M’Cheyne Bible Reading Plan
7 Por Salomonit iu deshën trembëdhjetë vjet për të ndërtuar shtëpinë e tij; kështu ai përfundoi tërë shtëpinë e tij.
2 Ai ndërtoi shtëpinë e "Pyllit të Libanit," e gjatë njëqind kubitë, e gjerë pesëdhjetë e lartë tridhjetë; ajo mbështetej mbi katër radhë shtyllash kedri, mbi të cilat mbështeteshin trarët e kedrit.
3 Një tavan prej kedri mbulonte dhomat që mbështeteshin mbi shtyllat, dhe që ishin gjithashtu dyzet e pesë, pesëmbëdhjetë për çdo radhë.
4 Kishte tri radhë dritaresh, të kundërvëna njëra me tjetrën në tri plane të ndryshme.
5 Të gjitha portat me shtalkat e tyre dhe arkitrarët e tyre ishin katërkëndëshe dhe dritaret i kundërviheshin njëra tjetrës në tre plane të ndryshme.
6 Ai ndërtoi edhe portikun e shtyllave, i gjatë pesëdhjetë kubitë dhe i gjerë tridhjetë; në pjesën e përparme kishte një hajat, me shtylla dhe që ishte i mbuluar me çati.
7 Pastaj ndërtoi portikun e fronit ku admnistronte drejtësia, i quajtur Portiku i gjykimitt"; dhe e mbuloi me kedër nga dyshemeja në tavan.
8 Shtëpia ku ai banonte, e ndërtuar në të njëjtën mënyrë, kishte përkundrazi një oborr tjetër në pjesën e brendshme të portikut. Salomoni bëri gjithashtu një shtëpi me një portik të ngjashëm me këtë për bijën e Faraonit, që kishte marrë për grua.
9 Të gjitha ndërtimet ishin me gurë të zgjedhur, të prerë sipas masës me sharrë nga brenda dhe nga jashtë nga themelet deri në kornizat, dhe nga jashtë deri në oborrin më të madh.
10 Edhe themelet ishin me gurë të zgjedhur, me gurë të mëdhenj, disa dhjetë kubitësh dhe të tjerë tetë kubitësh.
11 Mbi to kishte gurë të zgjedhur, të prerë me masë, dhe dru kedri.
12 Oborri i madh kishte rreth e qark tri radhë gurësh të latuar dhe një radhë trarësh prej kedri, ashtu si oborri i brendshëm i shtëpisë të Zotit dhe si portiku i tempullit.
13 Mbreti Salomon solli nga Tiro Hiramin,
14 birin e një të veje nga fisi i Neftalit; i ati ishte nga Tiro dhe punonte bronzin; ishte tërë dituri, zgjuarsi dhe shkathtësi për të kryer çdo punim bronzi. Ai vajti te mbreti Salomon dhe kreu të gjitha punimet që i caktuan.
15 Derdhi dy shtylla prej bronzi. Secila kishte një lartësi prej tetëmbëdhjetë kubitësh dhe një rreth prej dymbëdhjetë kubitësh.
16 Bëri edhe dy kapitele prej bronzi të derdhur për t’i vënë në majë të shtyllave; një kapitel ishte i lartë pesë kubitë dhe pesë kubitë ishte gjithashtu lartësia e kapitelit të dytë.
17 Pastaj bëri një rrjetëz me kurora në formë të zinxhirësh për kapitelet që ishin në majë të shtyllave, shtatë për një kapitel dhe shtatë për kapitelin tjetër.
18 Kështu bëri shtyllat e dy radhëve të shegës rreth e qark rrjetëzës, për të mbuluar kapitelet që ishin në majën e shtyllave; bëri të njëjtën gjë për secilin nga kapitelet.
19 Kapitelet që ishin në majë të shtyllave në portik kishin formën e zambakut dhe qenë katër kubitësh.
20 Përveç kësaj mbi kapitelet në majë të të dy kolonave, mbi pjesën e mysët afër rrjetëzës, kishte dyqind shegë të vëna me radhë rreth e qark.
