M’Cheyne Bible Reading Plan
6 Në vitin katërqind e tetëdhjetë mbas daljes së bijve të Izraelit nga vendi i Egjiptit, në vitin e katërt të mbretërimit të tij mbi Izrael, në muajin e Zivit, që është muaji i dytë, Salomoni filloi të ndërtojë shtëpinë e Zotit.
2 Tempulli që ndërtoi mbreti Salomon për Zotin ishte gjashtëdhjetë kubitë i gjatë, njëzet i gjerë dhe tridhjetë i lartë.
3 Portiku përpara tempullit ishte njëzet kubitë i gjatë, i barabartë, pra, me gjerësinë e tempullit, dhe gjerësia e tij shtrihej dhjetë kubitë nga fasada e tempullit.
4 Në tempull vuri dritare me hekura.
5 Pranë murit të tempullit ai ndërtoi dhoma që rrethonin tërë murin e tempullit, si vendin e shenjtë ashtu dhe vendin shumë të shenjtë; kështu ai bëri dhoma anësore rreth e qark.
6 Dhomat e katit të parë ishin të gjera pesë kubitë, ato të katit të mesëm gjashtë kubitë dhe ato të katit të tretë shtatë kubitë; në fakt ai kishte ndërtuar dalje rreth e rrotull mureve të tempullit, në mënyrë që trarët e mbështetjes të mos futeshin në muret e tempullit.
7 Për ndërtimin e tempulit u përdorën gurë që ishin latuar në gurore; kështu gjatë ndërtimit të tempullit nuk u dëgjua zhurma e çekiçit, e sëpatës ose e ndonjë vegle tjetër prej hekuri.
8 Hyrja e katit të parë gjendej në krahun e djathtë të tempullit; kështu me anë të një shkalle në trajtë spirale hipje në katin e mesëm, dhe nga kati i mesëm në të tretin.
9 Mbasi përfundoi ndërtimin e tempullit, Salomoni e mbuloi me trarë dhe me dërrasa kedri.
10 Ndërtoi katet anësore me dhoma rreth e qark tempullit, secili i lartë pesë kubitë, dhe i lidhi me tempullin me trarë kedri.
11 Fjala e Zotit iu drejtua Salomonit, duke i thënë:
12 "Për këtë tempull që po më ndërton, në qoftë se ti u përmbahesh statuteve të mia, zbaton në praktikë dekretet e mia dhe u bind të gjitha urdhërimeve të mia duke ecur në to unë do të përmbush me ty premtimin që i dhashë Davidit, atit tënd:
13 do të banoj në mes të bijve të Izraelit dhe nuk do ta braktis popullin tim të Izrarelit".
14 Kështu Salomoni ndërtoi tempullin dhe e përfundoi.
15 Pastaj ndërtoi muret ndarës të tempullit me dërrasa të kedrit; dhe nga dyshemeja e tempullit deri në tavan e veshi nga brenda me dru; pastaj e mbuloi dyshemenë e tempullit me dërrasa qiparisi.
16 Veshi gjithashtu me dërrasa kedri një hapësirë prej njëzet kubitësh në fund të tempullit, nga dyshemeja deri në tavan; dhe këtë hapësirë të brendshme e rezervoi si shenjtërore, si një vend shumë të shenjtë.
17 Shtëpia, domethënë tempulli, përpara vendit shumë të shenjtë ishte e gjatë dyzet kubitë.
18 Pjesa e brendshme e tempullit ishte prej kedri të gdhendur me sfera dhe me lule të çelura; çdo gjë ishte prej kedri dhe nuk dukej asnjë gur.
19 Salomoni e përgatiti vendin shumë të shenjtë në pjesën e brendshme të tempullit, për të vënë aty arkën e besëlidhjes të Zotit.
20 Vendi shumë i shenjtë ishte njëzet kubitë i gjatë, njëzet kubitë i gjerë dhe njëzet kubitë i lartë. Salomoni e veshi me ar të kulluar; dhe e veshi altarin me kedër.
21 Kështu Salomoni e veshi pjesën e brendshme të tempullit me ar të kulluar, shtriu zinxhira ari përpara vendit shumë të shenjtë dhe e veshi me ar.
22 Veshi me ar tërë tempullin deri sa mbaroi së ndërtuari dhe veshi me ar gjithashtu tërë altarin që i takonte vendit shumë të shenjtë.
