M’Cheyne Bible Reading Plan
8 Eliseu i tha gruas, djalin e së cilës e kishte ringjallur: "Çohu dhe shko jashtë, ti me gjithë familjen tënde, për të banuar ku të mundesh, sepse Zoti ka vendosur të pllakosë zia, që do të zgjasë shtatë vjet në vend".
2 Kështu gruaja u ngrit dhe veproi sipas fjalës së njeriut të Perëndisë; iku me familjen e saj dhe banoi në vendin e Filistejve shtatë vjet.
3 Si kaluan shtatë vjet, gruaja u kthye nga vendi i Filistejve dhe shkoi te mbreti për t’i kërkuar shtëpinë dhe tokat e veta.
4 Mbreti ishte duke folur me Gehazin, shërbëtorin e njeriut të Perëndisë, dhe i thoshte: "Tregomë, të lutem, tërë veprat e mëdha që ka bërë Eliseu".
5 Pikërisht, ndërsa ai i tregonte mbretit se si Eliseu e kishte ringjallur të vdekurin, ja ku u paraqit gruaja, së cilës ai i kishte ringjallur të birin, për t’i kërkuar mbretit shtëpinë dhe tokat e veta. Atëherë Gehazi tha: "O mbret, o imzot, kjo është gruaja dhe ky është biri që Eliseu ka ringjallur".
6 Mbreti e pyeti gruan dhe ajo i tregoi ngjarjen; atëherë mbreti ngarkoi një funksionar, të cilit i tha: "Ktheja tërë atë që i përkasin dhe të gjitha të ardhurat e tokave, nga dita e largimit të saj nga vendi ynë deri më tani".
7 Pastaj Eliseu shkoi në Damask. Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, ishte i sëmurë dhe e njoftuan: "Njeriu i Perëndisë ka ardhur deri këtu".
8 Atëherë mbreti i tha Hazaelit: "Merr me vete një dhuratë dhe shko të takosh njeriun e Perëndisë, dhe këshillohu nëpërmjet tij me Zotin, duke thënë: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"".
9 Kështu Hazaeli shkoi të takohet me Eliseun duke sjellë si dhuratë gjërat më të mira të Damaskut: një ngarkesë prej dyzet devesh. Pastaj ai vajti, u paraqit tek ai dhe i tha: "Biri yt Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, më ka dërguar te ti për të pyetur: "A do të shërohem nga kjo sëmundje?"".
10 Eliseu iu përgjigj: "Shko t’i thuash: "Do të shërohesh me siguri". Por Zoti më bën të shoh se ai ka për të vdekur me siguri".
11 Pastaj ai e ngurtësoi fytyrën me një shikim të ngulët deri sa u skuq; pastaj njeriu i Perëndisë filloi të qajë.
12 Atëherë Hazaeli pyeti: "Pse po qan zoti im?". Ai u përgjigj: "Sepse e di të keqen që do t’u bësh bijve të Izraelit: do t’u vësh flakën fortesave të tyre, do të vrasësh me shpatë të rinjtë e tyre, do t’i bësh copë-copë fëmijët e tyre dhe do t’i çash barkun grave me barrë".
13 Hazaeli tha: "Por ç’është, vallë shërbëtori yt, një qen, që të bëj këtë hata?". Eliseu u përgjigj: "Zoti më bën të shoh që ti do të bëhesh mbret i Sirisë".
14 Pastaj Hazaeli u largua nga Eliseu dhe u kthye te zoti e tij, që e pyeti: "Çfarë të tha Eliseu?". Ai u përgjigj: "Më tha që do të shërohesh me siguri".
15 Të nesërmen Hazaeli mori një batanije e zhyti në ujë dhe e shtriu mbi fytyrën e mbretit që vdiq. Kështu Hazaeli mbretëroi në vend të tij.
16 Vitin e pestë të Joramit, birit të Ashabit, mbret i Izraelit, Jehorami, bir i Jozafatit, mbret i Judës, filloi të mbretërojë mbi Judën.
17 Ai ishte tridhjetë e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tetë vjet në Jeruzalem.
18 Ndoqi rrugën e mbretërve të Izraelit, ashtu si kishte bërë shtëpia e Ashabit, sepse gruaja e tij ishte një bijë e Ashabit, dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit.
19 Megjithatë Zoti nuk deshi ta shkatërronte Judën, për hir të dashurisë që kishte për Davidin, shërbëtorin e tij, sepse i kishte premtuar t’u jepte një llambë për gjithnjë atij dhe bijve të tij.
20 Gjatë ditëve të mbretërimit të tij, Edomi ngriti krye kundër pushtetit të Judës dhe zgjodhi edhe një mbret.
21 Atëherë Jorami shkoi në Tsair me gjithë qerret e tij; pastaj natën u ngrit dhe mundi Edomitët që e kishin rrethuar dhe kapitenët e qerreve, ndërsa njerëzit mundën të ikin në çadrat e tyre.
