M’Cheyne Bible Reading Plan
15 Në vitin e tetëmbëdhjetë të mbretërisë së Jeroboamit, birit të Nebatit, Abijami filloi të mbretërojë mbi Judën.
2 Ai mbretëroi tre vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.
3 Ai kreu mëkatet që i ati kishte bërë para tij dhe zemra e tij nuk iu shenjtërua plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.
4 Megjithatë për dashurinë që ushqente për Davidin, Zoti, Perëndia i tij, i la një llambë në Jeruzalem, dhe e ngriti të birin mbas tij dhe e bëri të qendrueshëm Jeruzalemin,
5 sepse Davidi kishte bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit dhe nuk ishte larguar nga ajo që Zoti i kishte urdhëruar të bënte gjatë gjithë kohës së jetës së tij, me përjashtim të rastit të Uriahut, Hiteut.
6 Midis Roboamit dhe Jeroboamit pati luftë sa qe gjallë Roboami.
7 Pjesa tjetër e bëmave të Abijamit dhe të gjitha ato që ai bëri a nuk janë të shkruara vallë në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Pati luftë midis Abijamit dhe Jeroboamit.
8 Pastaj Abijamin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Asa.
9 Në vitin e njëzet të mbretërisë së Jeroboamit, mbretit të Izraelit, Asa filloi të mbretërojë në Judë.
10 Ai mbretëroi dyzet e një vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Maakah dhe ishte bijë e Abishalomit.
11 Asa bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, ashtu si i ati Davidi.
12 Eliminoi nga vendi ata që merreshin me kurvëri të shenjtë dhe tërë idhujtë e krijuar nga etërit e tij.
13 Hoqi nga posti i mbretëreshës nënën e tij Maakah, sepse ajo kishte bërë një idhull të neveritshëm të Asherahut; Asa e rrëzoi atë idhull të neveritshëm dhe e dogji pranë përroit Kidron.
14 Por vendet e larta nuk u eliminuan; megjithatë zemra e Asas mbeti plotësisht e shenjtëruar Zotit gjatë gjithë jetës së tij.
15 Ai solli në shtëpinë e Zotit gjërat e shenjtëruara nga i ati dhe gjërat që ai vetë i kishte shenjtëruar: argjendin, arin dhe enët.
16 Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë jetës së tyre.
17 Baasha, mbret i Izraelit, doli kundër Judës dhe ndërtoi Ramahun, me qëllim që të pengonte këdo që të shkonte ose të vinte nga Asa, mbret i Judës.
18 Atëherë Asa mori tërë argjendin dhe arin që kishte mbetur në thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror dhe ua dorëzoi shërbëtorëve të tij; mbreti Asa i dërgoi pastaj te Ben-Hadadi, bir i Tabrimonit, që ishte bir i Hezionit, mbretit të Sirisë, që banonte në Damask, për t’i thënë:
19 "Le të ketë aleancë midis teje dhe meje ashtu si ka pasur midis atit tim dhe atit tënd. Ja, unë po të dërgoj një dhuratë ari dhe argjendi; shko dhe prishe aleancën tënde me Baasham, mbretin e Izraelit, me qëllim që ai të tërhiqet nga unë".
20 Ben-Hadadi dëgjoi këshillat e mbretit Asa dhe dërgoi komandantët e ushtrisë së tij kundër qytetit të Izraelit; pushtoi Ijoin, Danin, Abel-Beth-Maakahun dhe tërë krahinën e Kinerothit me gjithë vendin e Neftalit.
21 Sapo Baasha e mësoi këtë lajm, ndërpreu ndërtimin e Ramahut dhe qëndroi në Tirtsah.
22 Atëherë mbreti Asa thirri tërë ata të Judës, pa përjashtuar asnjë; ata morën nga Ramahu gurët dhe lëndën që Baasha kishte përdorur për të ndërtuar, dhe me këto materiale mbreti Asa ndërtoi Geban e Beniaminit dhe Mitspahun.
