Book of Common Prayer
97 Zoti mbretëron; le të gëzohet toka dhe le të ngazëllohen ishujt e mëdhenj.
2 Re dhe terr e mbështjellin; drejtësia dhe e drejta janë në themel të fronit të tij.
3 Një zjarr i shkon përpara dhe i zhduk armiqtë e tij rreth e qark.
4 Vetëtimat e tij ndriçojnë botën, toka i shikon dhe dridhet.
5 Malet shkrihen si dylli përpara Zotit, përpara Zotit të të gjithë tokës.
6 Qiejtë shpallin drejtësinë e tij dhe tërë popujt shohin lavdinë e tij.
7 U ngatërrofshin të gjihë ata që u shërbejnë skulpturave dhe ata që mburren me idhujt; rënçin përmbys përpara atij të gjitha perënditë.
8 Sioni ka dëgjuar dhe është gëzuar për to, dhe bijat e Judës janë gëzuar me gjykimet e tua, o Zot.
9 Sepse ti, o Zot, je Shumë i Larti mbi tërë tokën, ty të përlëvdojmë mbi gjithë perënditë e tjera.
10 Ju që e doni Zotin urreni të keqen! Ai ruan jetën e shenjtorëve të tij dhe i çliron nga dora e të pabesëve.
11 Drita ka dalë për të drejtin dhe gëzimi për ata që janë të drejtë nga zemra.
12 Ngazëllohuni tek Zoti, o njerëz të drejtë, dhe lëvdoni emrin e tij të shenjtë.
99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.
2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.
3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.
4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.
5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.
6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.
7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.
8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.
9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.
100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!
2 I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.
3 Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.
4 Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.
5 Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.
94 O Perëndi i hakmarrjes, o Zot, Perëndi i hakmarrjeve, shkëlqe.
2 Çohu, o gjykatës i tokës, dhe jepu shpërblimin mëndjemëdhenjve.
3 Deri kur të pabesët, o Zot, deri kur të pabesët do të triumfojnë?
4 Ata vjellin fjalë dhe mbajnë fjalime të paturpshme; të gjithë ata që kryejnë paudhësi flasin me arrogancë.
5 Ata marrin nëpër këmbë popullin tënd, o Zot, dhe shtypin trashëgiminë tënde.
6 Vrasin gruan e ve dhe të huajin, dhe vrasin jetimët,
7 dhe thonë: "Zoti nuk shikon, Perëndia i Jakobit nuk kupton".
8 Kërkoni të kuptoni, o njerëz të pamend midis popullit; dhe ju budallenj, kur do të bëheni të zgjuar?
9 Ai që ka vënë veshin, a nuk dëgjon? Ai që ka formuar syrin, a nuk shikon?
10 Ai që ndreq kombet, a nuk do t’i dënojë ata, ai që i mëson diturinë njeriut?
11 Zoti i njeh mendimet e njeriut dhe e di që nuk janë veçse kotësi.
12 Lum ai njeri që ti ndreq, o Zot, dhe që ti mëson sipas ligjit tënd,
13 për t’i dhënë prehje në ditët e fatkeqësisë, deri sa t’i hapet gropa të pabesit.
14 Sepse Zoti nuk ka për të hedhur poshtë popullin e tij dhe nuk ka për të braktisur trashëgiminë e tij.
15 Gjykimi do të mbështetet përsëri mbi drejtësinë, dhe tërë ata që janë të drejtë nga zemra do t’i shkojnë pas.
16 Kush do të ngrihet në favorin tim kundër njerëzve të këqij? Kush do të më dalë krah kundër atyre që kryejnë paudhësi?
17 Në qoftë se Zoti nuk do të më kishte ndihmuar, do të kisha përfunduar shpejt në vendin e heshtjes.
18 Kur thashë: "Këmba ime ngurron," mirësia jote, o Zot, më ka përkrahur.
19 Kur një numër i madh shqetësimesh më mbysnin, përdëllimet e tua më jepnin zemër.
20 Do të jetë vallë aleati yt gjykata e padrejtë, që thur padrejtësi në emër të ligjit?
21 Ata mblidhen tok kundër të drejtit dhe dënojnë gjakun e pafajshëm.
22 Por Zoti është kështjella ime dhe Perëndia im është kalaja në të cilën gjej strehë.
23 Ai do të lëshojë mbi ta ligësinë e tyre dhe do t’i bëjë të vdesin për shkak të paudhësisë së tyre; Zoti, Perëndia ynë, do t’i shkatërrojë.
