Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 20

20 Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, mblodhi tërë ushtrinë e tij; me të ishin tridhjetë e dy mbretër me kuaj dhe qerre; pastaj u nis, rrethoi Samarinë dhe e sulmoi.

Pastaj i dërgoi lajmëtarë në qytet Ashabit, mbretit të Izraelit, për t’i thënë:

"Kështu thotë Ben-Hadadi: "Argjendi dhe ari yt janë të mitë, po kështu bashkëshortet e tua dhe bijtë e tu më të mirë janë të mitë"".

Mbreti i Izraelit u përgjigj: "Éshtë ashtu si thua ti, o mbret, o imzot; unë dhe tërë ato që kam jemi të tutë".

Lajmëtarët e kthyen përsëri dhe thanë: "Kështu flet Ben-Hadadi: "Unë të çova fjalë se duhet të më japësh argjendin dhe arin tënd, gratë e tua dhe bijtë e tu;

por nesër, në këtë orë, do të dërgoj te ti shërbëtorët e mi, të cilët do të bastisin shtëpinë tënde dhe shtëpinë e shërbëtorëve të tu; ata do të marrin të gjitha gjërat që janë me të shtrenjta për ty"".

Atëherë mbreti i Izraelit thirri tërë pleqtë e vendit dhe u tha: Shikoni, ju lutem, se si ky njeri kërkon shkatërrimin tonë, sepse më kaa dërguar të kërkojë gratë e mia dhe bijtë e mi, argjendin dhe arin tim, dhe unë nuk i kam refuzuar asgjë".

Tërë pleqtë dhe tërë populli thanë: "Mos e dëgjo dhe mos prano".

Ashabi iu përgjigj pastaj lajmëtarëve të Ben-Hadadit: "I thoni mbretit, zotit time: "Të gjitha gjërat që i kërkove shërbëtorit tënd herën e parë do t’i bëj, por këtë nuk mund ta bëj"". Kështu lajmëtarët shkuan t’i njoftojnë përgjigjen Ben-Hadadit.

10 Atëherë Ben-Hadadi i çoi fjalë Ashabit: "Perënditë të më bëjnë kështu dhe më keq në rast se pluhuri i Samarisë do të mjaftojë që të mbushin grushtat tërë njerëzit që më pasojnë!".

11 Mbreti i Izraelit u përgjigj: "I thoni: "Ai që ka armaturën në trup të mos lavdërohet si ai që e heq"".

12 Kur Ben-Hadadi mori këtë përgjigje, ai ndodhej bashkë me mbretërit duke pirë në çadrat, dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Bëhuni gati për mësymje!". Kështu ata u përgatitën për të sulmuar qytetin.

13 Por ja që një profet iu afrua Ashabit, mbretit të Izraelit, dhe i tha: Kështu thotë Zoti: "E shikon këtë turmë të madhe? Ja, që sot unë do ta lë në dorën tënde dhe kështu do të mësosh që unë jam Zoti"".

14 Ashabi i tha: "Me anë të kujt?". Ai u përgjigj: "Kështu thotë Zoti: "Me anë të të rinjve në shërbim të krerëve të krahinave"". Ashabi tha: Kush do ta fillojë betejën?". Profeti u përgjigj: "Ti".

15 Atëherë Ashabi kaloi në revistë të rinjtë që ishin në shërbim të krerëve të krahinave; ata ishin dyqind e tridhjetë e dy veta. Pastaj kaloi në revistë tërë popullin, tërë bijtë e Izraelit; ishin shtatë mijë veta.

16 Në mesditë bënë një dalje, ndërsa Ben-Hadadi ishte duke pirë dhe duke u dehur bashkë me tridhjetë e dy mbretërit që i kishin ardhur në ndihmë.

17 Të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën të parët. Ben-Hadadi dërgoi njerëz për të parë dhe ata i njoftuan: "Nga Samaria kanë dalë disa njerëz".

18 Mbreti tha: "Në rast se kanë dalë me qëllime paqësore, i zini të gjallë; në qoftë se kanë dalë për të luftuar, i zini gjithashtu të gjallë".

19 Kështu të rinjtë në shërbim të krerëve të krahinave dolën nga qyteti bashkë me ushtrinë që i pasonte,

20 dhe secili prej tyre vrau nga një njeri. Kështu Sirët ua mbathën këmbëve dhe Izraelitët i ndoqën; dhe Ben-Hadadi, mbret i Sirisë, iku me kalë bashkë me disa kalorës.