23 Pjesën tjetër të bëmave të Asas, të gjitha trimëritë e tij, të gjitha ato që bëri dhe qytetet që ndërtoi a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës? Por në pleqëri ai vuante nga një dhimbje te këmbët.
24 Pastaj e zuri gjumi me etërit e tij dhe e varrosën bashkë me ta në qytetin e Davidit, atit të tij. Në vendin e tij mbretëroi i biri, Jozafati.
25 Nadabi, bir i Jeroboamit, filloi të mbretërojë mbi Izrael vitin e dytë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në Izrael dy vjet.
26 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe ndoqi rrugët e atit të tij dhe mëkatin në të cilin e kishte futur Izraelin.
27 Pastaj Baasha, bir i Ahijahut, nga shtëpia e Isakarit, komplotoi kundër tij dhe e vrau në Gibethon që u përkiste Filistejve, ndërsa Nadabi dhe tërë Izraeli kishin rrethuar Gibethonin.
28 Baasha e vrau në vitin e tretë të Asas, mbretit të Judës, dhe mbretëroi në vend të tij.
29 Me t’u bërë mbret, ai shfarosi tërë shtëpinë e Jeroboamit; nga Jeroboami s’la të gjallë asnjë, për e shfarosi krejt shtëpinë e tij, sipas fjalës që kishte thënë Zoit me anë të shërbëtorit të tij Ahijah, Shilonitit,
30 për shkak të mëkateve të Jeroboamit, të kryera nga ai dhe që Izraeli i kreu me nxitjen e tij, duke shkaktuar zemërimin e Zotit, Perëndisë të Izraelit.
31 Pjesa tjetër e bëmave të Nadabit dhe të gjitha atë që ai bëri a nuk janë vallë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Izraelit?
32 Pati luftë midis Asas dhe Baashas, mbretit të Izraelit, gjatë gjithë kohës së jetës së tyre.
33 Vitin e tretë të sundimit të Asas, mbretit të Judës, Baasha, bir i Ahijahut, filloi të mbretërojë mbi tërë Izraelin në Tirtsah; dhe mbretëroi njëzet e katër vjet.
34 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit dhe vazhdoi rrugët e Jeroboamit dhe mëkatin që ky e kishte shtyrë Izraelin të kryente.
2 Sepse dua që të dini ç’luftë të ashpër më duhet të bëj për ju, për ata që janë në Laodice dhe për të gjithë ata të cilët nuk e kanë parë fytyrën time personalisht,
2 që zemrat e tyre të ngushëllohen, duke u bashkuar në dashuri, dhe të kenë të gjitha pasuritë e sigurisë së plotë të zgjuarësisë për të njohur misterin e Perëndisë, e Atit dhe të Krishtit,
3 ku janë fshehur të gjitha thesaret e diturisë dhe të njohjes.
4 Dhe po ju them këtë, që askush të mos ju gënjejë me fjalë joshëse,
5 sepse, edhe pse me trup jam larg jush, me frymën jam bashkë me ju dhe gëzohem duke parë rregullin dhe qëndrueshmërinë e besimit tuaj në Krishtin.
6 Ashtu si e keni marrë Krishtin Jezus, Zotin, ashtu, pra, ecni në të,
7 duke pasur rrënjë dhe duke u ndërtuar në të, dhe duke u forcuar në besim ashtu sikurse ju mësuan, duke mbushulluar në të me falenderim.
8 Tregoni kujdes se mos ndokush ju bën prenë e tij me anë të filozofisë dhe me mashtrime të kota, sipas traditës së njerëzve, sipas elementeve të botës dhe jo sipas Krishtit,
9 sepse tek ai banon trupërisht gjithë plotësia e Hyjnisë.
10 Dhe ju keni marrë plotësinë në të, sepse ai është krye e çdo principate e pushteti,
11 në të cilin ju edhe u rrethpretë me një rrethprerje që nuk u bë me dorë, por me rrethprerjen e Krishtit, me anë të zhveshjes së trupit nga mëkatet e mishit:
12 të varrosur bashkë në të në pagëzim, ju edhe u ringjallët bashkë në të, me anë të besimit në fuqinë e Perëndisë që e ka ringjallur prej së vdekurish.
