Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 20-21

20 Zoti të dhënte përgjigje ditën e fatkeqësisë; emri i Perëndisë të Jakobit të mbroftë me siguri lart.

Të dërgoftë ndihmë nga shenjtërorja dhe të dhëntë përkrahje nga Sioni;

Mos i harroftë të gjitha ofertat e tua dhe pranoftë olokaustin tënd. (Sela)

Të dhëntë atë që zemra jote dëshëron dhe plotësoftë të gjitha planet e tua.

Ne do të këndojmë tërë gaz në çlirimin tënd dhe do të lartojmë flamuret tona në emër të Perëndisë tonë. Zoti i plotësoftë të gjitha kërkesat e tua.

Tani e di që Zoti shpëton të vajosurin e tij; do t’i përgjigjet nga qielli i tij i shenjtë me forcën shpëtimtare të dorës së tij të djathtë.

Disa kanë besim te qerret dhe të tjerë te kuajt, por ne do të kujtojmë emrin e Zotit, Perëndisë tonë.

Ata u përkulën dhe ranë; por ne u ngritëm përsëri dhe mbahemi në këmbë.

Shpëtomë, o Zot; mbreti le të na përgjigjet ditën në të cilën do të këlthasim.

21 O Zot, mbreti do të gëzohet me forcën tënde dhe do të ngazëllojë për shpëtimin tënd!

Ti ia plotësove dëshirën e zemrës së tij dhe nuk hodhe poshtë kërkesën e buzëve të tij. (Sela)

Sepse ti i dole para me bekime begatie, i vure mbi kokë një kurorë prej ari shumë të kulluar.

Ai të kishte kërkuar jetë dhe ti i dhe ditë të gjata në përjetësi.

E madhe është lavdia e tij për shpëtimin tënd; ti i dhe madhështi dhe lavdi,

sepse ti e bën shumë të bekuar përjetë, e mbush me gëzim në praninë tënde.

Duke qenë se mbreti ka besim te Zoti dhe në mirësinë e Shumë të Lartit, ai nuk do të hiqet kurrë.

Dora jote do të arrijë tërë armiqtë e tu, dora jote e djathtë do të veprojë kundër atyre që të urrejnë.

Ti do t’i bësh si një furrë të zjarrtë kur do të dukesh i zemëruar; në zemërimin e tij Zoti do t’i hedhë në humnerë dhe zjarri do t’i përpijë.

10 Ti do të zhdukësh frytin e tyre nga toka dhe pasardhësit e tyre midis bijve të njerëzve,

11 sepse kanë kurdisur të keqen kundër teje dhe kanë përgatitur plane të këqija, por nuk do t’ia dalin.

12 Sepse ti do të bësh që ata të kthejnë kurrizin dhe do të drejtosh shigjetat e harkut tënd kundër fytyrës së tyre.

13 Çohu, o Zot, me forcën tënde; ne do të këndojmë dhe do të kremtojmë lëvdimet e fuqisë sate.

Psalmet 110

110 Zoti i thotë Zotërisë time: "Ulu në të djathtën time deri sa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

Zoti do ta shtrijë nga Sioni skeptrin e fuqisë sate. Ai sundon në mes të armiqve të tu.

Populli yt do të afrohet vullnetarisht ditën e pushtetit tënd; në madhështinë e shenjtërisë, nga gjiri i agimit, ti do të kesh vesën e rinisë sate.

Zoti është betuar dhe nuk do të pendohet: "Ti je prift përjetë sipas urdhërit të Melkisedekut".

Zoti është në të djathtën tënde. Ai ka për të zhdukur disa mbretër ditën e zemërimit të tij.

Ai do të gjykojë kombet, do t’i mbushë me kufoma dhe do të zhdukë qeveritarët e pjesës më të madhe të tokës.

Rrugës do të pijë ujë nga përroi dhe si pasojë do të ngrerë kokën.

Psalmet 116-117

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Vargonjtë e vdekjes më kishin rrethuar dhe ankthet e Sheolit më kishin pushtuar; fatkeqësia dhe dhembja më kishin vënë përfund.

Atëherë i kërkova ndihmë Zotit: "O Zot, të lutem, më shpëto".

Zoti është i dhemshur dhe i drejtë, Perëndia ynë është i mëshirshëm.

Zoti mbron njerëzit e thjeshtë; unë isha katandisur në një gjendje të mjeruar, dhe ai më shpëtoi.

Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde, sepse Zoti të mbushi me të mira.

Po, sepse ti ke çliruar jetën time nga vdekja, sytë e mi dhe lotët dhe këmbët e mia nga rrëzimi.

Unë do të eci në prani të Zotit në tokën e të gjallëve.

10 Unë kam besuar dhe prandaj flas. Unë isha shumë i pikëlluar,

11 dhe thoja gjatë përhumbjes sime: "Çdo njeri është gënjeshtar".