21 Edhe mbreti i Izraelit mori pjesë në luftimet, shkatërroi kuaj dhe qerre dhe u shkaktoi Sirëve një disfatë të madhe.

22 Atëherë profeti iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: "Shko, përforcohu dhe mendo mirë atë që duhet të bësh, sepse mbas një viti mbreti i Sirisë do të të sulmojë".

23 Shërbëtorët e mbretit të Sirisë i thanë: "Perëndia i tyre është Perëndia i maleve; prandaj ata qenë më të fortë se ne; por në rast se ndeshemi në fushë, ne do të jemi me siguri më të fortë.

24 Prandaj vepro kështu: tërë mbretërve hiqua komandën që kanë dhe në vend të tyre cakto kapedanë.

25 Mblidh një ushtri baras me atë që ke humbur, me po aq kuaj dhe qerre; pastaj do të ndeshemi në fushë dhe me siguri do të jemi më të fortë se ata". Ai pranoi këshillën e tyre dhe veproi ashtu siç i thanë.

26 Pas një viti Ben-Hadadi kaloi në revistë Sirët dhe doli në drejtim të Afekut për të luftuar Izraelin.

27 Edhe bijtë e Izraelit u thirrën për t’u mbledhur dhe u furnizuan me ushqime; pastaj u nisën kundër Sirëve dhe ngritën kampin e tyre përballë tyre; dukeshin si dy kope të vogla dhish, ndërsa Sirët e kishin mbushur vendin.

28 Atëherë një njeri i Perëndisë iu afrua mbretit të Izraelit dhe i tha: Kështu thotë Zoti: "Me qenë se Sirët kanë thënë: Zoti është Perëndia i maleve dhe nuk është Perëndia i luginave unë do të jap në duart e tua tërë këtë mizëri të madhe; dhe ju do të mësoni që unë jam Zoti"".

29 Shtatë ditë me radhë qëndruan në kampet e tyre njeri përballë tjetrit, por ditën e shtatë filloi beteja dhe bijtë e Izraelit vranë brenda një dite të vetme njëqind mijë këmbësorë sirë.

30 Ata që shpëtuan ikën në qytetin e Afekut, ku muret ranë mbi njëzet e shtatë mijë prej tyre. Edhe Ben-Hadadi iku dhe shkoi në qytet përt’u fshehur në një dhomë të brendshme.

31 Shërbëtorët e tij i thanë: "Ja, kemi dëgjuar të thuhet që mbretërit e shtëpisë së Izraelit janë zemërbutë; prandaj të veshim thasë dhe të vëmë litarë në qafë dhe të dalim të presim mbretin e Izraelit; ndofta ai ka për të na lënë të gjallë".

32 Kështu ata u veshën me thasë dhe vunë litarë në qafë, shkuan te mbreti i Izraelit dhe i thanë: "Shërbëtori yt Ben-Hadadi thotë: "Të lutem, lërmë të gjallë"". Ashabi u përgjigj: "Éshtë ende gjallë? Ai është vëllai im".

33 Këta njerëz e muarrën këtë si shenjë të mbarë dhe nxituan të kërkonin vërtetimin e kësaj thënie, duke thënë: "Ben-Hadadi është, pra, vëllai yt!". Ai u përgjigj: "Shkoni ta merrni". Kështu Ben-Hadadi shkoi te Ashabi, që e hipi në qerren e tij.

34 Atëherë Ben-Hadadi i tha: "Unë do të të kthej qytetet që ati im i hoqi atit tënd; dhe kështu ti do të vendosësh tregje në Damask, ashtu si kishte bërë im atë në Samari". Ashabi i tha: "Me këtë kusht do të të lë të ikësh"; kështu Ashabi lidhi një besëlidhje me të dhe e la të ikë.

35 Atëherë një nga bijtë e profetëve i tha shokut të tij me urdhër të Zotit: "Më godit!". Por ky nuk pranoi ta godasë.

36 Atëherë i pari i tha: "Me qenë se nuk iu binde zërit të Zotit, sapo të largohesh nga unë një luan do të të vrasë". Kështu, me t’u larguar nga ai, doli një luan dhe e vrau.

