M’Cheyne Bible Reading Plan
8 Atëherë Salomoni mblodhi në prani të tij në Jeruzalem pleqtë e Izraelit dhe tërë krerët e fiseve, prijësit e familjeve të Izraelit, për të çuar arkën e besëlidhjes të Zotit në qytetin e Davidit, domethënë në Sion.
2 Tërë burrat e Izraelit u mblodhën rreth e qark mbretit Salomon për festën në muajin e Ethanimit, që është muaji i shtatë.
3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe priftërinjtë morën arkën;
4 dhe çuan lart arkën e Zotit, çadrën e mbledhjeve dhe tërë orenditë e shenjta që ishin në çadër. Priftërinjtë dhe Levitët i mbartën këto gjëra.
5 Mbreti Salomon dhe tërë asambleja e Izraelit, e mbledhur rreth tij, u mblodhën bashkë me të përpara arkës dhe flijuan një numër aq të madh delesh dhe qesh, që nuk mund të numëroheshin as të llogariteshin.
6 Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes të Zotit në vendin e saj, në shenjtëroren e tempullit, në vendin shumë të shenjtë, nën krahët e kerubinëve.
7 Në fakt kerubinët i shtrinin krahët e tyre mbi vendin e arkës dhe mbulonin nga lart arkën dhe shufrat e saj.
8 Shufrat ishin aq të gjata sa që skajet e tyre dukeshin nga vendi i shenjtë, përpara shenjtërores, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato kanë mbetur atje deri në ditën e sotme.
9 Në arkë nuk kishte asgjë tjetër veç dy pllakave prej guri që Moisiu kishte depozituar në malin Horeb, kur Zoti bëri një besëlidhje me bijtë e Izraelit, pas daljes së tyre nga vendi i Egjiptit.
10 Por ndodhi që, ndërsa priftërinjtë po dilnin nga vendi i shenjtë, reja e mbushi shtëpinë e Zotit,
11 dhe priftërinjtë nuk mundën të qëndrojnë për të shërbyer për shkak të resë, sepse ladvia e Zotit mbushte shtëpinë e tij.
12 Atëherë Salomoni tha: "Zoti ka thënë se do të banojë në një re të dendur.
13 Unë kam ndërtuar për ty një shtëpi madhështore, një vend ku ti do të banosh për gjithnjë".
14 Pastaj mbreti u kthye dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit, ndërsa tërë asambleja e Izraelit rrinte në këmbë.
15 Dhe tha: "I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ka premtuar me gojën e tij atit tim David dhe që e ka mbajtur premtimin e dhënë me anë të fuqisë së tij, duke thënë:
16 "Nga dita që nxora popullin tim të Izraelit nga Egjipti, unë nuk kam zgjedhur asnjë qytet midis tërë fiseve të Izraelit për të ndërtuar një shtëpi, ku emri im të qëndronte, por kam zgjedhur Davidin që të mbretërojë mbi popullin tim të Izraelit".
17 Por Davidi, ati im, e kishte në zemër të ndërtonte një shtëpi në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit;
18 por Zoti i tha Davidit, atit tim: "Ti ke pasur në zemër të ndërtosh një shtëpi në emrin tim, dhe bëre mirë të kesh një gjë të tillë në zemër;
19 por nuk do të jesh ti që do të ndërtosh tempullin, do të jetë përkundrazi biri yt që do të dalë nga barku yt; do të jetë ai që do të ndërtojë tempullin në emrin tim".
20 Kështu Zoti e mbajti fjalën që kishte thënë; dhe unë zura vendin e Davidit, atit tim, u ula mbi fronin e Izraelit, ashtu si kishte thënë Zoti, dhe ndërtova tempullin në emër të Zotit, Perëndisë të Izraelit.
21 Atje kam përgatitur një vend për arkën, në të cilën ndodhet besëlidhja e Zotit, që ai lidhi me etërit tanë kur i nxori nga vendi i Egjiptit".
