Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 3

Jehorami, bir i Ashabit, filloi të mbretërojë mbi Izraelin në Samari vitin e tetëmbëdhjetë të Jozafatit, mbretit të Judës, dhe mbretëroi dymbëdhjetë vjet me radhë.

Ai bëri atë që është e keqe për sytë e Zotit, por jo si i ati i tij dhe nëna e tij, sepse hoqi shtyllën e Baalit, të ndërtuar nga i ati.

Megjithatë ai mbeti i lidhur me mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, që e kishte bërë Izraelin të mëkatojë, dhe nuk u shkëput nga ato.

Mesha, mbret i Moabit, ishte një rritës dhensh dhe i paguante mbretit të Izraelit një haraç prej njëqind mijë qengjash dhe leshin e njëqind mijë deshve.

Por me vdekjen e Ashabit, mbretit të Moabit u rebelua kundër mbretit të Izraelit.

Atëherë mbreti Jehoram doli nga Samaria dhe kërkoi të mblidhet tërë Izraeli;

pastaj u nis dhe i çoi fjalë Jozafatit, mbretit të Judës: "Mbreti i Moabit ka ngritur krye kundër meje; a do të vish me mua për të luftuar kundër Moabit?". Ai u përgjigj: "Do të vij, ki besim tek unë ashtu si ke besim tek vetja jote, te populli im ashtu si te populli yt, te kuajt e mi ashtu si te kuajt e tu".

Pastaj pyeti: "Nëpër çfarë rruge do të shkojmë?". Jehorami u përgjigj: Nga rruga e shkretëtirës së Edomitt".

Kështu mbreti i Izraelit, mbreti i Judës dhe mbreti i Edomit filluan marshimin; mbasi ecën përqark shkretëtirës shtatë ditë, filloi t’i mungojë uji ushtrisë dhe kafshëve që e ndiqnin.

10 Atëherë mbreti i Izraelit tha: "Sa keq! Zoti i ka thirrur bashkë këta tre mbretër për t’i dorëzuar në duart e Moabit!".

11 Por Jozafati pyeti: "A ka këtu ndonjë profet të Zotit me anë të të cilit mund të këshillohemi me Zotin?". Njëri nga shërbëtorët e mbretit të Izraelit u përgjigj dhe tha: "Kemi këtu Eliseun, birin e Shafatit, i cili derdhte ujë mbi duart e Elias".

12 Jozafati tha: "Fjala e Zotit është me të". Kështu mbreti i Izraelit, Jozafati dhe mbreti i Edomit zbritën drejt tij.

13 Por Eliseu i tha mbretit të Izraelit: "Ç’punë kam unë me ty? Shko te profetët e atit tënd dhe të nënës sate!". Mbreti i Izraelit iu përgjigj: Jo, sepse Zoti i ka thirrur bashkë të këta tre mbretër për t’i dorëzuar nëë duart e Moabit".

14 Atëherë Eliseu tha: "Ashtu siç është e vërtetë që rron Zoti i ushtrive, në prani të të cilit ndodhem unë, po të mos ishte për respektin që kam për Jozafatin, mbretin e Judës, nuk do të isha kujdesur aspak për ty dhe nuk do të të kisha begenisur as edhe me një shikim.

15 Por tani më sillni një muzikant". Por ndodhi që, ndërsa muzikanti i binte harpës, dora e Zotit u ndodh mbi Eliseun.

16 Atëherë ai tha: "Kështu flet Zoti: "Gërmoni shumë gropa në këtë luginë".

17 Sepse kështu thotë Zoti: "Ju nuk do të shihni as erë, as shi; megjithatë kjo luginë do të mbushet me ujë; dhe do të pini ju, bagëtia juaj dhe kafshët tuaja të transportit.

18 Por kjo është akoma pak në sytë e Zotit, sepse ai do t’ju japë në dorë edhe Moabin.

19 Ju do të shkatërroni të gjitha qytetet e fortifikuara dhe të gjitha qytetet më të mira, do të rrëzoni të gjithë drurët e mirë, do të zini të gjitha burimet e ujit dhe do të shkatërroni me gurë të gjitha parcelat e mira të tokës"".