13 Dhe bashkë me të Perëndia ju dha jetë ju, që kishit vdekur në mëkate dhe në parrethprerjen e mishit, duke jua falur të gjitha mëkatet.
14 Ai e zhvlerësoi dokumentin e urdhërimeve, që ishte kundër nesh dhe ishte kundërshtar, dhe e hoqi nga mesi duke e mbërthyer në kryq;
15 dhe mbasi i zhveshi pushtetet dhe principatat, ua tregoi sheshit njerëzve, duke ngadhnjyer mbi ata në të.
16 Prandaj askush të mos ju gjykojë për ushqime ose pije, për festa o hënë të re, o të shtuna;
17 këto gjëra janë hija e atyre që kanë për të ardhur; por trupi është i Krishtit.
18 Askush të mos përvetësojë prej jush çmimin me pretekst përulësie dhe kulti të engjëjve, duke u përzier në gjëra që nuk i ka parë, i fryrë nga një krenari e kotë për shkak të mendjes së tij mishore,
19 dhe nuk mbahet te kryet, prej të cilit gjithë trupi, i ushqyer mirë dhe i lidhur i tëri me anë të nyjeve dhe të gjymtyrëve rritet me rritjen e Perëndisë.
20 Pra, në qoftë se vdiqët me Krishtin nga elementet e botës, përse u nënshtroheni disa rregullave, a thua se jetoni ende në botë, si:
21 “Mos prek, mos shijo, mos merr,”
22 të gjitha gjërat që prishen nga përdorimi, sipas urdhërimeve dhe mësimeve të njerëzve?
23 Këto gjëra kanë ndonjë dukje diturie në devotshmërinë e zgjedhur vullnetarisht, në përunjësinë e rreme dhe në trajtimin e ashpër të trupit, por nuk kanë asnjë vlerë kundër kënaqësisë së mishit.
45 "Kur ta ndani me short vendin në trashëgimi, ju do të vini mënjanë, si ofertë për Zotin, një pjesë të shenjtë të vendit, të gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe të gjërë dhjetëmijë; do të jetë e shenjtë në të gjithë shtrirjen e saj.
2 Nga ajo do të merrni për shenjtëroren një katror me përmasa pesëqind herë pesëqind kubitë, me një hapësirë të lirë rreth e qark prej pesëdhjetë kubitësh.
3 Në këtë shtrirje do të matësh një siperfaqe me një gjatësi prej njëzet e pesëmijë kubitë dhe një gjerësi prej dhjetëmijë kubitë; brenda asaj do të jetë shenjtërorja, vendi shumë i shenjtë.
4 Do të jetë pjesa e shenjtë e vendit e caktuar për priftërinjtë, ministrat e shenjtërores, që i afrohen Zotit për t’i shërbyer; do të jetë një vend për shtëpitë e tyre dhe një vend i shenjtë për shenjtëroren.
5 Një sipërfaqe e gjatë njëzet e pesëmijë kubitë dhe e gjerë dhjetëmijë kubitë do t’u përkasë Levitëve që kryejnë shërbime në tempull; ata do të kenë pronësinë e njëzet dhomave.
6 Si pronë të qytetit do të caktoni një sipërfaqe prej pesëmijë kubitësh të gjerë dhe njëzet e pesëmijë kubitësh të gjatë përbri pjesës së caktuar për shenjtërore; ajo do t’i përkasë tërë shtëpisë së Izraelit".
7 Princit përkundrazi do t’i jepet një sipërfaqe këtej dhe matanë pjesës së shenjtë dhe pronës së qytetit, përballë pjesës së shenjtë të ofruar dhe përballë pronës së qytetit, që shtrihet nga ana e perëndimit drejt perëndimit dhe nga ana lindore drejt lindjes, me një gjatësi të barabartë me njerën pjesë që u është dhënë fiseve, nga kufiri perëndimor në kufirin lindor.