21 Pastaj vendosi shtyllat në portikun e tempullit; vendosi shtyllën në të djathtë dhe e quajti Jakin, pastaj vendosi shtyllën në të majtë dhe e quajti Boaz.
22 Në majë të shtyllave kishte një punim në formë zambaku. Kështu mbaroi punimi i shtyllave.
23 Pastaj bëri detin me metal të shkrirë, në formë rrethore, që nga një buzë në buzën tjetër kishte një gjatësi prej dhjetë kubitësh; lartësia e tij ishte pesë kubitë dhe rrethi ishte tridhjetë kubitë.
24 Nën buzë dhe rreth e qark detit kishte kolokuintide zbukuruese, dhjetë në çdo kubit; kolokuintidet zbukuruese ishin vendosur në dy radhë dhe ishin bërë me derdhje.
25 Deti mbështetej mbi dymbëdhjetë qe, prej të cilëve tre shikonin nga veriu, tre nga perëndimi, tre nga jugu dhe tre nga lindja; deti ishte vënë mbi ta dhe pjesët e tyre të prapme ishin të kthyera nga brenda.
26 Ai kishte trashësinë e një pëllëmbe; buza e tij ishte si buza e një kupe, si lulja e një zambaku: ai përmbante dy mijë bate.
27 Bëri gjithashtu dhjetë qerrëza prej bronzi, secila e gjatë katër kubitë, e gjerë katër kubitë dhe e lartë tre kubitë,
28 qerrëzat ishin ndërtuar si vijon: kishin panele anësore dhe këto mbylleshin me anë të kornizave.
29 Mbi panelet, që ishin midis kornizave, ishin përfytyruar luanë, qe dhe kerubinë. Mbi kornizat mbështetej një piedestal, ndërsa sipër dhe poshtë luanëve dhe qeve kishte kurora në formë vargjesh zbukurues.
30 Çdo qerre e vogël kishte katër rrota prej bronzi me boshtet gjithashtu prej bronzi; katër këmbët e tyre kishin disa spaleta poshtë vazos, dhe spaletat ishin bërë me derdhje, me kurora në anët e secilës prej tyre.
31 Hapja e saj, në pjesën e brendshme të kurorës dhe në pjesën e saj të lartë, ishte e rrumbullakët; ishte e thellë një kubit, kishte formën e një piedestali dhe një diametër prej një kubit e gjysmë; edhe rreth hapjes kishte skulptura, por panelet ishin katrorë dhe jo të rrumbullakët.
32 Katër rrotat ishin nën panelet dhe boshtet e rrotave ishin fiksuar në bazë. Lartësia e çdo rrote ishte një kubit e gjysmë.
33 Punimi i rrotave ishte si ai i një qerreje. Boshtet, rrathët, rrezet dhe bucelat ishin të gjitha prej bronzi të derdhur.
34 Në të katër qoshet e çdo qerreje kishte katër spaleta, që përbënin një të tërë me vetë qerren.
35 Në majë të qerres kishte një mbajtëse të rrumbullakët, e cila ishte gjysmë kubit e lartë; dhe në majë të qerres, kornizat dhe panelet e saj përbënin një tërësi me të.
36 Mbi sipërfaqen e kornizave dhe të paneleve të saj, Hirami gdhendi kerubinë, luanë dhe palma, sipas hapësirave të lira, dhe kurora rreth e qark.
37 Kështu ai veproi me të dhjetë qerret, që u derdhën të gjitha njëlloj me po ato madhësi dhe po atë formë.
38 Pastaj përgatiti dhjetë enë prej bronzi, secila prej tyre përmbante dyzet bate dhe ishte katër kubitësh; dhe çdo enë mbështetej mbi njërën nga dhjetë qerret.
39 Ai i vendosi qerret pesë nga ana e djathtë e tempullit dhe pesë nga ana e majtë e tij, dhe e vuri detin në krahun e djathtë të tempullit, nga ana jug-lindore.