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

117 Lëvdoni Zotin, ju gjithë kombet! Kremtojini, ju gjithë popujt!

Sepse e madhe është dhemshuria e tij ndaj nesh, dhe besnikëria e Zotit vazhdon përjetë. Aleluja.

Jobi 9:1

Atëherë Jobi u përgjigj dhe tha:

Jobi 10:1-9

10 "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!

Do t’i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.

A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?

A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?

A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,

sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,

megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?

Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.

Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!

Jobi 10:16-22

16 Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.

17 Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.

18 Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!

19 Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.

20 A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;

21 para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,

22 të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira".

Veprat e Apostujve 11:1-18

11 Ndërkaq apostujt dhe vëllezërit që ishin në Jude morën vesh se edhe johebrenjtë kishin pranuar fjalën e Perëndisë.

Dhe, kur Pjetri u ngjit në Jeruzalem, ata që ishin rrethprerë haheshin me të,

duke thënë: “Ti hyre në shtëpi të njerëzve të parrethprerë dhe hëngre me ta!.”

Por Pjetri, duke nisur nga fillimi, u shpjegoi atyre me radhë ngjarjet duke thënë:

“Unë po lutesha në qytetin e Jopes, kur u rrëmbeva në ekstazë dhe pashë një vegim: një send, që i ngjante një çarçafi të madh të kapur në të katër cepat, po zbriste si të ulej poshtë prej qiellit dhe arriti deri tek unë.

Duke shikuar me vëmendje brenda, dallova dhe pashë katërkëmbësha, bisha, zvarranikë të tokës dhe shpendë të qiellit.

Dhe dëgjova një zë që më thoshte: "Pjetër, çohu, ther dhe ha!".

Por unë thashë: "Kurrsesi, o Zot, sepse nuk më ka hyrë kurrë në gojë asgjë e papastër ose e ndotur".

Por zëri m’u përgjigj për të dytën herë nga qielli: "Gjërat që Perëndia i ka pastruar, ti mos i bëj të papastra!".

10 Dhe kjo ndodhi tri herë; pastaj gjithçka u tërhoq përsëri në qiell.

11 Në po atë moment tre njerëz, që i pata dërguar në Cezare, u paraqitën në shtëpinë ku ndodhesha unë.

12 Dhe Fryma më tha të shkoj me ta, pa pasë kurrfarë ngurrimi. Me mua erdhën edhe këta gjashtë vëllezër, dhe kështu hymë në shtëpinë e atij njeriu.

13 Ai na tregoi se si kishte parë një engjëll që u paraqit në shtëpinë e tij dhe i tha: "Dërgo njerëz në Jope dhe thirre Simonin, të mbiquajtur Pjetër.

14 Ai do të të thotë fjalët, me anë të të cilave do të shpëtohesh ti dhe gjithë shtëpia jote".

15 Sapo kisha filluar të flas, kur Fryma e Shenjtë zbriti mbi ta, sikurse kishte zbritur në fillim mbi ne.

16 Atëherë m’u kujtua fjala e Zotit që thoshte: "Gjoni pagëzoi me ujë, por ju do të pagëzoheni me Frymën e Shenjtë".

17 Në qoftë se Perëndia, pra, u dha atyre të njëjtën dhuratë që kemi marrë ne, që besuam në Zotin Jezu Krisht, kush isha unë që të mund t’i kundërvihesha Perëndisë?.”

18 Si i dëgjuan këto fjalë, ata u qetësuan dhe përlëvdonin Perëndinë, duke thënë: “Perëndia, pra, edhe johebrenjve u dha pendesën për t’u dhënë jetën!.”

Gjoni 8:12-20

12 Dhe Jezusi u foli atyre përsëri duke thënë: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës.”

13 Atëherë farisenjtë i thanë: “Ti dëshmon për vetveten; dëshmimi yt nuk është i vërtetë.”

14 Jezusi u përgjigj dhe u tha atyre: “Edhe pse dëshmoj për vetvete, dëshmimi im është i vërtetë, sepse unë e di nga kam ardhur e ku po shkoj; ju, përkundrazi, nuk e dini as nga vij dhe as ku po shkoj.

15 Ju gjykoni sipas mishit, unë nuk gjykoj asnjeri.

16 Por, edhe kur gjykoj, gjykimi im është i vërtetë, sepse unë nuk jam vetëm, por jam unë dhe Ati që më dërgoi.

17 Edhe në ligjin tuaj është shkruar se dëshmimi i dy njerëzve është i vërtetë.

18 Unë jam ai që dëshmoj për vetvete dhe Ati që më ka dërguar dëshmon për mua.”

19 Atëherë i thanë: “Ku është Ati yt?.” Jezusi u përgjigj: “Ju nuk më njihni as mua, as Atin tim; po të më njihnit mua, do të njihnit edhe Atin tim.”

20 Jezusi i shprehu këto fjalë në vendin e thesarit, duke mësuar në tempull dhe askush nuk e kapi, sepse nuk i kishte ardhur akoma ora.