Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 14

14 Në atë kohë Abijahu, bir i Jeroboamit, u sëmur.

Jeroboami i tha bashkëshortes së vet: "Çohu, të lutem, ndërro petkat që të mos dihet se je gruaja e Jeroboamit, dhe shko në Shiloh. Atje është profeti Ahijah, që ka parashikuar se unë do të bëhesha mbret e këtij populli.

Merr me vete dhjetë bukë, disa kuleç dhe një enë me mjaltë dhe shko tek ai; ai do të të thotë se ç’ka për të ndodhur me fëmijën".

Gruaja e Jeroboamit veproi në këtë mënyrë: u ngrit, shkoi në Shiloh dhe arriti në shtëpinë e Ahijahut. Ahijahu nuk shikonte dot sepse sytë i qenë errur nga pleqëria.

Zoti i kishte thënë Abijahut: "Ja, gruaja e Jeroboamit është duke ardhur për t’u këshilluar me ty për të birin që është i sëmurë. Ti do t’i thuash kështu e kështu. Kur do të hyjë, ajo do të shtihet se është një grua tjetër".

Sapo Ahijahu dëgjoi zhurmën e hapave të saj kur po hynte nga porta, ai tha: "Hyr, o bashkëshorte e Jeroboamit. Pse bën sikur je një person tjetër? Unë duhet të të jap lajme të këqija.

Shko dhe i thuaj Jeroboamit: "Kështu flet Zoti, Perëndia i Izraelit: Unë të kam ngritur nga gjiri i popullit dhe të kam bërë princ të popullit tim të Izraelit,

e rrëmbeva mbretërinë nga duart e shtëpisë së Davidit dhe ta dhashë ty, por ti nuk ke qenë si shërbëtori im Davidi që ka respektuar urdhërimet e mia dhe më ka ndjekur me gjithë zemër, duke bërë ato që ishin të drejta në sytë e mia;

ti ke vepruar më keq nga të gjithë ata që qenë para teje, sepse ke arritur të sajosh perëndi të tjera dhe shëmbëlltyra me derdhje për të provokuar zemërimin tim, dhe më ke hedhur prapa krahëve.

10 Prandaj, ja, unë do të dërgoj fatkeqësinë mbi shtëpinë e Jeroboamit dhe do të shfaros nga shtëpia e tij çdo mashkull në Izrael, qoftë skllav apo i lirë, dhe do ta fshij plotësisht shtëpinë e Jeroboamit, ashtu si fshihen plehrat deri sa të zhduken tërësisht.

11 Ata të shtëpisë së Jeroboamit që do të vdesin në qytet do t’i hanë qentë; dhe ata që do të vdesin nëpër ara, do t’i hanë shpendët e qiellit; sepse kështu ka folur Zoti.

12 Prandaj çohu dhe shko në shtëpinë tënde; sa të hysh në qytet, fëmija ka për të vdekur.

13 Tërë Izraeli do ta vajtojë dhe do ta varrosë. Ai do të jetë i vetmi nga shtëpia e Jeroboamit që do të varroset, sepse është i vetmi nga shtëpia e Jeroboamit tek i cili u gjet diçka e mirë dhe që i pëlqen Zotit, Perëndisë të Izraelit.

14 Zoti do të vendosë mbi Izraelin mbretin e tij, që po atë ditë do të shfarosë shtëpinë e Jeroboamit. Ç’po them kështu. Kjo po ndodh që tani.

15 Zoti do të shfryjë mbi Izraelin si mbi kallamishtet e ujit, do ta shrrënjosë Izraelin nga kjo tokë e mirë që u kishte dhënë etërve të tij dhe do t’i shkoqë ata matanë Lumit, sepse kanë bërë Asherimët e tyre, duke shkaktuar zemërimin e Zotit.

16 Ai do ta braktisë Izraelin për shkak të mëkateve të Jeroboamit, sepse ai ka kryer mëkate dhe ka bërë që të mëkatojë edhe Izraeli"".

17 Pastaj gruaja e Jeroboamit u ngrit dhe u nis, arriti në Tirtsah; me të arritur në pragun e shtëpisë, fëmija i vdiq.

18 E varrosën dhe tërë Izraeli e qau, sipas fjalës që Zoti kishte thënë me anë të profetit Ahijah, shërbëtorit të tij.

19 Bëmat e tjera të Jeroboamit, si luftoi dhe si mbretëroi, janë shkruar në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit.

20 Kohëvazhdimi i mbretërisë së Jeroboamit qe njëzet e dy vjet; pastaj atë e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Nadabi.

