Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 11

11 Por mbreti Salomon, veç bijës së Faraonit, dashuroi shumë gra të huaja, moabite, amonite, idumeje, sidonie dhe hiteje,

që u përkisnin popujve për të cilët Zoti u kishte thënë bijve të Izraelit: "Ju nuk do të lidhni martesë me ta, as ata me ju, sepse ata do ta kthejnë me siguri zemrën tuaj nga perënditë e tyre". Por Salamoni u bashkua me këto gra nga dashuria.

Ai pati si bashkëshorte shtatëqind princesha dhe treqind konkubina; dhe bashkëshortet e tij ia çoroditën zemrën.

Kështu, kur Salomoni u plak, bashkëshortet e tij ia kthyen zemrën në drejtim të perëndive të tjera; dhe zemra e tij nuk i përkiste plotësisht Zotit, Perëndisë të tij, ashtu si zemra e Davidit, atit të tij.

Salomoni ndoqi, pra, Ashtorethin, perëndeshën e Sidonëve, dhe Milkomin, të neveritshmin e Amonitëve.

Kështu Salomoni bëri atë që ishtë e keqe në sytë e Zotit dhe nuk e ndoqi tërësisht Zotin, ashtu si kishte bërë i ati David.

Atëherë Salomoni ndërtoi mbi malin përballë Jeruzalemit një vend të lartë për Kemoshin, të neveritshmin e Moabit, dhe për Molekun, të neveritshmin e bijve të Amonit.

Kështu bëri për të gjitha bashkëshortet e huaja të tij që digjnin temjan dhe u ofronin flijime perëndive të tyre.

Prandaj Zoti u zemërua me Solomonin, sepse zemra e tij qe larguar nga Zoti, Perëndia i Izraelit, që i ishte shfaqur dy herë,

10 dhe lidhur me këtë e kishte urdhëruar të mos shkonte pas perëndive të tjera; por ai nuk respektoi atë që Zoti e kishte urdhëruar.

11 Prandaj Zoti i tha Salomonit: "Me qenë se kë bërë këtë gjë dhe nuk ke respektuar besëlidhjen time dhe statutet e mia që të kisha urdhëruar, unë do të ta heq mbretërinë nga dora dhe do t’ja jap shërbëtorit tënd.

12 Megjithatë, për dashurinë që ndiej për Davidin, atin tënd, këtë nuk do ta bëj gjatë jetës sate, por do ta heq nga duart e birit tënd.

13 Por nuk do t’i marr tërë mbretërinë, do t’i lë birit tënd një fis, për dashurinë që ndiej për Davidin, shërbëtorin tim, dhe për hir të Jeruzalemit që kam zgjedhur".

14 Zoti ngriti kundër Salomonit një armik, Hadadin, Idumeon, që ishte një pasardhës i mbretit të Edomit.

15 Kur Davidi kishte vajtur të luftonte në Edom, dhe kur Joabi, komandant i ushtrisë, kishte dalë për të varrosur të vdekurit, mbasi kishte vrarë tërë meshkujt që ishin në Edom,

16 (Joabi, pra, me të gjithë Izraelin kishte mbetur atje gjashtë muaj deri sa i shfarosi gjithë meshkujt në Edom),

17 ndodhi që Hadadi arriti të ikë bashkë me disa Idumej në shërbim të atit të tij, për të vajtur në Egjipt. Atëherë Hadadi ishte djalosh.

18 Ata u nisën nga Madiani dhe shkuan në Paran; morën pastaj me vete njerëz nga Parani dhe arritën në Egjipt te Faraoni, mbret i Egjiptit, i cili i dha Hadadit një shtëpi, i siguroi ushqim dhe i dha madje edhe toka.

19 Hadadi ia fitoi zemrën Faraonit deri në atë pikë sa ai i dha për grua motrën e bashkëshortes së tij, motrën e mbretëreshës Tahpenes.

20 Motra e Tahpenes i lindi djalin Genubath, që Tahpenes rriti në shtëpinë e Faraonit; dhe Genubathi mbeti në shtëpinë e Faraonit midis bijve të Faraonit.

21 Kur Hadadi në Egjipt mësoi që Davidi ishte shtrirë pranë etërve të tij në një gjumë të rëndë dhe që Joabi, komandant i ushtrisë kishte vdekur, Hadadi i tha Faraonit: "Më ler të iki, dhe të shkoj në vendin tim".