22 Kështu Edomi ka qenë i panënshtruar ndaj pushtetit të Judës deri më ditën e sotme. Në atë kohë edhe Libnahu ngriti krye.
23 Pjesa tjetër e bëmave të Joramit dhe të gjitha ato që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?
24 Kështu Joramin e zuri gjumi bashkë me etërit e tij dhe u varros bashkë me ta në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashaziahu.
25 Në vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit, mbreti i Izraelit, filloi të mbretërojë Ashaziahu, bir i Jerohamit, si mbret i Judës.
26 Ashaziahu ishte njëzet e dy vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi një vit në Jeruzalem. E ëma quhej Athaliah, ishte mbesa e Omrit, mbretit të Izraelit.
27 Ai vazhdoi rrugën e shtëpisë së Ashabit dhe bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, ashtu si shtëpia e Ashabit, sepse ishte i lidhur me marrëdhënie krushqie me shtëpinë e Ashabit.
28 Me Joramin, birin e Ashabit, ai shkoi të luftojë kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë, në Ramoth të Galaadit; por Sirët plagosën Joramin;
29 atëherë mbreti Joram u kthye në Jezreel për të mjekuar plagët që kishte marrë nga Sirët në Ramah, kur luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë. Dhe Ashaziahu, bir i Jerohamit mbret i Judës, zbriti në Jezreel për të parë Joramin, birin e Ashabit, sepse ky ishte i sëmurë.
5 Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si atë, dhe më të rinjtë si vëllezër,
2 plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dlirësi.
3 Ndero vejushat që janë me të vërtetë të veja.
4 Por në qoftë se një e ve ka djem a nipa, këta le të mësojnë më parë të tregojnë perëndishmëri ndaj atyre të familjes së vet dhe t’ua shpërblejnë prindërve të tyre, sepse kjo është e mirë dhe e pëlqyer përpara Perëndisë.
5 Dhe ajo që është me të vërtetë e ve, dhe ka mbetur e vetme, e ka shpresën në Perëndinë dhe qëndron në lutje dhe në të falura natë e ditë.
6 Ndërsa ajo që jeton e shthurur, ndonëse rron, është e vdekur.
7 Porosit edhe këto gjëra, që të jenë të patëmeta.
8 Por në qoftë se dikush nuk kujdeset për të vetët, dhe më tepër për ata të shtëpisë, ai e ka mohuar besimin dhe është më i keq se një jobesimtar.
9 Një e ve të regjistrohet në listën e vejushave, po të jetë jo më e re se gjashtëdhjetë vjeçe, të ketë qenë bashkëshorte e një burri të vetëm,
10 dhe të ketë dëshminë për vepra të mira: që i ka rritur fëmijët e saj, ka pritur të huajt, ua ka larë këmbët shenjtorëve, ka ndihmuar nevojtarët, i është kushtuar vazhdimisht çdo vepre të mirë.
11 Po mos i prano vejushat më të reja, sepse, duke u dhënë pas dëshirave të tyre, ngrihen kundër Krishtit, duan të martohen,
12 duke tërhequr mbi vete një dënim, sepse kanë shkelur besimin e parë.
13 Madje ato mësojnë të jenë përtace duke shkuar shtëpi më shtëpi, edhe jo vetëm përtace, por edhe llafazane dhe kureshtare duke folur për gjëra të kota.
14 Dua, pra, që vejushat e reja të martohen, të kenë fëmijë, të bëhen zonja shtëpie dhe të mos i japin kundërshtarit asnjë shkak për të përfolur;
15 sepse disa tashmë devijuan për të ndjekur Satanin.
16 Në qoftë se ndonjë besimtar ose besimtare ka vejusha, le t’i ndihmojë e të mos bëhen barrë kishës, e cila mund të ndihmojë ato që janë me të vërtetë të veja.
17 Pleqtë që e drejtojnë mirë parësinë në kishë, le të nderohen dyfish, sidomos ata që mundohen me fjalë e me mësim.
18 Sepse Shkrimi thotë: "Mos ia lidh gojën kaut që shin në lëmë," dhe: “Punëtori e ka hak mëditjen e tij.”
19 Mos prano asnjë padi kundër një plaku, veçse kur ka dy ose tre dëshmitarë.
20 Ata që mëkatojnë qortoji përpara të gjithëve, që edhe të tjerët të kenë frikë.
21 Unë të vë në be përpara Perëndisë, dhe Zotit Jezu Krisht dhe engjëjve të zgjedhur, që t’i zbatosh këto gjëra pa paragjykime, dhe mos bëj asgjë me anësi.