37 Pastaj profeti gjeti një njeri dhe i tha: "Më godit!". Ky e rrahu dhe e plagosi.

38 Atëherë profeti shkoi ta presë mbretin në rrugë, duke u maskuar me një rryp pëlhure mbi sytë.

39 Kur po kalonte mbreti, i thirri dhe i tha: "Shërbëtori yt u fut në mes të betejës, kur dikush u tërhoq mënjanë dhe më solli një njeri, duke më thënë: "Ruaje këtë njeri; në rast se vritet, do ta paguash me jetën tënde ose do të paguash një talent argjendi".

40 Ndërsa shërbëtori yt ishte i zënë sa andej e këtej, ai person u zhduk". Mbreti i Izraelit i tha: "Ja vendimi yt; e ke shqiptuar ti vetë".

41 Atëherë ai hoqi me nxitim nga sytë rripin e përlhurës dhe mbreti i Izraelit e pa që ishte një nga profetët.

42 Pastaj profeti i tha mbretit: "Kështu thotë Zoti: "Me qenë se e le të të shpëtojë nga dora njeriun që kisha caktuar të shfarosej, jeta jote ka për tu paguar për të tijën dhe populli yt për popullin e tij".

43 Kështu mbreti i Izraelit u kthye në shtëpinë e tij i hidhëruar dhe i zemëruar, dhe shkoi në Samari.

1 Thesalonikasve 3

Prandaj, mbasi nuk mundëm më të rezistonim, na u duk e pëlqyeshme të të qëndrojmë, të vetëm, në Athinë,

dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit, që t’ju fuqizojë dhe t’ju japë zemër në besimin tuaj,

që të mos lëkundet askush në këto pikëllime, sepse ju e dini vetë se për këtë jemi caktuar.

Sepse, edhe kur ishim midis jush, ju parashikuam se do të heqim vështirësi, pikërisht sikurse ndodhi, dhe ju këtë e dini.

Për këtë arsye edhe unë, mbasi nuk rezistoja më, dërgova të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju kishte tunduar tunduesi, dhe mundimi ynë të kishte shkuar kot.

Por tani që u kthye Timoteu prej jush dhe na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj, dhe se ju ruani gjithnjë një kujtim të mirë për ne dhe keni mall të madh që të na shihni, sikurse edhe ne t’ju shohim juve,

prandaj, o vëllezër, ne u ngushëlluam për ju, me gjithë pikëllimin dhe vuajtjet tona, për hir të besimit tuaj,

sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin.

Sepse çfarë falënderimi mund t’i drejtojmë Perëndisë për ju, për gjithë gëzimin që ndiejmë për shkakun tuaj përpara Perëndisë sonë,

10 duke u lutur shumë, natë e ditë, që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj?

11 Po vetë Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezu Krishti e sheshoftë rrugën tonë për te ju.

12 Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush,

13 për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij. Amen.

Danieli 2

Në vitin e dytë të mbretërimit të Nebukadnetsarit, ai pa disa ëndrra; fryma e tij u turbullua dhe i iku gjumi.

Atëherë mbreti dha urdhër të thërrisnin magjistarët, astrologët, shtriganët dhe Kaldeasit, që t’i tregonin mbretit ëndrrat e tij.

Mbreti u tha atyre: "Pashë një ëndërr dhe fryma ime është turbulluar, deri sa t’ia dal të shpjegoj ëndrrën time".

Atëherë Kaldeasit iu përgjigjën mbretit në gjuhën aramaike: "O mbret, jetofsh përjetë. Trego ëndrrën tënde shërbëtorëve të tu dhe ne do ta interpretojmë".

Mbreti u përgjigj dhe u tha Kaldeasve: "Vendimin tim e kam marrë: po të mos ma bëni të njohur përmbajtjen e ëndrrës sime dhe interpretimin e saj, do të priteni copa-copa dhe shtëpitë tuaja do të katandisen në plehërishte.

Por në rast se do të më tregoni ëndrrën dhe interpretimin e saj, do të merrni nga unë dhurata, shpërblime dhe nderime të mëdha; më tregoni, pra, ëndrrën dhe interpretimin e saj".

Ata u përgjigjën për së dyti dhe thanë: "Le t’u tregojë mbreti ëndrrën shërbëtorëve të vet dhe ne do t’i japim interpretimin".