22 Pastaj Salomoni u vendos para altarit të Zotit, përballë tërë asamblesë së Izraelit, shtriu duart në drejtim të qiellit
23 dhe tha: "O Zot, Perëndia i Izraelit, nuk ka asnjë Perëndi të ngjashëm me ty as atje lart në qiell, as këtu poshtë në tokë! Ti e ruan besëlidhjen dhe tregohesh shpirtmadh me shërbëtorët e tu që ecin para teje me gjithë zemër.
24 Ndaj shërbëtorit tënd David, atit tim, ti mbajte atë që i kishe premtuar; po, sot ke kryer me dorën tënde atë që kishe premtuar me gojën tënde.
25 Tani, pra, o Zot, Perëndi i Izraelit, mbaje premtimin që i kishe bërë Davidit, atit tim, duke thënë: "Ty nuk do të të mungojë asnjëri nga ata që ulen para teje mbi fronin e Izraelit, nëqoftëse bijtë e tu të kenë kujdes sjelljen e tyre dhe të ecin para meje si ke ecur ti".
26 Prandaj të lutem tani, o Perëndi i Izraelit, të plotësosh fjalën që i ke thënë shërbëtorit tënd David, atit tim!
27 Po a është e vërtetë që Perëndia banon mbi tokë? Ja, qiejt dhe qiejt e qiejve nuk mund të të nxënë dhe aq më pak ky tempull që kam ndërtuar!
28 Megjithatë o Zot, Perëndia im, dëgjo me vëmendje lutjen e shërbëtorit tënde dhe kërkesën e tij, duke dëgjuar thirrjen dhe lutjen që shërbëtori yt larton sot para teje.
29 Sytë e tu u drejtofshin natë e ditë në këtë tempull, drejt vendit për të cilin ke thënë: "Aty do të jetë emri im," për të dëgjuar lutjen që shërbëtori yt do të të bëjë duke t’u drejtuar nga ky vend.
30 Dëgjo lutjen e shërbëtorit tënd dhe të popullit tënd të Izraelit kur do të të luten duke t’u drejtuar nga ky vend. Dëgjo nga vendi ku ti banon në qiejt; dëgjo dhe fal.
31 Në qoftë se dikush mëkaton kundër të afërmit të tij dhe, duke qenë i detyruar të betohet, vjen të betohet para altarit tënd në këtë tempull,
32 ti dëgjoje nga qielli, ndërhy dhe gjyko shërbëtorët e tu; dëno fajtorin, duke bërë që të bjerë mbi kokën e tij sjellja e tij dhe shpalle të drejtë të pafajshmin duke i dhënë atë që i takon sipas së drejtës së tij.
33 Kur populli yt i Izraelit do të mundet para armikut sepse ka mëkatuar kundër teje, në rast se kthehet te ti dhe lavdëron emrin tënd, në rast se të lutet dhe të stërlutet në këtë tempull,
34 ti dëgjoje nga qielli dhe fale mëkatin e popullit tënd të Izraelit, dhe ktheje në vendin që u ke dhënë etërve të tyre.
35 Kur qielli do të mbyllet dhe nuk do të ketë më shi sepse kanë mëkatuar kundër teje, në qoftë se luten duke t’u drejtuar nga ky vend, në qoftë se lavdërojnë emrin tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre sepse i ke dëshpëruar shumë,
36 ti dëgjoji nga qielli, fale mëkatin e shërbëtorëve të tu dhe të popullit tënd të Izraelit, duke u treguar rrugën e mirë nëpër të cilën duhet të ecin, dhe dërgo shiun mbi tokën që i ke dhënë si trashëgimi popullit tënd.