20 Të nesërmen, në orën në të cilën ofrohet blatimi i ushqimit, ja që erdhi uji nga ana e Edomit dhe vendi u mbush plot me ujë.

21 Tërë Moabitët, që mësuan që këta mbretër kishin dalë për të bërë luftë, mblodhën tërë ata që ishin në gjendje të mbanin armë, të rinj dhe pleq, dhe u rreshtuan në kufi.

22 Kur u ngritën në mëngjes herët, dielli shndriste mbi ujërat; atëherë Moabitët panë para tyre ujërat të kuqë si gjak;

23 dhe thanë: "Po ky është gjak! Me siguri këta mbretër janë përleshur dhe kanë vrarë njeri tjetrin. Kështu, pra, o Moab, të bëjmë plaçkë!".

24 Kështu u sulën drejt kampit të Izraelit; por Izaelitët u ngritën dhe i vunë përpara Moabitët, që ia mbathën para tyre. Hynë pastaj në vend dhe vazhduan t’i vrasin Moabitët.

25 Shkatëruan qytetet; çdo copë tokë të mirë e mbushën me gurë, duke hedhur secili gurin e tij; i zunë të gjitha burimet e ujit dhe prenë tërë drurët e mirë. Në Kir-Hareseth mbetën vetëm gurët, por hobetarët e rrethuan dhe e sulmuan.

26 Mbreti i Moabit, duke parë që beteja ishte tepër e fortë për të, mori me vete shtatëqind veta që vringëllonin shpatat, për të çarë rrugën deri te mbreti i Edomit; por nuk mundën.

27 Atëherë ai mori të parëlindurin e tij që do të mbretëronte në vend të tij, dhe e ofroi si olokaust mbi muret. Pati atëherë një zemërim të madh kundër atyre Izraelitëve që u larguan nga ai dhe u kthyen në vendin e tyre.

2 Thesalonikasve 3

Më në fund, o vëllezër, lutuni për ne, që fjala e Zotit të përhapet me të shpejtë dhe të lëvdohet, porsi ndër ju,

dhe derisa të shpëtojmë nga njerëzit e çoroditur dhe të këqij, sepse jo të gjithë kanë besim.

Por Zoti është besnik, dhe ai do t’ju forcojë dhe do t’ju ruajë nga i ligu.

Dhe ne kemi besim për ju te Zoti, se gjërat që ju porositëm po i bëni dhe do t’i bëni.

Edhe Zoti i drejtoftë zemrat tuaja te dashuria e Perëndisë dhe te qëndrueshmëria e Krishtit.

Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh.

Sepse ju e dini vetë se si duhet të na shëmbëlleni, sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt midis jush,

dhe nuk kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por punuam me mundim e cfilitje ditë e natë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush.

Jo se ne nuk e kemi këtë të drejtë, po për t’ju dhënë ne vetë një shëmbull që ju të na imitonit.

10 Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë.

11 Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota.

12 Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.

13 Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.

14 Dhe nëqoftëse dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet.

15 Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla.

16 Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë.

17 Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu.

18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.

Danieli 7

Në vitin e parë të Belshatsarit, mbretit të Babilonisë, Danieli, kur ishte në shtrat, pa një ëndërr dhe pati vegime në mendjen e tij. Pastaj shkroi ëndërrën dhe tregoi thelbin e ngjarjes.

Danieli, pra, filloi të thotë: "Unë shikoj në vegimin tim, natën, dhe ja, katër erërat e qiellit tronditnin Detin e Madh,

dhe katër kafshë të mëdha po dilnin nga deti, njera ndryshe nga tjetra.

E para i ngjante një luani dhe kishte krahë shqiponje. Unë shikoja deri sa ia shkulën krahët, pastaj e ngritën nga toka e vunë të qëndrojë drejt mbi dy këmbët e veta si një njeri dhe iu dha një zemër njeriu.