40 Hirami bëri enët, lopatëzat dhe kupat. Kështu Hirami përfundoi çdo punë që duhet të bënte për mbretin Salomon në shtëpinë e Zotit:
41 dy shtylla, dy kapitele me vazo në majë të shtyllave, dy rrjetëza për të mbuluar dy kapitele me vazo në majë të shtyllave,
42 katërqind shegë për dy rrjetëzat (dy radhë shegësh për çdo rrjetëz për të mbuluar dy kapitelet me vazo në majë të shtyllave),
43 dhjetë qerrëza, dhjetë enë mbi qerret,
44 deti, një i vetëm, dhe dymbëdhjetë qe poshtë detit,
45 vazot, lopatëzat, enët. Të gjitha këto vegla, që Salomoni vuri Hiramin t’i bëjë për shtëpinë e Zotit, ishin prej bronzi të lëmuar.
46 Mbreti i shkriu në fushën e Jordanit në një tokë argjilore, midis Sukothit dhe Tsarethanit.
47 Salomoni nuk u kujdes t’i peshojë tërë këto vegla, sepse ishin shumë; pesha e bronzit nuk u përcaktua.
48 Salomoni bëri që të prodhohen tërë orenditë e shtëpisë të Zotit: altari prej ari, tryeza prej ari mbi të cilën viheshin bukët e paraqitjes;
49 shandanët prej ari të kulluar, pesë në të djathtë dhe pesë në të majtë përpara vendit shumë të shenjtë, me lulet, me llambat dhe me gërshërët prej ari;
50 kupat, thikat, vazot e mëdha, lugët dhe mangallët prej ari të kulluar; dhe menteshat prej ari të portave të shtëpisë së brendshme (domethënë të vendit shumë të shenjtë) dhe portat në hyrje të vetë tempullit.
51 Kështu përfundoi tërë puna që mbreti Salomon kishte bërë për shtëpinë e Zotit. Pastaj Salomoni solli argjendin, arin dhe veglat, të cilat i kishte shenjtëruar Davidi, ati i tij, dhe i vendosi në thesaret e shtëpisë të Zotit.
4 Unë, pra, i burgosuri për Zotin, ju bëj thirrje që të ecni denjësisht sipas thirrjes për të cilën u thirrët,
2 me çdo përulësi e zemërbutësi, me durim, duke e duruar njëri-tjetrin në dashuri,
3 duke u përpjekur të ruani unitetin e Frymës në lidhjen e paqes.
4 Éshtë një trup i vetëm dhe një Frym i vetëm, sikurse ju u thirrët në shpresën e vetme të thirrjes suaj.
5 Éshtë një Zot i vetëm, një besim i vetëm, një pagëzim i vetëm,
6 një Perëndi i vetëm dhe Atë i të gjithëve, që është përmbi të gjithë, në mes të të gjithëve dhe në ju të gjithë.
7 Po secilit nga ne iu dha hiri sipas masës së dhuntisë së Krishtit.
8 Për ç’ka Shkrimi thotë: “Kur ai u ngjit lart, ai e burgosi burgosjen dhe u dha dhurata njerëzve.”
9 Tani kjo: “Ai u ngjit,” ç’do të thotë tjetër përveç se ai më parë edhe kishte zbritur në pjesët më të ulta të dheut?
10 Ai që zbriti është po ai që edhe u ngjit përmbi të gjithë qiejt, për të përmbushur të gjitha gjërat.
11 Dhe ai vetë i dha disa si apostuj, të tjerë si profetë, të tjerë si ungjilltarë dhe të tjerë si barinj e mësues,
12 për përsosjen e shenjtorëve, për veprën e shërbimit dhe për ndërtimin e trupit të Krishtit,
13 derisa të arrijmë të gjithë te uniteti i besimit dhe të njohjes së Birit të Perëndisë, te një njeri i përsosur, në masën e shtatit të plotësisë së Krishtit,
14 që të mos jemi më foshnja, të lëkundur dhe të transportuar nga çdo erë doktrineje, nga mashtrimi i njerëzve, nga dinakëria e tyre nëpërmjet gënjeshtrave të gabimit,
15 por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, Krishti.
16 Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuri.
17 Këtë, pra, po dëshmoj në Zotin: të mos ecni më si po ecin ende johebrenjtë e tjerë, në kotësinë e mendjes së tyre,
18 të errësuar në mendje, të shkëputur nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe ngurtësimit të zemrës së tyre.
