Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 83

83 O Perëndi, mos rri në heshtje! Mos mbyll gojën, mos rri i qetë, o Perëndi!

Sepse, ja, armiqtë e tu po ziejnë dhe ata që të urrejnë ngrenë kokën.

Thurrin gracka kundër popullit tënd dhe bëjnë komplote kundër atyre që ti mbron.

Ata thonë: "Ejani t’i shkatërrojmë si komb, emri i Izraelit të mos kujtohet më".

Sepse kanë komplotuar së bashku me një mendje dhe kanë lidhur një besëlidhje kundër teje.

Çadrat e Edomit dhe Ismaelitët, Moabi dhe Hagarenët,

Gebali, Amoni dhe Amaleku, Filistia me banorët e Tiros;

dhe Asiria është bashkuar me ta për të ndihmuar bijtë e Lotit. (Sela)

Vepro me ta ashtu si bëre me Madianin, me Siseran dhe me Jabinin pranë përroit të Kishonit,

10 të cilët u shkatërruan në Endor dhe u bënë si pleh për tokën.

11 Bëj që krerët e tyre të jenë si Orebi dhe Zeebi, dhe tërë princat e tyre si Zebahu dhe Tsalmuna,

12 sepse ata thanë: "Të shtiem në dorë kullotat e Perëndisë".

13 O Perëndia im, bëji njëlloj si pluhuri i vorbullës, si kashta në mëshirë të erës.

14 Ashtu si zjarri djeg pyllin dhe flaka gllabëron malet,

15 kështu ndiqi me furtunën tënde dhe trëmbi me uraganin tënd.

16 Mbulo fytyrat e tyre me turp, me qëllim që të kërkojnë emrin tënd, o Zot.

17 U turpërofshin dhe u tmerrofshin përjetë, u ngatërrofshin dhe vdekshin;

18 dhe ta dijnë se ti vetëm, që quhesh Zoti, je Shumë i Larti mbi gjithë dheun.

Psalmet 145

145 Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im, dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.

Do të të bekoj çdo ditë dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.

Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme.

Një brez do t’i shpallë lëvdimet e veprave të tua tjetrit dhe do t’i njoftojë mrekullitë e tua.

Do të mendohem thellë mbi shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate dhe mbi veprat e tua të mrekullueshme.

Këto do të flasin për fuqinë e veprave të tua të tmerrshme, dhe unë do të tregoj madhështinë tënde.

Ata do të shpallin kujtimin e mirësisë sate të madhe dhe do të këndojnë me gëzim drejtësinë tënde.

Zoti është i dhemshur dhe mëshirplot, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Zoti është i mirë me të gjithë dhe plot dhemshuri për të gjitha veprat e tij.

10 Tërë veprat e tua do të të kremtojnë, o Zot, dhe shenjtorët e tu do të të bekojnë.

11 Ata do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate dhe do të tregojnë për fuqinë tënde,

12 për t’u bërë të njohura bijve të njerëzve mrekullitë e tua dhe shkëlqimin e madhërishëm të mbretërisë sate.

13 Mbretëria jote është një mbretëri përjet dhe sundimi yt vazhdon brez pas brezi.

14 Zoti përkrah tërë ata që rrëzohen dhe ngre përsëri në këmbë tërë ata që janë rrëzuar.

15 Sytë e të gjithëve shikojnë drejt teje duke pritur, dhe ti u jep atyre ushqimin në kohën e duhur.

16 Ti e hap dorën tënde dhe plotëson dëshirën e çdo qënieje të gjallë.

17 Zoti është i drejtë në të gjitha rrugët e tij dhe dashamirës në të gjitha veprat e tij.

18 Zoti është pranë gjithë atyre që kërkojnë, pranë gjithë atyre që e kërkojnë në të vërtetë.

19 Ai kënaq dëshirën e atyre që kanë frikë prej tij, dëgjon britmën dhe i shpëton.

20 Zoti mbron të gjithë ata që e duan dhe do të shkatërrojë të gjithë të pabesët.

21 Goja ime do të tregojë lëvdimin e Zotit, dhe çdo qënie do të bekojë emrin e tij të shenjtë përjetë.

Psalmet 85-86

85 O Zot, ti ke qenë i mbarë për tokën tënde dhe e ke kthyer Jakobin nga robëria.

Ti ke falur paudhësinë e popullit tënd dhe ke mbuluar tërë mëkatet e tyre. (Sela)

Ti ke larguar gjithë indinjatën tënde dhe ke lënë mënjanë zemërimin tënd të zjarrtë.

Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë, dhe jepi fund indinjatës sate kundër nesh.