37 Kur vendi të preket nga zia e bukës ose murtaja, nga ndryshku apo nga bloza, nga një dyndje karkalecash dhe krimbash, kur armiku ta rrethojë popullin tënd në vendin e qyteteve të tua, kur të pëllcasë një fatkeqësi apo një epidemi çfarëdo,
38 çdo lutje, çdo kërkesë që do të të drejtohet nga çfarëdo personi apo nga tërë populli yt i Izraelit, kur secili të ketë pranuar plagën e zemrës së tij dhe të ketë shtrirë duart në drejtim të këtij tempulli,
39 ti dëgjoje nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe fal, ndërhy dhe jepi secilit sipas sjelljes së tij, ti që njeh zemrën e secilit; (në të vërtetë vetëm ti ua njeh zemrën gjithë bijve të njerëzve),
40 me qëllim që ata të kenë frikë prej teje tërë kohën që do të jetojnë në vendin që u ke dhënë etërve tanë.
41 Edhe i huaji, që nuk i përket popullit tënd të Izraelit, kur të vijë nga një vend i largët për shkak të emrit tënd,
42 (sepse do të dëgjohet të flitet për emrin tënd të madh, për dorën tënde të fuqishme dhe për krahun tënd të shtrirë) kur të vijë të të lutet duke t’u drejtuar nga ky tempull,
43 ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, dhe jepi të huajit tërë ato që kërkon, me qëllim që tërë popujt e dheut të njohin emrin tënd dhe kështu të kenë frikë prej teje, ashtu siç bën populli yt i Izraelit, dhe të dinë që emri yt përmëndet në këtë tempull që kam ndërtuar.
44 Kur populli yt të dalë në luftë kundër armikut të tij, duke ndjekur rrugën që i tregove, në rast se i luten Zotit dhe duke iu drejtuar qytetit të zgjedhur prej teje dhe tempullit që ndërtova në emrin tënd,
45 dëgjo nga qielli lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre.
46 Kur të mëkatojnë kundër teje (sepse nuk ka njeri që nuk mëkaton) dhe ti, i zemëruar me ta, do t’i braktisësh në dorë të armikut dhe ai do t’i shpërngulë në vendin e tij, afër apo larg,
47 në rast se në vendin ku janë shpërngulur vijnë në vete, në rast se kthehen te ti dhe të luten nga vendi ku i kanë prurë si robër dhe thonë: Kemi mëkatuar, kemi vepruar në mënyrë të padrejtë, kemi bërë të keqen,,"
48 në rast se kthehen nga ana jote me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt në vendin e armiqve që i kanë shpërngulur dhe të luten duke u kthyer nga vendi që ti u ke dhënë etërve të tyre, nga qyteti që ti ke zgjedhur dhe nga tempulli që unë kam ndërtuar në emrin tënd,
49 ti dëgjo nga qielli, nga vendbanimi yt, lutjen dhe kërkesën e tyre dhe përkrahe çështjen e tyre,
50 dhe fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje për të gjitha shkeljet që ka bërë kundër teje dhe bëj që të gjejnë mëshirë pranë atyre që i kanë shpërngulur, me qëllim që këta të fundit të tregohen të mëshirshëm me ta,
51 (sepse ata janë populli yt dhe trashëgimia jote, ata që nxore nga Egjipti, nga një furrë hekuri).
52 Mbaji sytë e hapur ndaj lutjes së shërbëtorit tënd dhe lutjes së popullit tënd të Izraelit, në mënyrë që të plotësosh tërësisht gjithë ato që të kërkojnë,
53 sepse ti i ke veçuar nga të gjithë popujt e tokës që të jenë trashëgimia jote, sipas atyre që ke shpallur me anë të shërbëtorit tënd Moisi, ku nxore nga Egjipti etërit tanë, o Zot, o Zot!".
54 Kur Salomoni mbaroi së drejtuari Zotit tërë këtë lutje dhe kërkesë, ai u ngrit para altarit të Zotit ku ishte gjunjëzuar me duart e shtrira në drejtim të qiellit.
55 Pastaj u ngrit dhe bekoi tërë asamblenë e Izraelit me zë të lartë, duke thënë:
56 "I bekuar qoftë Zoti, që i dha paqe popullit të Izraelit, sipas gjithë atyre premtimeve që kishte bërë; as edhe një fjalë e vetme nuk mbeti pa u zbatuar nga të gjitha premtimet e bëra prej tij me anë të shërbëtorit të tij Moisi.
