 Dhe do të të rrëzojnë përtokë ty dhe bijtë e tu në ty; dhe s’do të lënë në ty gur mbi gur, sepse ti nuk e ke njohur kohën kur je vizituar.”
45 Pastaj, mbasi hyri në tempull, filloi t’i dëbojë jashtë ata që shistin e blinin,
46 duke u thënë atyre: “Éshtë shkruar: "Shtëpia ime është shtëpi e lutjes, por ju e bëtë shpellë kusarësh".”
47 Çdo ditë ai mësonte në tempull. Dhe krerët e priftërinjve, skribët dhe krerët e popullit kërkonin ta vrisnin.
48 Dhe nuk arrinin dot të vendosnin çfarë të bënin; sepse gjithë populli e dëgjonte me vemendje të madhe.