23 Në pjesën e brendshme të vendit shumë të shenjtë bëri dy kerubinë me dru ulliri, që ishin dhjetë kubitë të lartë.
24 Krahu i një kerubini ishte pesë kubitë dhe tjetri ishte gjithashtu pesë kubitë; kishte, pra, dhjetë kubitë nga maja e një krahu deri te maja e tjetrit.
25 Edhe kerubini tjetër ishte dhjetë kubitësh; të dy kerubinët kishin po ato përmasa dhe po atë formë.
26 Lartësia e një kerubini ishte dhjetë kubitë po kështu edhe ajo e kerubinit tjetër.
27 Salomoni i vendosi kerubinët në mes të vendit shumë të shenjtë. kerubinët i kishin krahët të hapur; krahu i të parit prekte njërin mur ndarës dhe krahu i të dytit prekte murin tjetër; krahët e tyre të brendshme takoheshin në mes të shtëpisë.
28 Pastaj i veshi me ar kerubinët.
29 Pastaj riprodhoi mbi të gjitha muret ndarës të trempullit, rreth e qark, figura në reliev kerubinësh, palma dhe lule të çelura, si brenda ashtu dhe jashtë.
30 Pastaj veshi me ar dyshemenë e tempullit, si nga brenda ashtu dhe nga jashtë.
31 Për të hyrë në vendin tepër të shenjtë bëri një portë me dy kanate me dru ulliri; arkitravi dhe shtalkat zinin një të katërtën e murit.
32 Të dy kanatet ishin me dru ulliri. Mbi to gdhendi figura kerubinësh, palma dhe lulesh të çelura, i veshi me ar duke e shtrirë arin mbi kerubinët dhe mbi palmash.
33 Për portën e tempullit bëri gjithashtu shtalka me dru ulliri, që zinin një të katërtën e gjerësisë së murit,
34 dhe dy kanate me dru qiparisi; çdo kanat përbëhej nga dy pjesë që hapeshin dhe mbylleshin.
35 Mbi to gdhendi kerubinë, palma dhe lule të çelura dhe i veshi me ar, që e shtriu me saktësi mbi skulpturat.
36 Pastaj ndërtoi oborrin e brendshëm me tri radhë gurësh katërkëndësh dhe një radhë trarësh kedri.
37 Vitin e katërt, në muajin e Zivit, u hodhën themelet e shtëpisë të Zotit;
38 vitin e njëmbëdhjetë, në muajin e Bulit, që është muaji i tetë, tempulli u mbarua në të gjitha pjesët e tij, sipas vizatimeve të dhëna. Kështu Salomonit iu deshën shtatë vjet për ta ndërtuar.
3 Për këtë arsye unë, Pali, jam i burgosuri i Jezu Krishtit për ju johebrenjtë,
2 dhe nëse keni dëgjuar për dhënien e hirit të Perëndisë, që më është besuar për ju;
3 se si, me zbulesë, ai ma bëri të njohur misterin, sikurse ju shkrova më përpara me pak fjalë.
4 Duke i lexuar këto, ju mund të kuptoni cila është inteligjenca ime në misterin e Krishtit,
5 që nuk iu bë i njohur në epokat e tjera bijve të njerëzve, ashtu si iu zbulua tani apostujve të shenjtë dhe profetëve të tij me anë të Frymës,
6 që johebrenjtë të jenë bashkëtrashëgimtarë të të njëjtit trup dhe bashkëpjesëtarë të premtimit të tij në Krishtin nëpërmjet ungjillit,
7 shërbenjës i të cilit u bëra, sipas dhunëtisë së hirit të Perëndisë që m’u dha në sajë të fuqisë së tij.
8 Mua, më të voglit nga të gjithë shenjtorët, m’u dha ky hir për të shpallur midis johebrenjve pasuritë e papërshkrueshme të Krishtit,
9 dhe për t’u manifestuar të gjithëve pjesëmarrjen e misterit, i cili nga epokat më të lashta qe fshehur në Perëndinë, i cili krijoi të gjitha gjërat nëpërmjet Jezu Krishtit;
10 që nëpërmjet kishës, në kohën e tashme u manifestohej principatave dhe pushtetëve, në vendet qiellore, dituria e shumëllojshme e Perëndisë,
11 sipas qëllimit të përjetshëm që ai kreu në Krishtin Jezus, Zotin tonë,
12 në të cilin kemi lirinë dhe hyrjen te Perëndia në mirëbesimin nëpërmjet besimit në të.