57 Zoti, Perëndia ynë, qoftë me ne ashtu siç ka qenë me etërit tanë; mos na lëntë dhe mos na braktistë,
58 por t’i kthejë zemrat tona nga ai, me qëllim që ne të ecim në të gjitha rrugët e tij dhe t’u bindeni urdhërimet e tij, statutet e tij dhe dekretet e tij që u ka parashtruar etërve tanë.
59 Këto fjalë, që i kam drejtuar si lutje Zotit, mbetshin pranë Zotit, Perëndisë tonë, ditë e natë, me qëllim që Ai të përkrahë çështjen e shërbëtorit të tij dhe çështjen e popullit të tij, sipas nevojës së përditshme,
60 me qëllim që tërë popujt e dheut të pranojnë që Zoti është Perëndia dhe nuk ka asnjë tjetër veç tij.
61 Le të jetë, pra, zemra juaj e dhënë plotësisht Zotit, Perëndisë tonë, për të ndjekur statutet e tij dhe për të respektuar urdhërimet e tij, si po bëni sot!".
62 Pastaj mbreti dhe tërë Izraeli bashkë me të ofruan flijime përpara Zotit.
63 Salomoni flijoi si flijim falënderimi, që ai i ofroi Zotit, njëzet e dy mijë lopë dhe njëqind e njëzet mijë dele. Kështu mbreti dhe tërë bijtë e Izraelit ia kushtuan shtëpinë e Zotit.
64 Po atë ditë mbreti shenjtëroi pjesën qendrore të oborrit, që ndodhet përpara shtëpisë të Zotit; në fakt atje ai ofroi olokauste, blatimet ushqimore dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit, sepse altari prej bronzi, që ndodhet përpara Zotit, ishte tepër i vogël për të nxënë olokaustet, blatimet e ushqimit dhe dhjamin e flijimeve të falënderimit.
65 Në atë kohë Salomoni kremtoi një festë përpara Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë Izraeli qe bashkë me të. Me të u bashkua një kuvend i madh njerëzish, të ardhur nga rrethet e Hamathit deri në përruan e Egjiptit, për shtatë ditë dhe për shtatë ditë të tjera, gjithsej për katërmbëdhjetë ditë.
66 Ditën e tetë ai e shpërndau popullin, dhe ata që ishin mbledhur e bekuan mbretin dhe u kthyen në çadrat e tyre të gëzuar dhe me zemër të kënaqur për tëtë të mirat që Zoti u kishte bërë shërbëtorit të tij David dhe Izraelit, popullit të tij.
5 Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij shumë të dashur,
2 edhe ecni në dashuri, sikurse edhe Krishti na deshi dhe e dha veten e tij për ne, si ofertë e flijim Perëndisë, si një parfum erëmirë.
3 Por, ashtu si u ka hije shenjtorëve, as kurvëria, as ndonjë papastërti, as kurnacëri të mos zihet në gojë midis jush;
4 as pandershmëri, as të folur pa mend e të përqeshur, të cilat nuk kanë hije, por më tepër të ketë falenderime.
5 Të dini në fakt këtë: asnjë kurvar, ose i ndyrë ose kurnac, i cili është idhujtar, nuk ka ndonjë trashëgim në mbretërinë e Krishtit dhe të Perëndisë.
6 Askush të mos ju gënjejë me fjalë të kota, sepse, për shkak të këtyre gjërave, vjen zemërimi i Perëndisë mbi bijtë e mosbindjes.
7 Mos jini, pra, shokë me ta.
8 Sepse dikur ishit errësirë, por tani jeni dritë në Zotin; ecni, pra, si bij të dritës,
9 sepse fryti i Frymës konsiston në gjithçka që është mirësi, drejtësi dhe të vërtetë,
10 duke provuar çfarë është e pranueshme për Perëndinë.
11 Dhe mos merrni pjesë në punët e pafrytshme të errësirës, por më tepër t’i qortoni,
12 sepse ato që bëjnë ata në fshehtësi, është turp edhe të thuhen.
