M’Cheyne Bible Reading Plan
11 Kur Athaliah, e ëma e Ashaziahut, pa që i biri kishte vdekur, u ngrit dhe zhduku tërë pasardhësit mbretërorë.
2 Por Jehosheba, bija e mbretit Joram dhe e motra e Ashaziahut, mori Joasin, birin e Ashaziahut, e nxorri fshehurazi nga mesi i bijve të mbretit që ishin vrarë dhe e vuri me tajën në dhomën e shtretërve; kështu ia fshehën Athaliahut dhe nuk u vra.
3 Mbeti, pra, i fshehur gjashtë vjet në shtëpinë e Zotit me të, ndërsa Athaliah mbretëronte mbi vendin.
4 Vitin e shtatë Jehojada dërgoi të thërrasë komandantët e qindsheve të rojeve personale dhe të rojeve dhe i solli pranë vetes në shtëpinë e Zotit; ai lidhi një besëlidhje me ta, i vuri të betohen në shtëpinë e Zotit dhe u tregoi birin e mbretit.
5 Pastaj i urdhëroi, duke thënë: "Kjo është ajo që ju do të bëni: një e treta e atyre prej jush që hyjnë në shërbim ditën e shtunë, ka për të ruajtur shtëpinë e mbretit;
6 një e treta portën e Surit dhe një e treta portën prapa rojeve. Ju do të ruani shtëpinë, duke ndaluar hyrjen në të.
7 Dy pjesët e tjera prej jush, domethënë tërë ata që e lënë shërbimin ditën e shtunë, kanë për të ruajtur shtëpinë e Zotit rreth mbretit.
8 Ju do të viheni rreth mbretit, secili me armët e tij në dorë; dhe kushdo që do të kërkojë të futet në radhët tuaja, do të vritet. Ju do të jeni me mbretin qoftë kur del, qoftë kur hyn".
9 Kështu komandantët e qindsheve vepruan pikërisht ashtu si kishte urdhëruar prifti Jehojada. Secili mori njerëzit e tij, ata që hynin në shërbim ditën e shtunë dhe ata që linin shërbimin ditën e shtunë, dhe shkuan te prifti Jehojada.
10 Prifti u dha komandantëve të qindshëve shtizat dhe mburojat që i kishte pasur mbreti David dhe që ishin në shtëpinë e Zotit.
11 Rojet, secili me armën e tij në dorë, u vendosën në krahun jugor të tempullit deri në krahun e tij verior, pranë altarit dhe tempullit, rreth mbretit.
12 Pastaj Jehojada e çoi jashtë birin e mbretit, i vuri mbi kokë diademën dhe i dorëzoi ligjin. E shpallën mbret dhe e vajosën; pastaj duartrokitën dhe thirrën: "Rroftë mbreti!".
13 Kur Athaliahu dëgjoi zhurmën e rojeve dhe të popullit, shkoi në drejtim të popullit në shtëpinë e Zotit.
14 Vështroi dhe e pa mbretin në këmbë mbi podiumin, sipas zakonit; kapitenët dhe borizanët ishin afër mbretit, ndërsa tërë populli i vendit ishte në festë dhe u binte borive. Atëherë Athaliahu grisi rrobat e saj dhe bërtiti: "Tradhëti, tradhëti!".
15 Por prifti Jehojada urdhëroi komandantët e qindshëve, që komandonin ushtrinë, dhe u tha atyre: "Nxirreni jashtë nga rreshtat dhe kushdo që i shkon pas të vritet me shpatë!". Në fakt prifti kishte thënë: "Mos lejoni që ajo të vritet në shtëpinë e Zotit".
16 Kështu e kapën dhe, sa po arriti në shtëpinë e mbretit nëpër rrugën e portës së kuajve, aty e vranë.
17 Pastaj Jehojada bëri një besëlidhje midis Zotit, mbretit dhe popullit, me qëllim që Izraeli të ishte populli i Zotit; lidhi gjithashtu një besëlidhje midis mbretit dhe popullit.
18 Atëherë tërë populli i vendit shkoi në tempullin e Baalit dhe e shkatërroi; i bëri copë-copë tërë altarët dhe shëmbëlltyrat e tij, vrau para altarëve Matanin, priftin e Baalit. Pastaj prifti Jehojada vendosi roje rreth shtëpisë së Zotit.
19 Pastaj mori komandantët e qindsheve të rojeve personale të mbretit dhe të rojeve dhe tërë popullin e vendit; këta bënë që mbreti të zbresë nga shtëpia e Zotit dhe, duke ndjekur rrugën e portës së rojeve e çuan në shtëpinë e mbretit, ku ai u ul në fronin e mbretërve.
20 Kështu populli i vendit bëri festë dhe qyteti mbeti i qetë, sepse kishin vrarë me shpatë Athaliahun në shtëpinë e mbretit.
21 Joasi ishte shtatë vjeç kur filloi të mbretërojë.
12 Në vitin e shtatë të Jehut, Joasi filloi të mbetërojë dhe mbretëroi dyzet vjet në Jeruzalem. Nëna e tij quhej Tsibiah, ishte nga Beer-Sheba.
2 Joasi bëri atë që ishte e drejtë në sytë e Zotit për tërë kohën që udhëhiqej nga prifti Jehojada.
3 Megjithatë vendet e larta nuk u ndryshuan; populli vazhdonte të bënte flijime dhe të digjte temjan në vendet e larta.
4 Joasi u tha priftërinjve: "Tërë paratë e gjërave të shenjtëruara që çohen në shtëpinë e Zotit, paratë e vëna mënjanë, paratë e caktuara për shpengimin e vetes dhe tërë paratë që secili e ndjen në zemër t’ia çojë shtëpisë së Zotit,
5 t’i marrin priftërinjtë, secili nga i njohuri i tij, dhe të ndreqin dëmtimet që ka pasur tempulli kudo që të ndodhen".
6 Por në vitin e njëzetetretë të mbretit Joas priftërinjtë nuk kishin ndrequr akoma dëmtimet e tempullit.
7 Atëherë mbreti Joas thirri priftin Jehojada dhe priftërinjtë e tjerë dhe u tha: "Pse nuk i keni ndrequr dëmtimet e tempullit? Prandaj mos merrni më para nga të njohurit tuaj, por u jepni për të ndrequr dëmtimet e tempullit".
8 Priftërinjtë pranuan të mos merrnin më para nga populli, as edhe të ndreqnin dëmtimet e tempullit.
9 Pastaj prifti Jehojada mori një arkë, hapi një vrimë në kapakun e saj dhe e vendosi përbri altarit, në krahun e djathtë të atij që hyn në shtëpinë e Zotit; priftërinjtë që ruanin hyrjen vendosën aty tërë paratë e sjella në shtëpinë e Zotit.
10 Kur ata shihnin që në arkë kishte shumë para, atëherë vinin sekretari i mbretit dhe kryeprifti që i vinin paratë në qese dhe numëronin paratë e gjetura në shtëpinë e Zotit.
11 Pastaj paratë që ishin peshuar i dorëzonin në duart e atyre që kryenin punë, të cilëve u ishte besuar mbikqyrja e shtëpisë së Zotit; dhe këta ua kalonin marangozëve dhe ndërtuesve që punonin në shtëpinë e Zotit,
12 muratorëve dhe gdhëndësve, për të blerë dru dhe gurë të latuar, të nevojshëm për të ndrequr dëmtimet e shtëpisë së Zotit dhe për të mbuluar të gjitha shpenzimet e bëra për ndreqjen e tempullit.
13 Por me paratë e sjella në shtëpinë e Zotit nuk u bënë, për shtëpinë e Zotit, as kupa prej argjendi, as pastrues, as enë, as bori, asnjë send ari ose asnjë send argjendi;
14 paratë u jepeshin vetëm atyre që kryenin punimet, të cilët i përdornin për të restauruar shtëpinë e Zotit.
15 Përveç kësaj nuk u kërkohej asnjë llogari atyre që u ishin dorëzuar paratë, të cilat duhet t’u jepeshin zbatuesve të punimeve, sepse këta punonin me përpikmëri.
16 Paratë e flijimeve të shlyerjes dhe ato të flijimeve për mëkatet nuk çoheshin në shtëpinë e Zotit; ato ishin për priftërinjtë.
17 Në atë kohë Hazaeli, mbret i Sirisë, doli për të luftuar kundër Gathit dhe e pushtoi; pastaj Hazaeli u përgatit të sulmonte Jeruzalemin.
18 Atëherë Joasi, mbret i Judës, mori tërë sendet e shenjta që etërit e tij Jozafati, Jehorami dhe Ashaziahu, mbretër të Judës kishin shenjtëruar, ato që kishte shenjtëruar ai vetë dhe tërë arin që gjendej në thesarët e shtëpisë së Zotit dhe në shtëpinë e mbretit, dhe i dërgoi të gjitha Hazaelit, mbretit të Sirisë, që u tërhoq në Jeruzalem.
19 Pjesa tjetër e bëmave të Joasit dhe tërë ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
20 Shërbëtorët e Joasit ngritën krye, kurdisën një komplot dhe e vranë në shtëpinë e Milos, në tatëpjetën në drejtim të Silas.
21 Jozakari, bir i Shimeathit, dhe Jehozabadi, bir i Shomerit, shërbëtorë të tij, e goditën dhe ai vdiq. E varrosën pastaj bashkë me etërit e tij në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Amatsiahu.
2 Ti, pra, biri im, forcohu në hirin që është në Krishtin Jezus;
2 dhe ato që dëgjove nga unë përpara shumë dëshmitarëve, jepua njerëzve besnikë, që do të jenë të aftë të mësojnë edhe të tjerë.
3 Ti, pra, duro pjesën tënde të vuajtjeve, si një ushtar i mirë i Jezu Krishtit.
4 Sepse asnjë nga ata që shkojnë ushtarë nuk ngatërrohet me punërat e jetës, që t’i pëlqejë atij që e mori ushtar.
5 Po ashtu, nëse dikush merr pjesë në gara, nuk kurorëzohet po të mos ketë luftuar sipas rregullave.
6 Bujku që mundohet duhet ta marrë i pari pjesën e fryteve.
7 Mendo për ato që të them, sepse Zoti do të të japë mend për të gjitha.
8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.
14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.
15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.
16 Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,
17 dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,
18 të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.
19 Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët," dhe: "Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".
20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.
21 Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.
22 Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.
23 Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.
24 Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,
25 duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,
26 dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.
3 Zoti më tha akoma: "Shko dhe dashuro një grua të dashuruar nga një dashnor dhe që është shkelëse e kurorës, ashtu si Zoti i do bijtë e Izraelit, megjithëse ata u drejtohen perëndive të tjera dhe pëlqejnë reçelin e rrushit".
2 Kështu unë e bleva për pesëmbëdhjetë sikla argjendi dhe për një homer e gjysmë elbi,
3 dhe i thashë: "Ti do të rrish shumë ditë me mua; nuk do të kurvërohesh dhe nuk do të jesh e asnjeriut; po kështu do të veproj unë me ty".
4 Sepse bijtë e Izraelit do të rrinë shumë ditë pa mbret, pa kryetar, pa flijim dhe pa shtyllë të shenjtë, pa efod dhe pa idhuj të shtëpisë.
5 Pastaj bijtë e Izraelit do të kthehen dhe do të kërkojnë Zotin, Perëndinë e tyre, dhe Davidin, mbretin e tyre, dhe do të kthehen duke u dridhur tek Zoti dhe te mirësia e tij në mbarim të ditëve.
4 Dëgjoni fjalën e Zotit, o bij të Izraelit, sepse Zoti ka një konflikt me banorët e vendit: "Nuk ka në fakt as sinqeritet, as mëshirë dhe as njohje të Perëndisë në vend.
2 Nuk bëhet tjetër përveç shpërbetimeve, gënjeshtrave, vrasjeve, vjedhjeve, shkeljeve të kurorës, shkeljeve të çdo kufizimi dhe derdhet gjak mbi gjak.
3 Për këtë shkak vendi do të jetë në zi dhe tërë banorët e tij do të vuajnë, bashkë me kafshët e fushës dhe me shpendët e qiellit; madje edhe peshqit e detit do të eliminohen.
4 Megjithatë askush të mos kundërshtojë, askush të mos qortojë tjetrin, sepse populli yt është si ai që grindet me priftin.
5 Prandaj ti do të pengohesh ditën dhe profeti gjithashtu do të pengohet natën bashkë me ty; dhe unë do të shkatërroj nënën tënde.
6 Populli im vdes për mungesë njohurish. Duke qenë se ti ke refuzuar njohjen, edhe unë do të të refuzoj si prifti im; duke qenë se ti ke harruar ligjin e Perëndisë tënd, edhe unë do të harroj bijtë e tu.
7 Sa më tepër janë shumuar, aq më tepër kanë mëkatuar kundër meje; do ta kthej lavdinë e tyre në turp.
8 Ata ushqehen me mëkatin e popullit tim dhe e lidhin zemrën e tyre me paudhësinë e tij.
9 Si për popullin ashtu do të jetë edhe për priftin: unë do t’i dënoj ata për sjelljen e tyre dhe do t’i shpërblej për veprat e tyre.
10 Do të hanë, por nuk do të ngopen; do të kurvërohen, por nuk do të shtohen; sepse kanë hequr dorë nga dëgjimi i Zotit.
11 Prostitucioni, vera dhe mushti të lënë pa mend.
12 Populli im konsulton idhujt e tij prej druri dhe shkopi i tij i jep udhëzime, sepse fryma e prostitucionit i devijon, dhe ata kurvërohen, duke u shmangur nga Perëndia e tyre.
13 Ata bëjnë flijime mbi majat e maleve, djegin temjan ndër kodra, nën lisin, plepin dhe bafrën, sepse hija e tyre është e këndshme. Prandaj bijat tuaja kurvërohen dhe nuset e bijve tuaj shkelin kurorën.
14 Nuk do t’i dënoj bijat tuaja në se kurvërohen, as nuset e bijve tuaj në se shkelin kurorën, sepse ata vetë veçohen me prostitutat dhe ofrojnë flijime bashkë me prostitutat e tempujve; prandaj njerëzia që nuk ka mend do të vdesë.
15 Në qoftë se ti, Izrael, kurvërohesh, Juda nuk ka faj. Mos shkoni në Gilgal, mos u ngjitni në Beth-aven dhe mos u betoni duke thënë: "Ashtu si Zoti rron".
16 Sepse Izraeli është kokëfortë si një mëshqerrë kryeneçe, tani Zoti do ta kullotë si një qengj në një vend të hapur.
17 Efraimi u bashkua me idhujt, lëre të veprojë.
18 Edhe kur qejfet e tyre kanë mbaruar, kryejnë vazhdimisht kurvërime; krerët e tyre e duan shumë turpin.
19 Era i ka lidhur në krahët e vet dhe atyre do t’u vijë turp për flijimet e tyre".
121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.