A do të mbetesh i zemëruar me ne përjetë? A do ta vazhdosh zemërimin tënd brez pas brezi?

A nuk do të na japësh përsëri jetën, me qëllim që populli yt të mund të gëzohet te ti?

Tregona, o Zot, mirësinë tënde dhe falna shpëtimin tënd.

Una kam për të dëgjuar atë që Perëndia, Zoti, ka për të thënë; me siguri ai do t’i flasë për paqe popullit të tij dhe shenjtorëve të tij, por nuk do të lejojë që ata të jetojnë përsëri si njerëz pa mend.

Me siguri shpëtimi i tij është afër atyre që kanë frikë prej tij, sepse lavdia e tij mund të banojë në vendin tonë.

10 Mirësia dhe e vërteta u takuan; drejtësia dhe paqja janë puthur njera me tjetrën.

11 E vërteta do të mbijë nga toka dhe drejtësia do të shikojë nga qielli.

12 Po, Zoti do të japë atë që është e mirë, dhe toka jonë do të prodhojë frytin e saj.

13 Drejtësia do të ecë para tij dhe do të përgatisë udhën për hapat e tij.

86 Vëri veshin, o Zot, dhe përgjigjmu, sepse jam i dëshpëruar dhe nevojtar.

Ruaje jetën time sepse jam i shenjtë; ti je Perëndia im; shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.

Ki mëshirë për mua, o Zot, sepse të këlthas ty tërë ditën.

Gëzoje shërbëtorin tënd, sepse te ti, o Zot e lartoj shpirtin tim.

Sepse ti, o Zot, je i mirë dhe i gatshëm të falësh, dhe tregon mirësi të madhe ndaj gjithë atyre që të kërkojnë.

Vëri veshin, o Zot, lutjes time, dhe trego kujdes për britmën e përgjërimeve të mia.

Unë të kërkoj në ditën e fatkeqësisë sime, sepse ti do të më përgjigjesh.

Nuk ka asnjë të barabartë me ty midis perëndive, o Zot, as ka vepra të njëllojta me të tuat.

Tërë kombet që ti ke krijuar do të vinë të bien përmbys para teje, o Zot, dhe do të përlëvdojnë emrin tënd.

10 Sepse ti je i madh dhe kryen mrekulli; vetëm ti je Perëndia.

11 Mësomë rrugën tënde, o Zot, dhe unë do të ec në të vërtetën tënde; bashkoje zemrën time me frikën e emrit tënd.

12 Unë do të të lëvdoj, o Zot, Perëndia im, me gjithë zemër, dhe do ta përlëvdoj emrin tënd përjetë.

13 Sepse e madhe është mirësia jote ndaj meje; ti ke shpëtuar shpirtin tim nga Sheoli.

14 O Perëndi, njerëz kryelartë kanë dalë kundër meje dhe një turmë njerëzish të dhunës kërkojnë jetën time dhe nuk të vë ty para syve të tyre.

15 Por ti, o Zot, je një Perëndi i mëshirshëm dhe i dhembshur që zemërohet ngadalë dhe që ka shumë mirësi dhe të vërtetë.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua; jepi forcën tënde shërbëtorit tënd dhe shpëto birin e shërbëtores sate.

17 Tregomë një shenjë të dashamirësisë sate, me qëllim që ata që më urrejnë ta shohin dhe të mbeten të shushatur, duke parë që ti, o Zot, më ke ndihmuar dhe më ke ngushëlluar.

Gjyqtarët 8:22-35

22 Atëherë burrat e Izraelit i thanë Gedeonit: "Mbretëro mbi ne ti, biri yt dhe i biri i birit tënd, sepse na ke çliruar nga sundimi i Madianit".

23 Por Gedeoni u përgjegj: "Unë nuk do të mbretëroj mbi ju, as edhe biri im!".

24 Pastaj Gedeoni u tha: "Por dua t’ju kërkoj diçka: secili prej jush të më japë vathët e plaçkës së tij". Ata kishin vathët prej ari sepse ishin Ismaelitë.

25 Ata u përgjigjën: "Ne i japim me gjithë qejf". Kështu ata shtrinë një mantel dhe secili hodhi vathët e plaçkës së tij.

26 Pesha e vathëve prej ari që ai kishte kërkuar ishte njëmijë e shtatëqind sikla ari, përveç gjysmëhënëzave, varëseve dhe rrobave të purpurta që vishnin mbretërit e Madianit, përveç qaforeve që devetë e tyre mbanin në qafë.

27 Pastaj Gedeoni me to bëri një efod, dhe e vendosi në Ofrah, në qytetin e tij; tërë Izraeli shkoi atje dhe u kurvërua me të dhe kështu u shndërrua në një lak për Gedeonin dhe shtëpinë e tij.