13 Kurse të gjitha gjërat, kur dalin në dritë, bëhen të dukshme, sepse çdo gjë që shfaqet është dritë.
14 Prandaj Shkrimi thotë: “Zgjohu, ti që fle, dhe ringjallu prej së vdekurish, dhe Krishti do të shndrisë mbi ty.”
15 Kujdesuni, pra, që të ecni me kujdes dhe jo si të marrët, por si të mençurit,
16 duke e shfyrtësuar kohën, sepse ditët janë të mbrapshta.
17 Prandaj mos u bëni të pakujdesshëm, por kuptoni cili është vullneti i Zotit.
18 Dhe mos u dehni me verë, në të cilën ka shthurje, por mbushuni me Frymë,
19 duke i folur njeri tjetrit me psalme, himne dhe këngë frymërore, duke kënduar dhe duke lavdëruar Zotin me zemrën tuaj,
20 duke e falënderuar vazhdimisht për çdo gjë Perëndinë dhe Atin, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht;
21 nënshtrohuni njëri-tjetrit në druajtjen e Krishtit!
22 Ju, gratë, nënshtrohuni burrave tuaj porsi Zotit,
23 sepse burri është kreu i gruas, sikurse edhe Krishti është kreu i kishës, dhe ai vetë është Shpëtimtari i trupit.
24 Ashtu si kisha i është nënshtruar Krishtit, kështu gratë duhet t’i nënshtrohen burrave të tyre në çdo gjë.
25 Ju, burra, t’i doni gratë tuaja, sikurse edhe Krishti ka dashur kishën dhe e ka dhënë veten e vet për të,
26 që ta shenjtërojë, pasi e pastroi me larjen e ujit me anë të fjalës,
27 që ta nxjerrë atë përpara vetes të lavdishme, pa njolla a rrudha a ndonjë gjë të ti-llë, por që të jetë e shenjtë dhe e paqortueshme.
28 Kështu burrat duhet t’i duan gratë e veta porsi trupat e tyre; kush do gruan e vet do vetveten.
29 Sepse askush nuk urreu mishin e vet, por e ushqen dhe kujdeset me butësi për të, sikurse edhe Zoti bën me kishën,
30 sepse ne jemi gjymtyrë të trupit të tij, të mishit të tij dhe të kockave të tij.
31 “Prandaj njeriu do të lërë babanë e vet dhe nënën e vet dhe do të bashkohet me gruan e vet, dhe të dy do të bëhen një mish i vetëm.”
32 Ky mister është i madh; tani unë e them në lidhjen me Krishtin dhe me kishën.
33 Por secili nga ju kështu ta dojë gruan e vet sikurse e do veten e vet; dhe po kështu gruaja ta respektojë burrin.
38 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
2 "Bir njeriu, kthe fytyrën tënde drejt Gogut të vendit të Magogut, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit, dhe profetizo kundër tij,
3 dhe thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë jam kundër teje, o Gog, princ i Roshit, i Meshekut dhe i Tubalit.
4 Unë do të të kthej prapa, do të vë çengela në nofullat e tua dhe do të të nxjerr me gjithë ushtrinë tënde, me kuaj dhe kalorës, të gjithë të veshur shkëlqyeshëm, një turmë e madhe me mburoja të mëdha dhe të vogla, me shpatë në dorë,
5 dhe me ta Persia, Etiopia dhe Puti, të gjithë me mburoja dhe përkrenare.
6 Gomeri dhe tërë ushtarët e tij, shtëpia e Togarmahut, pjesët skajore të veriut dhe të gjithë ushtarët e tij, shumë popuj janë me ty.
7 Përgatitu dhe ji gati, ti dhe gjithë turmat e tua të mbledhura rreth teje, dhe ji roje për ta.
8 Mbas shumë ditësh ti do të ndëshkohesh. Në vitet e fundit do të sulesh kundër vendit që nuk iu shmang shpatës, banorët e të cilit janë mbledhur nga shumë popuj, në malet e Izraelit, që kanë qenë për shumë kohë një shkreti; tani ata, të nxjerrë nga popujt, do të banojnë të gjithë të sigurt.