95 Ejani, t’i këndojmë me gëzim Zotit; t’i dërgojmë britma gëzimi kalasë së shpëtimit tonë.
2 Le të shkojmë në prani të tij me lavde, ta kremtojmë me këngë.
3 Sepse Zoti është një Perëndi i madh dhe një Mbret i madh mbi gjithë perënditë.
4 Në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve.
5 I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar.
6 Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë.
7 Sepse ai është Perëndia ynë dhe ne jemi populli i kullotës së tij dhe kopeja për të cilën ai kujdeset. Sot, po të jetë se dëgjoni zërin e tij,
8 "mos e fortësoni zemrën tuaj si në Meriba, si ditën e Masas në shkretëtirë,
9 ku etërit tuaj më tunduan dhe më vunë në provë, edhe pse i kishin parë veprat e mia.
10 Për dyzet vjet e pata neveri atë brez dhe thashë: "Janë një popull me zemër të përdalë dhe nuk i njohin rrugët e mia.
11 Prandaj u betova në zemërimin tim: Nuk do të hyjnë në prehjen time".
13 Bijtë e Izraelit filluan përsëri të bëjnë atë që është e keqe për sytë e Zotit, dhe Zoti i dha në duart e Filistejve për dyzet vjet.
2 Ishte një njeri nga Tsorahu, prej familjes së Danitëve, që quhej Manoah; gruaja e tij ishte shterpë dhe nuk kishte fëmijë.
3 Engjëlli i Zotit iu shfaq kësaj gruaje dhe i tha: "Ja, ti je shterpë dhe nuk ke fëmijë, por ke për të mbetur me barrë dhe do të pjellësh një fëmijë.
4 Prandaj ruhu se pi verë o pije dehëse, dhe mos ha asnjë gjë të papastër.
5 Sepse ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë, mbi kokën e të cilit nuk do të kalojë brisku, sepse fëmija do të jetë një Nazireo kushtuar Perëndisë që në barkun e nënes së tij; ai do të fillojë ta çlirojë Izraelin nga duart e Filistejve".
6 Atëherë gruaja shkoi t’i thotë bashkëshortit të saj: "Një njeri i Perëndisë erdhi tek unë; pamja e tij ishte si ajo e Engjëllit të Perëndisë, me të vërtetë e frikshme. Unë nuk e pyeta se nga vinte, dhe ai nuk më tha emrin e tij;
7 por më tha: "Ja, ti do të mbetesh me barrë dhe do të pjellësh një djalë; prandaj tani mos pi verë as pije dehëse, dhe mos ha asgjë të papastër, sepse fëmija do të jetë një Nazireo i kushtuar Perëndisë që në barkun e nënës së tij deri në ditën e vdekjes së tij"".
8 Atëherë Manoahu iu lut me të madhe Zotit dhe i tha: "O Zot, të lutem që njeriu i Perëndisë i dërguar prej teje të kthehet përsëri pranë nesh dhe të na mësojë se çfarë duhet të bëjmë me fëmijën që ka për të lindur".
9 Perëndia e dëgjoi zërin e Manoahut; dhe Engjëlli i Perëndisë u kthye përsëri te gruaja, ndërsa ajo ndodhej në arë, por burri i saj Manoah nuk ishte me të.
10 Dhe gruaja me të shpejtë shkoi të informojë bashkëshortin e saj dhe i tha: "Ja, m’u shfaq ai burrë, që erdhi tek unë pardje".
11 Atëherë Manoahu u ngrit dhe ndoqi gruan e tij dhe, kur arritën tek ai njeri, i tha: "Ti je ai njeri që i foli kësaj gruaje?". Ai u përgjegj: "Jam unë".
12 Por Manoahu tha: "Kur të realizohet fjala jote, cili duhet të jetë stili i jetës së djalit dhe ç’duhet të bëjë?".
13 Engjëlli i Zotit iu përgjegj Manoahut: "Gruaja duhet të ketë kujdes për të gjitha ato që i thashë.
14 Të mos hajë asnjë nga prodhimet e rrushit, të mos pijë verë a pije dehëse, dhe të mos hajë asnjë gjë të papastër; të ketë parasysh të gjitha porositë që i kam urdhëruar".
15 Atëherë Manoahu i tha Engjëllit të Zotit: "Na lejo të të mbajmë dhe të të përgatisim një kec!".
27 Kështu, pra, i sollën dhe i paraqitën përpara sinedrit; dhe kryeprifti i pyeti,
28 duke thënë: “Po a nuk ju kemi ndaluar rreptësisht të mësoni në atë emër? Dhe ja, ju e keni mbushur Jeruzalemin me doktrinën tuaj dhe doni që të bjerë mbi ne gjaku i atij njeriu.”