13 Për këtë arsye ju lutem që të mos dekurajoheni për shkak të mundimeve të mia që vuaj për ju, e cila është lavdia juaj.
14 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht,
15 nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë,
16 që t’ju japë, sipas pasurisë së lavdisë së vet, të forcoheni me fuqi nëpërmjet Frymës të tij në njeriun e përbrendshëm,
17 që Krishti të banojë në zemrat tuaja me anë të besimit,
18 që, të rrënjosur dhe të themeluar në dashuri, të mund të kuptoni me të gjithë shenjtorët cila është gjërësia, gjatësia, thellësia dhe lartësia,
19 dhe ta njihni dashurinë e Krishtit që tejkalon çdo njohuri, që të mbusheni me tërë plotësinë e Perëndisë.
20 Tani atij që, sipas fuqisë që vepron në ne, mund të bëjë jashtë mase më tepër nga sa kërkojmë ose mendojmë,
21 atij i qoftë lavdia në kishën në Krishtin Jezus për të gjitha brezat, në jetë të jetëve. Amen.
36 "Ti bir njeriu, profetizo u maleve të Izraelit dhe u thuaj: O male të Izraelit, dëgjoni fjalët e Zotit.
2 Kështu thotë Zoti, Zoti: Duke qenë se armiku ka thënë për ju: "Ah, ah! Kodrat e përjetshme janë bërë prona jonë," profetizo dhe thuaj:
3 Kështu thotë Zoti, Zoti: Po, duke qenë se kanë dashur t’ju shkretojnë dhe t’ju gllabërojnë nga çdo anë që të bëheni një zotërim i mbetjes së kombeve dhe duke qenë se keni qenë objekt i bisedave të gjuhëve të këqia dhe i shpifjeve të njerëzisë,"
4 prandaj, o male të Izraelit, dëgjoni fjalën e Zotit, të Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe qafave, përroskave dhe luginave, vendeve të shkatërruara dhe të shkretuara dhe qyteteve të braktisura që janë bërë pre dhe objekt përçmimi nga kombet që ndodhen rreth e qark.
5 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Po, në zjarrin e xhelozisë sime unë flas kundër kusurit të kombeve dhe kundër tërë Edomit që e kanë shtënë në dorë vendim tim me gjithë gëzimin e zemrës dhe përçmimin e shpirtit, për ta përzënë si një pre.
6 Prandaj profetizo tokës së Izraelit, u thuaj maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë fola në xhelozinë time dhe në tërbinin tim, sepse ju keni sjellë turpin e kombeve".
7 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Unë ngrita dorën për betim; kombet që më rrethojnë do të sjellin edhe ata turpin e tyre.
8 Por ju, o male të Izraelit, do të keni degët tuaja dhe do të mbani frytet tuaja për popullin tim të Izraelit; po, ai është duke u kthyer.
9 Sepse ja, unë jam për ju, do të kthehem nga ju dhe ju do të punoheni dhe do të mbilleni.
10 Do t’i shumoj mbi ju njerëzit, tërë shtëpinë e Izraelit; qytetet do të banohen dhe gërmadhat do të rindërtohen.
11 Do të shumoj mbi ju njerëzit dhe kafshët; do të shumohen dhe do të jenë pjellorë. Do të bëj që të banoheni si në kohrat e kaluara, dhe do t’ju bëj më tepër të mira se sa në fillimet tuaja; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti.
12 Po, do të bëj të ecin mbi ju njerëz, popullin tim të Izraelit; ata do t’ju zotërojnë dhe ju do të jeni trashëgimia e tyre dhe nuk do t’u hiqni më bijtë e tyre".
13 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ju thonë: "Je një vend që ka gëlltitur njerëz dhe që ke privuar kombin tënd nga bijtë,"
14 prandaj nuk do të gëlltitësh më njerëz dhe nuk do ta privosh kombin tënd nga bijtë," thotë Zoti, Zoti.
15 "Do ta bëj që të mos dëgjosh më talljet e kombeve dhe ti nuk do të mbash më turpin e popujve dhe nuk do ta bësh kombin tënd të rrëzohet," thotë Zoti, Zoti.
16 Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:
17 "Bir njeriu, kur ata të shtëpisë së Izraelit banonin në vendin e tyre, e ndotnin me sjelljen e tyre dhe me veprimet e tyre; sjellja e tyre para meje ishte si papastërtia e gruas gjatë ciklit të saj muajor.