Atëherë mbreti u përgjigj dhe tha: "E kuptoj fare mirë që ju doni të fitoni kohë, sepse e shihni që vendimi im është marrë;

po të mos ma bëni të njohur ëndrrën, ka vetëm një vendim për ju; jeni marrë vesh midis jush për të thënë para meje fjalë të rreme dhe të çoroditura, me shpresë që kohërat të ndryshojnë. Prandaj ma tregoni ëndrrën dhe unë do të di në se jeni në gjendje të më jepni edhe interpretimin".

10 Kaldeasit u përgjigjën para mbretit dhe thanë: "Nuk ka njeri mbi tokë që mund të dijë atë që mbreti kërkon. Në fakt asnjë mbret, sundimtar o sovran nuk i ka kërkuar një gjë të tillë ndonjë magjistari, astrologu ose Kaldeasi.

11 Gjëja që pyet mbreti është tepër e vështirë dhe nuk ka njeri që mund t’ia bëjë të ditur mbretit, përveç perëndive, banesa e të cilëve nuk është ndër të gjallët".

12 Me këtë mbreti u zemërua, i hipi inati dhe urdhëroi që të shfaroseshin tërë të diturit e Babilonisë.

13 Kështu u shpall dekreti në bazë të të cilit duhet të vriteshin të diturit, dhe kërkonin Danielin dhe shokët e tij për t’i vrarë edhe ata.

14 Atëherë Danieli iu drejtua me fjalë të urta dhe të matura Ariokut, komandant i rojeve të mbretit, i cili kishte dalë për të vrarë të diturit e Babilonisë.

15 Mori fjalën dhe i tha Ariokut, komandantit të mbretit: "Pse vallë një dekret kaq i ashpër nga ana e mbretit?" Atëherë Arioku e vuri në dijeni Danielin.

16 Kështu Danieli hyri te mbreti dhe i kërkoi t’i jepte kohë për t’i bërë të njohur mbretit interpretimin e ëndrrës.

17 Atëherë Danieli shkoi në shtëpinë e vet dhe ua bëri të ditur këtë gjë shokëve të tij Hananiah, Mishael dhe Azaria,

18 me qëllim që t’i kërkonin mëshirë Perëndisë të qiellit lidhur me këtë sekret, me qëllim që Danieli dhe shokët e tij të mos vriteshin bashkë me kusurin e njerëzve të ditur të Babilonisë.

19 Atëherë sekreti iu zbulua Danielit në një vegim nate. Kështu Danieli bekoi Perëndinë e qiellit.

20 Danieli filloi të thotë: "Qoftë i bekuar emri i Perëndisë përjetë, sepse atij i përkasin dituria dhe forca.

21 Ai ndryshon kohërat dhe stinët, i ul mbretërit dhe i larton, u jep dituri të urtëve dhe dije atyre që kanë mend.

22 Ai tregon gjërat e thella dhe të fshehta, njeh atë që është në terr dhe drita qëndron me të.

23 O Perëndi i etërve të mi, të falënderoj dhe të lëvdoj, sepse më ke dhënë dituri dhe forcë dhe më ke bërë të njoh atë që të kemi kërkuar, duke na bërë të njohim gjënë e kërkuar nga mbreti".

24 Prandaj Danieli shkoi te Arioku, të cilit mbreti i kishte besuar detyrën të vriste njerëzit e ditur të Babilonisë; shkoi dhe i tha kështu: "Mos i vrit njerëzit e ditur të Babilonisë! Më ço përpara mbretit dhe do t’i jap mbretit interpretimin tim".

25 Atëherë Arioku e çoi me nxitim Danielin përpara mbretit dhe i foli kështu: "Gjeta midis Judejve robër një njeri që do t’i njohë mbretit interpretimin".

26 Mbreti filloi t’i thotë Danielit, që quhej Beltshatsar: "A je i zoti të më bësh të njohur ëndrrën që pashë dhe interpretimin e saj?".

27 Danieli u përgjigj në prani të mbretit dhe tha: "Sekreti për të cilin mbreti kërkoi interpretimin tim, nuk mund t’i shpjegohet mbretit as nga njerëzit e urtë, as nga astrologët, as nga magjistarët, as nga shortarët.

28 Por ka një Perëndi në qiell që zbulon sekretet, dhe ai i ka bërë të njohur mbretit Nebukadnetsarit atë që do të ndodhë ditët e fundit. Kjo ka qenë ëndrra jote dhe vegimet e mendjes sate në shtratin tënd.