8 Kjo pjesë e vendit do të jetë pronë e tij në Izrael; princat e mi nuk do ta shtypin më popullin tim, por do t’i japin kusurin e vendit shtëpisë së Izraelit sipas fiseve të tij".
9 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Mjaft më, o princa të Izraelit! Lini mënjanë dhunën dhe grabitjet, zbatoni ndershmërinë dhe drejtësinë, hiqni dorë nga të zhveshurit e popullit tim," thotë Zoti, Zoti.
10 "Kini kandare të sakta, efa të saktë dhe bato të saktë.
11 Efa dhe batoja do të kenë po atë kapacitet, dhe kështu batoja do të ketë të dhjetën pjesë të një homeri dhe efa të dhjetën pjesë të një homeri; kapaciteti i tyre do të rregullohet nga homeri.
12 Sikli do të jetë njëzet geresh; njëzet sikle, njëzetepesë sikle dhe pesëmbëdhjetë sikle do të jetë mina juaj.
13 Kjo është oferta që do të merrni: një të gjashtën e një efe nga një homer gruri, dhe një të gjashtën e një efe nga një homer elbi.
14 Kjo është norma e vajit (domethënë bato e vajit), dhe një e dhjeta e batos nga çdo kor; një kor është një homer ose dhjetë bate, sepse dhjetë bate bëjnë një homer.
15 Nga kopeja do të merret një dele për çdo dyqind krerë nga kullotat e të pasura të Izraelit, dhe kjo do të shërbejë për blatime të ushqimit, për olokaustet dhe për flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për ato," thotë Zoti, Zoti.
16 "Tërë populli i vendit do të jetë i detyruar ta bëjë këtë ofertë për princin e Izraelit.
17 Përkundrazi do të jetë detyrë e princit të sigurojë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe libacionet për festat, për hënat e reja, për të shtunat dhe për të gjitha solemnitetet e shtëpisë së Izraelit; ai do të sigurojë flijimin për mëkatin, blatimin e ushqimit, olokaustin dhe flijimet e falenderimit për të bërë shlyerjen për shtëpinë e Izraelit".
18 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Muajin e parë, ditën e parë të muajit, do të marrësh një dem të ri pa të meta dhe do të pastrosh shenjtëroren.
19 Prifti do të marrë pak gjak nga flijimi për mëkatin dhe do ta vërë mbi shtalkat e portës së shtëpisë, mbi katër qoshet e platformave të altarit dhe mbi shtalkat e portës së oborrit të brendshëm.
20 Do të veprosh në të njëjtën mënyrë ditën e shtatë të muajit për atë që ka mëkatuar për nga mosdija dhe për naivin; kështu do të kryeni shlyerjen për tempullin.
21 Muajin e parë, ditën e katërmbëdhjetë të muajit për ju do të jetë Pashkë, një festë shtatë ditëshe; do të hahet bukë pa maja.
22 Atë ditë princi do të ofrojë, për vete dhe për tërë popullin e vendit, një dem si flijim për mëkatin.
23 Në shtatë ditët e festës do t’i ofrojë si olokaust Zotit shtatë dema dhe shtatë deshë pa të meta, çdo ditë për shtatë ditë me radhë, dhe një kec në ditë si flijim për mëkatin.
24 Do të ofrojë gjithashtu një efa blatim ushqimor për çdo dem dhe një efa çdo dash, bashkë me një hin vaji për çdo efa.
25 Në muajin e shtatë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, në festë, ai do të ofrojë po ato gjëra për flijimin për mëkatin, për olokaustin për blatimin e ushqimit dhe për vajin".
99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.
2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.
3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.
4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.
5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.
6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.
7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.
8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.
9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.
100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.
3 Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.
4 Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.
5 Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.
101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.
2 Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.
3 Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.
4 Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.
5 Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.
6 Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.
7 Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.