18 Prandaj hodha mbi ta zemërimin tim për gjakun që kishin derdhur mbi vendin dhe për idhujt me të cilët e kishin ndotur.
19 Kështu i shpërndava ndër kombet dhe shkuan në të gjitha drejtimet nëpër tërë vendet; i gjykova sipas sjelljes së tyre dhe veprimeve të tyre.
20 Me të arritur te kombet ku kishin shkuar, e përdhosën emrin tim të shënjtë, sepse për ata thuhej: "Këta janë populli i Zotit, por megjithatë u është dashur të dalin nga vendi i tij".
21 Kështu pata kujdes për emrin tim të shenjtë që shtëpia e Izraelit kishte përdhosur midis kombeve ku kishte shkuar.
22 Prandaj i thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Unë veproj kështu jo për shkakun tuaj, o shtëpi e Izraelit, por për hir të emrit tim të shenjtë që ju keni përdhosur midis kombeve ku keni shkuar.
23 Unë do ta shenjtëroj emrin tim të madh, të përdhosur midis kombeve, që ju e keni përdhosur në mes të tyre. Kombet do të pranojnë që unë jam Zoti," thotë Zoti, Zoti, "kur të shenjtërohem tek ju, para syve të tyre.
24 Do t’ju marr nga kombet, do t’ju grumbulloj nga tërë vendet dhe do t’ju çoj përsëri në vendin tuaj.
25 Do të lëshoj pastaj ujë të pastër mbi ju dhe do të jeni të pastër; do t’ju pastroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja dhe nga të gjithë idhujt tuaj.
26 Do t’ju jap një zemër të re dhe do të shtie brenda jush një shpirt të ri; do të heq nga mishi juaj zemrën prej guri dhe do t’ju jap zemër prej mishi.
27 Do të vë brenda jush Shpirtin tim dhe do të bëj që ju të ecni sipas statuteve të mia, dhe ju do të respektoni dhe do të zbatoni në praktikë dekretet e mia.
28 Do të banoni në vendin që u dhashë etërve tuaj; ju do të jeni populli im dhe unë do të jem Perëndia juaj.
29 Do t’ju çliroj nga të gjitha ndyrësirat tuaja; do të thërres grurin, do të bëj që të ketë me bollëk dhe nuk do dërgoj më urinë kundër jush.
30 Do të shumoj frytin e drurëve dhe prodhimin e arave, me qëllim që të mos pësoni më turpin e urisë midis kombeve.
31 Atëherë do të kujtoni rrugët tuaja të këqia dhe veprimet tuaja që nuk ishin të mira dhe do të bëheni të neveritshëm për vetë sytë tuaj, për paudhësitë tuaja dhe për veprimet tuaja të neveritshme.
32 Nuk është për hatrin tuaj që unë veproj," thotë Zoti, Zoti, "dijeni mirë këtë. Turp të keni dhe qofshi të hutuar për shkak të rrugëve tuaja, o shtëpi e Izraelit".
33 Kështu thotë Zoti Zoti: "Ditën kur unë do t’ju pastroj nga të gjitha paudhësitë tuaja, do t’ju bëj të banoni në qytete, dhe gërmadhat do të rindërtohen.
34 Toka e shkretuar do të punohet, në vend që të jetë një shkreti në sytë e të gjithë kalimtarëve.
35 Dhe do të thonë: "Kjo tokë që ishte e shkretuar është bërë si kopshti i Edenit, dhe qytetet e shkatërruara, të shkretuara dhe të rrënuara tani janë të fortifikuara dhe të banuara".
36 Atëherë kombet që do të kenë mbetur rreth e qark jush do të pranojnë që unë, Zoti, kam rindërtuar vendet e shkatërruara dhe kam mbjellë tokën që ishte shkretuar. Unë, Zoti fola dhe do ta kryej".
37 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Do të jem sërisht i lutur nga shtëpia e Izraelit ta kryej këtë për ta: Unë do t’i shumoj njerëzit e tyre si një kope.
38 Si një kope dhënsh të shenjtëruara, si kopeja e Jeruzalemit në festat e tij solemne, kështu qytetet e shkatërruara do të mbushen me kope njerëzish. Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".
86 Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar.
2 Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.
3 Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën.
4 Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim.
5 Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.
6 Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia.
7 Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh.
8 Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat.
9 Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd.
10 Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.
11 Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.
12 Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.
13 Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.
14 O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.
15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.
16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.
17 Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.