29 O mbret, mendimet që të kanë ardhur në shtratin tënd kanë të bëjnë me atë që ka për të ndodhur tani e tutje; dhe ai që zbulon sekretet të ka bërë të njohur atë që ka për të ndodhur.

30 Sa për mua, ky sekret m’u zbulua jo sepse kam më tepër dituri nga tërë të gjallët e tjerë, por me qëllim që interpretimi im t’i njoftohet mbretit, dhe ti të njihesh me mendimet e zemrës sate.

31 Ti ishe duke shikuar, o mbret, dhe ja një figurë e madhe; kjo figurë e stërmadhe, me një shkëlqim të jashtëzakonshëm, ngrihej para teje me një pamje të tmerrshme.

32 Koka e kësaj figure ishte prej ari të kulluar, gjoksi i saj dhe krahët e saj ishin prej argjendi, barku i saj dhe kofshët e saj prej bronzi,

33 këmbët e saj prej hekuri, këmbët e saj pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile.

34 Ndërsa po shikoje, një gur u shkëput, por jo nga dora e njeriut, dhe goditi figurën në këmbët e saj prej hekuri dhe argjile dhe i copëtoi.

35 Atëherë hekuri, argjila, bronzi, argjendi dhe ari u copëtuan bashkë dhe u bënë si kope byku në lëmë gjatë verës; era i mori me vete dhe nuk u gjet më asnjë gjurmë e tyre. Por guri që kishte goditur figurën u bë një mal i madh, që mbushi tërë tokën.

36 Kjo është ëndrra; tani do të japim interpretimin përpara mbretit.

37 Ti, o mbret, je mbreti i mbretërve, sepse Perëndia i qiellit të ka dhënë mbretërinë, pushtetin, forcën dhe lavdinë.

38 Ngado që të banojnë bijtë e njerëzve, kafshët e fushës dhe shpendët e qiellit, ai i ka lënë në duart e tua dhe të ka bërë të sundosh mbi gjithë ata. Ti je koka e artë.

39 Mbas teje do të dalë një mbretëri tjetër, më e vogël, më e ulët nga jotja; pastaj një mbretëri tjetër prej bronzi, që do të sundojë mbi gjithë dheun.

40 Mbretëria e katërt do të jetë e fortë si hekuri, sepse hekuri copëton dhe thërrmon çdo gjë; ashtu si hekuri që copëton, kjo mbretëri do t’i copëtojë dhe do t’i thërrmojë tërë këto mbretëri.

41 Siç e pe, këmbët dhe gishtërinjtë ishin pjesërisht prej argjile poçari dhe pjesërisht prej hekuri, kështu kjo mbretëri do të ndahet; megjithatë, ajo do të ketë fortësinë e hekurit, sepse ti ke parë hekurin të përzier me argjilë të butë.

42 Dhe ashtu si gishtërinjtë e këmbëve ishin pjesërisht prej hekuri dhe pjesërisht prej argjile, kështu ajo mbretëri do të jetë pjesërisht e fortë dhe pjesërisht e brishtë.

43 Siç e pe hekurin të përzier me argjilën e butë, ata do të përzihen nga fara njerëzore, por nuk do të bashkohen njeri me tjetrin, pikërisht ashtu si hekuri nuk amalgamohet me argjilën.

44 Në kohën e këtyre mbretërve, Perëndia i qiellit do të nxjerrë një mbretëri, që nuk do të shkatërrohet kurrë; kjo mbretëri nuk do t’i lihet një populli tjetër, por do të copëtojë dhe do të asgjësojë tërë këto mbretëri, dhe do të ekzistojë përjetë,

45 pikërisht ashtu siç e pe gurin të shkëputet nga mali, jo nga dora e njeriut, për të copëtuar hekurin, bronzin, argjilën, argjendin dhe arin. Perëndia i madh i ka bërë të njohur mbretit atë që ka për të ndodhur tani e tutje. Éndrra është e vërtetë dhe interpretimi i saj është i sigurt".

46 Atëherë mbreti Nebukadnetsar ra me fytyrë dhe ra permbys para Danielit; pastaj urdhëroi që t’i paraqitnin një ofertë dhe temjan.