22 Mos i vër duart askujt me ngut dhe mos u bëj pjestar në mëkatet e të tjerëve; ruaje veten të pastër.
23 Mos pi më ujë, por përdor pak verë për stomakun tënd dhe për sëmundjet e tua të shpeshta.
24 Disa njerëzve mëkatet u duken sheshit edhe përpara gjyqit, ndërsa të tjerëve u duken më pas.
25 Gjithashtu edhe veprat e mira duken; por edhe ato që janë ndryshe nuk mund të mbeten të fshehura.
12 "Në atë kohë do të dalë Mikaeli, princi i madh, mbrojtësi i bijve të popullit tënd; dhe do të jetë një kohë me ankthe, ashtu si nuk ka pasur kurrë që kur se ekzistojnë kombet e deri në atë kohë.
2 Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme.
3 Ata që kanë dituri do të shkëlqejnë si shkëlqimi i kupës qiellore dhe ata që do të kenë çuar shumë në drejtësi, do të shkëlqejnë si yjet përjetë.
4 Por ti, Daniel, mbaji të fshehura këto fjalë dhe vulose librin deri në kohën e mbarimit; shumë njerëz do ta shfletojnë dhe dituria do të shtohet".
5 Pastaj unë, Danieli, shikova, dhe ja, dy të tjerë më këmbë, njeri mbi këtë breg të lumit, dhe tjetri mbi bregun tjetër të lumit.
6 Një nga ata i tha burrit të veshur me rroba liri, që qëndronte mbi ujërat e lumit: "Kur do kryhen këto mrekulli?".
7 Unë dëgjova atëherë burrin e veshur me rroba liri që qëndronte mbi ujërat e lumit, i cili, ngriti dorën e djathtë dhe dorën e majtë drejt qiellit, u betua për atë që jeton përjtë se kjo do të jetë për një kohë, për disa kohëra dhe për gjysmën e një kohë; kur forca e popullit të shenjtë do të thyhet plotësisht, tërë këto gjëra do të kryhen.
8 Unë dëgjova, por nuk kuptova, prandaj pyeta: "Imzot, cili do të jetë fundi i këtyre gjërave?".
9 Ai u përgjigj: "Shko, Daniel, sepse këto fjalë janë të fshehura dhe të vulosura deri kohën e mbarimit.
10 Shumë njerëz do të pastrohen, do të zbardhen dhe do të përsosen; por të pabesët do të veprojnë me pabesi dhe asnjë nga të pabesët nuk do të kuptojë, por do të kuptojnë njerëzit e ditur.
11 Nga koha që do të ndalohet flijimi i përditshëm dhe do të ngrihet neveria që shkakton shkretimin do të kalojnë njëmijë e dyqind e nëntëdhjetë ditë.
12 Lum ai që pret dhe arrin në njëmijë e treqind e tridhjetë e pesë ditë.
13 Por ti shko drejt mbarimit tënd; do të prehesh dhe pastaj do të ngrihesh përsëri për të marrë pjesën tënde të trashëgimisë në mbarim të ditëve".
49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.
55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
57 Ti je pjesa ime, o Zot, kam premtuar të respektoj fjalët e tua.
58 Të jam lutur shumë, me gjihë zemër; ki mëshirë për mua sipas fjalës sate.
59 Kam shqyrtuar rrugët e mia dhe i kam kthyer hapat e mia ndaj urdhërave të tua.
60 Pa asnjë mëdyshje nxitova të respektoj urdhërimet e tua.
61 Litarët e të pabesëve më kanë mbështjellë, por unë nuk e kam harruar ligjin tënd.
62 Në mes të natës ngrihem që të të kremtoj, për shkak të dekreteve të tua të drejta.
63 Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje dhe i atyre që respektojnë urdhërimet e tua.
64 O Zot, toka është e mbushur me mirësinë tënde; më mëso statutet e tua.
65 Ti i ke bërë të mira shërbëtorit tënd, o Zot, sipas fjalës sate.
66 Më mëso të gjykoj drejt dhe të kem njohje, sepse u besoj urdhërimeve të tua.
67 Para se të pikëllohem endesha sa andej e këndej, por tani ndjek fjalën tënde.
68 Ti je i mirë dhe bën të mira; më mëso statutet e tua.
69 Kryelartët kanë trilluar kundër meje, por unë do të respektoj urdhërimet e tua me gjithë zemër.
70 Zemra e tyre është e pandjeshme si dhjami; por unë kënaqem me ligjin tënd.
71 Ka qenë një e mirë për mua të jem pikëlluar, që kështu të mësoja statutet e tua.
72 Ligji i gojës sate për mua është më i çmuar se mijëra monedha ari dhe argjendi.