22 Faraoni iu përgjigj: "Çfarë të mungon tek unë që kërkon të shkosh në vendin tënd?". Ai i tha: "Asgjë, megjithatë më lër të shkoj".

23 Perëndia ngriti kundër Salomonit një armik tjetër, Rezonin, birin e Eliadahut, që kishte ikur nga zotëria e tij, Hadadezeri, mbret i Tsobahut.

24 Ai mblodhi rreth tij disa njerëz dhe u bë kryetar i një bande grabitësish, kur Davidi kishte masakruar ata të Tsobahut. Pastaj ata shkuan në Damask, u vendosën atje dhe mbretëruan në Damask.

25 Rezoni qe armik i Izraelit gjatë gjithë kohës së Salomonit (përveç së keqes që bëri Hadadi). Kishte neveri për Izraelin dhe mbretëroi në Siri.

26 Edhe Jeroboami, shërbëtor i Salomonit, ngriti krye kundër mbretit. Ai ishte bir i Nebatit, Efrateut të Tseredës, dhe kishte nënë një të ve me emrin Tseruah.

27 Arsyeja pse ngriti krye kundër mbretit ishte kjo: Salomoni, duke ndërtuar Milon, kishte mbyllur të çarën e qytetit të Davidit, atit të tij.

28 Jeroboami ishte një njeri i fortë dhe trim; dhe Salomoni, duke parë se si punonte ky i ri, i besoi mbikqyrjen e të gjithë atyre që merreshin me punimet e shtëpisë së Jozefit.

29 Në atë kohë, ndërsa Jeroboami po dilte nga Jeruzalemi, profeti Ahijah nga Shilohu, që kishte veshur një mantel të ri, e takoi rrugës; dhe ishin ata të dy vetëm në fushë.

30 Ahijahu mori mantelin e ri që vishte dhe e grisi në dymbëdhjetë pjesë;

31 pastaj i tha Jeroboamit: "Merr për vete dhjetë pjesë, sepse kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Ja, unë do ta heq mbretërinë nga duart e Salomonit dhe do të të jap ty dhjetë fise,

32 (por atij do t’i mbetet një fis për hir të Davidit, shërbëtorit tim, dhe për hir të Jeruzalemit, për qytetin që kam zgjedhur midis gjithë fiseve të Izraelit),

33 sepse ata më kanë braktisur dhe kanë rënë përmbys përpara Ashtorethit, perëndeshës së Sidonitëve, përpara Kemoshit, perëndisë së Moabit, dhe përpara Milkomit, perëndisë së bijve të Amonit, dhe nuk kanë ecur në rrugët e mia për të bërë atë që është e drejtë në sytë e mi dhe për të respektuar statutet dhe dekretet e mia, ashtu si bëri ati i tij, Davidi.

34 Megjithatë nuk do të heq nga duart e tij tërë mbretërinë, sepse e kam caktuar princ për të gjithë kohën e jetës së tij, për dashurinë që ndjej për Davidin, shërbëtorin tim, që unë kam zgjedhur dhe që ka respektuar urdhërimet dhe statutet e mia.

35 Por do të heq mbretërinë nga duart e të birit, dhe do të të jap ty dhjetë fise;

36 birit të tij do t’i lë një fis, me qëllim që Davidi, shërbëtori im, të ketë gjithmonë një llambë para meje në Jeruzalem, qytet që kam zgjedhur për t’i vënë emrin tim.

37 Kështu do të të marr ty dhe ti do të mbretërosh mbi gjithçka dëshiron zemra jote, dhe do të jesh mbret i Izraelit.

38 Në rast se dëgjon me kujdes të gjitha ato që po të urdhëroj dhe ecën në rrugët e mia, dhe bën atë që është e drejtë në sytë e mi, duke respektuar statutet dhe urdhërimet e mia, ashtu siç veproi Davidi, shërbëtori im, unë do të jem me ty dhe do të të ndërtoj një shtëpi të qëndrueshme, ashtu si ja ndërtova Davidit, dhe do të të jap Izraelin;

39 për këtë do të poshtëroj pasardhësit e Davidit, por jo për gjithnjë"".

40 Prandaj Salomoni kërkoi të shkaktonte vdekjen e Jeroboamit; por Jeroboami u ngrit dhe iku në Egjipt pranë Shishakut, mbretit të Egjiptit, dhe qëndroi në Egjipt deri sa vdiq Salomoni.

