M’Cheyne Bible Reading Plan
7 Kur Salomoni mbaroi së luturi, nga qielli ra një zjarr që konsumoi olokaustin dhe flijimet dhe lavdia e Zotit mbushi tempullin.
2 Priftërinjtë nuk mund të hynin në shtëpinë e Zotit, sepse lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit.
3 Tërë bijtë e Izraelit, kur panë që zjarri po zbriste dhe lavdia e Zotit po vendosej mbi tempullin, ranë përmbys me fytyrë mbi dysheme, duke adhuruar dhe lëvduar Zotin, "sepse është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon në përjetsi".
4 Pastaj mbreti dhe tërë populli ofruan flijime përpara Zotit,
5 mbreti Salomon ofroi si flijim njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë populli shenjtëruan shtëpinë e Perëndisë.
6 Priftërinjtë kryenin detyrat e tyre, po kështu Levitët me veglat e tyre muzikore të kushtuara Zotit, që mbreti David kishte bërë për të lëvduar Zotin, "sepse mirësia e tij është e përjetshme," sa herë që Davidi lëvdonte me anë të tyre. Priftërinjtë u binin borive para tyre, ndërsa tërë Izraeli qëndronte në këmbë.
7 Salomoni shenjtëroi pjesën qëndrore të oborrit që ishte përballë shtëpisë të Zotit; aty pikërisht ofroi olokauste dhe dhjamin e flijimeve të falenderimit, sepse altari prej bronzi që Salomoni kishte bërë nuk i zinte dot olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin.
8 Në atë kohë Salomoni kremtoi festën shtatë ditë dhe tërë Izraeli bashkë me të. Me Salomonin u bashkua një mori e madhe njerëzish të ardhur nga rrethinat e Hamathit deri në përroin e Egjiptit.
9 Ditën e tetë bënë një mbledhje solemne, sepse kishin kremtuar kushtimin e altarit shtatë ditë dhe festën shtatë ditë të tjera.
10 Ditën e njëzetetretë të muajit të shtatë ai e ktheu në çadrat e tij popullin tërë qejf dhe të gëzuar për të mirën që Zoti i kishte bërë Davidit, Salomonit dhe Izraelit, popullit të tij.
11 Kështu Salomoni përfundoi shtëpinë e Zotit dhe pallatin mbretëror të tij, dhe arriti të mbarojë gjithshka që kishte në zemër për shtëpinë e Zotit dhe për shtëpinë e vet.
12 Pastaj Zoti iu shfaq natën Salomonit dhe i tha: "E plotësova lutjen tënde dhe zgjodha këtë vend për vete si shtëpi flijimesh.
13 Kur do të mbyll qiellin dhe nuk do të ketë më shi, kur do të urdhëroj që karkalecat të gllabërojnë vendin, kur do t’i dërgoj murtajën popullit tim,
14 në qoftë se populli im, i cili thirret me emrin tim, përulet, lutet, kërkon fytyrën time dhe kthehet prapa nga rrugët e këqija, unë do ta dëgjoj nga qielli, do t’i fal mëkatin e tij dhe do ta shëroj vendin e tij.
15 Tani sytë e mi do të jenë të hapur dhe veshët e mi të vëmendshëm për lutjen e bërë në këtë vend,
16 sepse tani kam zgjedhur dhe shenjtëruar këtë tempull, që emri im të mbetet aty përjetë; sytë dhe zemra ime do të jenë gjithnjë aty.
17 Sa për ty, në qoftë se do të ecësh para meje ashtu si ka ecur Davidi, ati yt, duke kryer të gjitha ato që të kam urdhëruar, dhe në rast se do të respektosh statutet dhe dekretet e mia,
18 do ta bëj të qëndrueshëm fronin e mbretërisë sate, ashtu siç jam marrë vesh me Davidin, atin tënd, duke thënë: "Nuk do të mungojë kurrë një njeri që të mbetërojë mbi Izraelin".
19 Por në rast se do të drejtoheni gjetiu dhe do të braktisni statutet dhe urdhërimet e mia që ju kam vënë përpara dhe do të shkoni t’u shërbeni perëndive të tjera dhe të bini përmbys përpara tyre,
20 atëherë do t’ju çrrënjos nga vendi im që ju kam dhënë dhe nuk do të jem më i pranishëm në këtë tempull që ia shenjtërova emrit tim, duke e bërë gazin dhe lojën e të gjithë popujve.
21 Kushdo që do të kalojë pranë këtij tempulli aq të madhërishëm do të habitet dhe do të thotë: "Pse Zoti e ka trajtuar kështu këtë vend dhe këtë tempull?".
22 Atëherë do t’i përgjigjen: "Sepse kanë braktisur Zotin, Perëndinë e etërve të tyre që i nxori nga vendi i Egjiptit, kanë pranuar perëndi të tjera, kanë rënë përmbys para tyre dhe u kanë shërbyer; prandaj Zoti ka sjellë mbi ta tërë këtë fatkeqësi"".
1 Plaku; zonjës së zgjedhur dhe bijve të saj që i dua në të vërtetë, dhe jo vetëm unë, por edhe të gjithë ata që e kanë njohur të vërtetën,
2 për shkak të së vërtetës që qëndron në ne dhe do të jetë me ne përjetë:
3 hiri, mëshira dhe paqja qofshin me ju nga Perëndia Ati dhe nga Zoti Jezu Krisht, Biri i të Atit, në të vërtetë dhe në dashuri.
4 U gëzova fort që gjeta disa nga bijtë e tu duke ecur në të vërtetën, sipas urdhërimit që morëm nga Ati.
5 Dhe tani të lutem ty, zonjë, jo sikur po të shkruaj një urdhërim të ri, por atë që kishim pasur nga fillimi, që ta duam njëri-tjetrin.
