M’Cheyne Bible Reading Plan
7 Atëherë Eliseu tha: "Dëgjoni fjalën e Zotit! Kështu thotë Zoti: "Nesër në këtë orë, në portën e Samarisë një masë maje mielli do të kushtojë një sikël dhe dy masa elbi do të kushtojnë gjithashtu një sikël"".
2 Por kapiteni, në krahun e të cilit mbështetej mbreti, iu përgjigj njeriut të Perëndisë: "Ja, edhe sikur Zoti të bënte dritare në qiell, a do të ndodhte, vallë një gjë e tillë?". Eliseu u përgjigj: "Mirë, pra, ke për ta parë me sytë e tu, por nuk do t’i hash".
3 Kishte katër lebrozë në hyrje të portës, të cilët i thanë njeri tjetrit: Pse po rrimë ulur këtu duke pritur vdekjen??
4 Në rast se themi: "Le të hyjmë në qytet," atje sundon uria dhe aty kemi për të vdekur; në rast se mbetemi këtu, do të vdesim njëlloj. Prandaj ejani, të shkojmë të paraqitemi te kampi i Sirëve; po të jetë se na lënë të gjallë, do të jetojmë; po të jetë se na vrasin, do të vdesim".
5 Në muzg u ngritën për të vajtur në kampin e Sirëve; kur arritën në skajin e kampit të Sirëve, atje nuk kishte njeri.
6 Perëndia në të vërtetë kishte bërë që ushtria e Sirëve të dëgjonte një zhurmë qerresh dhe kuajsh, zhurmën e një ushtrie të madhe, dhe ata i kishin thënë njeri tjetrit: "Ja, mbreti i Izraelit ka rekrutuar kundër nesh mbretin e Hitejve dhe mbretin e Egjiptasve për të na sulmuar".
7 Prandaj ata, në muzg, ishin ngritur dhe kishin ikur duke braktisur çadrat, kuajt dhe gomarët e tyre, tërë kampin siç ishte; kishin ikur kështu për të shpëtuar kokën.
8 Kur arritën në skajin e kampit, këta lebrozë hynë në një çadër, ku hëngrën e pinë; morën me vete argjend, ar dhe rroba, dhe shkuan t’i fshehin. Pastaj u kthyen dhe hynë në një çadër tjetër; edhe andej morën shumë gjëra dhe shkuan t’i fshehin.
9 Pastaj thanë midis tyre: "Nuk veprojmë mirë kështu; kjo është ditë sihariqi, por ne nuk hapim as gojën. Në rast se presim deri në mëngjes, mund të pësojmë ndonjë ndëshkim. Prandaj tani të nxitojmë dhe të shkojmë të njoftojmë shtëpinë e mbretit".
10 Kështu shkuan dhe thirrën rojet e qytetit, jua njoftuan gjendjen duke thënë: "Kemi shkuar në kampin e Sirëve dhe ja, nuk kishte njeri dhe as nuk dëgjohej zë njeriu; aty kishte vetëm kuaj dhe gomarë të lidhur dhe çadra të paprekura".
11 Atëherë rojet thirrën dhe e çuan lajmin brenda shtëpisë së mbretit.
12 Kështu mbreti u ngrit natën dhe u tha shërbëtorëve të tij: "Do t’ju them unë ç’na kanë bërë Sirët. Duke ditur që ne jemi të uritur dolën nga kampi për t’u fshehur në fushë, duke thënë: "Si të dalim nga qyteti, do t’i kapim të gjallë dhe pastaj do të hyjmë në qytet"".
13 Një nga shërbëtorët e tij iu përgjigj: "Të lutem, lejo që disa njerëz të marrin pesë nga kuajt që akoma mbeten në qytet. Ja, ata do të jenë e shumta si shumica e Izraelit që ka mbetur në qytet, ose si shumica e Izraezlit që tashmë ka vdekur; t’i çojmë, pra, të shohin".
14 Morën, pra, dy qerre me kuajt e tyre dhe mbreti i dërgoi në gjurmët e ushtrisë së Sirëve, duke thënë: "Shkoni dhe shikoni".
15 Kështu ata shkuan prapa tyre deri në Jordan; por ja, tërë rruga ishte plot me rroba dhe me armë që sirët i kishin hedhur rrugës gjatë ikjes së tyre të nxituar. Pastaj lajmëtarët u kthyen dhe ia njoftuan gjendjen mbretit.
16 Atëherë populli doli jashtë dhe plaçkiti kampin e Sirëve; një masë maje mielli kushtonte një sikël, dhe dy masa elbi kushtonin gjithashtu një sikël, sipas fjalës së Zotit.
17 Mbreti kishte vënë si roje të portës kapitenin në krahun e të cilit mbështetej; por populli e shkeli pranë portës dhe ai vdiq, ashtu si kishte thënë njeriu i Perëndisë, kur i foli mbretit që kishte zbritur për ta takuar.
18 Ndodhi pikërisht ashtu siç i kishte folur mbretit njeriu i Perëndisë, duke i thënë: "Nesër, në këtë orë, në portën e Samarisë dy masa elbi do të kushtojnë një sikël dhe një masë maje mielli do të kushtojë gjithashtu një sikël".
19 Kapiteni i ishte përgjigjur pastaj njeriut të Perëndisë, duke i thënë: Ja, edhe sikur Zoti të hapë dritare në qiell, a ka për të ndodhur një gjë ee tillë?". Eliseu i kishte dhënë këtë përgjigje: "Mirë, pra, do ta shohësh me sytë e tua, por nuk do të hash".
20 I ndodhi pikërisht kjo: populli e shkeli me këmbë pranë portës dhe ai vdiq.
4 Dhe Fryma e thotë shkoqur se në kohët e fundit disa do ta mohojnë besimin, duke u vënë veshin frymëve gënjeshtare dhe doktrinave të demonëve,
2 që flasin gënjeshtra me hipokrizi, të damkosur në ndërgjegjen e tyre,
3 të cilët do të ndalojnë martesën dhe do të urdhërojnë të mos hani ushqimet që Perëndia i krijoi, të merren me falënderim nga ata që besojnë dhe e njohin të vërtetën.
4 Sepse çdo krijesë e Perëndisë është e mirë dhe asgjë s’është për t’u hedhur, nëse merret me falënderim,
5 sepse është shenjtëruar nga fjala e Perëndisë dhe nga lutja.
6 Duke ua propozuar këto gjëra vëllezërve, ti do të jesh një shërbyes i mirë i Jezu Krishtit, i ushqyer me fjalët e besimit dhe të mësimit të mirë, që ke kuptuar plotësisht.
7 Shmangu pra nga përrallat profane dhe të të vjetërve, edhe ushtrohu në perëndishmëri,
8 sepse ushtrimi i trupit është i dobishëm për pak gjë, kurse perëndishmëria është e dobishme për çdo gjë, sepse përmban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.
9 Kjo fjalë është e sigurt dhe e denjë për t’u pranuar në çdo mënyrë.
10 Për këtë, në fakt, ne po mundohemi dhe na shajnë, sepse kemi shpresuar në Perëndinë e gjallë, që është Shpëtimtari i gjithë njerëzve dhe sidomos i besimtarëve.
11 Urdhëro këto gjëra dhe mëso këto gjëra.
12 Askush të mos e shpërfillë moshën tënde të re, por bëhu shembull për besimtarët në fjalë, në sjellje, në dashuri, në Frymë, në besim dhe në dëlirësi.
13 Kushtoju leximit, këshillimit dhe mësimit derisa të vij unë.
14 Mos e lër pas dore dhuntinë që është në ty, e cila të është dhënë me anë profecie, me vënien e duarve nga ana e pleqësisë.
15 Kujdesu për këto gjëra dhe kushtoju atyre tërësisht, që përparimi yt të jetë i dukshëm për të gjithë.
16 Ruaje veten tënde dhe mësimin, qëndro në këto gjëra, sepse, duke vepruar kështu, do të shpëtosh veten dhe ata që të dëgjojnë.
11 Gjatë vitit të parë të Darit, Medasit, unë vetë qëndrova pranë tij për ta përkrahur dhe për ta mbrojtur.
2 "Dhe tani do të të bëj të njohur të vërtetën. Ja, në Persi do të dalin akoma tre mbretër, por i katërti do të bëhet shumë më i pasur se gjithë të tjerët; kur të jetë bërë i fortë për shkak të pasurive të tij, do t’i ngrerë të tërë kundër mbretërisë së Javanit.
3 Atëherë do të dalë një mbret i fuqishëm që do të sundojë mbi një perandori të madhe dhe do të bëjë çfarë të dojë.
4 Por kur të jetë formuar mbretëria e tij do të copëtohet dhe do të ndahet në drejtim të katër erërave të qiellit, por jo midis trashëgimtarëve të tij dhe as me po atë forcë me të cilën ai mbretëronte, sepse mbretëria e tij do të çrrënjoset dhe do t’u kalojë të tjerëve, dhe jo trashëgimtarëve.
5 Kështu mbreti i jugut do të bëhet i fortë, por një ndër princat e tij do të bëhet më i fortë nga ai dhe do të sundojë; sundimi i tij do të jetë një sundim i madh.
6 Mbas disa vjetëve do të lidhin aleancë; pastaj bija e mbretit të jugut do të vijë te mbreti i veriut për të bërë një marrëveshje, por nuk do ruajë më as forcën e fuqisë së saj, dhe nuk do të mund të zgjasë as ai as pushteti i tij; në ato kohëra ajo do t’i dorëzohet vdekjes bashkë me ata që e kanë çuar, që e kanë lindur dhe që e kanë mbështetur.
7 Por një nga pasardhësit nga rrënja e saj do të dalë dhe do të zërë vendin e saj; ai do të vijë kundër ushtrisë, do të hyjë në fortesat e mbretit të veriut, do të veprojë kundër tyre dhe do të dalë fitimtar.
8 Do të shpjerë gjithashtu si plaçkë në Egjipt perënditë e tyre me figurat e tyre të derdhura dhe me sendet e tyre të çmuara prej argjendi dhe prej ari, dhe për disa vjet do të rrijë larg mbretit të veriut.
9 Ky do të dalë kundër mbretit të jugut, por pastaj do të kthehet në vendin e tij.
10 Bijtë e tij do të përgatiten pastaj për luftë dhe do të mbledhin turma forcash të mëdha, dhe një prej tyre do të dalë me siguri përpara, do të vërshojë si një përmbytje dhe do të kalojë tutje për ta çuar luftën deri në fortesën e tij.
11 Atëherë mbreti i jugut, i tërbuar, do të dalë të luftojë kundër këtij, kundër mbretit të veriut, i cili do të mobilizojë një turmë të madhe, por turma do të bjerë në dorë të armikut.
12 Kur turmën do ta kenë çuar tutje, zemra e tij do të mbushet me krenari; do të mposhtë me mijëra, por nuk do të jetë më i fortë.
13 Në fakt mbreti i veriut do të mobilizojë përsëri një turmë edhe më të madhe se e mëparshmja, dhe pas një kohe të shkurtër do të përparojë me siguri me një ushtri të madhe dhe me pajime të shumta.
14 Në atë kohë shumë njerëz do të ngrihen kundër mbretit të jugut; edhe disa burra të dhunshëm të popullit tënd do të ngrihen për të realizuar vegimin, por do të rrëzohen.
15 Atëherë do të vijë mbreti i veriut, do të ngrerë një ledh dhe do të shtjerë në dorë një qytet të fortifikuar. Forcat e jugut nuk do të mundin t’i rezistojnë; as trupat e zgjedhura nuk do të kenë forcën për t’i rezistuar.
16 Ai që i ka ardhur kundra do të bëjë çfarë të dojë, dhe askush nuk do të mund t’i rezistojë; ai do të ndalet në vendin e lavdishëm duke pasur pushtet të shkatërrojë çdo gjë.
17 Pastaj do të vendosë të vijë me forcat e gjithë mbretërisë së tij, duke ofruar kushte të ndershme paqeje, dhe kështu ka për të bërë. Do t’i japë të bijën për grua për ta korruptuar, por ajo nuk do të mbajë anën e tij dhe nuk do ta favorizojë atë.
18 Pastaj do t’u drejtohet ishujve dhe do të shtjerë në dorë shumë prej tyre, por një komandant do të bëjë që të marrë fund arroganca e tij, duke bërë që ajo të bjerë mbi të.
19 Pastaj do të kthehet drejt fortesave të vendit të vet, por do të pengohet, do të rrëzohet dhe nuk do të gjendet më.
20 Në vend të tij do të dalë dikush që do të dërgojë një tagrambledhës për lavdinë e mbretërisë; por brenda pak ditëve ai do të zhduket, por jo në zemërim a në betejë.
21 Në vend të tij do të dalë një njeri i neveritshëm, që nuk do të ketë dinjitet mbretëror; ai do të vijë paqësisht, por do ta shtjerë në dorë mbretërinë me intriga.
22 Para tij forcat e mëdha do të thyhen dhe do të shkatërrohen, po ashtu edhe kreu i një aleance.
23 Menjëherë pasi të ketë lidhur një aleancë me të, ai do të veprojë me pabesi dhe do të arrijë në pushtet me pak njerëz.
24 Ai do të hyjë në mënyrë paqësore edhe në pjesët më të pasura të krahinës dhe do të bëjë atë që nuk kishin bërë kurrë as etërit e tij as etërit e etërve të tij; do të shpërndajë midis tyre plaçkë, plaçkën e luftës dhe pasuritë dhe do të hartojë plane kundër fortesave, por vetëm për një kohë.
25 Me një ushtri të madhe do t’i nxitë forcat e tij dhe zemrën e tij kundër mbretit të jugut. Mbreti i jugut do të futet në luftë me një ushtri të madhe dhe shumë të fuqishme, por nuk do të mund të rezistojë, sepse do të kurdisen komplote kundër tij.
26 Vetë ata që hanë bashkë me të do ta shkatërrojnë; ushtria e tij do të thyhet dhe shumë do të bien të vrarë.
27 Zemra e këtyre dy mbretërve do të drejtohet për të bërë keq; ata do të flasin gënjeshtra të ulur në të njëjtën tryezë, por gjëja nuk do të ketë sukses, sepse fundi do t’u vijë në kohën e caktuar.
28 Duke u kthyer në vendin e tij me pasuri të mëdha, zemra e tij do të vihet kundër besëlidhjes së shenjtë; kështu ai do të kryejë qëllimet e tij dhe pastaj do të kthehet në vendin e tij.
29 Në kohën e caktuar ai do të dalë përsëri kundër jugut, por këtë herë të fundit puna nuk do t’i vejë mbarë si herën e parë,
30 sepse anijet e Kitimit do të vijnë kundër tij; prandaj ai do të trembet, do të zemërohet përsëri kundër besëlidhjes së shenjtë dhe do të zbatojë planet e tij; kështu përsëri do të merret vesh me ata që kanë braktisur besëlidhjen e shenjtë.
31 Forca të dërguara prej tij do të ngrihen për të përdhosur shenjtëroren fortesë, do të ndalojnë flijimin e përditshëm dhe do të bëjnë veprime të neveritshme që shkaktojnë shkretim.
32 Me lajka ai do të korruptojë ata që veprojnë pabesisht kundër besëlidhjes; por populli i atyre që njohin Perëndinë e tyre do të tregojë qëndresë dhe do të veprojë.
33 Ata që kanë dituri midis popullit do të udhëzojnë shumë të tjerë, por për një kohë të shkurtër do të bien nga shpata, nga zjarri, nga mërgimi dhe nga plaçkitja.
34 Kur do të rrëzohen, do t’u jepet pak ndihmë, por shumë njerëz do të bashkohen me ta pa qenë të sinqertë.
35 Disa nga ata që kanë dituri do të bien, me qëllim që të përsosen, të pastrohen dhe të zbardhen deri në kohën e mbarimit, sepse kjo do të ndodhë në kohën e caktuar.
36 Pastaj mbreti do të veprojë si të dojë, do të lartohet, do të hyjnizohet përmbi çdo perëndi dhe do të thotë gjëra të habitshme kundër Perëndisë të perëndive; do të ketë sukses deri sa të mbushet kupa e indinjatës, sepse ajo që është dekretuar do të bëhet.
37 Ai nuk do të tregojë respekt për Perëndinë e etërve të tij dhe për dëshirën e grave; nuk do të ketë respekt për asnjë perëndi, sepse do të hyjnizojë veten përmbi të gjithë.
38 Por në vend të tyre ai do të nderojë perëndinë e fortesave dhe do të nderojë me ar, me argjend, me gurë të çmuar dhe me gjëra të këndshme, një perëndi, që etërit e tij nuk e njohën.
39 Ai do të veprojë kundër fortesave më të fortifikuara me ndihmën e një perëndie të huaj; do të mbushë me të mira ata që do ta njohin, do të bëjë që të sundojnë mbi shumë njerëz dhe do t’u japë toka si shpërblim.
40 Në kohën e fundit mbreti i jugut do të ndeshet me të, mbreti i veriut do të dalë kundër tij si një shakullimë, me qerre dhe kalorës dhe me shumë anije; do të depërtojë në vendet, do t’i përmbytë dhe do të kalojë tutje.
41 Do të hyjë edhe në vendin e lavdishëm dhe shumë njerëz do të vriten; por këta do të shpëtojnë nga duart e tij: Edomi, Moabi dhe pjesa më e madhe e bijve të Amonit.
42 Ai do të shtrijë dorën edhe mbi vende të ndryshme dhe as vendi i Egjiptit nuk do të shpëtojë.
43 Do të shtjerë në dorë thesaret prej ari dhe argjendi dhe të gjitha gjërat e çmuara të Egjiptit; Libianët dhe Etiopasit do t’i shkojnë pas.
44 Por lajmet e ardhura nga lindja dhe nga veriu do ta turbullojnë; prandaj ai do të niset me zemërim të madh për të shkatërruar dhe vendosur shfarosjen e shumë njerëzve.
45 Do t’i ngrerë çadrat e pallatit të tij midis deteve dhe malit të shenjtë të lavdishëm; pastaj do t’i vijë fundi dhe askush nuk do ta ndihmojë".
25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.
26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.
27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.
28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.
29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.
30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.
31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.
32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.
33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.
42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.
43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.
44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.
45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.
46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.
47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.
48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.