19 Ata, duke u bërë të pandjeshëm, e dhanë veten në shthurje, duke kryer çdo papastërti me lakmi të pangopur.
20 Por ju nuk e keni njohur kështu Krishtin,
21 në qoftë se e keni dëgjuar atë dhe keni qënë të mësuar në të sipas së vërtetës që është në Jezusin,
22 që të zhvisheni, për sa i takon sjelljes së mëparshme, nga njeriu i vjetër që korruptohet me anë të lakmive të gënjeshtrës,
23 dhe të përtëriteni në frymën e mendjes suaj
24 dhe të visheni me njeriun e ri, të krijuar sipas Perëndisë në drejtësinë dhe shenjtërinë e së vërtetës.
25 Prandaj, duke e lënë mënjanë gënjeshtrën, secili t’i thotë të vërtetën të afërmit të vet, sepse jemi gjymtyrë, njeri me tjetrin.
26 Zemërohuni dhe mos mëkatoni; dielli të mos perëndojë mbi inatin tuaj;
27 dhe mos i jepni vend djallit.
28 Ai që vidhte, le të mos vjedhë më, por më tepër të mundohet duke bërë ndonjë punë të mirë me duart e veta, që të ketë t’i japë diçka atij që ka nevojë.
29 Asnjë fjalë e keqe le të mos dalë nga goja juaj, por ajo që është e mirë për ndërtimin, sipas nevojës, që t’u japë hir atyre që dëgjojnë.
30 Dhe mos e trishtoni Frymën e Shenjtë të Perëndisë, me të cilin u vulosët për ditën e shpengimit.
31 Le të flaket larg jush çdo hidhërim, zemërim, inat, trazirë dhe shpifje me çdo ligësi.
32 Por jini të mirë dhe të mëshirshëm njeri me tjetrin, duke e falur njëri-tjetrin, sikurse edhe Perëndia ju ka falur në Krishtin.
37 Dora e Zotit u ndodh mbi mua, më çoi jashtë në Frymën e Zotit, dhe më lëshoi në mes të një lugine që ishte plot me kocka.
2 Pastaj më bëri të kaloj afër tyre, rreth e qark; dhe ja, ishin në sasi të madhe mbi sipërfaqen e luginës; dhe ja, ishin shumë të thata.
3 Më tha: "Bir njeriu, a mund të rijetojnë këto kocka?". Unë u përgjigja: O Zot, o Zot, ti e dii".
4 Më tha akoma: "Profetizo këtyre kockave dhe u thuaj atyre: Kocka të thata, dëgjoni fjalën e Zotit.
5 Kështu ju thotë Zoti, Zoti, këtyre kockave: Ja, unë po fus te ju frymën dhe ju do të rijetoni.
6 Do të vë mbi ju mishin, do t’ju mbuloj me lëkurë dhe do të shtie te ju frymën, dhe do të jetoni; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti".
7 Profetizova ashtu si më ishte urdhëruar; ndërsa profetizoja, pati një zhurmë; dhe ja një tronditje; pastaj kockat iu afruan njëra tjetrës.
8 Ndërsa po shikoja, ja ku u rritën mbi ta dejet dhe mishi, që lëkura i mbuloi; por fryma nuk ishte tek ato.
9 Atëherë ai më tha: "Profetizoji frymës, profetizo bir njeriu dhe i thuaj frymës: Kështu thotë Zoti, Zoti: Frymë, eja nga të katër erërat dhe fryj mbi këta të vrarë, që të jetojnë".
10 Kështu profetizova, si më kishte urdhëruar dhe shpirti hyri në to, dhe u kthyen në jetë dhe u ngritën më këmbë; ishte një ushtri e madhe, shumë e madhe.
11 Pastaj më tha: "Bir njeriu, këto kocka janë gjithë shtëpia e Izraelit. Ja, ato thonë: "Kockat tona janë të thata, shpresa jonë është zhdukur dhe ne jemi të humbur".
12 Prandaj profetizo dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të hap varret tuaja, do t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im, do t’ju çoj përsëri në vendin e Izraelit.