47 Mbreti i foli Danielit dhe tha: "Në të vërtetë Perëndia juaj është Perëndia i perëndive, Zoti i mbretërve dhe zbuluesi i sekreteve, sepse ti ke mundur të zbulosh këtë sekret".

48 Atëherë mbreti e bëri Danielin të madh, i dha dhurata të shumta dhe të mëdha, e bëri qeveritar të gjithë krahinës së Babilonisë dhe kreun më të lartë të gjithë të diturve të Babilonisë.

49 Përveç kësaj, me kërkesë të Danielit, mbreti vuri në krye të administratës së krahinës së Babilonisë Shadrakun, Meshakun dhe Abed-negon. Danieli përkundrazi mbeti në oborrin e mbretit.

Psalmet 106

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.

Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.

I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.

10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.

11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.

12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.

13 Por shpejt i harruan veprat e tij dhe nuk pritën me besim plotësimin e planit të tij.

14 U ndezën nga lakmia në shkretëtirë dhe e tunduan Perëndinë në vetmi.

15 Dhe ai u dha atyre sa i kërkonin, por dërgoi midis tyre një lëngatë që pakësoi numrin e tyre.

16 Kur në kamp patën smirë Moisiun dhe Aaronin, i shenjti i Zotit,

17 toka u hap dhe përpiu Dathanin dhe groposi grupin e Abiramit.

18 Një zjarr shpërtheu në mes të tyre dhe flaka i përpiu të pabesët.

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

24 Ata e përçmuan akoma vendin e mrekullueshëm, nuk i besuan fjalës së tij,

25 por murmuritën në çadrat e tyre dhe nuk dëgjuan zërin e Zotit.

26 Prandaj ai ngriti dorën kundër tyre, duke u betuar se do t’i rrëzonte në shkretëtirë,

27 dhe se do t’i zhdukte pasardhësit e tyre midis kombeve dhe se do t’i shpërndante në të gjitha vendet.

28 Ata i shërbyen edhe Baal-Peorit dhe hëngrën flijimet e të vdekurve.

29 E zemëruan Perëndinë me veprimet e tyre dhe në mes tyre plasi murtaja.

30 Por Finehasi u ngrit dhe bëri drejtësi; dhe murtaja pushoi.

31 Dhe kjo iu vu në llogari të drejtësisë, brez pas brezi, përjetë.

32 Ata e provokuan përsëri në ujërat e Meribas, dhe Moisiu pësoi të keqen për shkak të tyre,

33 sepse e ashpërsoi frymën e tij (të Moisiut) dhe ai foli pa u menduar me buzët e tij.

34 Ata nuk shkatërruan popujt, siç i kishte porositur Zoti;

35 por u përzien midis popujve dhe mësuan veprat e tyre;

36 u shërbyen idhujve të tyre, dhe këta u bënë një lak për ta;

37 ua flijuan demonëve bijtë dhe bijat e tyre,

38 dhe derdhën gjak të pafajshëm, gjakun e bijve të tyre dhe të bijave të tyre, që u flijuan për idhujtë e Kanaanit; dhe vendi u ndot nga gjaku i derdhur.

39 Kështu ata u ndotën me veprat e tyre dhe u kurvëruan me aktet e tyre.

40 Dhe zemërimi i Zotit u ndez kundër popullit të tij, dhe ai ndjeu një neveri për trashëgiminë e tij.

41 I la në dorë të kombeve, dhe u sunduan nga ata që i urrenin.

42 Armiqtë e tyre i shtypën dhe ata iu nënshtruan pushtetit të tyre.

43 Ai i çliroi shumë herë, por ata vazhduan të ngrenë krye dhe të zhyten në paudhësinë e tyre.

44 Megjithatë ai i kushtoi kujdes ankthit të tyre, kur dëgjoi britmat e tyre,

45 dhe iu kujtua besëlidhja e lidhur me ta dhe në dhemshurinë e madhe të tij u qetësua.

46 Bëri që ata të fitojnë përkrahje ndër të gjithë ata që i kishin çuar në robëri.

47 Na shpëto, o Zot, Perëndia ynë, dhe na mblidh midis kombeve, me qëllim që të kremtojmë emrin tënd të shenjtë dhe të lumturohemi duke të lëvduar.

48 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, nga përjetësia në përjetësi. Dhe tërë populli le të thotë: "Amen". Aleluja.