Dhe ja një kafshë tjetër, e dyta, që i ngjante një ariu; ngrihej mbi një krah dhe kishte tri brinjë në gojë, midis dhëmbëve, dhe i thanë: "Çohu, ha shumë mish".

Mbas kësaj unë shikoja, dhe ja një tjetër që i ngjante një leopardi, dhe që kishte katër fletë shpendi mbi kurrizin e vet; kafsha kishte katër koka dhe iu dha sundimi.

Mbas kësaj, unë shikoja në vegime nate, dhe ja një kafshë e katërt e llahtarshme, e tmerrshme, jashtëzakonisht e fuqishme; kishte dhëmbë të mëdha prej hekuri; hante, thërrmonte dhe shtypte kusurin me këmbë; ishte ndryshe nga të gjitha kafshët e mëparshme dhe kishte dhjetë brirë.

Isha duke vërejtur brirët, kur ja, midis tyre filloi të dalë një bri tjetër i vogël, para të cilit tre nga brirët e parë u shkulën; dhe ja, në atë bri ishin disa sy që i përngjanin syve të njeriut dhe një gojë që thoshte gjëra të mëdha.

Unë vazhdova të shikoj deri sa u vendosën fronet dhe i Lashti i ditëve u ul. Veshja e tij ishte e bardhë si bora, flokët e kokës së tij ishin si leshi i pastër; froni i tij ishte si flokët e zjarrit dhe rrotat e tij si zjarr përvëlues.

10 Një lumë zjarri rridhte, duke dalë nga prania e tij; mijëra e mijëra njerëz i shërbenin dhe mori dhe mori qëndronin përpara tij. Gjykimi u bë dhe librat u hapën.

11 Atëherë unë shikova për shkak të fjalëve të mëdha që briri thoshte; shikova deri sa u vra kafsha, dhe trupi i saj u shkatërrua dhe u hodh në zjarr për t’u djegur.

12 Sa për kafshët e tjera, u hoq sundimi i tyre por iu lejua atyre një zgjatje e jetës për një periudhë të caktuar kohe.

13 Unë shikoja disa vegime nate, dhe ja mbi retë e qiellit po vinte dikush që i ngjante një Biri njeriu; ai arriti deri te i Lashti i ditëve dhe iu afrua atij.

14 Atij iu dha sundimi, lavdia dhe mbretëria, me qëllim që gjithë popujt, kombet dhe gjuhët t’i shërbenin; sundimi i tij është një sundim i përjetshëm që nuk do të kalojë, dhe mbretëria e tij është një mbretëri që nuk do shkatërrohet kurrë".

15 "Sa për mua, Danielin, fryma ime mbeti e brengosur në mbështjellën e trupit dhe vegimet e mendjes sime më turbulluan.

16 Iu afrova njërit nga ata që ishin aty afër dhe e pyeta mbi të vërtetën që lidhej me tërë këtë punë; dhe ai më foli dhe më bëri të njohur interpretimin e atyre gjërave:

17 "Këto kafshë të mëdha, që janë katër, përfaqësojnë katër mbretër që do të dalin nga toka;

18 pastaj shenjtorët e Shumë të Lartit do të marrin mbretërinë dhe do ta zotërojnë përjetë, në përjetësi".

19 Atëherë dëshirova të mësoj të vërtetën lidhur me kafshën e katërt, që ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat dhe jashtëzakonisht e tmerrshme, me dhëmbë prej hekuri dhe me thonj prej bronzi, që hante, thërrmonte dhe shkelte me këmbë kusurin,

20 dhe lidhur me dhjetë brirët që kishte mbi kokë, dhe lidhur me bririn tjetër që i dilte dhe para të cilit kishin rënë tre brirë, domethënë briri që kishte sy dhe gojë për të thënë gjëra të mëdha dhe që dukej më i madh se brirët e tjerë.