29 Por Pjetri dhe apostujt, duke u përgjigjur, thanë: “Duhet t’i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve.
30 Perëndia e etërve tanë e ka ringjallur Jezusin, që ju e vratë, duke e varur në dru.
31 Perëndia e lartësoi me të djathtën e vet dhe e bëri princ dhe shpëtimtar për t’i dhënë Izraelit pendimin dhe faljen e mëkateve.
32 Dhe për këto gjëra ne jemi dëshmitarë të tij, si edhe Fryma e Shenjtë, që Perëndia ua ka dhënë atyre që i binden atij.”
33 Kur i dëgjuan këto gjëra, ata u tërbuan dhe vendosën t’i vrasin.
34 Por një farise, me emër Gamaliel, mësues i ligjit dhe i nderuar nga gjithë populli, u ngrit në këmbë në sinedër dhe urdhëroi të nxirren jashtë apostujt për një moment.
35 Pastaj u tha atyre të sinedrit: “Burra të Izraelit, mendohuni mirë për atë që do t’u bëni këtyre njerëzve.
36 Sepse pak kohë më parë u ngrit Teuda që thoshte se ishte dikush; rreth tij u mblodhën afro katërqind burra; por ai u vra dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë dhe u asgjësuan.
37 Pas tij, në kohën e regjistrimit të popullsisë, u ngrit Juda Galileas që tërhoqi pas vetes shumë njerëz; edhe ai humbi, dhe të gjithë ata që e kishin ndjekur u shpërndanë.
38 Tani unë po ju them t’u rrini larg këtyre njerëzve dhe t’i lironi, sepse në qoftë se ky plan ose kjo vepër është prej njerëzve, ajo do të prishet,
39 por nëse është prej Perëndisë, ju nuk mund ta prishni, sepse do të gjendeshit në luftë kundër vetë Perëndisë!.”
40 Dhe ata ia vunë veshin. Dhe, mbasi i thirrën apostujt, i rrahën dhe u dhanë urdhër të mos flasin në emër të Jezusit; pastaj i lanë të shkojnë.
41 Kështu ata u larguan nga sinedri, duke u gëzuar sepse qenë çmuar të denjë të fyhen për emrin e Jezusit.
42 Dhe çdo ditë, në tempull e nëpër shtëpi, nuk pushonin duke mësuar dhe duke shpallur lajmin e mirë: që Jezusi është Krishti.
22 Pas këtyre gjërave, Jezusi erdhi me dishepujt e vet në tokën e Judesë dhe qëndroi aty bashkë me ta dhe pagëzonte.
23 Por edhe Gjoni pagëzonte në Enon, afër Salimit, sepse aty kishte shumë ujë; dhe njerëzit vinin dhe pagëzoheshin,
24 sepse Gjoni s’ishte hedhur akoma në burg.
25 Atëherë lindi një diskutim ndërmjet dishepujve të Gjonit me Judenjtë rreth pastrimit.
26 Kështu erdhën te Gjoni dhe i thanë: “Mësues, ai që ishte me ty përtej Jordanit, për të cilin ti bëre dëshmi, ja, ai pagëzon dhe të gjithë shkojnë tek ai.”
27 Gjoni u përgjigj dhe tha: “Njeriu nuk mund të marrë asgjë, nëse nuk i është dhënë nga qielli.
28 Ju vetë më jeni dëshmitarë se thashë: "Unë nuk jam Krishti, por jam dërguar përpara tij".
29 Ai që e ka nusen është dhëndri, por miku i dhëndrit, që është i pranishëm dhe e dëgjon, gëzohet shumë për zërin e dhëndrit; prandaj ky gëzimi im është i plotësuar!
30 Ai duhet të rritet dhe unë të zvogëlohem.
31 Ai që vjen nga lart është përmbi të gjithë; ai që vjen nga dheu është nga dheu dhe flet për dheun; ai që vjen nga qielli është përmbi të gjithë.
32 Dhe ai dëshmon çfarë ka parë dhe dëgjuar, por askush nuk e pranon dëshminë e tij.
33 Ai që e pranoi dëshminë e tij e vulosi se Perëndia është i vërtetë.
34 Sepse ai që Perëndia ka dërguar flet fjalët e Perëndisë, sepse Perëndia nuk e jep Frymën e tij me masë.
35 Ati e do Birin dhe i ka dhënë në dorë çdo gjë.
36 Kush beson në Birin ka jetë të përjetshme, kurse kush nuk i bindet Birit nuk do të shohë jetë, por zemërimi i Perëndisë qëndron mbi të.”