41 Pjesa tjetër e bëmave të Salomonit, gjithë ato që bëri dhe dituria e tij a nuk janë vallë të shkruara në librin e bëmave të Salomonit?

42 Salomoni mbretëroi në Jeruzalem mbi të gjithë Izraelin dyzet vjet.

43 Pastaj Salomonin e zuri gjumi me etërit e tij dhe u varros në qytetin e Davidit, atit të tij; në vend të tij mbretëroi i biri, Roboami.

Filipianëve 2

Pra, në qofte se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim e dhembshuri,

atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njejtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme.

Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten.

Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.

Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin,

i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,

por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit;

dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.

Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër,

10 që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore,

11 dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.

12 Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje,

13 sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.

14 Bëni çdo gjë pa u ankuar dhe pa kundërshtime,

15 që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë pa të meta në mes të një brezi të padrejtë dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë, duke e mbajtur lart fjalën e jetës,

16 që unë të kem me se të krenohem në ditën e Krishtit, se nuk vrapova kot dhe as nuk u mundova kot.

17 Por, edhe sikur unë të jem derdhur si flijim dhe shërbesë të besimit tuaj, gëzohem dhe ngazëlloj me ju të gjithë.

18 Po ashtu edhe ju gëzohuni dhe ngazëllohuni me mua.

19 Por shpresoj, në Zotin Jezus, t’ju dërgoj së shpejti Timoteun, që edhe unë duke njohur kushtet tuaja të inkurajohem,

20 sepse nuk kam asnjë në një mendje me mua, që të kujdeset sinqerisht për gjërat tuaja.

21 Sepse në fakt të gjithë kërkojnë interesin e vet dhe jo gjërat e Jezu Krishtit.

22 Por ju e njihni provën e tij se si shërbeu bashkë me mua për ungjillin, si një bir i shërben të atit.

23 Shpresoj, pra, t’jua dërgoj atë, posa të kem sistemuar kompletisht gjërat e mia.

24 Dhe kam besim te Zoti që edhe unë vetë do të vij së shpejti.

25 Por m’u duk e nevojshme t’ju dërgoj Epafroditin, vëllanë tim dhe bashkëpunëtorin e bashkëluftëtarin tim, që ma patët dërguar si shërbenjës në nevojat e mia,

26 sepse kishte shumë mall për ju të gjithë dhe ishte shumë i vrarë sepse kishit dëgjuar se ishte i sëmurë.

27 Edhe vërtetë ai qe i sëmurë, gati për vdekje, por Perëndia pati mëshirë për të dhe jo vetëm për të, por edhe për mua, që të mos kisha trishtim mbi trishtim.

28 Për këtë arsye jua dërgova me aq më shumë ngut, që ju, kur ta shihni përsëri, të gëzoheni dhe unë të kem më pak trishtim.

29 Priteni, pra, me gëzim të madh në Zotin dhe nderoni të tillë njerëz si ai,

30 sepse për veprën e Krishtit ai qe shumë afër vdekjes, duke e vënë në rrezik jetën e vet, për të përmbushur zbrazëtitë e shërbesës tuaj ndaj meje.

Ezekieli 41

41 Pastaj më çoi në shenjtërore dhe mati shtyllat; gjashtë kubitë gjërësi nga një anë dhe gjashtë kubitë gjerësi nga ana tjetër, ashtu siç ishte gjerësia e tabernakullit.

Gjerësia e hyrjes ishte dhjetë kubitë dhe muret anësore të hyrjes pesë kubitë nga një anë dhe pesë kubitë nga ana tjetër. Mati gjatësinë e shenjtërores: dyzet kubitë, dhe gjerësinë e tij njëzet kubitë.

Pastaj hyri brenda dhe mati mbajtëset e portës: dy kubitë; porta ishte gjashtë kubitë dhe gjerësia e saj shtatë kubitë.

Mati gjatësinë e saj: njëzet kubitë, dhe gjerësinë e saj përpara shenjtërores, njëzet kubitë; pastaj më tha: "Ky është vend shumë i shenjtë".

Pastaj mati murin e tempullit: gjashtë kubitë; ndërsa gjerësia e çdo dhome anësore rreth e rrotull tempullit ishte katër kubitë.