21 Unë shikoja dhe po ky bri bënte luftë kundër shenjtorëve dhe i mundte,

22 deri sa arriti i Lashti i ditëve dhe iu dha e drejta shenjtorëve të Shumë të Lartit, dhe erdhi koha në të cilën shenjtorët zotëruan mbretërinë.

23 Dhe ai më foli kështu: "Kafsha e katërt do të jetë një mbretëri e katërt mbi tokë, që do të jetë ndryshe nga të gjitha mbretëritë e tjera, dhe do të hajë tërë tokën, do ta shkelë dhe do ta thërrmojë.

24 Dhjetë brirët janë dhjetë mbretër që do të dalin nga kjo mbretëri; mbas tyre do të dalë një tjetër, që do të jetë ndryshe nga të mëparshmit dhe do të rrëzojë tre mbretër.

25 Ai do të shqiptojë fjalë kundër Shumë të Lartit, do të përndjekë shenjtorët e Shumë të Lartit me qëllim që t’i shfarosë dhe do të mendojë të ndryshojë kohërat dhe ligjin; shenjtorët do të bien në duart e tij për një farë kohe, disa kohë dhe për gjysmën e një kohe.

26 Pastaj do të bëhet gjyqi dhe do t’i hiqet sundimi, i cili do të asgjësohet dhe do të shkatërrohet përjetë.

27 Pastaj mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t’i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme, dhe të gjitha zotërimet do t’i shërbejnë dhe do t’i binden atij".

28 Këtu mbaruan fjalët që më ishin drejtuar. Sa për mua, Danielin, mendimet e mia më turbulluan shumë dhe ndryshova pamje por i ruajta fjalët në zemrën time".

Psalmet 114-115

114 Kur Izraeli doli nga Egjipti dhe shtëpia e Jakobit nga një popull që fliste një gjuhë të huaj,

Juda u bë shenjtorja e tij dhe Izraeli zotërimi i tij.

Deti e pa dhe iku, Jordani u kthye prapa.

Malet u hodhën si desh dhe kodrat si qengja.

Ç’pate ti, o det, që ike, dhe ti, o Jordan, që u ktheve prapa?

Dhe ju, o male, që u hodhët si desh, dhe ju, o kodra, si qengja?

Dridhu, o tokë, në prani të Zotit, në prani të Perëndisë të Jakobit,

që e shndërroi shkëmbin në liqen, shkrepin në një burim uji.

115 Jo neve, o Zot, jo neve, por emrit tënd jepi lavdi, për mirësinë tënde dhe për besnikërinë tënde.

Sepse do të thonë kombet: "Ku është tani Perëndia i tyre?".

Por Perëndia ynë është në qiejtë dhe bën tërë atë që i pëlqejnë.

Idhujt e tyre janë argjend dhe ar, vepër e duarve të njeriut.

kanë gojë por nuk flasin, kanë sy por nuk shohin,

kanë veshë por nuk dëgjojnë, kanë hundë por nuk nuhasin,

kanë duar por nuk prekin, kanë këmbë por nuk ecin; me grykën e tyre nuk nxjerrin asnjë zë.

Njëlloj si ata janë ata që i bëjnë, tërë ata që u besojnë atyre.

O Izrael, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

10 O shtëpi e Aaronit, ki besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

11 O ju që keni frikë nga Zoti; kini besim tek Zoti! Ai është ndihma e tyre dhe mburoja e tyre.

12 Zoti na kujtoi dhe do të na bekojë; po, ai do të bekojë shtëpinë e Izraelit dhe do të bekojë shtëpinë e Aaronit.

13 Ai do të bekojë ata që kanë frikë nga Zoti, të vegjël dhe të mëdhenj.

14 Zoti ju bëftë të rriteni, ju dhe bijtë tuaj.

15 Qofshin të bekuar nga Zoti, që ka bërë qiejtë dhe tokën.

16 Qiejtë janë qiejtë e Zotit, por tokën ai ua ka dhënë bijve të njerëzve.

17 Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë të Zotin, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.

18 Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja.