M’Cheyne Bible Reading Plan
12 Roboami shkoi në Sikem, sepse tërë Izraeli kishte ardhur aty për ta bërë mbret.
2 Kur Jeroboami, bir i Nebatit, e mësoi këtë (ai ishte në Egjipt, ku kishte ikur larg pranisë së mbretit Salomon), dhe Jeroboami jetonte në Egjipt.
3 Atëherë dërguan ta thërrasin. Kështu Jeroboami dhe tërë asambleja e Izraelit erdhën t’i flasin Roboamit dhe i thanë:
4 "Yt atë e ka bërë zgjedhën tonë të rënde; tani ti lehtëso skllavërinë e ashpër të atit tënd dhe zgjedhën e rëndë që na ka imponuar dhe ne do të të shërbejmë".
5 Ai iu përgjigj atyre: "Shkoni dhe kthehuni tek unë pas tri ditëve". Dhe populli iku.
6 Atëherë mbreti Roboam u këshillua me pleqtë që kishin qenë në shërbim të atit të tij, Salomonit, kur ishte i gjallë, dhe u tha: "Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli?".
7 Ata iu përgjigjën, duke thënë: "Në rast se sot ti do të bëhesh shërbëtor i këtij populli dhe do t’i shërbesh, në rast se do të tregohesh mirëdashës me ta dhe do t’u thuash fjalë të mira, ata do të jenë shërbëtorë të tu përjetë".
8 Por Roboami hodhi poshtë këshillën që i dhanë pleqtë dhe u këshillua me të rinjtë që ishin rritur me të dhe ishin në shërbim të tij,
9 dhe u tha atyre: "Çfarë më këshilloni t’i përgjigjem këtij populli që më foli, duke më thënë: "Lehtëso zgjedhën që na ka vënë yt atë"?".
10 Atëherë të rinjtë që ishin rritur me të iu përgjigjën, duke thënë: Kështu do t’i përgjigjesh këtij populli që të është drejtuar ty duke tëë thënë: "Yt atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tonë; tani ti lehtësoje atë". Kështu do t’u thuash atyre: "Gishti im i vogël është më i trashë nga brinjët e atit tim;
11 prandaj, në qoftë se im atë ju ka ngarkuar me një zgjedhë të rëndë, unë do ta bëj atë edhe më të rëndë; në qoftë se im atë ju ka dënuar me fshikull, unë do t’ju dënoj me kamxhik"".
12 Tri ditë më vonë Jeroboami dhe tërë populli erdhën te Roboami, ashtu si kishte urdhëruar mbreti, duke thënë: "Kthehuni tek unë pas tri ditëve".
13 Mbreti iu përgjigj ashpër popullit, duke mos pranuar këshillën që i kishin dhënë pleqtë;
14 përkundrazi i foli popullit sipas këshillës së të rinjve, duke thënë: Im atë e ka bërë të rëndë zgjedhën tuaj; por unë do ta bëj edhe më tëë rëndë; im atë ju ka dënuar me fshikull, kurse unë do t’ju dënoj me kamxhik".
15 Kështu mbreti nuk mori parasysh kërkesën e popullit, sepse rrjedha e ngjarjeve varej nga Zoti, në mënyrë që të përmbushej fjala që Zoti i kishte drejtuar Jeroboamit, birit të Nebatit, me anë të Ahijahut nga Shiloh.
16 Kur tërë Izraeli pa që mbreti nuk e dëgjonte, iu përgjigj atij duke i thënë: "Çfarë pjese kemi ne me Davidin? Nuk kemi asnjë trashëgimi me të birin e Isait! Në çadrat e tua, o Izrael! Tani kujdesohu për shtëpinë tënde, o David!". Kështu Izraeli u tërhoq në çadrat e tij.
17 Por mbi bijtë e Izraelit që banonin në qytetet e Judës mbretëronte Roboami.
18 Mbreti Roboam dërgoi Adoramin, të ngarkuarin me haraçet, por tërë Izraeli e qëlloi me gurë dhe ai vdiq. Atëherë mbreti Roboam shpejtoi të hipë mbi një qerre për të ikur në Jeruzalem.
19 Kështu Izraeli ngriti krye kundër shtëpisë së Davidit deri në ditën e sotme.
20 Kur tërë Izraeli dëgjoi që Jeroboami ishte kthyer, dërgoi ta thërrasë dhe të paraqitej përpara asamblesë dhe, e bëri mbret mbi tërë Izraelin. Asnjeri nuk e ndoqi shtëpinë e Davidit, me përjashtim të të vetmit fis të Judës.
21 Roboami, me të arritur në Jeruzalem, mblodhi tërë shtëpinë e Judës dhe fisin e Beniaminit, njëqind e tetëdhjetë mijë luftëtarë të zgjedhur për të luftuar kundër shtëpisë së Izraelit dhe për t’i kthyer kështu mbretërinë Roboamit, birit të Salomonit.
22 Por fjala e Perëndisë iu drejtua Shemajahut, njeriut të Perëndisë, duke i thënë:
23 "Folë me Roboamin, birin e Salomonit, mbret të Judës, me tërë shtëpinë e Judës dhe të Beniaminit dhe pjesës tjetër të popullit, dhe u thuaj atyre:
24 Kështu flet Zoti: "Mos dilni të luftoni kundër vëllezërve tuaj, bijve të Izraelit! Secili të kthehet në shtëpinë e tij, sepse kjo gjë vjen nga unë". Ata iu bindën fjalës të Zotit dhe u kthyen prapa, sipas fjalës të Zotit.
25 Pastaj Jeroboami ndërtoi Sikemin në zonën malore të Efraimit dhe u vendos aty; pastaj doli që andej dhe ndërtoi Penuelin.
26 Jeroboami tha në zemër të vet: "Tani mbretëria do t’i kthehet me sa duket shtëpisë së Davidit.
27 Në rast se ky popull shkon në Jeruzalem për t’ë ofruar flijime në shtëpinë e Zotit, zemra e këtij populli do të kthehet përsëri nga zotëria e tij, nga Roboami, mbret i Judës; kështu do të më vrasin dhe do të kthehen nga Roboami, mbret i Judës".
28 Mbasi u këshillua, mbreti bëri dy viça prej ari dhe i tha popullit: Éshtë shumë për ju të shkoni deri në Jeruzalem! O Izrael, ja ku janëë perënditë e tua që të kanë nxjerrë nga vendi i Egjiptit!".
29 Pastaj vendosi njerin prej tyre në Bethel dhe tjetrin në Dan.
30 Ky ishte shkaku i mëkatit, sepse populli shkonte deri në Dan për të rënë përmbys përpara një viçi.
31 Ai ndërtoi edhe tempuj mbi vendet e larta dhe bëri priftërinj duke i marrë nga të gjitha shtresat, por që nuk ishin bij të Levit.
32 Jeroboami caktoi një festë në muajin e tetë, ditën e pesëmbëdhjetë të muajit, të njëllojtë me festën që kremtohej në Judë dhe ofroi flijime mbi altarin. Kështu veproi në Bethel për të flijuar viçat që ai kishte bërë; dhe në Bethel vendosi priftërinjtë e vendeve të larta që kishte ngritur.
33 Ditën e pesëmbëdhjetë të muajit të tetë, muaj i zgjedhur nga ai vetë, Jeroboami u ngjit në altarin që kishte ndërtuar në Bethel; caktoi një festë për bijtë e Izraelit dhe u ngjit në altar për të djegur temjan.
3 Së fundi, o vëllezërit e mi, gëzohuni në Zotin; për mua nuk është e rëndë t’ju shkruaj të njëjtat gjëra, po për ju është siguri.
2 Ruhuni nga qentë, ruhuni nga punëtorët e këqij, ruhuni nga të prerët.
3 Sepse rrethprerja e vërtetë jemi ne, që i shërbejmë Perëndisë në Frymë dhe që mburremi në Krishtin Jezus pa besuar në mish,
4 megjithëse unë kam përse të besoj edhe në mishin; nëse ndonjë mendon se ka përse të besojë, unë kam akoma më shumë:
5 u rrethpreva të tetën ditë, jam nga kombi i Izraelit, nga fisi i Beniaminit, Hebre nga Hebrenj, dhe sipas ligjit farise,
6 sa për zellin, përndjekës i kishës; për sa i përket drejtësisë, që është në ligj, i pa qortueshëm.
7 Por gjërat që më ishin fitim, i konsiderova, për shkak të Krishtit, humbje.
8 Dhe me të vërtetë i konsideroj të gjitha këto një humbje në krahasim me vlerën e lartë të njohjes së Jezu Krishtit, Zotit tim, për shkak të të cilit i humba të gjitha këto dhe i konsideroj si pleh, që unë të fitoj Krishtin,
9 dhe që të gjendem në të, duke pasur jo drejtësinë time që është nga ligji, por atë që është nga besimi në Krishtin: drejtësia që është nga Perëndia, me anë të besimit,
10 që të njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe pjesëmarrjen në mundimet e tij, duke u bërë vetë i ngjashëm me të në vdekjen e tij,
11 që në ndonjë mënyrë të mund t’ia arrij ringjalljes prej së vdekurish.
12 Jo se unë tashmë e fitova çmimin ose jam bërë i përsosur, por po vazhdoj të rend për ta zënë, sepse edhe unë u zura nga Jezu Krishti.
13 Vëllezër, sa për vete, nuk mendoj se e kam zënë, por bëj këtë: duke harruar ato që kam lënë pas dhe duke u prirur drejt atyre që kam përpara,
14 po rend drejt synimit, drejt çmimit të thirrjes së lartme të Perëndisë në Krishtin Jezus.
15 Pra, të gjithë ne që jemi të përsosur, le të kemi këto mendime; dhe në qoftë se ju mendoni ndryshe për ndonjë gjë, Perëndia do t’jua zbulojë edhe këtë.
16 Por në pikën ku kemi arritur, le të ecim sipas së njëjtës rregull me të njejtën mendje.
17 Bëhuni imituesit e mi, vëllezër, dhe vëreni ata që ecin kështu, sipas shëmbullin që keni në ne.
18 Sepse shumë nga ata, për të cilët ju kam folur shpesh, edhe tani po jua them duke qarë, ecin si armiq të kryqit të Krishtit,
19 dhe fundi i tyre është humbje, perëndia i tyre është barku dhe lavdia e tyre është në turp të tyre; ata mendojnë vetëm për gjërat tokësorë.
20 Sepse qytetëria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht,
21 i cili do ta transformojë trupin tonë të përunjur, që të bëhet i ngjashëm me trupin e tij të lavdishëm, sipas fuqisë së tij që t’i nënshtrojë ndaj vetes të gjitha gjërat.
42 Pastaj më nxori në oborrin e jashtëm nga ana e veriut dhe më çoi në dhomat që ndodheshin përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimit në drejtim të veriut.
2 Konstruksioni i fasadës drejt veriut kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh dhe një gjërësi prej pesëdhjetë kubitësh.
3 Përballë oborrit të brendshëm prej njëzet kubitësh dhe përballë kalldrëmit të oborrit të jashtëm kishte një galeri mbi tjetrën me tre kate.
4 Përpara dhomave kishte një kalim të brendshëm, që ishte i gjerë dhjetë kubitë dhe i gjatë njëqind kubitë; portat e tyre shikonin nga veriu.
5 Dhomat e sipërme ishin më të ngushta, sepse galeritë zinin më tepër hapësirë se galeritë e poshtme dhe të ndërmjetme të ndërtimit.
6 Duke qenë se ishin me tre kate dhe nuk kishin shtylla si shtyllat e oborreve prandaj nga toka dhomat e sipërme ishin më të ngushta se ato të poshtme dhe të ndërmjetme.
7 Muri i jashtëm, paralel me dhomat nga ana e oborrit të jashtëm, ballë dhomave, kishte një gjatësi prej pesëdhejtë kubitësh;
8 në fakt gjatësia e dhomave nga ana e oborrit të jashtëm ishte pesëdhjetë kubitë, ndërsa nga ana e faqes së shenjtërores ishte njëqind kubitë.
9 Poshtë këtyre dhomave kishte një hyrje nga ana e lindjes, për atë që hynte në to nga oborri i jashtëm.
10 Në murin e gjerë të oborrit në drejtim të lindjes, përballë hapësirës boshe dhe përballë ndërtimitit, kishte dhoma.
11 Përpara tyre kishte një kalim të ngjashëm me atë të dhomave që ishin nga ana e veriut; ato kishin po atë gjatësi e gjerësi, me të gjitha daljet dhe portat që ndiqnin të njëjtat kritere.
12 Në përputhje me portat e dhomave që ishin nga jugu, kishte një portë në krye të kalimit pikërisht përpara murit në drejtim të lindjes.
13 Ai më tha: "Dhomat nga veriu dhe dhomat nga jugu që ndodhen përballë hapësirës boshe janë dhoma të shenjta, ku priftërinjtë që i afrohen Zotit do të hanë gjërat shumë të shenjta; atje do të depozitojnë gjërat shumë të shenjta, domethënë blatimet e ushqimit dhe blatimet për mëkatin dhe për shkeljen, sepse ai vend është i shenjtë.
14 Kur priftërinjtë të kenë hyrë, nuk do të dalin më nga vendi i shenjtë në oborrin e jashtëm, por do të vendojnë aty rrobat e tyre me të cilat kryejnë shërbimin, sepse janë të shenjta; do të veshin rroba të tjera dhe kështu do të mund t’i afrohen asaj që i përket popullit".
15 Mbasi mbaroi së maturi pjesën e brendshme të tempullit, më nxori nga porta që shikonte nga lindja dhe mati pjesën e rrethuar rreth e qark.
16 Mati anën lindore me kallamin matës: pesëqind kubitë me kallamin matës rreth e qark.
17 Mati anën veriore: pesëqind kubitë me kallamin për matës rreth e qark,
18 Mati anën jugore me kallamin matës: pesëqind kubitë.
19 U kthye nga ana perëndore dhe mati: pesëqind kubitë me kallamin matës.
20 Mati sipërfaqen nga të katër anët: kishte rreth e qark një mur që ishte i gjatë pesëqind kubitë dhe i gjërë pesëqind kubitë, për të ndarë vendin e shenjtë nga ai profan.
94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
7 dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.
14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.
16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.