Dhomat anësore ishin me tre kate, njëra mbi tjetrën, tridhjetë dhoma për kat; ato mbështeteshin mbi disa dalje të murit të tempullit, të bëra rreth e qark për dhomat anësore; kështu ishin ngjitur por nuk mbështeteshin mbi murin e tempullit.

Madhësia e dhomave anësore rritej dora dorës që kalohej nga një kat në tjetrin, sepse daljet e strukturës së murit të tempullit vinin si shkallare rreth e qark tempullit; prandaj madhësia e strukturës së tempullit rritej dora dorës që ngjiteshe nga kati i poshtëm në të lartin dhe duke kaluar nëpër atë të mesit.

Pashë gjithashtu rreth tempullit një lartësim; themelet e dhomave anësore ishin sa një kallam i tërë prej gjashtë kubitësh.

Gjerësia e murit të jashtëm të dhomave anësore ishte pesë kubitë; hapësira e lënë e lirë ndërmjet dhomave anësore që i përkisnin tempullit

10 dhe dhomat e jashtme ishte njëzet kubitë rreth e qark tempullit.

11 Portat e dhomave anësore shikonin nga hapësira e lirë: një portë nga veriu dhe tjetra nga jugu; gjerësia e hapësirës së lirë ishte pesë kubitë rreth e qark.

12 Ndërtimi që ndodhej përballë hapësirës boshe nga ana e perëndimit kishte një gjerësi prej gjashtëdhjetë kubitësh; muri i ndërtimit ishte i trashë pesë kubitë rreth e qark dhe i gjatë nëntëdhjetë kubitë.

13 Pastaj mati tempullin, që kishte një gjatësi prej njëqind kubitësh. Hapësira boshe, konstruksioni dhe muret e tij kishin gjithashtu njëqind kubitë gjatësi.

14 Gjerësia e fasadës së tempullit dhe hapësira boshe nga ana lindore ishin njëqind kubitë.

15 Mati gjatësinë e ndërtimit përpara hapësirës boshe të konstruksionit, në pjesën e pasme të tij, me gjithë galeritë nga një anë dhe nga ana tjetër: njëqind kubitë. Kështu mati pjesën e brendëshme të shenjtërores dhe atriumet e oborrit.

16 Pragjet, dritaret me kanata dhe galeritë rreth e rrotull tri kateve përballë pragjeve ishin mbuluar me dru rreth e qark, nga dyshemeja deri te dritaret (dritaret ishin të mbuluara),

17 deri mbi portën, në pjesën e brendëshme dhe të jashtme të tij të tempullit përqark, brenda dhe jashtë, me përmasa të përpikta.

18 Ishin riprodhuar kerubinë dhe palma, një palmë midis kerubinit dhe kerubinit; çdo kerubin kishte dy fytyra:

19 fytyra e njeriut ishte e kthyer drejt një palme nga një anë, dhe fytyra e luanit ishte e kthyer drejt palmës tjetër nga ana tjetër. Ishin riprodhuar rreth a qark tempullit.

20 Nga dyshemeja deri përmbi portën dhe mbi murin e shenjtërores ishin riprodhuar kerubinë dhe palma.

21 Shtalkët e shenjtërores ishin katrorë, po kështu fasada e vendit të shenjtë; pamja e njerës ishte si pamja e tjetrës.

22 Altari ishte prej druri, i lartë tre kubitë dhe i gjatë dy kubitë; qoshet e tij, gjatësia dhe faqet e tij ishin prej druri. Burri më tha: "Kjo është tryeza që rri para Zotit".

23 Shenjtërorja dhe vendi i shenjtë kishin dy porta.

24 Çdo portë kishte dy kanate, dy kanate që mblidheshin dysh: dy kanate për një portë dhe dy kanate për tjetrën.

25 Mbi to, mbi portat e shenjtërores, ishin gdhendur kerubinë dhe palma, si ata që ishin gdhendur mbi mure. Mbi fasadën e atriumit, nga jashtë, kishte një strehore prej druri.

26 Kishte dritare me grilje dhe palma nga të dy anët, mbi muret anësorë të atriumit dhe mbi dhomat anësore të tempullit dhe mbi strehoret.

Psalmet 92-93

92 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;

të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,

me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.

Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.

Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!

Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:

që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë.

Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.

Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.

10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.

11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.

12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.

13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.

14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,

15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.