21 Roboami, bir i Salomonit, mbretëroi në Judë. Ai ishte dyzet e një vjeç kur u bë mbret dhe mbretëroi shtatëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem, në qytetin që Zoti kishte zgjedhur nga tërë fiset e Izraelit për t’i vënë emrin e tij. E ëma quhej Naamah, ishte Amonite.

22 Ata të Judës bënë atë që është e keqe në sytë e Zotit; dhe me mëkatet që bënë shkaktuan xhelozinë e Zotit më tepër nga ç’kishin bërë etërit e tyre.

23 Edhe ata ndërtuan vende të larta, shtylla dhe Asherime në të gjitha kodrat e larta dhe poshtë çdo druri të gjelbër.

24 Përveç kësaj, kishte në vend njerëz që jepeshin mbas kurvërisë së shenjtë. Ata merreshin me të gjitha gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.

25 Në vitin e pestë të mbretit Roboam, mbreti i Egjiptit Sishak doli kundër Jeruzalemit,

26 dhe mori me vete thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror; mori me vete çdo gjë, duke përfshirë shqytat e arta që Salomoni kishte bërë.

27 Në vend të tyre mbreti Roboam dha urdhër të bëheshin shqyta prej bronzi dhe ua dorëzoi komandantëve të rojeve që ruanin hyrjen e pallatit mbretëror.

28 Sa herë që mbreti hynte në shtëpinë e Zotit, rojet i çonin në sallën e rojeve.

29 Pjesa tjetër e bëmave të Roboamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në Kronikat e mbretërve të Judës?

30 U bë një luftë e pandërprerë midis Roboamit dhe Jeroboamit.

31 Pastaj Roboamin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros me ta në qytetin e Davidit. E ëma quhej Naamaha, ishte Amonite. Në vend të tij mbretëroi i biri, Abijami.

Kolosianëve 1

Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timote,

shenjtorëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin, që janë në Kolos: hir dhe paqe mbi ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

E falenderojmë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur vazhdimisht për ju,

sepse morëm vesh për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë tuaj ndaj gjithë shenjtorëve,

për shkak të shpresës që ruhet për ju në qiejt, për të cilën keni dëgjuar në fjalët e së vërtetës së ungjillit,

që arriti te ju, sikurse edhe në gjithë botën, dhe po jep fryt e rritet, sikurse edhe ndër ju, nga dita që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë në të vërtetë,

sikurse edhe e mësuat nga Epafrai, shoku ynë i dashur në shërbesë, i cili është një shërbëtor besnik i Krishtit për ju,

dhe që na ka treguar dashurinë tuaj të madhe në Frymën.

Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore,

10 që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë,

11 duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim,

12 duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë.

13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur,

14 në të cilën ne kemi shpengimin me anë të gjakut të tij dhe faljen e mëkateve.

15 Ai është shëmbëllesa e Perëndisë së padukshëm, i parëlinduri i çdo krijese,

16 sepse në të u krijuan të gjitha gjërat, ato që janë në qiejt dhe ato mbi dhe, gjërat që duken dhe ato që nuk duken: frone, zotërime, principata dhe pushtete; të gjitha gjërat janë krijuar me anë të tij dhe në lidhje me të.

17 Ai është përpara çdo gjëje dhe të gjitha gjërat qëndrojnë në të.

18 Ai vetë është kreu i trupit, pra i kishës; ai është fillimi, i parëlinduri nga të vdekurit, përderisa të ketë parësinë në çdo gjë,

19 sepse Atit i pëlqeu që në të të banojë e gjithë plotësia,

20 dhe, duke bërë paqen me anë të gjakut të kryqit të tij, duke fituar pas, me anë të tij, të gjitha gjërat, si ato që janë mbi dhe si dhe ato që janë në qiejt.

21 Dhe ju vetë, që dikur ishit të huaj dhe armiq në mendje me veprat tuaja të këqija,

22 tani ju paqtoi në trupin e mishit të tij, me anë të vdekjes, që t’ju nxjerrë juve përpara vetes së tij shenjtorë, faqebardhë dhe të pafajshëm,

23 në qoftë se qëndroni në besim me themel dhe të patundur, dhe të mos luani nga shpresa e ungjillit që ju keni dëgjuar dhe që i është predikuar çdo krijese që është nën qiell; të cilit unë, Pali, iu bëra shërbenjës.

24 Dhe tani gëzohem për vuajtjet e mia të cilat po i heq për shkakun tuaj dhe po e plotësoj në mishin tim atë që u mungon mundimeve të Krishtit për trupin e vet, që është kisha,

25 shërbenjës i së cilës u bëra unë, sipas misionit që më ngarkoi Perëndia për ju, që t’jua paraqes të plotë fjalën e Perëndisë,

26 misterin që u mbajt i fshehtë gjatë shekujve dhe brezave, por që tani iu shfaq shenjtorëve të tij,

27 të cilëve Perëndia deshi t’ua bëjë të njohur cilat ishin pasuritë e lavdisë së këtij misteri ndër johebrenjtë, që është Krishti në ju, shpresë lavdie,

28 që ne e kumtuam, duke e qortuar dhe duke e mësuar çdo njeri me çdo urtësi, që ta paraqesim çdo njeri të përsosur në Jezu Krishtin;

29 për këtë mundohem duke u përpjekur me fuqinë e tij, e cila vepron tek unë me pushtet

Ezekieli 44

44 Pastaj ai më çoi drejt portës së jashtme të shenjtërores që shikonte nga lindja, por ajo ishte e mbyllur.

Zoti më tha: "Kjo portë do të mbetet e mbyllur, nuk do të hapet dhe askush nuk do të hyjë nëpër të, sepse nëpër të ka hyrë Zoti, Perëndia i Izraelit; prandaj do të mbetet e mbyllur.

Por princi duke qenë se është princ, do të mund të ulet për të ngrënë bukën përpara Zotit; ai do të hyjë nga hajati i derës dhe do të dalë po nga ajo rrugë".

Pastaj, nëpër portën në veri, më çoi përpara tempullit. Shikova, dhe ja, lavdia e Zotit mbushte shtëpinë e Zotit; dhe unë rashë me fytyrë.

Zoti më tha: "Bir njeriu, ki kujdes, shiko me sytë e tu dhe dëgjo me veshët e tu të gjitha ato që do të të them për statutet e shtëpisë të Zotit dhe tërë ligjeve të tij; ki kujdes në hyrjen e tempullit dhe në të gjitha daljet e shenjtërores.

Do t’u thuash këtyre rebelëve, shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: O shtëpi e Izraelit, mjaft më me veprimet tuaja të neveritshme!

Keni bërë që të futen të huaj, të parrethprerë nga zemra dhe nga mishi, me qëllim që të rrinin në shenjtëroren time, për ta përdhosur tempullin tim, ndërsa ofronit bukën time, dhjamin dhe gjakun, duke shkelur kështu besëlidhjen time me ju, me të gjitha veprimet tuaja të neveritshme.

Ju nuk jeni kujdesur për gjërat e mia të shenjta, por keni vënë të huaj në vendin tuaj që të kujdesen për shenjtëroren time.

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Asnjë i huaj, i parrethprerë nga zemra dhe parrethprerë nga mishi, nuk ka për të hyrë në shenjtëroren time, as edhe ndonjë i huaj që ndodhet në mes të bijve të Izraelit.

10 Por Levitët, që u larguan nga unë kur Izraeli doli nga rruga e drejtë, dhe u shmangën nga unë për të shkuar pas idhujve të tyre, do të ndëshkohen për paudhësinë e tyre.

11 Megjithatë ata do të shërbejnë si roje të portave të tempullit dhe do të kryejnë shërbime në tempull; do të therin olokaustet dhe flijimet për popullin dhe do të rrinë para tij për t’i shërbyer.

12 Duke qenë se i kanë shërbyer përpara idhujve të tij dhe kanë bërë që shtëpia e Izraelit të bjerë në mëkat, unë ngrita dorën time kundër tyre," thotë Zoti, Zoti, "duke u betuar se do të ndëshkohen për mëkatin e tyre.

13 Dhe nuk do të më afrohen më për të më shërbyer si priftërinj as do t’u afrohen asnjërës prej gjërave të mia të shenjta, gjërave që janë shumë të shenjta; por do të mbajnë turpin e tyre dhe ndëshkimin për veprimet e neveritshme që kanë kryer.

14 Megjithatë unë do t’u besoj atyre ruajtjen e tempullit për çdo shërbim të tij dhe për çdo gjë që do të bëhet në të.

15 Por priftërinjtë Levitë, bij të Tsadokut, që kanë treguar kujdes për shenjtëroren time kur bijtë e Izraelit u shmangën nga unë, do të më afrohen për të më shërbyer dhe do të qëndrojnë para meje për të më ofruar dhjamin dhe gjakun," thotë Zoti, Zoti.

16 "Ata do të hyjnë në shenjtëroren time, do t’i afrohen tryezës sime që të më shërbejnë dhe do të kryejnë gjithë shërbimin tim.

17 Kur të hyjnë nëpër portat e oborrit të brendshëm, do të veshin roba prej liri; nuk do të kenë në trup asnjë veshje prej leshi, kur të kryejnë shërbime në portat e oborrit të brendshëm dhe në tempull.

18 Do të kenë në krye çallma prej liri dhe pantallona prej liri mbi ijët; nuk do të ngjishen me atë që të bën të dërsitesh.

19 Por, kur do të dalin në oborrin e jashtëm, në oborrin e jashtëm në drejtim me popullin, do të heqin rrobat me të cilat kanë kryer shërbimin, do t’i depozitojnë në dhomat e shenjtërores dhe do të veshin rroba të tjera për të mos shenjtëruar popullin me veshjet e tyre.

20 Nuk do ta rruajnë kokën dhe as nuk kanë për të lënë t’u rriten flokët, por do t’i presin rregullisht flokët.

21 Asnjë prift nuk do të pijë verë, kur të hyjë në oborrin e brendshëm.

22 Nuk do të martohen me një të venë, as me grua të ndarë nga burri, por do të marrin virgjëresha nga pasardhësit e shtëpisë së Izraelit, ose një të ve që të jetë e veja e një prifti.

23 Do t’i mësojnë popullit tim të dallojë atë që është e shenjtë nga ajo që është profane dhe do t’i bëjnë të njohur ndryshimin midis asaj që është e papastër dhe asaj që është e pastër.

24 Në mosmarrëveshje ata do të veprojnë si gjyqtarë; do të gjykojnë sipas dekreteve të mia, do të zbatojnë ligjet e mia dhe statutet e mia në të gjitha festat e mia dhe do të shenjtërojnë të shtunat e mia.

25 Nuk do t’i afrohen një të vdekuri për të mos u ndotur; ata do të mund të ndoten vetëm për atin ose nënën, për birin ose bijën, për vëllanë ose për motrën e pamartuar.

26 Mbas pastrimit të tij për të do të numërohen shtatë ditë.

27 Ditën që do të hyjnë në vendin e shenjtë, në oborrin e brendshëm, për të kryer shërbimin në vendin e shenjtë, do të ofrojnë flijimin për mëkatin," thotë Zoti, Zoti.

28 "Sa për trashëgiminë e tyre, do të jem unë trashëgimia e tyre; nuk do t’u jepni atyre asnjë zotërim në Izrael, sepse jam unë zotërimi i tyre.

29 Ata do të ushqehen me blatimet e ushqimit, me flijimet për mëkatin dhe me flijimet për shkeljen; çdo gjë e destinuar Perëndisë në Izrael do të jetë e tyre.

30 Pjesa më e mirë e të gjitha prodhimeve të hershme dhe të gjitha ofertat e larta të çdo lloji midis ofertave tuaja të larta do t’u përkasin priftërinjve; do t’i jepni priftit edhe prodhimin e parë të brumit në mënyrë që bekimi të mbetet në shtëpinë tuaj.

31 Priftërinjtë nuk do të hanë mishin e asnjë zogu ose kafshe të ngordhur në mënyrë të natyrshme ose të shqyer".

Psalmet 97-98

97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.

Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.

Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.

Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.

Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.

Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.

U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.

Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.

Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.

10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.

11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.

12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.

98 Këndojini Zotit një himn të ri sepse ka bërë mrekulli; dora e tij e djathtë dhe krahu i tij i shenjtë i kanë siguruar shpëtimin.

Zoti ka bërë të njohur shpëtimin e tij dhe ka shprehur drejtësinë e tij përpara kombeve.

Ai ka mbajtur mend mirësinë e tij dhe besnikërinë e tij për shtëpinë e Izraelit; të tëra skajet e tokës kanë parë shpëtimin e Perëndisë tonë.

Dërgojini britma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës, shpërtheni në këngë gëzimi, ngazëlloni dhe këndoni lavde.

Këndojini lavde Zotit me qeste, me qesten dhe me zërin e këngës.

Dërgoni britma gëzimi me boritë dhe me zërin e bririt përpara Zotit, Mbretit.

Le të zhurmojë deti dhe gjithçka ndodhet në të, bota dhe banorët e saj.

Lumenjtë le të rrahin duart dhe malet le të ngazëllohen tok nga gëzimi përpara Zotit,

sepse ai vjen të gjykojë tokën; ai do të gjykojë botën me drejtësi dhe popujt me paanësi.