9 Ti do të ngjitesh, do të vish si një tufan, do të jesh si një re që mbulon vendin, ti me gjithë trupat e tua dhe shumë popuj bashkë me ty".
10 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Atë ditë do të ndodhë që do të të vijnë në mendje projekte dhe do të hartosh një plan të keq.
11 Do të thuash: "Unë do të dal kundër këtij vendi fshatrash pa mure, do të nisem kundër njerëzve të qetë që banojnë të sigurt, që qëndrojnë të gjithë në vende pa mure dhe nuk kanë as shula as porta,"
12 për të plaçkitur dhe për të bërë pre, për të shtrirë dorën tënde kundër vendeve të shkretuara, por tani të ripopulluara dhe kundër një populli të mbledhur midis kombeve, që i ka siguruar vetes kafshë, pasuri dhe banesë në lartësitë e vendit.
13 Sheba, Dedani, tregtarët e Tershishit dhe tërë luanët e vegjël do të pyesin: "Ke ardhur për të plaçkitur? Ke mbledhur turmën tënde për të bërë plaçkë, për të marrë argjendin dhe arin, për të marrë kafshët dhe pasuritë, për të bërë një plaçkë të madhe?".
14 Prandaj, bir njeriu, profetizo dhe i thuaj Gogut: Kështu thotë Zoti, Zoti: Atë ditë, kur populli im i Izraelit do të jetë i sigurtë, a nuk do ta dish ti?
15 Do të vish nga banesa jote, nga skajet e veriut, ti dhe shumë popuj me ty, të gjithë të hipur mbi kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e fuqishme.
16 Do të dalësh kundër popullit tim të Izraelit, si një re që mbulon vendin. Kjo ka për të ndodhur ditët e fundit: do të të çoj kundër vendit tim me qëllim që kombet të më njohin, kur të shenjtërohem te ti përpara syve të tyre, o Gog".
17 Kështu thotë Zoti, Zoti: "A nuk je ti ai për të cilin fola në kohët e lashta me anë të shërbëtorëve të mi, profetët e Izraelit, të cilët për vite me radhë profetizuan ato ditë që do të të kisha sjellë kundër tyre?
18 Por do të ndodhë që po atë ditë, ditën kur Gogu do të vijë kundër tokës së Izraelit," thotë Zoti, Zoti, "që tërbimi im do të më hipë në vrimat e hundës.
19 Në xhelozinë time dhe në zjarrin e zemërimit tim, unë deklaroj se atë ditë do të ketë një tronditje të madhe në vendin e Izraelit:
20 përpara meje do të dridhen peshqit e detit, shpendët e qiellit, kafshët e fushës, të gjithë rreshqanorët që zvarriten mbi tokë dhe të gjithë njerëzit që janë mbi faqen e dheut; malet do të shemben, vendet e rrëpirta do të rrëzohen dhe të gjitha muret do të bien për tokë.
21 Unë do të thërras kundër tij shpatën mbi të gjitha malet e mia," thotë Zoti, Zoti; shpata e secilit do të drejtohet kundër vëllait të vet.
22 Do të ekzekutoj vendimin tim mbi të me murtajë dhe me gjak do të bëj të reshë mbi të, mbi ushtrinë e tij dhe mbi shumë popuj që janë bashkë me të, një shi që zhurin, gurë prej akulli, zjarr dhe squfur.
23 Kështu do të lartësohem dhe do të shenjtërohem dhe do të bëhem i njohur në sytë e shumë kombeve, dhe do të pranojnë se unë jam Zoti".
89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
2 Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
3 "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
4 "Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
5 Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.
6 Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?
7 Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.
8 O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.
9 Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.
10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.
11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.
12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.
13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.
14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.
15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
19 Ti i fole atëherë në vegim të dashurit tënd dhe the: "Ndihmova një të fuqishëm, përlëvdova një të zgjedhur nga populli.