28 Kështu Madiani u poshtërua përpara bijve të Izraelit dhe nuk ngriti më kokë; dhe vendi pati paqe dyzet vjet me radhë, gjatë gjithë jetës së Gedeonit.

29 Pastaj Jerubaali, bir i Joashit, u kthye të banojë në shtëpinë e tij.

30 Gedeoni pati shtatëdhjetë fëmijë që dolën nga ijet e tij, sepse pati shumë gra.

31 Por konkubina e tij që banonte në Sikem, i lindi edhe ajo një djalë, të cilit i vuri emrin Abimelek.

32 Pastaj Gedeoni, bir i Joashit, vdiq në pleqëri të mbarë dhe u varros në varrin e Joashit, të atit të tij, në Ofrah të Abiezeritëve.

33 Pas vdekjes së Gedeonit, bijtë e Izraelit filluan përsëri të kurvërohen përpara Baalit dhe zgjodhën Baal-Berithin si zot të tyre.

34 Bijtë e Izraelit nuk u kujtuan fare për Zotin, Perëndinë e tyre, që i kishte çliruar nga të gjithë armiqtë që i rrethonin,

35 dhe nuk u treguan fare mirënjohës ndaj shtëpisë së Jerubaalit (domethënë të Gedeonit) për gjithë ato të mira që i kishte bërë Izraelit.

Veprat e Apostujve 4:1-12

Ndërsa ata po i flisnin popullit, priftërinjtë, komandanti i tempullit dhe saducenjtë u turrën mbi ta,

të zemëruar sepse e mësonin popullin dhe shpallnin në Jezusin ringjalljen e të vdekurve.

Dhe i shtinë në dorë dhe i futën në burg deri të nesërmen, sepse ishte ngrysur.

Por shumë nga ata që ua kishin dëgjuar fjalën besuan; dhe numri i burrave u bë rreth pesë mijë.

Të nesërmen krerët, pleqtë dhe skribët u mblodhën në Jeruzalem,

bashkë me kryepriftin Anan dhe me Kajafën, Gjonin, Aleksandrin dhe të gjithë ata që i përkisnin farefisit të kryepriftërinjve.

Dhe, si i nxorën aty në mes, i pyetën: “Me ç’pushtet ose në emër të kujt e keni bërë këtë?.”

Atëherë Pjetri, i mbushur me Frymën e Shenjtë, u tha atyre: “Krerë të popullit dhe pleq të Izraelit!

Nëse ne sot gjykohemi për një mirësi që iu bë një njeriu të sëmurë, për të ditur si u shërua ai,

10 le ta njihni të gjithë ju dhe mbarë populli i Izraelit se kjo u bë në emër të Jezu Krishtit Nazareas, që ju e kryqëzuat dhe që Perëndia e ringjalli prej së vdekuri; me anë të tij ky njeri del para jush i shëruar plotësisht.

11 Ky është guri që ju, ndërtuesit, e hodhët poshtë dhe që u bë guri i qoshes.

12 Dhe në asnjë tjetër nuk ka shpëtim, sepse nuk ka asnjë emër tjetër nën qiell që u është dhënë njerëzve dhe me anë të të cilit duhet të shpëtohemi.”

Gjoni 1:43-51

43 Të nesërmen, Jezusi donte të dilte në Galile; gjeti Filipin dhe i tha: “Ndiqmë!.”

44 Dhe Filipi ishte nga Betsaida, nga i njejti qytet i Andreas dhe i Pjetrit.

45 Filipi gjeti Natanaelin dhe i tha: “E gjetëm atë, për të cilin shkroi Moisiu në ligj dhe profetët: Jezusin nga Nazareti, të birin e Jozefit!.”

46 Dhe Natanaeli i tha: “A mund të dalë diçka e mirë nga Nazareti?.” Filipi i tha: “Eja e shih!.”

47 Jezusi pa se Natanaeli po vinte drejt tij dhe tha për të: “Ja një Izraelit i vërtetë, tek i cili s’ka mashtrim.”

48 Natanaeli i tha: “Nga më njeh?.” Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Të pashë kur ishe nën fik, para se të të thërriste Filipi.”

49 Natanaeli duke iu përgjigjur tha: “Mësues, ti je Biri i Perëndisë, ti je mbreti i Izraelit!.”

50 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Sepse të thashë se të pashë nën fik, ti beson; do të shohësh gjëra më të mëdha se këto!.”

51 Pastaj i tha: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se tash e tutje ju do të shihni qiellin e hapur dhe engjëjt e Perëndisë duke u ngjitur dhe duke zbritur mbi Birin e njeriut.”