6 Dhe kjo është dashuria, të ecim sipas urdhërimeve të tij. Sikurse e dëgjuat nga fillimi, ky është urdhërimi që morëm, që të ecni në të.
7 Sepse në botë kanë dalë shumë mashtrues, të cilët nuk rrëfejnë se Jezu Krishti ka ardhur në mish; ky është mashtruesi dhe antikrishti.
8 Bëni kujdes se mos humbni fryti i gjërave të kryera, por bëni në menyrë të merrni një shpërblim të plotë.
9 Kushdo që shkon tej dhe nuk qëndron në doktrinën e Krishtit, nuk ka Perëndi; kush qëndron në doktrinën e Krishtit, ka Atin dhe Birin.
10 Në qoftë se dikush vjen tek ju dhe nuk sjell këtë doktrinë, mos e pranoni në shtëpi dhe mos e përshëndetni,
11 sepse ai që e përshëndet bëhet pjestar në veprat e tij të liga.
12 Megjithse kisha shumë gjëra për t’ju shkruar, nuk desha ta bëjë me letër dhe bojë, por shpresoj të vij te ju dhe t’ju flas me gojë, që gëzimi juaj të jetë i plotë.
13 Bijtë e motrës sate të zgjedhur të përshëndesin. Amen.
2 Unë do të rri në vendrojën time, do të zë vend mbi kullë dhe do t’i hap sytë për të parë atë që do të më thotë dhe çfarë do të duhet t’i përgjigjem lidhur me ankesën e bërë.
2 Pastaj Zoti m’u përgjigj dhe tha: "Shkruaje vegimin tënd dhe gdhende mbi rrasa, që të mund të lexohet shpejt.
3 Sepse vegimi është për një kohë të caktuar, por në fund ai do të flasë dhe nuk do të gënjejë; në se vonon, prite, sepse me siguri do të vijë dhe nuk do të vonojë.
4 Ja, shpirti i është krenuar, nuk është i drejtë, por i drejti do të rrojë për shkak të besimit të tij.
5 Përveç kësaj vera e tradhëton njeriun krenar dhe kështu ai nuk rri në shtëpi. Ai, pra, e shton lakminë e tij si Sheoli dhe është si vdekja, sepse kurrë nuk është i kënaqur, por mbledh rreth vetes tërë kombet dhe tërë popujt.
6 Tërë këta a nuk do të fillojnë vallë të përdorin një proverb kundër tij dhe një gjëzë tallëse kundër tij? Ata do të thonë: "Mjerë ai që grumbullon gjëra që nuk janë të tijat (por deri kur?) dhe kush ngarkohet me pengje!".
7 A nuk do të ngrihen vallë papritur kreditorët e tu dhe nuk do të zgjohen torturuesit e tu? Dhe ti do të bëhesh preja e tyre.
8 Duke qenë se ti ke plaçkitur shumë kombe, tërë kusuri i popujve do të të plaçkitë ty për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës që i është bërë vendit, qyteteve dhe tërë banorëve të tij.
9 Mjerë ai që është i pangopur për fitime të mbrapshta për shtëpinë e tij, për të vendosur folenë e tij lart dhe për t’i shpëtuar fuqisë së fatkeqësisë.
10 Ti ke programuar turpin e shtëpisë sate, duke shfarosur shumë popuj, dhe ke mëkatuar kundër vetvetes.
11 Sepse guri do të këlthasë nga muri dhe trari do të përgjigjet nga dyshemeja.
12 Mjerë ai që ndërton një qytet me gjak dhe themelon një qytet me paudhësi!
13 Ja, a nuk vjen vallë nga Zoti i ushtrive që popujt të lodhen për zjarrin dhe kombet të lodhen për asgjë?
14 Sepse dheu do të mbushet me diturinë e lavdisë të Zotit, ashtu si ujërat mbushin detin.
15 Mjerë ai që i jep të pijë të afërmit të tij, duke i dhënë shishen e vet, dhe e deh për të parë lakuriqësinë e tij!
16 Ti do të ngopesh me turp dhe jo me lavdi; pi edhe ti dhe mosrrethprerja jote le të zbulohet lakuriq. Kupa në të djathtë të Zotit do të drejtohet nga ti dhe poshtërsia do të mbulojë lavdinë tënde.
17 Sepse dhuna e ushtruar në Liban do të të mbulojë, dhe shkatërrimi i kafshëve do të të mbushë me tmerr, për shkak të gjakut njerëzor të derdhur dhe të dhunës së ushtruar mbi vendin, qytetet dhe tërë banorët e tij.
18 Çfarë dobie sjell figura e gdhendur, kur gdhendësi që e ka bërë, apo një figurë e shkrirë që të mëson gënjeshtrën, që punuesi i saj të ketë besim te puna e tij, duke fabrikuar idhuj të heshtur?
19 Mjerë ai që i thotë drurit: "Zgjohu!," apo gurit të heshtur: "Çohu!". A mund t’ju mësojë ai diçka? Ja, është i mbuluar me ar dhe me argjend, por në të nuk ka asnjë frymë jete.
20 Por Zoti është në tempullin e tij të shenjtë; tërë dheu le të heshtë përpara tij.
21 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,
2 dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla
3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.
4 Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”
5 Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:
6 “Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”
7 Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?.”
8 Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam," dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.
9 Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.”
10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;
11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju futin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,
13 por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni.
14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur,
15 sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë.
16 Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin.
17 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.
18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.
19 Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.”
20 “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.
21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.
22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.
23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.
24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve.”
25 “Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;
26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.
27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.
28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.”
29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Vini re fikun dhe të gjitha pemët.
30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;
31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.
33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”
34 “Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.
35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.
36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.”
37 Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.
38 Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.