20 Gjeta Davidin, shërbëtorin tim, dhe e vajosa me vajin tim të shenjtë.
21 Dora ime do ta përkrahë me vendosmëri dhe krahu im do ta forcojë.
22 Armiku nuk do ta shtypë dhe i ligu nuk do ta pikëllojë.
23 Do të asgjesoj para tij armiqtë e tij dhe do të godas ata që e urrejnë.
24 Besnikëria ime dhe mirësia ime do të jenë me të, dhe me emrin tim do të bëhet i fuqishëm.
25 Do ta shtrij dorën e tij mbi detin dhe dorën e djathtë të tij mbi lumenjtë.
26 Ai do të kërkojë ndihmën time, duke thënë: "Ti je Ati im, Perëndia im dhe Kështjella ime e shpëtimit".
27 Do ta bëj gjithashtu të parëlindurin tim, më të shkëlqyerin ndër mbretërit e dheut.
28 Do të përdor mirësi ndaj tij përjetë, dhe besëlidhja ime me të do të mbetet e qëndrueshme.
29 Do t’i bëj gjithashtu pasardhësit e tij të përjetshem dhe fronin e tij si ditët e qiejve.
30 Në rast se bijtë e tij braktisin ligjin tim dhe nuk ecin, sipas urdhërimeve të mia,
31 në rast se shkelin statutet e mia dhe nuk respektojnë urdhërimet e mia,
32 unë do ta dënoj shkeljen e tyre me shufër dhe paudhësinë e tyre me të rrahura,
33 por nuk do ta heq mirësinë time prej tij dhe nuk do të lë që besnikëria ime të jetë e mangët.
34 Nuk do të shkel besëlidhjen time dhe nuk do t’i ndryshoj fjalët që kanë dalë nga goja ime.
35 Jam betuar një herë për shenjtërinë time dhe nuk do ta gënjej Davidin;
36 pasardhësit e tij do të jenë përjetë dhe froni i tij do të jetë si dielli para meje,
37 do të jenë të qëndrueshëm si hëna, dhe dëshmitari në qiell është besnik". (Sela)
38 Por ti na ke braktisur dhe na ke kthyer; je zemëruar shumë kundër të vajosurin tënd.
39 Ti ke përçmuar besëlidhjen e lidhur me shërbëtorin tënd dhe ke përdhosur kurorën e tij, duke bërë që të bjerë për tokë.
40 Ke shembur gjithë mbrojtjet e tij dhe i ke katandisur në gërmadha kalatë e tij.
41 Tërë kalimtarët e kanë plaçkitur dhe ai është bërë gazi i fqinjëve të tij.
42 Ke lavdëruar dorën e djathtë të kundërshtarëve të tij dhe ke bërë të gëzohen tërë armiqtë e tu.
43 Ke prishur tehun e shpatës së tij dhe nuk e ke ndihmuar në betejë.
44 I ke dhënë fund madhështisë së tij dhe ke hedhur për tokë fronin e tij.
45 Ke shkurtuar ditët e rinisë së tij dhe e ke mbuluar me turp. (Sela)
46 Deri kur, o Zot? A do të fshihesh ti përjetë? A do të flakërojë si zjarr zemërimi yt?
47 Kujto sa e shkurtër është jeta ime. Për çfarë kotësie ke krijuar gjithë bijtë e njerëzve?
48 Cili është njeriu që jeton, pa parë vdekjen dhe që mund ta shkëputë jetën e tij nga pushteti Sheolit? (Sela)
49 Ku janë, o Zot, mirësitë e tua të lashta, për të cilat iu betove Davidit në besnikërinë tënde?
50 Kujto, o Zot, fyerjen që iu bë shërbëtorëve të tu, dhe si unë mbaj në zemër fyerjen e rëndë të të gjitha kombeve,
51 me të cilën armiqtë e tu kanë fyer, o Zot, me të cilën kanë fyer hapat e të vajosurit tënd.
52 I bekuar qoftë Zoti përjetë. Amen, po, amen!