13 Do të pranoni që unë jam Zoti, kur të hap varret tuaja dhe t’ju bëj të dilni nga varret tuaja, o populli im.
14 Do të shtie te ju Frymën tim dhe ju do të jetoni, dhe do t’ju çoj në tokën tuaj; atëherë do të pranoni që unë, Zoti, fola dhe e kam kryer këtë gjë," thotë Zoti.
15 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:
16 "Ti, bir njeriu, merr një copë dru dhe mbi të shkruaj: "Për Judën dhe për bijtë e Izraelit, shokë të tij". Pastaj merr një copë tjetër dru dhe shkruaj mbi të: "Për Jozefin, bastun i Efraimit dhe i tërë shtëpisë së Izraelit, shokë të tij".
17 Afroi pastaj njeri te tjetri në një dru të vetëm, me qëllim që të bëhen një gjë e vetme në dorën tënde.
18 Kur bijtë e popullit tënd do të të flasin, duke thënë: "A do të na shpjegosh ç’kuptim kanë këto gjëra për ty?,"
19 ti do t’u thuash atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr drurin e Jozefit, që është në dorë të Efraimit, dhe fiset e Izraelit që janë shokë të tij, dhe do t’i bashkoj me këtë, domethënë me drurin e Judës, për ta bërë një dru të vetëm; kështu ata do të bëhen një gjë e vetme në dorën time.
20 Mbaj në dorën tënde para syve të tyre drurët mbi të cilët ke shkruar,
21 dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të marr bijtë e Izraelit nga kombet ndër të cilët kanë vajtuar, do t’i mbledh nga çdo anë dhe do t’i çoj përsëri në vendin e tyre,
22 dhe do të bëj një komb të vetëm prej tyre në vend, në malet e Izraelit; një mbret i vetëm do të mbretërojë mbi të gjithë ata; nuk do të jenë më dy kombe, as do të ndahen më në dy mbretëri.
23 Nuk do të ndoten më me idhujt e tyre, me veprimet e tyre të neveritshme dhe me gjithë shkeljet e tyre; do t’i çliroj nga të gjitha vendet ku kanë banuar dhe ku kanë kryer mëkate, dhe do t’i pastroj; kështu do të jenë populli im dhe unë do të jem Perëndia i tyre.
24 Shërbëtori im David do të jetë mbret mbi ta dhe do të ketë një bari të vetëm për të gjithë; ata do të ecin sipas dekreteve të mia, do të respektojnë statutet e mia dhe do t’i zbatojnë në praktikë.
25 Dhe do të banojnë në vendin që i dhashë shërbëtorit tim Jakob, atje ku banuan etërit tuaj. Do të banojnë aty ata, bijtë e tyre dhe bijtë e bijve të tyre për jetë dhe shërbëtori im David do të jetë princi i tyre përjetë.
26 Do të lidh me ta një besëlidhje paqeje; do të jetë një besëlidhje e përjetshme me ta; do t’i bëj të qëndrueshëm, do t’i shumoj dhe do të vë shenjtëroren time në mes tyre përjetë.
27 Banesa ime do të jetë pranë tyre; po, po unë do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im.
28 Edhe kombet do të pranojnë që unë, Zoti, e shenjtëroj Izraelin, kur shenjtërorja ime të jetë në mes tyre përjetë".
87 Ai i vuri themelet e tij mbi malet e shenjta.
2 Zoti i do portat e Sionit më tepër se të gjitha banesat e Jakobit.
3 Gjëra të lavdishme thuhen për ty, o qytet i Perëndisë. (Sela)
4 Do të përmend Egjiptin dhe Babiloninë ndër ata që më njohin. Ja Filistia dhe Tiro, së bashku me Etiopinë: "Ky ka lindur atje".
5 Dhe do të thuhet për Sionin: "Ky dhe ai kanë lindur tek ai; dhe vetë Shumë i Larti do ta bëjë të qëndrueshëm".
6 Zoti duke shqyrtuar popujt, do të regjistrojë: "Ky ka lindur atje". (Sela)
7 Dhe këngëtarët dhe ata që u bien veglave do të thonë: "Të gjitha burimet e mia të jetës dhe të gëzimit janë te ti".
88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.